Publikuar me : 04.12.2011 Ne :
Politike - 99 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Në prag të 8 Dhjetorit, ditës ndërkombëtare të rinisë kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot një takim me të rinjtë e qytetit të Durrësit. Në bashkëbisedim me të rinjtë Berisha theksoi se 8 Dhjetori I vitit 1990 është një datë që meriton nderimin më të madh, sipas kryeministrit kjo datë pas asaj të pavarësisë është viti më përcaktues për shqiptarët.
“Viti 90 mund të konsiderohet si viti i mrekullive dhe kjo për ju nuk është kaq e lehtë të realizohet por ata që kanë lindur para jush dhe kanë kaluar vite në regjimin më të egër, mund ta kuptojnë”, u shpreh Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se përballja e studentëve në vitet 90-të ishte më e egra pasi ekzekutoheshin nga regjimi barbar. “Përballja ishte më e egra pasi moshatarët tuaj në vitin 90 përballeshin me një regjim, i cili edhe pasi kishte hequr dënimin për tradhti ndaj atdheut, ekzekutoi 83 bashkëmoshatarë tuaj që u nisën për në botën e lirë duke besuar që ligji u hoq dhe do të mund të kalonin kufirin”, theksoi Berisha.
Sipas kryeministrit pas 20 vitesh, Shqipëria ka pasur arritje të mëdha dhe vendi ecën i sigurtë drejt grupit të vendeve të zhvilluara. “Procesi i integrimit u pengua nga kreu i opizitës për qëllime të pastra politike. Nuk them se ai është anti-europian. Opozita ka qenë anti-NATO, por jo anti-evropiane. Rama besoi se duke bllokuar qeverinë dhe vendin do të vinte më shpejt në pushtet, por përgjigjen e mori në 8 maj”, deklaroi Berisha.