Berisha Nuk luftohen te pasurit. Rama Saliu eshte me cunat e bllokut te tij
Publikuar me : 02.11.2011 Ne :
Politike - 24 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Kreu i opozitës Edi Rama ka reaguar mbi deklaratën e bërë nga Berisha në mbledhjen e qeverisë. Berisha tha se nuk do të lejohet rikthimi i “taksës Marksiste” ndërsa Rama është përgjigjur duke thënë se një sistem i tillë taksash mbështetet nga liderët e vendeve të të fuqishme në botë.
“Ne jemi me marksistet Obama, Merkel, Sarkozy e Cameron, madje edhe me marksistin Berlusconi. Kurse Saliu është me çunat e Bllokut të vet”, shkruan Rama.
Kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë ka sulmuar strategjinë e socialistëve për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendi, e cila u paraqit një ditë më parë në Asmablenë e PS, si shtylla kryesore e programit të ri të kësaj force. Berisha e cilësoi propozimin e PS-së për taksën progresive si politikë marksiste.
“Taksa marksiste nuk do të kthehet kurrë në këtë vend. Ata që mendojnë se do begatojnë vendin duke luftuar të pasurit, duke bllokuar privatizimin e koncesionin, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpalosin alternativën e etërve të tyre, e cila nuk mund të kthehet kurrë në këtë vend. Sistemi marksist nuk ka dhe nuk mund të ketë të ardhme. Ai është provuar që bazohet në rrënimin e të pasurve. Konsolidimi i bizneseve të tyre është mekanizmi themelor i rritjes së prosperitetit, që nga Adam Smithi deri sot. Ata le të merren me Marksin po të duan. Marksi në rrugët e Shqipërisë nuk do të mund të shëtisë më. E kanë provuar shqiptarët më shumë dhe në mënyrën më të tmerrshme se të gjithë të tjerët”, u shpreh Berisha.
Më tej kreu i qeverisë ka folur për zhvillimin ekonomikt të vendit. Sipas kreut të ekzekutivit, “eksportet kanë shënuar një rritje prej 320 milion dollarësh krahasuar me vitin e rritjes më të madhe të eksporteve shqiptare, 2010-n. Pozitiv është fakti se vjet dhe sivjet, trendi i rritjes së eksporteve Made in Albania dominon mbi trendin e rritjes së eksporteve të bazuara në lëndë të parë të importuar. Eksportet me mallra Made in Albania janë rritur me 27 për qind (rritje 9-mujore). Pra gjithnjë e më shumë prodhimet shqiptare po preferohen në tregjet e botës”, tha Berisha, sipas të cilit kjo rritje është tregues i mirëfunksionimit të ekonomisë shqiptare.
Ai u ndal sërish në krizën e borxheve në Europë, nga e cila, sipas tij, Shqipëria mund të shpëtojë vetëm nëpërmjet inkurajimit të biznesit. “Nuk kemi asnjë mekanizëm për t’i rezistuar krizës përveç inkurajimit të biznesit. Kjo është rruga më e sigurtë në këtë kohë të vështirë. Nuk mohohet se Evropa nuk ka njohur një krizë kaq të thellë të sistemit të borxheve, e cila nuk do të mund të kapërcehet për një kohë të shkurtër. Fakti është fakt se borxhet prodhohen tashmë si një tepri, se ato janë marrë dhe nuk janë investuar në ekonomi, infrastrukturë e teknologjitë me të mira për të rritur prodhimin. Kriza do të vazhdojë. Borxhet kanë arritur këto kulme si rezultat i politikave shumëvjeçare. Do të duhen shumë vite për të dalë nga pasojat e këtyre politikave”, përfundoi Berisha.