Publikuar me : 04.10.2011 Ne :
Politike - 48 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Përfaqësuesi i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore Roberto Battelli në një takim me kryeministri Sali Berisha është shprehur se Asambleja Parlamentare e OSBE-së vlerëson se gjatë viteve të fundit Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm për sa i përket procedurave zgjedhore, sistemit zgjedhor, i cili është tashmë shumë afër një ndër sistemeve më transparent.
Battelli vlerësoi suksesin e madh që u shënua me pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit, si dhe sistemin elektronik të Regjistrit të Gjendjes Civile, i cili heq çdo lloj dyshimi mbi identitetin e shtetasve, gjë që e bën procesin zgjedhor jashtëzakonisht efiçent.
Në takim u theksua rëndësia e adresimit të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR si jashtëzakonisht e rëndësishme për një efiçencë edhe më të lartë të sistemit ligjor dhe institucional zgjedhor në Shqipëri, i cili tashmë është provuar përmes dy proceseve zgjedhore të njëpasnjëshme, si një kuadër shumë i mirë, i standardeve më të larta demokratike.
Kryeministri Berisha e siguroi Delegacionin për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për t`i krijuar opozitës të gjitha hapësirat e nevojshme, në kuadër të 52 rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, për një reformë zgjedhore tërësisht transparente dhe konsensuale.
Përfaqësues i Posaçëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Evropën Juglindore, z. Battelli, vlerësoi se ecuria pozitive e ekonomisë shqiptare dëshmon qartësisht për politikat e drejta të ndjekura nga qeveria shqiptare gjatë kësaj periudhe dhe është një faktor i rëndësishëm në promovimin e imazhit të Shqipërisë, si një vend që po punon seriozisht për projektin madhor të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në të gjitha këto përpjekje, Shqipëria do të vazhdojë të ketë mbështetjen e OSBE-së, Asamblesë Parlamentare të saj dhe organizatave të lidhura me të, theksoi Battelli.