Berisha per energjine e rinovueshme Do te behemi nje superfuqi e vogel ne rajon
Publikuar me : 03.11.2011 Ne :
Politike - 73 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një superfuqi e vogël energjetike në Europë, duke përdorur burimet e saj të energjisë së rinovueshme” u shpreh kryeministri Berisha në një konferencë me temë “Pasuritë Hidrike”, e cila u zhvillua paraditen e sotme.
Sipas Berishës, në kohën kur e gjithë bota po përballet me ndryshimin e klimës dhe pasojat që sjell ajo në zvogëlimin e burimeve të energjisë, Shqipëria ka gjetur mënyrën për të ecur në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.
“Ne i kemi të gjitha mundësitë të bëhemi një vend me 100 për qind prodhim energjie të rinovueshme dhe eksportues i saj. Ne i kemi të gjitha potencialet të jemi një superfuqi e vogël e kësaj energjie në rajon. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, të ecim në këtë rrugë, pasi rezervat ujore të vendit janë shfrytëzuar vetëm më pak se 1/3 ndërsa 2/3 presin të shfytëzohen”, tha Berisha.
Duke folur për energjinë e rinovueshme, kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë edhe për shfrytëzimin e erës dhe energjisë diellore. “Qeveria është e angazhuar në ripërtëritjen e infrastrukturës së vendit, por sapo të krijohet mundësia e fondit të energjisë jeshile, do të bëjmë gjithçka. Shqipëria ka platforma ere të jashtëzakonshme. Ne jemi të vendosur të inkurajojmë edhe këtë burim energjie. Ne mbetemi të hapur për energjinë solare dhe e inkurajojmë edhe atë. Jemi në negociata me kompanitë më të mëdha edhe për energjinë gjeotermike”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit u ndal edhe në ligjin për koncesionet, i miratuar në 2006, të cilin e konsideoi si një nga ligjet më të shkëlqyera. “Ligji i koncesioneve për hidrocentralet është nga ligjet më të shkëlqyera. Ky ligj shpërtheu një garë të paparë në historinë e këtij vendi. Qeveria shqiptare ka firmosur 110 kontrata për ndërtimin e rreth 300 hidrocentraleve”, tha kryeministri.