Publikuar me : 15.12.2011 Ne :
Politike - 87 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryeministri Berisha ka lindur më 15 tetor të vitit 1944 dhe sot është 66 vjeç e dy muaj fiks, por dje ai deklaroi me krenari se “Sali Berisha nuk ka moshë”. Dy ditë pas gjendjes të të fikëtit që e bëri të ngrijë në podium teksa po mbante fjalimin për 21 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, kryeministri Berisha ka dalë zyrtarisht në punë. Si për të provuar se është në rregull nga ana shëndetësore, ai ka mbajtur një mbledhje ku janë miratuar jo pak por, 28 vendime, projektligje dhe një akt normativ. Por që në fillim të mbledhjes ai u kujtua që të shpjegonte pse pësoi gjendjen e të fikëtit në sallën e Pallatit të Kongreseve si dhe të bëjë një kronologji të sëmundjeve të tij.
“Sot është një rend dite shumë i ngjeshur, por, natyrisht, mediat që janë dyfish të pranishme sot, presin këtu deklaratën time për gjendjen shëndetësore. Ndjehem shumë mirë. Ajo që pësova në datën 12 dhjetor, ishte një episod, sipas mjekëve, por edhe sipas anamnezës sime, pasi edhe ajo ka vlerën e vet, ishte një episod lipotimie i lidhur me një virozë”,- tha kryeministri Berisha. Ai shpjegoi se ky është rasti i tretë që i ndodh kjo gjendje. “I pari ka ndodhur në vitin ’88 dhe në realitet ishte më i forti, gjë që më imponoi të bëj një ekzaminim të të gjitha sistemeve dhe që gjithçka dolën ‘intact’. Pra, ishte në kuadrin e një virozë. Viruse që mesa duket kanë potenciale të ndikojnë ose të krijojnë episod të tillë, por, e vërteta është, si virozë ajo nuk ishte e fuqishme. Rasti tjetër ka ndodhur në Vlorë, dhjetë vjet më vonë, në vitin ’98. Ajo ishte në kuadrin e një virozë më të fuqishme. Dhe rasti i tretë, që ishte i çuditshëm se ishte më i lehti, ishte edhe ky në sfondin e një viroze”,- tha kryeministri.
Pas këtij shpjegimi kronologjik, Sali Berisha dha edhe shpjegimin e tij personal duke e cilësuar veten si një njeri që ka shumë energji në trup dhe për pasojë ai “mund çdo sëmundje”. “Shpjegimi për këtë është hiperenergjia. Në tërësi, këto japin temperaturë të lartë, kurse një organizëm që reagon fuqishëm ndaj tyre, reagon me energji të mëdha krijohen mesa duket episode të tilla, të cilat kanë ardhur në zvogëlim në fuqitë e tyre. Pra, ndjehem shumë mirë. Nga një check up që u bë rezultoi se në sistemin e të gjitha enëve të qarkullimit të gjakut të Sali Berishës nuk gjendet as edhe një pllakë e vetme ateromatoze, ateroskleroketike. Kjo do të thotë sistem që nuk ka moshë. Kisha bërë një kontroll me të gjitha para dy vitesh, madje desha edhe ta botoj, por e lashë. E bëra përsëri tani dhe u kërkua nëse kishte ndonjë pllakë të vogël kund, por ato ishin të lëmuara, pothuajse siç kanë lindur, natyrisht, jo si të asaj moshe”,- tha kryeministri duke folur në vetë të tretë për Sali Berishën.
Çfarë është lipotimia
Lipotimia (të fikëti) është shkalla më e ulët e humbjes së ndjenjave. Shkaku mund të jetë mungesa e furnizimit të mjaftueshëm me oksigjen të trurit, për shkak të rënies së presionit arterial. Kjo gjendje mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm: lodhje, nxehtësi e tepërt, oksigjenim i keq i ambientit, hemorragji, trauma fizike ose emotive, rënie e tensionit ose hipoglicemi. Në gjuhën mjekësore quhet ulje e tensionit të gjakut në shifra poshtë 60mmHg. Shkaqet e kësaj gjendjeje janë sëmundjet e gjakut, sëmundjet e zemrës dhe stresi nervor.
Shenjat e lipotimisë
Shenjat e lipotimisë janë djersë në të gjithë trupin, dobësi e menjëhershme sa i sëmuri gati rrëzohet,
humbje e ngjyrës së lëkurës etj. Në këto raste i sëmuri duhet të shtrihet dhe ti ngrihen këmbët më lartë se sa koka duke i vendosur disa jastëkë.