Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Berisha Topi i ka falur shpirtin Rames

Publikuar me : 29.07.2011 Ne : Politike - 130 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ndërkohë që qëllimi i konferencës së djeshme ishte një reagim për situatën e fundit të krijuar mes Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Sali Berisha mendjen duket se e ka patur tjetërkund. Sapo kanë filluar pyetjet e gazetarëve, të cilat kanë sjellë në fokus politikën e ditës dhe ndryshimet kushtetuese për të cilat është shprehur kryetari i opozitës Edi Rama, Berisha ka rifilluar me thumbat karakteristikë të diskursit të tij, prej të cilëve ata më ironizuesit i shkuan Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topit.

Kështu, pyetjes së një gazetari nëse mazhoranca ka në plan që vitin e ardhshëm të zgjedhë një president konsensual, bashkë me opozitën, Berisha iu përgjigj pa doreza duke thënë: “Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Unë nuk e bëj këtë për interesin e mazhorancës apo të qeverisë, por e bëj këtë për interesin jetik të çdo qytetari shqiptar. Ju e shihni se z. Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë, a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan”.

Më pas Berisha vijoi të komentonte për një lidhje politiko-shpirtërore mes presidentit Topi dhe kryetarit të opozitës Rama, por toni e fjalët e përdorura, duket sikur i kundërviheshin vetë asaj çka tha në fillim kryeministri, pra faktit që nuk është ndjerë i tradhtuar: “Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10.999 vota më pak në Tiranë. Sepse në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni; kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta. Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta”.

Në vijim të përgjigjeve Berisha la të kuptohet se nuk i qëndron ofertës për një president konsensual, sepse, sipas fjalëve të tij “Presidenti i Republikës do të zgjidhet tërësisht në përputhje me Kushtetutën”. Berisha madje nuk harroi të merrte përsipër dhe rolin e mësuesit të opozitës, duke thënë se nuk socialistëve nuk u duhen ndryshime kushtetuese për të ndikuar mbi presidentin, sepse atë e kanë me vete e gjithsesi nuk fitojnë. Sipas Berishës, Topi është “plotësisht në xhepin e opozitës”.

Pas këtyre shprehjeve aspak të matura dhe larg sensit të politikbërjes qytetare, ka ardhur dhe reagimi i Topit i cili nuk u komunikua nga vetë presidenti, por nga zyra e shtypit të presidencës. Në mesazhin e zyrës së komunikimit të presidencës shkruhej: “Presidenti i Republikës zoti Bamir Topi ka qenë, është dhe do të jetë tërësisht në funksionin e tij kushtetues, jashtë çdo ndikimi dhe angazhimi direkt apo indirekt të partive politike. Çdo përpjekje apo aludim tjetër që tenton ta pozicionojë politikisht Presidentin, është e gabuar, spekulative dhe e pamoralshme”. Mirëpo në mesazhin e vet duket se edhe Topi ka lëshuar disa thumba, duke e akuzuar në mënyrë indirekte Berishën si pjesëtar të “një loje që ka të njëjtët aktorë dhe të njëjtat sjellje apolitike prej më shumë se një dekade”. Topi gjithashtu nuk ka harruar të hedhë ironi mbi strategjitë e praktikat e Berishës për të krijuar armiq të paqenë, siç bëri pas 21 janarit kur hodhi publikisht idenë e një “putsch-i” për të marrë pushtetin e kryeministrit. Berisha asokohe tha se ky grusht shteti ishte një konspiracion mes kryetarit të opozitës, presidentit, kryetarit të shërbimit informativ dhe prokurores së përgjithshme, por natyrisht që ky skenar rezultoi thjesht fiktiv. Pikërisht kësaj situate, si edhe akuzës direkte sipas së cilës Topi ka votuar për Ramën i referohej mesazhi i presidencës: “Individë e institucione politike që kanë detyrë të zbatojnë kushtetutën dhe ligjet, në mënyrë sistematike ia lejojnë vetes të krijojnë situata të paqëna, të shpikin vota dhe kundërshtarë politikë, të krijojnë tension artificial midis qytetarëve dhe institucionit të kreut të shtetit, si dhe të tërheqin vëmendjen nga nevoja jetike që ka vendi për reforma të prekshme dhe rezultate konkrete në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”. Gjithsesi përgjigjja e Topit mbetet shumë më e zbehtë se sa sulmi i Berishës, ndërkohë që ping-pongu i batutave e sulmeve mes dy politikanëve tregon për një konflikt që tashmë nuk është më i heshtur, midis dy ish-miqve e ish-kolegëve në Partinë Demokratike, ku duket se nuk do të ketë më vend për Topin, pasi ky të largohet nga presidenca.

 

 

Aleanca Kuq e Zi: Nëse regjistrimi nuk shpallet antikushtetues, bojkotojeni

Dje Aleanca Kuq e Zi organizoi një simpozium me pjesëmarrje të gjerë veprimtarësh e intelektualësh, për të ngritur në vëmendje publike çështjen e regjistrimit të popullsisë. Ky organizim qytetar pritet që në shtator të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për të shqyrtuar kushtetueshmërinë e ligjit për regjistrimin e Popullsisë mbi baza etnokulturore. Në rast se edhe në atë institucion ky ligj nuk deklarohet antikushtetues, atëherë përfaqësuesit e kësaj organizate do t’i bëjnë thirrje qytetarëve që në mënyrë masive të grisin formularin e regjistrimit etnik e ta bojkotojnë atë. Gjithashtu një valë e re protestash do të nisin pas përfundimit të pushimeve dhe rifillimit të punës nëpër institucione. Ndërkohë, pikërisht në ato momente, presidenti Bamir Topi, i përfolur për lidhje të fshehta me “Aleancën”, dekretoi ligjin në fjalë. Sipas pjesëmarrësve në simpozium nisma e qeverisë për censusin është një kërkesë e qarqeve greke për të shpallur Shqipërinë një shtet multietnik, që mund të cënojë integritetin territorial të jugut të Shqipërisë. Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi deklaruan se edhe vetë Greqia e cila është anëtare e BE nuk e aplikon regjistrimin etnik dhe nuk njeh pakica etnike apo pakica kombëtare në territorin e saj, ndërkohë që i imponohet Shqipërisë me një standard të paqenë. Duke publikuar një formular të regjistrimit që aplikohet në vendin fqinj, Kreshnik Spahiu theksoi se Greqia nuk e ka opsionin e vetëdeklarimit etnik. “Kam përpara formularin e regjistrimit të popullsisë të fqinjit tonë Greqisë, e cila 1 muaj më parë realizoi regjistrimin e popullsisë dhe nuk e ka vendosur elementin e përkatësisë etnike. A mundet Shqipëria të vazhdojë të adoptojë procese bizantine dhe otomane të cilat Greqia e Turqia nuk i zbatojnë? Politika greke i thotë Shqipërisë bëj si them unë por mos bëj si bëj unë. Kjo është ndërhyrje e pastër në Shqipëri. Kush përgjigjet për këtë?”, tha Spahiu. Aleanca diskutoi edhe mbi procedurën e shpalljes antikushtetues të Ligjit “inovator” për regjistrimin e popullsisë, i cili u miratua në parlament me një procedurë të parregullt, pasi siç dihet tashmë, është votuar edhe për dy deputetë që nuk kanë qenë të pranishëm. Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar heqjen e imunitetit për deputetët të cilët votuan në mënyrë të parregullt në mungesë të dy deputetëve të tjerë të cilët ndodheshin në Itali dhe Turqi duke shkelur parimin kushtetues se “vota është vetjake” dhe se “vota nuk delegohet”. Një tjetër pjesëmarrës në këtë aktivitet Abdi Baleta  i bëri thirrje klasës politike që të mbrojë interesat e vendit: “Këtë nuk e quaj një betejë për protagonizëm, as për të sfiduar kot. S’ka asgjë për të sfiduar se për tu sfiduar është një politikë e tërë shqiptare që ka 20 vjet që shkon në kundërshtim me shpresat e mëdha. Integrimi europian kalon nëpërmjet faktorit kombëtar. Jam dakort që regjistrimi s’duhet të bëhet ashtu sikurse është konceptuar”, u shpreh Baleta . Formulari që do të përdoret për regjistrimin e popullsisë ka ndryshuar disa herë nga faza e tij fillestare. Tek formularët fillestarë qytetarët duhet të shënonin fenë edhe grupin etnik në të cilin ata bënin pjesë. Ndërkohë në formularin final, termi grup etnik është zëvendësuar me grup etnokulturor duke e zgjeruar edhe më shumë grupin. Qeveria ka përshpejtuar edhe procedurat për zbatimin e ligjit të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike duke miratuar edhe vendimin për ngritjen e komisioneve të punës në çdo qark për regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Komisioni i Censusit të Popullsisë dhe të Banesave në Qark do ushtrojë veprimtarinë e tij nga data 15 gusht 2011 deri më 15 nëntor 2011.

 

 

Pëllumb Xhufi: Regjistrimi, projekt i Greqisë

Kush është në të drejtë dhe në gabim? Nuk është e vështirë që të nxjerrësh një opinion lidhur me këtë pyetje. Edhe duke iu referuar ndryshimeve që ka bërë diskursi politik  Diku para një viti është tentuar të thuhet se ky regjistrim është një detyrim i Shqipërisë ndaj konventave. Politikanët tanë sot këtë thjesht nuk e thonë dot më, se ky regjistrim në këtë formë është në përplasje flagrante me konventat ndërkombëtare. Është në përplasje me vetë Kushtetutën e Shqipërisë, dhe me ligjet që burojnë nga kjo kushtetutë. Një regjistrim të tillë e ka kërkuar që në 1919 një ish kryeministër i Greqisë i asaj kohe Eleftherios Venizelos. Në Konferencën e Paqes ky kryeministër që kishte tentuar ta merrte me luftë të ashtuquajturin Vorio-Epir që kishte dalë në skenë, pasi s’e mori dot me luftë, mendoi të shtronte idenë e një referendumi ku shqiptarët të shënonin dëshirat e tyre se çfarë donin të ishin. Këtë koncept ia hodhi poshtë kryeministri anglez dhe francez. Nëse ata njerëz flasin shqip, kjo mjafton për të thënë që janë shqiptarë, t’i pyesësh për identitetin nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Një nga vizitat e para në Shqipërinë e sapodalë nga komunizmi ishte ajo e Micotaqis i cili solli një paketë me propozime ish presidentit të asaj kohe duke i kërkuar kapjen e kishës autoqefale shqiptare, një kërkesë e paraqitur me shumë arrogancë, si dhe problemin tjetër të minoritetit grek që nuk duhet konsideruar si minoritet  sipas konventave, por kush të dojë të shpallet grek. Në ‘93 erdhi dhe ultimatumi me gjashtë pika që qeveria greke i paraqiti shqiptarëve. Ishte realizuar një puç kishtar se ka edhe puç kishe, jo vetëm puçe shteti më 2 gusht 1992. Kishin ngelur edhe pesë kërkesa midis të cilave edhe kërkesa për regjistrimin e popullsisë minoritare greke në Shqipërisë sipas parimit të vetëpërcaktimit . Pra jemi pikërisht në këtë fazë. Ideja e regjistrimit filloi që në 2004 kur përfaqësuesit e minoritetit grek, Dule posaçërisht, në disa raste e shprehu se ne kemi bërë marrëveshje koalicioni me mazhorancën e re që do të vinte në 2005 për të bërë regjistrimin e popullsisë me vetëdeklarim.

Njehsimi etnokulturor nuk ekziston në Kushtetutë,  flitet për pakicat kombëtare. Janë një sërë faktorësh politikë që e përcaktojnë kombësinë, nuk është shprehja e dëshirës individuale. Kemi të bëjmë me plotësim të një kërkese, të një presioni të huaj , që një qeveri dhe institucione me integritet s’do ta bënin kurrë. Më vjen turp  sot kur shoh jo ambasadorë, por shoh edhe në nivelet më të larta përfaqësues  të instancave të larta të qeverisë, të shtetit shqiptar të cilët jo i mbrojnë interesat e vendit të tyre si heronj, por i shesin në mënyrë të turpshme

 

Dyshimet mbi voten e Topit

Procesi i rivlerësimit të votave i dha mundësi mazhorancës dhe në veçanti kryeministrit Berisha që të sulmonte presidentin Bamir Topi. Më 20 maj KQZ  vendosi që të hapë një prej kutive të votimit atë me numër 1968, në KZAZ 53 ku kishte votuar edhe presidenti Topi. Sipas pamjeve filmike rezultoi se kreu i shtetit kishte hedhur votat në kuti të gabuara ndërkohë që gjatë procesit të hapjes së kutisë u gjet vetëm një votë në favor të kryesocialistit Edi Rama. Kur kanë kaluar dy muaj pas zgjedhjeve shtohen dyshimet se votat janë hequr nga kutitë e gabuara dhe i gjithë procesi ka qenë i inskenuar. Pas vendimit të Kolegjit për hapjen e të gjitha kutive, KQZ hapi edhe kutitë e tjera të qendrës 1968 ku votoi Presidenti në të cilat u gjendën 6 vota të hedhura gabim për kryetarët e minibashkive dhe vetëm 1 votë për kandidatët për kryetar të bashkisë së madhe. I njëjti numër votash të hedhura gabim duhet të gjendeshin edhe në kutinë për kryetar dhe jo vetëm në kutitë e tjera. Ose një tjetër mundësi që një zgjedhës të ketë future në të njëjtën kuti dy fletë votimi. Por edhe kjo mundësi bie pasi numri I zgjedhësve me numrin e fletëve të gjetura për këtë kuti përputhet.

 

 

Luis Tanushi

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

PD-PS vendosin per numerim elektronik

Publikuar me : 22.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 71 here.
PD-PS vendosin per numerim elektronikQendër e numërimit të votave / foto arkiv Dy partitë kryesore kanë arritur më në fund të bien dakord për procesin e votimit dhe numërimit për zgjedhjet e ardhshme. Pas rezervave të shprehur nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it, PD dhe PS kanë modifikuar qëndrimin por në fund është rënë dakord për numërim elktronik. OSBE/ODIHR shprehën shqetësim për dështim të zgjedhjeve për shkak të kohës së shkurtër që është në dispozicion për implementimin e kësaj praktike, që...Lexo te gjithe artikullin »


» Spoti tek CNN, si fitoi kompania me dy punonjes tenderin 300 mije euro
» KLSH, kompjuteret Fatos Beja s’i denoncoi ne prokurori serbet
» Bashkia Vlore, marreveshje me Tetra Tech Ard
» Meta Shqiperia ne rrugen e duhur drejt BE-se
» Komando ne Bosnje NATO na dekoroi, ministria s’na jep parate
» Ambasadori holandez Presidenti, gjitheperfshires dhe ne raundin e pare
» Sondazhi Greqia, vend i padeshiruar edhe ne NATO
» Presidenti konsensual, Meta ve ne prove aleancen PD-LSI
» Ambasadori i Suedise Presidenti te jete konsensual
» SHBA, Berisha takohet me komunitetin shqiptaro-amerikan

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit