Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Berisha Une urdherova policine te mos arrestonte gardistet e 21 janarit

Publikuar me : 22.01.2012 Ne : Politike - 98 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Një ditë para përvjetorit të protestës së “21 Janarit” kryeministri Sali Berisha, në një interviste për gazetarin Alfred Peza, ka pranuar për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë se ka qenë ai vetë që ka ndaluar zbatimin e urdhër-arresteve për 6 gardistet e dyshuar për vrasjen e 4 protestuesve. Ai ka pranuar se policia në ato ditë është komanduar nga ai vetë dhe ka thënë se ata që duheshin arrestuar janë Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryeprokurorja Ina Rama. Në emisionin “Debat”, kryeministri Berisha ka treguar versionin e tij të prapaskenave që shoqëruan 21 Janarin si dhe ka folur për tërheqjen e tij nga politika në rast se humbet zgjedhjet. Ndër të tjera Berisha ka folur edhe për çështjet “Ben Blushi” e “Kastriot Islami”, por edhe për debatin e ashpër me Presidentin Topi apo koalicionet me LSI-në, çamët e PDIU-së, Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin. Më poshtë pjesët kryesore të intervistes:

 

Peza: Kalojmë tek përditshmëria politike. Nesër është 21 janari ku perveç Kongresit të Lushnjes ku mesa dimë Qeveria do të ndodhet atje për kujtimin e kësja ngjarje të madhe historike, opozita ka ftuar qytetarët të bëjnë një homazh në përkujtim të 21 janarit të një viti më parë. Ju keni deklaruar se vazhdoni ti qëndroni mendimeve që keni dhënë më 23 janar të një viti më parë. Eshtë një deklaratë që në fakt më shumë është komentuar si një kërcënim për z.Edi Rama, sepse keni thënë të gjithë janë të amnistuar përveç atij?

Kryeministri: Absolutisht asnjë kërcënim, por thjesht një qëndrim real, nga i cili nuk do të lëviz ndonjëherë.

 

Peza: Që do të thotë?

Kryeministri: Që do të thotë unë u rrethova njëherë me zjarr, me gurë, me hunj në zyrën tim, unë që isha kryeministri i zgjedhur në mënyre legjitime. Që do të thotë në mënyrën më tragjike ky rrethim u shoqërua me 4 viktima, një humbje e dhimbshme me plagosjne e qindra e qindra të tjerëve; policë, gardiste qytetarë dhe të gjitha këto për të marrë me dhunë këtë institucion.

 

Peza: Mendoni se kishte një skenar për ta marrë me dhunë pushtetin?

Kryeministri: Unë nuk e di se kush nuk e mendon këtë. Të gjithë ata që panë me qindra e mijera gurë, që panë të sulmohej dera kryesore e kryeministrisë dhe të hapej me makinë, që panë të fluturonin shishet molotov, por edhe plumba; e kanë të qartë se ajo ishte një axhendë dhe në gjithë këto pesë orë, kryetari i opozitës u instalua në godinën përkarshi me një megafon me besimin e verbër se do të vinte dhe do të mbante fjalim nga ballkoni i zyrës sime.

 

Peza: E keni të saktë këtë?

Kryeministri: Absolute, shumë të saktë dhe shumë të sakta edhe gjëra të tjera; edhe për tjetrën që kishin futur armë ne bodrumin e asaj ndërtese ku rrinte kryetari, tek dy kullat. Dhe se në fund çuan mesazh se do të sulmojnë me kallashnikov, dhe morën përgjigje se vend mbi tokë nuk do të gjeni nëse dilni qoftë edhe me një të vetëm. Pra këto ishin zhvillimet e asaj nate dhe dihet këtë nuk e bëri me kokë të vet, këtë e bëri me mbështetjen e fuqishme të atyre të cilët donin mandatin e dytë dhe e dinin se nga unë nuk do të propozoheshin

 

Peza: Presidenti i Republikës, Z. Topi…

Kryeministri: Absolutisht, me mbështetjen totale të prokurores, të presidentit,etj. dihen tashmë. Këto veprime u bënë në një koordinim makabër. Natyrisht kishte disa opsione, mund tjua ktheja reston në mënyrën më të vendosur

 

Peza: Që do të thotë?

Kryeministri: Që do të thotë se mund të merrnin atë që meritonin, por interesa të tjera prevaluan, interesi që e keqja duhet zvogëluar. Së dyti më takonte mua që të bëja gjithçka për të ruajtur rendin kushtetues, për të mos cenuar unë kushtetutën. Unë e dija se çështja do të hetohej, nga një prej pjesëmarrësve të këtij puci e këtij veprimi. Dija gjithçka, por midis hetimit nga zonja që i pritet mandati dhe hetimit nga një prokuror tjetër i emëruar nga unë, apo nga kjo mazhorancë; natyrisht pastaj në cënim të shumë rregullave; kjo e para ishte më e përshtatshme për vendin sesa e dyta.

 

Peza: Pra keni patur plan që edhe ta shkarkonit kryeprokuroren?

Kryeministri: Jo ajo nuk meritonte shkarkim, ata meritonin shumë më tepër se shkarkim, sepse ata të cilët u angazhuan në një veprimtari antikushtetuese , për të rrëzuar me forcë një qeveri legjitime, për ata ligjet janë të qarta.

 

Peza: Pra meritonin arrestimin?

Kryeministri: Ata meritonin ligjin dhe nuk e morën ligjin. Unë ato fjalë që ju kam thënë atyre, as nuk i heq, as nuk i kam hequr dhe as nuk do t’i heq. Quaje grusht, apo quaje tentativë për përmbysje pushteti me dhunë, se dëgjoja një ditë, një rudiment politik që thoshte se grushti bëhet kur rrëzohet Presidenti; Presidenti është simbolik, në Republikë Parlamentare është Qeveria.

 

Peza: Pra kur rrëzohet qeveria?

Kryeministri: Po pa diskutim. Kushdo që e lexon nuk mund të thotë…

 

Peza: Presidenti tha që unë nuk i kam qëlluar me grusht vetvetes

Kryeministri: Tani, është mirë ta lëmë këto 6 muaj, se kam vendosur që këto 6 muaj të rrijë, të formojë atë parti se e ka kthyer presidencës në parti , unë nuk do të merrem me të. Por historia është kjo për ta mbyllur, kjo çështje edhe një çështje e rëndë, pa diskutim. Kam pranuar një skemë, kam pranuar skemën e hetimit të organizatorëve, kam pranuar skemën e hetimit të vrasjeve plotësisht, sepse çdo vrasje meriton hetim të plotë, qartësimin e çdo rrethane; kam pranuar skemën e hetimit të sponsorizuesve të tyre. Deri sot qoftë edhe një organizator i vetëm nuk ekziston

 

Peza: Kjo skemë kur është negociuar, kur është rënë dakord për të?

Kryeministri: Pse se ajo nuk negocion se ajo që heton është një organizatore, është pjesë e këtij puçi

 

Peza: Eshtë akuzë e rëndë për Kryeprokuroren kjo?

Kryeministri: Absolute, është absolute pjesë, janë të verifikuara këto. Ata të cilët organizuan këtë kishin dy skenarë: njëri ishte që natyrisht do pushtonin zyrën dhe do ishin të qetë, në variantin tjetër ishte se do më bënin rrjeshtore , ata e dinë. Rrjeshtore kryeministrit të zgjedhur me votën e lirë të shqiptarëve. Por ky është një kapitull që nuk mbyllet kurrë pa hetim dhe këtë unë më mirë të jem i hapur me çdo shqiptarë, ky kapitull mbyllet pasi të zbardhen të gjitha përgjegjësitë; të organizmit, të sponsorizimit, të vrasjeve, të dëmeve. Deri tani në hetim as edhe një organizator i vetem. Përkundrazi deri tani organizatorët kryesorë komandojnë prokurorinë e shtetit,komandojnë prokurorinë e shtetit, ta them unë

 

Peza: Kush janë organizatorët kryesorë?

Kryeministri: Dihen ata. Ne kemi një komision hetimor parlamentar, i cili sa të jetë në pushtet kjo forcë politike do të jete i gatshëm. Por tani për tani, dhe bëmë prapë mirë , menduam që kjo të mos konsiderohet një presion ndaj drejtësisë, ai është një komision on hold. Cili ishte motivi i 21 janarit? Ishte një shirit i transmetuar, një regjistrim në të cilin Kryeministri nëpërmjet manipulimit lidhej me një ngjarje që nuk kishte asnjë lidhje. U bazuan në një shirit, i cili lidhi Kryeministrin me një ngjarje që s’kishte asnjë lidhje, lidhi Zv.kryeministrin; drejtësia dha fjalën e vet, por një gjë që e kam thënë edhe në atë kohë dhe e përsëris se ky shirit është prerë dhe ngjitur 28 herë. Mjafton të vije kufjet në vesh dhe çdo njëri kuptonte se ajo ishte e tëra një montim i neveritshëm, por montim ama që u përdor për të ftuar njerëzit në Tiranë, se qeveria paska bërë hatanë. Të gjitha këto rrethana janë dhe do të hetohen. Nuk i kam thënë z. Rama asnjë kërcënim dhe duhet ta dijë se nuk e kërcënoj kurrë, por duhet ta dijë se i qëndroj fjalës sime në mënyrën më absolute.

 

Peza: Në fakt nëse e lexon merret si i tillë…

Kryeministri: Jo nuk është kërcënim, por nuk lëviz nga pozicioni im

 

Peza: Nuk ju amnistoj, çfarë do të thotë?

Kryeministri: Do të thotë se nga 2005 e deri më sot ai ka qenë në mbrojtjen totale të këtij shteti, të cilin ai me një grusht banditësh dhe kriminelësh erdhi të rrëzoje me dhunë një kryeministër të zgjedhur me menynë legjitime. Kurrë ndonjëherë ai nuk mund ta kapërcejë këtë pa u bërë drejtësia siç duhet.

 

Peza: Thoni se do të hetohet, keni parasysh këtu faktin se do të zgjidhet një president i ri dhe më pas kjo mazhoranncë për shkak të mbarimit të mandatit do të zgjedhë një Prokurore ose Prokuror të ri, këtë keni parasysh me hetim?

Kryeministri: Ngjarje të tilla të rënda nuk amnistohen kurrë. Jo. Ngjarje të tilla të rënda kanë vetem një përgjigje hetimin e plotë dhe të vërtetën në shesh.

 

Peza: Pra keni parasysh me këtë rihetim pas ardhjes së prokurorit të ri të përgjithshëm?

Kryeministri: Ky është një problem e rëndësishme është të marrë zgjidhje ligjore. Por të jesh i bindur që ato dy ditë me Bamir Topin dhe Ina Ramën janë zhvilluar, jo nga unë, dhjetëra kontakte, dhe e kanë shitur dhe blerë njeri-tjetrin ata gjatë atyre dy ditëve nja 15 herë. Por problemi i tyre ishte se ishin bashkarisht në tavë.

 

Peza: Paksan qënë të përgjuar?

Kryeministri: Jo, i bindur të jesh jo. Nuk ke për të gjetur kurrë, mbaje mend këtë, njeri që të thotë se më përgjoi Sali Berisha

 

Peza: Çfarë përgjegjësie ndjeni sot pas një viti për 4 të vrarët?

Kryeministri: Absolutisht, ndiej një dhimbje dhe keqardhje të madhe, por në mënyrë absolute, dhe njëherë dhe 100 herë mund të theksoj se një institucion i një vendi të lirë nuk mund të pushtohet . Pse? Ai nen i kushtetutës që i jep të drejtë opozitës të protestojë kudo… shiko, janë të pakta vendet në Europë ku protestohet para dritares së Kryeministrit.

 

Peza: Edhe ju keni protestuar në opozitë…

Kryeministri: Po, ky është një standard dhe do të protestojnë sa herë të duan dhe do të kenë garanci të plotë. Është një opozitë që nga 2005 e deri më sot ka organizuar 1753 protesta, ka pasur 3 të dhunshme; është një opozitë që është toleruar. Kur bllokuan në Londër, me gjygj i pastruan, nuk i lejova të shkojnë ne gjygj administrata dhe njerëzit.

 

Peza: Po flisni për grevën e urisë?

Kryeministri: Me grevën e urisë këta kishin skenarin të futeshin, po ai skenar nuk u bashkërendua dot me ata të tjerët që u bashkërendua më 21 janar.

 

Peza: Kush ka dhënë urdhër të qëllohej, keni dhënë ju urdhër apo ndonjë vartësi juaj?

Kryeministri: Në mënyrë kategorike dhe absolute as edhe një urdhër. Urdhëri ishte ky, që ta dish ti, ai që do të hynte brenda ai nuk do të mund të dilte më, i vetmi urdhër. Rrethimi është atribut i gardës, ndërtesa do të mbrohej nga të gjithë punonjësit, ishim të gjithë në punë dhe këtu nuk mund të hynte njëri dhe ne ishim shumë të qetë. Cili është ligji i gardës? Ligji i gardës është ky, po e gjuajte ushtarin me gur, me dru, me çdo gjë tjetër, nuk të gjuan me gur, nuk të gjuan me dru; nuk ka ushtar në botë që po ta gjuash nuk të drejton armën. Nuk ka ligje në botën demokratike që kur nje ushtar i gardës gjuhet me tulla, gjuhet me gur, nuk i thotë: 1 qëllo në ajër: 2 nëqoftëse vazhdon qëlloje tek këmbet: 3 qëlloje direkt. Këto janë të përcaktuara në ligjet e gardës të të gjitha vendeve demokratike. Në këtë kontekst nëse ndokush ata pesë apo dhjetë ushtarët rreth e rrotull i konsideronte derra apo viça lope që mund të lëshonin breshëri tullash dhe gurësh dhe ata do të bënin sehir, gabon. Nuk di, jo garde, por nuk di ushtar në vendroje, i cili të mund të qëllohet me gurë dhe të mos reagojë.

 

Peza: Po thoni se katër viktimat kanë ardhur nga garda për shkak të detyrës?

Kryeministri: Jo unë them këtë, garda ka qëlluar në zbatim të ligjit, sesi kanë ardhur viktimat kjo do jetë një proces hetimi. Këto do të jene të tëra në hetim, nuk më takon mua; por unë them se ushtar në këtë vend që të qëllohet me objekte të forta që të sulmohet dhe agresohet nuk ka që të mos reagojë në përputhje me ligjin.

 

Peza: Keni deklaruar atë ditë se nga protestuesit ka pasur pistoleta armë, çadra armë.

Kryeministri: Të gjitha janë informacionet

 

Peza: Ka diçka që duhet të ridimensiononi pas një viti nga informacionet që keni thënë?

Kryeministri: Tani për tani hetimin në dorë e kanë ata të cilët ishin pjesë e këtij skenari, por unë kam përzgjedhur vete këtë si diçka më të afërt me kushtetutën. Natyrisht në mënyrën më të padiskutueshme kurrëndonjëherë nuk do të pranoj që kjo çështje të mos zbardhet tërësisht.

 

Peza: Pra ju i qëndroni deklaratës që keni thënë se ka patur njerëz me çadra-pistoletë?

Kryeministri: Unë i qëndroj informacionit që kam pasur. Unë kam pasur atë informacion dhe informacione të tjera, por këtu 1 vit rrjesht as edhe një organizator i vetëm nuk është pyetur.

 

Peza: Me sa di unë është pyetur zoti Sajmir Tahiri?

Kryeministri: Në parlament nuk ka as edhe një kërkesë për heqje imuniteti, për marrje në ndjekje, asnjë zyrtar; çka do të thotë se nuk ka, se pse janë thirrur aty nuk di gjë.

 

Peza: Ka pasur një problem në atë kohë pas firmosjes së urdhër-arresteve për zinxhirin drejtues të Gardës dhe nuk u lejua ekzekutimi i këtyre urdhër arresteve nga ana e policisë.

Kryeministri: Jo, nuk u lejuan nga kryeministri.

 

Peza: Ju nuk i kini lejuar?

Kryeministri: Jo nuk u lejuan nga kryeministri, po sigurisht. Po të urdhëroja policinë unë ajo do të ndodhte; por a mund tua jepnim bandave ne kryeministrinë. Dhe jo vetëm unë ka pasur një ndërhyrje të gjithanshme dhe besoj se ajo u faktua se ishte tërësisht pjesë e skenarit.

 

Peza: Cili ishte skenari?

Kryeministri: Skenari ishte, që personi i cili ishte ne zyrën e tij dhe kishte vetëm një detyrë, evakuimin e kryeministrisë, që unë nuk evakuohesha kurrë, por ata bëjnë planet e tyre; ai duhej arrestuar që nuk kishte qenë kurrë këtu dhe ish-komandanti i gardës. Këto janë çështje hetimi, por ka element të shumtë. E para kjo, e dyta nuk kemi qenë absolutisht kundër marrjes në ndjekje, jo. Por ndjekje të lirë, se nëse ti e merr nga komandati i gardës deri tek i fundit çfarë u thua; ti u thua kriminelëve sulmoni e merreni se nuk ka kush e mbron më. Kjo ishte një aventurë, sepse kjo do të mbrohej me çdo çmim, këtë se merrte dot kurrë. Pra nuk ka këtu asnjë lloj përpjekje për të penguar, por ka një përpjekje nga ata të cilët u dështoi, nuk dëgjuan dot fjalimin nga ballkoni i kryeministrisë dhe menduan se të nesërmen mund ta realizonin meqë pati viktima.

 

Peza: Ju po thoni që urdhëri për arrestimin e 6 drejtuesve të gardës ishte vazhdim i planit?

Kryeministri: Absolutisht, kryekëput. Pse nuk u zbatua? Unë në bazë të ligjeve të vendit dhashë urdhër që të mbahej on hold, ka ligje që përcaktojnë këtë për shkak të detyrës, pse nuk ndodhi kjo pas 3 muajsh, pas 5 muajsh,pse nuk ndodhi ?! Ke dëgjuar ta kem penguar unë. Kush e pengoi? Ekspertët e huaj, jo përkundrazi. Po pse do të ndodhte vetëm 5 orë prapa pasur asnjë fakt asnjë provë dhe asgjë. Po pse Edi Rama do të dilte në konferencë shtypi dhe do të citonte Ina Ramën?! Më thuaj pak si mund të ndodhte kjo. Ai që ishte organizatori kryesor për të marrë pushtetin me dhunë. Janë të gjitha të regjistruara.

 

Peza: Thuhet se pamjet që janë filmuar nga kamerat e kryeministrisë janë fshirë nga serveri qendror?

Kryeministri: Absolutisht nuk kam asnjë dijeni se janë fshirë qoftë edhe një gjë. Ajo që unë kam bërë që në orën 7 të darkës kam urdhëruar që gjithçka, ne nuk kemi një sistem kaq të përsosur por diçka kemi, për rrethimin unë them se duhet të jetë i gardës. Grupi im nuk ka sistem. Grupi im ka detyrat e veta. Unë kam një grup si çdo kryeministër dhe ai ka detyrat e veta. Kështu që gjithçka ka ndodhur para kamerave. Nuk kam dijeni që të jetë fshirë qoftë edhe një segment. Kam dijeni që nuk ka qenë i gjithë territori i survejuar dhe prapë mund të mos jetë i tërë territori, varet nga mjedisi, kjo është çështje ekspertësh dhe jo çështje të miat.

 

Peza: Ato ditë janë parë ushtarë të gardës të marrin mjekimin brenda territorit të kryeministrisë dhe nuk janë çuar në spital?

Kryeministri: Tani sesi e kanë rregullin ata, tani unë nuk mund të them se cila plagë shkon në spital dhe cila plagë, kjo është çështje e ekipit. E rëndësishme është se një ambulancë ka ardhur dhe i ka mjekuar. Ambulanca ka pasur nje mjek dhe një ndihmës mjek dhe ato kanë vepruar mbi gjykimin sepse në spital edhe kanë dërguar.

 

Peza: Këto ditë në media është shfaqur një intervistë e të afërmit të njërit prej viktimave të 21 janarit sikur ju, pretendohet që keni dërguar persona pranë tyre për t’i takuar , për tu dërguar para , për të shkuar në varrim; a ka ndonjë të vërtetë këtu?

Kryeministri: Në mënyrë absolute as kam dërguar dhe as nuk dërgoj, as nuk e njoh. Kam shprehur ngushëllimet e mia dhe padiskutim keqardhjen më të sinqertë. Dhe nga ana tjetër kurrë ndonjëherë një institucion kushtetues nuk do të mund të pushtohet, do të mbrohet, do të mbrohet vetem do të mbrohet.

 

Peza: Shihni një paralele mes 21 janarit dhe 14 shtatorit 1998?

Kryeministri: Në 12 shtator u vra Valeza i shqiptarëve, Azem Hajdari. Kush e vranë, e vranë majorë dhe kolonelë të policisë së shtetit, është faktuar kjo. Më 12 shtator në një konferencë për shtyp timen të parë kam dhënë emrat e vrasësve një për një siç mi thanë dëshmitarët dhe ata u mbrojtën për muaj e muaj të tërë nga shteti. Dhe vrajse të tilla në histori janë shkaqe të tronditjeve më të mëdha të një vendi. E dyta, absolutisht kam bërë gjithçka që funerali të mos ndalonte para kryeministrisë. E treta, në skenarin kryeministria ishte boshatisur. Siç e dini ata që më rrethuan dhe sulmuan mua atë ditë, unë isha në zyrë . Ata që erdhën tek dera e kryeministrisë gabuan dhe faktikisht nuk gjetën njëri brenda gjetën vetem muret. E katërta u vranë katër vetë dhe për ato vrasje nuk ka asnjë njëri të penalizuar deri më sot. Cila është ngjashmëria? Nëse ekzekutohet simboli i një lëvizje që nxorri shqiptarët nga diktatura dhe ekzekutohet tek selia e partisë së tij në mënyrën më demonstrative, dhe ekzekutohet nga uniformat e shtetit. Ata të cilët bëjnë paralelizëm ata dëshmojnë thjesht një primitivizëm politik dhe asgjë tjetër, sepse këto janë dy ngjarje pa asnjë krahasim. Dhe po ti marrësh kështu, më 14 shtator ‘ 98 ishte bosh, ndërsa me 21 janar ishte plot kryeministria, edhe Erla ishte këtu në detyrën e vet, të gjithë ishin.

 

 Peza: Nuk e paragjykon dot, ajo mund të jetë parti, mund të dalë e para në zgjedhje në 2013…

Kryeministri: Ajo nuk ekziston, ndaj i them partiçkë, pasi tani është në embrion, po se ç’del ajo është punë tjetër. Unë po them për statusin aktual. A mund të shndërrohet presidenca në një godinë ku bëhen çdo dy ditë mbledhje për partinë.

 

Peza: S’keni informacion për këtë…

Kryeministri: Të plotë. Ata që shkojnë ngelen të mahnitur. A më kupton?

 

Peza: Në çfarë kuptimi, pozitiv?

Kryeministri: Shiko, duhet të dish një gjë, shqiptarët kanë kundërshtirat e tyre njëri me tjetrin, kanë mosaprovime, por kanë pastaj edhe vlerësimet e përbashkëta. Nuk ka një shqiptar që do të shohë presidencën e vendit të vet të shndërruar në një seli partiçke, pasi dëshiron të vlerësojë.

 

Peza: Çfarë informacioni keni për këtë?

Kryeministri: Ashtu, po leje tani…

 

Peza: Një gjë duhet të na thuash që të na bësh dhe ne të kuptojmë se është e vërtetë.

Kryeministri: Unë jam i sigurt se ti nuk e vë në dyshim këtë.

 

Peza: Është puna e teleshikuesve kjo dhe jo puna ime…

Kryeministri: E kanë shprehur ata.

 

Peza: Ju keni thënë se janë caktuar nënkryetarët.

Kryeministri: Janë caktuar.

 

Peza: Kush janë?

Kryeministri: Nuk e di ti?!

 

Peza: Jo.

Kryeministri: Telefonoju dhe do t’i them pastaj. Janë caktuar dy nënkryetarë.

 

Peza: Dy nënkryetar partie?

Kryeministri: Po, dy janë. Të dy janë aty.

 

Peza: A janë në Presidencë?

Kryeministri: Një në Presidencë dhe një KLD, dhe kaq, e morën ata, e krijuan ata.

 

Peza: Po kryetari kush është?

Kryeministri: Kryetarin thanë do e bëjnë me rotacion sa të vijë Bamiri. Është kështu apo jo?

 

Peza: Funksion kjo?

Kryeministri: Më fal një minutë. Kjo është një gjë nga më qesharaket në politikë, më kupton apo jo. Një president nuk mund të merret me fiktivitete në radhë të parë. Një president është serioz, ka një peshë, ka një koperturë dhe kur vendos në krye një parti politike krijon parti. Por, më fal një minutë. Edhe krijoi edhe s’e krijoi. Edhe e dua edhe s’e dua.

 

Peza: Zoti kryeministër, në 2013 do të jeni kandidat i mazhorancës për kryeministër?

Kryeministri: Me kënaqësi, me vendosmëri, me përkushtimin më maksimal. Ai mandat përbën për mua një lloj magneti, përbën për mua një magnet, një motiv, një frymë të vërtetë sepse ai mandat është mandati përcaktues Shqipëria vend i zhvilluar.

 

Peza: Nuk ka ardhur momenti zoti kryeministër, pas 8 vitesh në qeveri, pas 22 vitesh në politikë të tërhiqeni të paktën nga gara për kryeministër në 2013 t’i hapni vendin një garuesi tjetër, një kandidati tjetër brenda mazhorancës?

Kryeministri: Betejat nuk fitohen me hapje vendi, ato s’janë fitore. Kështu që, unë këtë forcë politike, këtë projekt që kemi nisur, i cili ka transformuar Shqipërinë më shumë se çdo projekt tjetër në historinë e vet do ta vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Natyrisht do të qëndroj kryeministër për aq kohë sa do të më votojnë shqiptarët. Nuk do të zemërohem kurrë me ta ditën që ata s’do të më votojnë mua. Unë kam një mirënjohje të pafundme, jam njeriu që kam në shpirtin tim vota dhe besim të tyre që kurrë ndonjëherë, ndofta nuk u dal dot borxhit.

 

Peza: Të dyja rezultatet janë në lojë, nëse kjo mazhorancë i humbet zgjedhjet, garantoni rotacion të qetë pushteti siç zoti Nano bëri në 2005?

Kryeministri: Absolutisht do të respektohet veridikti i qytetarëve në mënyrën më të vendosur dhe më të civilizuar. Por….

 

Peza: Atë e dimë.

Kryeministri: Por, problemi është këtu se ata kanë një kontratë të fuqishme morale me Sali Berishën.

 

Peza: Nëse ky rotacion normal pushteti ndodh dhe humbisni, është momenti për t’u tërhequr si zoti Nanon ë 2005?

Kryeministri: Përfundimisht. Nuk do të merrem me politikë më ditën që shqiptarët do të më thonë se ne kaq besojmë. Unë kam fusha të miat të cilat më presin.

 

Peza: Këtë e dimë… Janë arrorët…

Kryeministri: Unë jam një njeri që e dua shumë leximin.

 

Peza: Prandaj keni lexuar edhe librat e Blushit e të Ramës…?

Kryeministri: E vërteta është se s’i kam lexuar.

 

Peza: Asnjërin?

Kryeministri: Nuk i kam lexuar. Mund të lexoj, të them hapur, librin e parë të Blushit, do të gjej kohën ta lexoj. Të them realitetin ma kanë lavdëruar.

 

Peza: Jeni personazh aty.

Kryeministri: Leje çfarë është kjo. Tha, po s’u bë kryetar partie. Ai s’bëhet kurrë.

 

Peza: A t’ua them se kush jeni atje?

Kryeministri: S’ka rëndësi. Këtë libër do ta lexoj se ma kanë lavdëruar. Unë kam marrë mendime të shumta që është një libër i mirë, për këtë tjetrin nuk them se do ta lexoj, nuk kam ndonjë mendim për të. Por, librin e parë kam vendosur ta lexoj kur të kem kohë.

 

Peza: Meqë e përmendët zoti Islami, jeni gati ta mirëprisni në koalicion?

Kryeministri: Zoti Islami është një politikan që 20 vjet ka qenë kundërshtar i imi, por zoti Islami në karrierën e tij politike 22-vjeçare ka të regjistruara funksione shtetërore nga më të rëndësishmet në tërësinë e tij, të flasim të vërtetën, ai ka dëshmuar në të gjitha aspektet individualitetin e vet. Njeri efiçent, njeri punëtor, majtist i thekur dhe në atë forcë politike është, me njohuri të shkëlqyera deri në rrezik për kundërshtarë për doktrinë elektorale, një njeri me shkollim ndër më të mirët, disa vite në Francë dhe disa në Gjermani. Në këtë aspekt, jashtë emocioneve, zoti Islami është një personalitet politik në vlerësimin tim i çmuar, i vendit. A bëj koalicion me të apo jo s’mund të them asgjë sepse nuk ka asgjë. Por, besoj se ky vlerësim është objektiv, një njeri që ka 20 vjet në politikë dhe mund të ulet në çdo debat me integritetin e tij, kjo nuk është gjë e vogël për mendimin tim.

 

Peza: Pra ju po thoni se është i mirëpritur?

Kryeministri: Unë nuk po them i mirëpritur ose jo i mirëpritur, unë po shpreh këtë konsideratë që nuk e kam shprehur ndonjëherë sepse po ta shprehja kur ishte në pozicionin e vet mund të merrej në forma të ndryshme. Por, sot është i lirë dhe unë shpreh një të vërtetë për këtë zotëri. Kundërshtarë e kam pasur në 20 vjet pa diskutim.

 

Peza: Ju keni thënë që LSI-ja është e mirëpritur, nëse dëshiron le të bëjë propozimet dhe të bëjë ndryshimet e veta në postet që i takon brenda qeverisë, pra për rikthimin e zotit Meta. Keni ju ndonjë indicie nga LSI dhe Ilir Meta për këtë rikthim?

Kryeministri: Qëndrimi im është konstant. Partive të koalicionit nuk u diktoj unë, por unë respektoj vullnetin e tyre. Absolutisht në rast se ato nesër vendosin kandidaturat e tyre për ministra, unë i pranoj sigurisht. Tani, zoti Meta mendoj se ndoqi një proces në mënyrën më transparente dhe më serioze. Ishte zëvendëskryeministër dha dorëheqjen, nuk njohu imunitet mbi një dokument 28 herë të prerë dhe të ngjitur. Kërkoj burrërisht dhe mençurisht Gjykatës së Lartë që çështja të trajtohet në themel, Gjykata e Lartë vendosi në unanimitet për pafajësinë e zotit Meta. Në një shoqëri ku kokë e turkut është akoma e preferuar, në kuptimin figurativ të asaj fjale që përdorim ne, kjo mund të krijojë një lloj mërzitje. Por për një shoqëri të lirë të shtetit ligjor ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe pozitiv. Zoti Meta ndoqi një proces, kërkoi një gjykim në themel në mes të gjykatës, të Gjykatës Lartës që dhanë atë vendim.

 

Peza: Keni sinjal për t’u kthyer shpejt?

Kryeministri: Nuk më ka shprehur asnjëlloj mendimi. Pranoj pa asnjë diskutim.

 

Peza: Takimet tuaja në shtëpinë e zotit Meta dhe në Rogner përpara vendimit të Gjykatës së Lartë janë konsideruar nga një pjesë e medias si një presion që ju keni bërë para vendimit…

Kryeministri: Prapë këtu jemi në një paragjykim dhe një paragjykim shumë të pa vend. Pse? Zoti Meta është kryetar i LSI, e cila është aleat kryesor i këtij koalicioni dhe ky koalicioni ka LSI-në nuk ka votat për të krijuar mazhorancën. Pra, jo vetëm që është kryesore, por ka edhë një peshë specifike të veçantë. Me zotin Meta jam takuar dhe takohem në mënyrën më konstante. Kemi darkuar dhe do të darkojmë. Kemi pirë kafe, në mënyrë absolute, kurrë nuk ka kërkuar tek unë as edhe gjënë më të vogël. E kam përgëzuar kur kërkoi dhe iu miratua kërkesa për shqyrtimin në themel sepse ai mu duk mua veprimi më i goditur. Ndaj edhe të mendohet kështu është një paragjykim.

 

Peza: Ka zëra se keni arritur një marrëveshje me PDIU-në e Shpëtim Idrizit për përfshirjen e tyre në qeveri, është e vërtetë?

Kryeministri: Po, pa diskutim.

 

Peza: Si është kjo marrëveshje?

Kryeministri: Kjo marrëveshje do të ketë një seri funksionesh, do të ketë zëvendësministra, do të ketë funksione të tjera.

 

Peza: Kur do të fillojë të funksionojë?

Kryeministri: Në zbatim e sipër është.

 

Peza: Ka pasur zëra që do të ketë një aleancë edhe me Dash Shehin, për shkak të raportit që krijoi edhe me zotin Basha në zgjedhjet e Tiranës…

Kryeministri: Dashamir Shehu është një nga ish-drejtuesit e rëndësishëm të PD-së, ka qenë zëvendëskryeministër, ka qenë ministër. E vërteta është se Dashamir Shehu në 20 vjet pozicionin nuk e ka ndryshuar. Në tërësinë e tij edhe kur janë bërë koalicione nuk i ka ngel ai borxhli koalicionit, por koalicioni atij.

 

Peza: Do ia lani këtë borxh?

Kryeministri: Absolutisht, ai është shumë i mirëpritur, por e ke vetë parasysh se ai është individualist, normal, se ashtu duhet të jetë. Marrëdhëniet me të janë marrëdhënie të një respekti reciprok.

 

Peza: I është ofruar ndonjë post konkret?

Kryeministri: Do të them një gjë, ai ka individualitetin e tij dhe të garantoj që në ato kontakte është një nga ata njerëzit që më parë venë parimin se sa karrigen e tij. Këtë ma ka faktuar ai këtë. Por unë kam respekt për të. Ka ruajtur një pozicion realisht të vetin, të pavarur dhe nuk mund të thotë se kush se e tërhoqa pas qerres.

 

Peza: Domethënë e paskeni mbyllur marrëveshjen?

Kryeministri: Jo nuk e kemi mbyllur. Po ta kisha mbyllur do të thosha. Tregoi një qëndrim të favorshëm shumë në zgjedhje, nuk bëri koalicion, por nuk vuri kandidat. Faktikisht për ne ishte një rrethanë shumë pozitive.

 

Peza: Zoti Ndoka është afruar gjë këto kohë?

Kryeministri: Problemi është se me partitë e spektrit të djathtë është gjëja më normale që nuk mund të ketë asnjëlloj qëndrimi tjetër përveçse përpjekjes për mirëkuptime sepse është spektri.

 

Peza: Pra keni filluar negociata?

Kryeministri: Unë s’them se janë filluar negociata, por është parti e spektrit.

 

Peza: E shihni si aleat?

Kryeministri: Spektri është pra. A mund të themi që në një shtrat, në një rrjedhë, spektri është spektër.




Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

PD-PS vendosin per numerim elektronik

Publikuar me : 22.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 71 here.
PD-PS vendosin per numerim elektronikQendër e numërimit të votave / foto arkiv Dy partitë kryesore kanë arritur më në fund të bien dakord për procesin e votimit dhe numërimit për zgjedhjet e ardhshme. Pas rezervave të shprehur nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it, PD dhe PS kanë modifikuar qëndrimin por në fund është rënë dakord për numërim elktronik. OSBE/ODIHR shprehën shqetësim për dështim të zgjedhjeve për shkak të kohës së shkurtër që është në dispozicion për implementimin e kësaj praktike, që...Lexo te gjithe artikullin »


» Spoti tek CNN, si fitoi kompania me dy punonjes tenderin 300 mije euro
» KLSH, kompjuteret Fatos Beja s’i denoncoi ne prokurori serbet
» Bashkia Vlore, marreveshje me Tetra Tech Ard
» Meta Shqiperia ne rrugen e duhur drejt BE-se
» Komando ne Bosnje NATO na dekoroi, ministria s’na jep parate
» Ambasadori holandez Presidenti, gjitheperfshires dhe ne raundin e pare
» Sondazhi Greqia, vend i padeshiruar edhe ne NATO
» Presidenti konsensual, Meta ve ne prove aleancen PD-LSI
» Ambasadori i Suedise Presidenti te jete konsensual
» SHBA, Berisha takohet me komunitetin shqiptaro-amerikan

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit