Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Berishes i bie te fiket ne mes te fjalimit, nderpritet festa e PD

Publikuar me : 13.12.2011 Ne : Politike - 96 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Berisha gjendje të fikëti, ndërpret fjalimin për 21 vjetorin e PD

Minutat e ankthit në sallën e Pallatit të Kongreseve kur kryeministri shfaqi probleme shëndetësore

Kreu i qeverisë ka mbetur si i ngrirë në podium, dy prej truprojave e ndihmojnë të mos bjerë dhe e nxjerrin nga salla

 

Kryeministri Berisha ka ndërprerë fjalimin mbrëmjen e djeshme gjatë ceremonisë së 21 vjetorit të themelimit të PD-së për shkak të gjendjes shëndetësore. Ai ka pësuar një gjendje të fikëti duke mbetur si i ngrirë në podium. Dy prej truprojave të tij janë afruar menjëherë dhe e kanë kapur nga krahët pasi ai nuk ishte në gjendje që të mbante ekuilibrin. I shoqëruar nga truprojat Berisha ka dalë nga salla dhe menjëherë pas tij ka dalë edhe e shoqja. Ai ka marrë ndihmën mjekësore dhe është dërguar në shtëpi.

***

Teksa po mbante fjalimin Berisha është ndjerë keq dhe është shtangur në podium. Ai ka mundur ti bëjë me shenjë dy prej truprojave të tij personale, të cilat janë afruar menjëherë tek podiumi. Shefi i eskortës ka ndaluar njerëzit e tjerë që të afrohen dhe ka kapur kryeministrin Berisha nga krahu. Ndërkohë truproja e dytë ka mbledhur letrat e fjalimit, të cilat i kishin rënë Berishës nga duart. Një kordon truprojash ka ndaluar njerëzit e tjerë të afroheshin podiumit që ndodhej në Pallatin e Kongreseve. Të vetmit që kanë mundur të kalojnë këtë podium ishin bashkëshortja e kryeministrit, Liri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Dy truprojat e kanë kapur kryeministrin nga krahët dhe e kanë shoqëruar jashtë sallës. Ai dukej qartë se nuk mund të ecte vetë pasi kishte humbje të ekuilibrit. Gjatë kësaj kohe salla kishte shtangur nga habia. Pjesëmarrësit në ceremoninë e 21 vjetorit të themelimit të PD-së kanë heshtur duke parë me habi atë që po i ndodhte kryeministrit. Teksa Berisha po dilte nga salla, regjia ka lëshuar muzikën dhe kjo ka përmendur pjesëmarrësit, të cilët kanë nisur të duartrokasin.

***

Largimi i Berishës nga salla ka shënuar edhe mbylljen e festës së 21 vjetorit të PD-së. Kreu i qeverisë është nxjerrë nga dera në krahun e djathtë të sallës dhe është vendosur pas kuintave. Pak çaste më pas përpara hyrjes së Pallatit të Kongreseve kanë mbërritur ambulancat dhe mjekë të shumtë. Disa prej mjekëve kanë hyrë në pjesën e pasme të sallës dhe i kanë dhënë kryeministrit ndihmën e parë mjekësore. Gjatë kësaj kohe pranë tij ka qenë edhe e shoqja, Liri Berisha.

Teksa makinat e ambulancës ndodheshin në pjesën përpara Pallatit të Kongreseve, Berisha ka preferuar të dalë nga krahu i djathtë, andej nga kryhen edhe mbledhjet e KRRTRSH-së. Ai ka hipur në makinë i shoqëruar vetëm nga shefi i truprojave, i njëjti person që e mbajti në momentin kur humbi ekuilibrin në podium, dhe nga e shoqja Liri Berisha. Makinat e tjera të eskortës e kanë shoqëruar “0007 Z”-në, e cila është drejtuar për në shtëpinë e kryeministrit. Kreu i qeverisë ka preferuar të mjekohet në shtëpi dhe paralelisht me makinat e eksortës, përpara banesës së tij kanë ndaluar edhe ambulancat.

 

Topi i shmanget festës

Presidenti Bamir Topi ka shmangur pjesëmarrjen në festën e organizuar nga Partia Demokratike me rastin e 21 vjetorit të themelimit të saj. Kreu i shtetit ka shfrytëzuar vizitën disa ditore në Katar për të mos marrë pjesë në koncertin festiv. Mazhoranca ka sulmuar vazhdimisht kreun e shtetit duke i rrëzuar në disa rastet edhe dekretet e tij për plotësimin e vendeve të mbetura vakante në institucion.

 

 

Edi Rama

Lajmi për gjendjen jo të mirë të kryeministrit Berisha ka bërë jehonë pothuajse në të gjithë vendin. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, rivali i tij politik dhe kreu i PS-së, Edi Rama ka komentuar në faqen e tij në rrjetin social Tëitter duke i uruar të shkuara: “Sapo dëgjova për sëkëlldinë e Saliut në festë. Ndjej keqardhje dhe uroj sinqerisht që të mos jetë asgjë serioze për shëndetin. Të shkuara!”

 

Mbështetësit

Lajmi se kryeministri Berisha ka pasur probleme shëndetësore dhe ka kaluar një gjendje të fikëti ka mbledhur përpara Pallatit të Kongreseve qindra kureshtarë. Një pjesë e tyre ishin njerëz të mbledhur për festën e 21 vjetorit të PD-së, ndërsa pjesa tjetër kishin shkuar pikërisht për atë arsye. Ata kanë qëndruar aty edhe shumë minuta pasi ishte larguar Sali Berisha.

 

 

45

minuta ka zgjatur fjalimi i kryeministrit Berisha dhe në fund të tij ai pësoi gjendjen e të fikëtit duke mos arritur ta përfundonte. Burime nga zyra e shtypit të kryeministrisë thanë se në momentin që pati humbjen e ekuilibrit, Berisha ndodhej pothuajse në fund të fjalimit

 

 

KM: Berisha, gjendje debolese për shkak të një viroze

Dy orë pas incidentit, kryeministria ka reaguar duke dhënë një shpjegim zyrtar të asaj që i ka ndodhur Sali Berishës. Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit Berisha, ai ka pasur një gjendje debolese, e shkaktuar nga një virozë për të cilën po mjekohej. “Sot në mbrëmje (dje), Kryeministri Berisha pati një gjendje lodhjeje në përfundim të fjalës së tij, me rastin e 21 vjetorit të Partisë Demokratike. Pas një konsulte mjekësore u konstatua një gjendje lipotimie (debolese), e lidhur me një virozë, për të cilën Kryeministri është mjekuar gjatë ditëve të fundit. Konsulta mjekësore tregoi parametra normale dhe gjendje të stabilizuar”,- thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Sipas zyrës së shtypit, “kryeministri Berisha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe para largimit nga Pallati i Kongreseve konsumoi një kafe me miq dhe të ftuar dhe më pas u kthye në apartamentin e tij”. Por kjo bie ndesh me atë që ndodhi në të vërtetë. Fotografitë tregojnë se kryeministri Berisha ka dalë nga Pallati i Kongreseve i shoqëruar nga truprojat dhe nuk mund të ecte vetë. Ai nuk ka dalë me barelë, por dy truprojat që e mbajtën në fillim, e kanë mbajtur nga krahët edhe gjatë daljes. Në momentin e daljes kryeministri shoqërohej nga tetë truproja dhe e shoqja Liri Berisha, e cila ka hipur në të njëjtën makinë me të. “Kryeministri Berisha u shpreh mirënjohjen të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike, miqve dhe të ftuarve në përvjetorin e krijimit të PD-së, për interesimin e treguar dhe uron dhe njëherë gëzuar festën”,- mbyllet njoftimi për shtyp i kryeministrisë.

 

Çfarë është lipotimia

Lipotimia (të fikëti) është shkalla më e ulët e humbjes së ndjenjave. Shkaku mund të jetë mungesa e furnizimit të mjaftueshëm me oksigjen të trurit, për shkak të rënies së presionit arterial. Kjo gjendje mund të shkaktohet nga faktorë të ndryshëm: lodhje, nxehtësi e tepërt, oksigjenim i keq i ambientit, hemorragji, trauma fizike ose emotive, rënie e tensionit ose hipoglicemi. Në gjuhën mjekësore quhet ulje e tensionit të gjakut në shifra poshtë 60mmHg. Shkaqet e kësaj gjendjeje janë sëmundjet e gjakut, sëmundjet e zemrës dhe stresi nervor.

 

Shenjat e lipotimisë

Shenjat e lipotimisë janë djersë në të gjithë trupin, dobësi e menjëhershme sa i sëmuri gati rrëzohet,

humbje e ngjyrës së lëkurës etj. Në këto raste i sëmuri duhet të shtrihet dhe ti ngrihen këmbët më lartë se sa koka duke i vendosur disa jastëkë.

 

Kush është numri dy i PD-së

Në momentin që Sali Berisha humbi ekuilibrin dhe po mbahej nga truprojat e tij, pothuajse të gjithë të pranishmit në sallë shtangën. E vetmja që ka reaguar duke e ndjekur nga pas ishte kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila mban edhe postin e nënkryetares së PD-së. Ajo ka çarë rrethimin e truprojave dhe i ka shkuar kryeministrit nga pas. Vetëm pas pak minutash Topalli ka dalë përpara të pranishmëve duke i komunikuar për gjendjen shëndetësore të Sali Berishës. Me këtë gjest ajo ka vendosur veten në vendin e njeriut që do të pasojë Sali Berishës në rast se ai largohet nga politika pa lënë “një testament”. Topalli u tregua më e shpejtë se sa nënkryetari tjetër i PD-së, Astrit Patozi, apo beniamini i kryeministrit, Lulzim Basha. Me këtë të fundit Topalli është përplasur shpesh herë, rasti i fundit gjatë ceremonisë së varrimit të Leka Zogut. Topalli e ka shprehur disa herë ambicien e saj për të marrë poste më të larta në politike, që nga kryetarja e PD-së, deri tek presidente e republikës.

 

 

Kronologji aksidentesh

 

Eskorta e kryeministrit përplaset me policinë

Në janar të vitit 2009 eskorta e kryeministrit Berisha është në një aksident automobilistik në zonën e njohur si “Rruga Bardhyl” në kryeqytet. Aksidenti ka ndodhur në orët e vona të një dite të shtunë dhe makina e Berishës është përplasur me një tjetër makinë policie. “Skoda” e policisë rrugore i ka hequr parakolpin makinës që shoqëronte kryeministrin dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pa ndaluar. Në atë kohë drejtuesit të makinës së policisë i është tërhequr vërejtje dhe është pezulluar për pak kohë nga detyra. Sot ai është ende në poste drejtuese në radhët e policisë rrugore.

 

Helikopteri i Berishës pëson avari në Pukë

Në prill të vitit 2010 kryeministri Berisha është përfshirë në një aksident, këtë herë me helikopter. Kryeministri Sali Berisha po kthehej me helikopter nga Prizreni, pas ceremonisë për nisjen e punimeve të autostradës së re për autostradën Morinë- Merdare, por helikopteri ka bërë një ulje të detyruar në aeroportin ushtarak të Gjadrit në Lezhë. Ulja ka vënë në alarm Gardën e Republikës dhe repartin e helikopterëve të Farkës. Menjëherë në Gjadër ka mbërritur eskorta që ka siguruar transportin e kryeministrit në rrugë tokësore për në kryeqytet. Arsyeja e një ulje të detyruar të helikopterit ka qenë pikërisht sinjali i alarmit që ka dhënë helikopteri teksa kryeministri ndodhej mbi zonën e Pukës. Një nga sinjalet spiune të sistemit të motorit ka lajmëruar për defekt dhe menjëherë, për të mos rrezikuar avari më të rëndë, pilotët kanë bërë ulje të detyruar.

 

Makina e eskortës përplaset në Sarandë

Mesditën e 30 prillit të vitit 2011 një prej makinave të eskortës së kryeministrit Berisha u aksidentua për shkak të shpejtësisë së madhe dhe kushteve të këqija të asfaltit. Në makinën e aksidentuar ndodheshin dy persona, shoferi Alfred Naçi, 42 vjeç dhe fotografi i kryeministrisë Meksi Xhufka, 60 vjeç. Makina e zyrës së shtypit të kryeministrisë u përplas me një tjetër automjet në vendin e quajtur kthesa e Shën Vasilit, në Sarandë.

Sipas shoferit, Alfred Naçi shkak i aksidentit u bë rrëshqitja e automjetit në rrugë edhe për shkak të motit. Mësohet se dy të aksidentuarit kanë marrë plagë të lehta dhe u dërguan në spitalin e Sarandës.

 

Aksidenti një muaj më parë në rrugën e Rinasit

Më 13 nëntor të këtij viti makina e eskortës së Berisha është përplasur me një mjet tjetër teksa shkonte në aeroportin e Rinasit, nga ku kryeministri do të nisej për në Norvegji. Si pasojë e përplasjes, një nga shoqëruesit e kryeministrit ka përfunduar në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë shëndetësore. Makina me të cilën është përplasur ai nuk ka pësuar dëme të mëdha. Burimet zyrtare të policisë janë treguar shumë të rezervuara në lidhje me aksidentin dhe kanë pohuar vetëm se drejtuesi i automjetit, Gj.B ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Pak orë më pas policia pohoi se drejtuesi i makinës së eksortës së kryeministrit ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën.

 

 

Berisha, tre herë në spital

 

Më dy shkurt të vitit 2008 kryeministria ka publikuar njoftimin për shtyrjen e mbledhjes së qeverisë për shkak të një sëmundjeje të kryeministrit Berisha. Sipas njoftimit zyrtar, kryeministri Berisha ka qenë në një gjendje të rënduar gripi. Madje ai ka anuluar të gjithë axhendën e asaj jave. Burime brenda kryeministrisë thanë në atë kohë se Berisha ka evituar të gjitha takimet me stafin, por dhe me persona të tjerë.

 

Më datë 9 shkurt të vitit 2007 kryeministri Sali Berisha është shoqëruar me urgjencë në spital pas një problemi me zemrën. Gjatë një takimi elektoral që po zhvillonte në zonën e Kasharit, ai është detyruar që të ndërpresë mitingun dhe të drejtohet për në pavijonin e kardiologjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Pas rreth 45 minutash, Berisha mësohet se është larguar nga spitali.

 

Më 28 mars të vitit 2010 kryeministri Sali Berisha, i është nënshtruar një ndërhyrjeje të lehtë kirurgjikale në gju. Ai ka munguar për rreth dy javë nga jeta aktive politike dhe më pas ka njoftuar se ka bërë ndërhyrjen kirurgjikale në një spital privat në kryeqytet. Sipas burimeve zyrtare të kryeministrisë, operacioni në këmbë ka shkuar mirë dhe kryeministri i ishte rikthyer punës.

 

 

 

Mjekë të huaj vizitojnë Berishën në shtëpi

 

Mjekët që po kujdesen për shëndetin e kryeministrit Berisha nuk do të jenë shqiptarë por të huaj. Një duzinë mjekësh kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e tij ndërsa ambulanca e një spitali privat në kryeqytet ka qëndruar poshtë pallatit. Mjekët e huaj ishin të shoqëruar edhe nga neurokirurgu Mentor Petrela, një mik i kryeministrit Berisha. Pas mbikëqyrjes për rreth dy orë, mjekët janë shpërndarë në orën 20 e 25 minuta me makinën tip Benz foristradë me targa “TR 0797 P”, me të cilën qarkullon Sadije Berisha.

Më shumë se 30 efektiva të gardës kanë bllokuar dje çdo qarkullim në rrugicën ku banon kryeministri, ndërkohë që përveç ambulancës, makinat e eskortës në pjesën më të madhe të kohës kanë qëndruar të ndezura. Efektivat e gardës nuk kanë lejuar asnjë media të bëjnë filmime pas mbërritjes në shtëpi të Berishës, diku rreth orës 19 e 20 minuta. Fill më pas, në shtëpi ka mbërritur bashkëshortja e Shkëlzen Berishës, e vetme, e cila në gjendje thuajse të alarmuar është ngjitur në apartamentin e katit të 4-ët në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku banon familja kryeministrore.

Nga përfaqësuesit e PD-së, e para ka mbërrutur Jozefina Topalli. Pas saj ka shkuar Lulzim Basha dhe disa deputetë të djathtë si Fatmir Mediu, Aurel Bylykbashi dhe Flamur Ndoka. Përveç tyre dhe ekipit mjekësor, askush nuk është lejuar që të ngjitet në shtëpinë e kryeministrit. Në orën 19 e 55 minuta, një çift rreth të 60-ave janë paraqitur në hyrjen e pallatit me një tufë lule, por nuk janë lejuar të kalojnë nga oficerët e gardës.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

PD-PS vendosin per numerim elektronik

Publikuar me : 22.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 71 here.
PD-PS vendosin per numerim elektronikQendër e numërimit të votave / foto arkiv Dy partitë kryesore kanë arritur më në fund të bien dakord për procesin e votimit dhe numërimit për zgjedhjet e ardhshme. Pas rezervave të shprehur nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it, PD dhe PS kanë modifikuar qëndrimin por në fund është rënë dakord për numërim elktronik. OSBE/ODIHR shprehën shqetësim për dështim të zgjedhjeve për shkak të kohës së shkurtër që është në dispozicion për implementimin e kësaj praktike, që...Lexo te gjithe artikullin »


» Spoti tek CNN, si fitoi kompania me dy punonjes tenderin 300 mije euro
» KLSH, kompjuteret Fatos Beja s’i denoncoi ne prokurori serbet
» Bashkia Vlore, marreveshje me Tetra Tech Ard
» Meta Shqiperia ne rrugen e duhur drejt BE-se
» Komando ne Bosnje NATO na dekoroi, ministria s’na jep parate
» Ambasadori holandez Presidenti, gjitheperfshires dhe ne raundin e pare
» Sondazhi Greqia, vend i padeshiruar edhe ne NATO
» Presidenti konsensual, Meta ve ne prove aleancen PD-LSI
» Ambasadori i Suedise Presidenti te jete konsensual
» SHBA, Berisha takohet me komunitetin shqiptaro-amerikan

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit