Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Besa Myftiu Dera nga e cila hyj, eshte dera intime

Publikuar me : 29.07.2011 Ne : Kulture - 128 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Situata politike iu jep peshë të veçantë ngjarjeve intime të njerëzve. Letërsia që ka shkruar deri tani Besa Myftiu del ky peizazh i thjesht në dukje që ajo me durim e rimerr pa kornizë për diskutim në intervistën për “Shekullin”. Gjatë qëndrimit në Tiranë bëri lexime për publikun nga romani “Rrëfime nga vendet e harruara”, i vetmi i përkthyer në shqip.



 

Bota shqiptare duke dalë nga një legjendë e shekullit të njëzetë. Një fëmijë tregimtar e orienton si një realitet total komik. Kërkonte këtë premisë stili romani “Rrëfime nga vendet e harruara”?

Të përshkruash atë që mund të kishte ndodhur është për mua realizmi i vërtetë. Të jesh realist do të thotë të përfshish në një paletë të madhe atë që është e mundshme në një shoqëri. Ndërsa ajo që ka ndodhur, nganjëherë nuk është përfaqësuese në art.

 

Mënyrën për të treguar histori e lind edhe vetë historia. Si ka ndodhur me ju, me atë pjesë të prozës që është e panjohur në shqip.

Reality is stranger than fiction. Për romanin tim të parë, “Legjenda ime” çdo gjë që shtoja ishte kaq e zbehtë, sa thosha më mirë se ç’e ka bërë Zoti nuk mund ta bëj unë. Në romanin e dytë “Rrëfime nga vendet e harruara” realiteti është gërshetuar me nostalgjinë dhe me ëndrrën. Në të tretin, “Dashuri në kohën e komunizmit” nuk më ngeleshin më histori të jashtëzakonshme. Thashë do ta shpik një. Kisha menduar të merrja disa tabu të komunizmit dhe duhej që të ishin femra ato që tregonin, në të njëjtin vend. Isha e intriguar nga një histori e Mopasanit. Disa meshkuj shkojnë në gjah, i zë shiu në një kasolle pylli dhe secili tregon nga një histori dashurie. Problemi im ishte që historinë duhej ta vija në një situatë të besueshme.

 

Ju tregoni për një mënyrë jetese dhe një mentalitet kulturor që janë të huaj për gjuhën në të cilën shkruani. Çfarë ndodh?

Njeriu shkruan për vete në njëfarë mënyre duke pasur një publik ideal në kokë. Them se “Rrëfimet…” i kam shkruar për një publik francez. Kur e përktheva dhe pashë interesin e shqiptarëve, u binda që unë kurrë s’kisha për ta shkruar në shqip atë roman. E ndjej veten të frustruar po të shkruaj shqip. Shkrimi në gjuhë të huaj të jep liri, distancë. Në versionin shqip kam ndryshuar gjëra sepse njerëzit e mi morën vesh që kisha shkruar një libër ku “na ke kullandrisur të gjithëve”. Frëngjishtja më ka ndihmuar ta kaloj historinë në formën e përrallës, por është e vërtetë që syri komik ka ekzistuar në bazë. Të shprehësh pasionin ballkanik përmes filtrit të gjuhës franceze, është një martesë e pamundur po në qoftë se realizohet, është krejt e ndryshme.

 

Prej këtij raporti me gjuhën fshihen kufijtë e lokalitetit. E megjithatë një moral ballkanas ku të gjallët kanë nevojë të jetojnë me të vdekurit, në tekstin tuaj e ushqeni me dëshirë…

Jam rritur me Pushkinin, Lermontovin, Eseninin, Emineskun. Duke lexuar dhe përkthyer shkrimtarë të mëdhenj, kisha kuptuar se çfarë humnere më ndante prej autorëve që e tejkalonin kohën. Kjo ka bërë që të jem kritike ndaj vetes. I përkas atij brezi që kishte në dorë ose letërsi të realizmit socialist, ose kryevepra. Arti i vërtetë e tejkalon anën lokale dhe unë nuk e di sa e kam arritur.

 

Romani është shumëzërësh. Tregon një fëmijë që iu jep mundësinë personazheve të flasin vetë dhe kështu secili mund të gjejë zërin që i përfaqëson.

Kjo ide më lindi nga shembja e shtëpisë. Është si një monolog i pambaruar shumëzërësh. As kapitujt nuk ndërpriten me njëri-tjetrin. Sikur të jetë gjithë Shqipëria e dikurshme që flet, gjithë klasat shoqërore.

 

Edhe kur nuk janë të një familjeje ata përsëri bëjnë një familje të madhe.

Po sepse takojmë të njëjtët njerëz në fakt. Thonë: Ata që i ngjajnë njëri-tjetrit e gjejnë njëri-tjetrin. Në jetë takojmë vetëm njerëz që na ngjajnë. Ne mund të ndryshojmë vendin si për shembull, personazhi i Anitës që edhe pse vajti në Itali e mori me vete problemin e saj. Kam vënë re që të gjithë njerëzit që kanë ikur nga Shqipëria i kanë marrë me vete problemet e tyre dhe i kanë patur edhe atje. Ndërsa njerëzit e familjes i kam zgjedhur sepse ata i njohim më mirë, sepse ishin figura të çuditshme nga këndvështrimi i një shkrimtari.

 

Ekziston e njëjta tërheqje për vendet konkrete ku jetojnë këta njerëz?

Unë kam nevojë të gjej një strukturë për treguar një histori. Te “Rrëfimet…” kisha dhjetë vende për të cilat kisha diçka për të thënë. Gjithçka nis dhe mbaron tek shtëpia që s’e lënë as të vrasë veten. Shtëpia është si një gjë e gjallë, me historinë, me pemët që ia presin gjithkund. Ka kapituj ku futet një ngjarje për të cilën kisha dëgjuar vetëm një frazë. Sa herë përgjoj unë kur jam fëmijë, është i gjithi rikrijim i asaj që kam dëgjuar. Kam krijuar ngjarje që mund të kishin ndodhur dhe pikërisht për këtë njerëzit zhgënjehen kur marrin vesh që disa gjëra janë trillim. Unë përpiqem të bëj diçka që të jetë në lartësinë e realitetit. Dostojevski thotë që e vërteta vetë është e pabesueshme prandaj duhet të përzihet me gënjeshtrën që të ngrihet në lartësinë e besueshmërisë.

 

Ju shmangni përsiatjet, nuk e përfillni përshkrimin e klimës…

…nëse them është ditë me diell, është sepse ka lidhje me diellin. Kur shkruaj shpjegimet dhe komentet i lë jashtë. Ajo gjë që nuk është e domosdoshme, nuk mund të jetë e bukur. Gjuha franceze më ka dhënë mundësi sepse është gjuhë shumë e përpunuar, ndërsa shqipja është gjuhë ëndrrash, gjuhë flu, jo precize. Filozofinë në shqip nuk mund ta lexoj dot, ndërsa poezinë e poezinë e shijoj shumë. Sa për prozën, Ismail Kadare e ka ngritur në nivele të larta. Kur lexoj “Muzgun e perëndive të stepës”, jam e mahnitur. Është nga pikëpamja stilistike një nga librat më të bukur të të gjithë shekullit. Në çdo libër e kam personazh Kadarenë. Ai ka qenë për brezin tim një lloj fari. Unë kam qenë e dashuruar mbas formës, meqenëse përmbajtjen na e impononin.

 

Pak vepra ka letërsia shqipe, të gjinisë së romanit psikologjik e lirik që e tregon me mjeshtëri botën nga sytë e fëmijës, si “Stina e stinëve” e Kasëm Trebeshinës, “Kronikë në gurë” e Ismail Kadaresë. “Rrëfime nga vendet e harruara” mund të klasifikohet te kjo kategori ku autorit i duhet me ndershmëri të përballet me lirinë dhe fantazinë. Si e një brezi të edukuar edhe me letërsi të realizmit socialist, ju duhet të jeni përballur edhe me këtë frymë influente.

E theksoj se fakti që kam shkruar në frëngjisht më ka ndihmuar të shkëputem nga censura inkoshiente e realizmit socialist. Në ato libra që lexoj tani nga letërsia shqipe, ndjej akoma jehonën e realizmit socialist. Deshëm s’deshëm, jemi formuar në atë kohë dhe është e vështirë të ndryshosh qoftë frymën, qoftë mënyrën e ndërtimit të fjalisë. Jemi kondicionuar ashtu si nëna që e edukon fëmijën me ato që gjëra që ka vuajtur vetë. Si është e mundur kjo? Disa nga ato poezitë që lexova, nuk botoheshin sepse ishin intime. Unë kam shkruar për të botuar dhe “Gëzuar jubileun o shoku ynë ushtar/ ti që mbron atdheun në malet legjendarë”. Mirëpo s’ishte e bukur. Prandaj më vjen keq që e kritikojnë Ismail Kadarenë sepse ai s’kishte mundësi tjetër për të kaluar atë pjesë të veprës po të mos bënte lëshime. Po të ishte në burg, nuk do të kishim përfituar ndonjë gjë të madhe. Njerëzit harrojnë që të gjithë kemi bërë lëshime. E them në romanin tim të parë që psikiatritë dhe burgjet ishin vendet e vetme për njerëzit e ndershëm dhe të gjithë që ishin jashtë kishin bërë kompromise, kishin mbyllur sytë, veshët dhe gojët.

 

Kanë ndodhur me babain tuaj Mehmet Myftiu, ato që përshkruani në roman, haloperidoli, elektroshoku?

Haloperidoli po. Pjesën e babit s’kam pasur nevojë ta shpik. Romani ka humor dhe këto gjëra kalojnë. Shkrimtari duhet ta gjejë mënyrën për t’i thënë të vërtetat që tjetrit të mos i dhembi stomaku. Në librin “Shkrimtari” i Mehmet Myftiut gjeni gjithçka për të kuptuar se si u fut realizmi socialist në Shqipëri, cilët ishin njerëzit. Ai e ka shkruar si komunist, nuk ishte antiparti. Mirëpo duke qenë realist dhe vepra e tij ishte reaksionare.

 

Pse në çdo rrëfim tuajin ndihet njëfarë morali?

Kjo besoj vjen nga kultura ballkanike që kemi nevojë për koment. Më pyesin shpesh si ka lindur letërsia ime. Iu them që vij nga një kulturë orale, që e kemi zakon të tregojmë me ngjyra. Vjen nga një traditë e lashtë, vjen edhe nga komunizmi sepse njerëzit kishin kohë dhe kishin nevojë për solidaritet. Të treguarit na mbante, na lidhte. Unë kisha këtë këndvështrimin e veçantë për gjërat e zakonshme dhe ndoshta liria me të cilën jam rritur më ka bërë që të mos kem frikë e të shkoj të futem në mes të rrezikut duke besuar se do të dal gjallë.

 

Ju ka shtyrë t’i kushtoni hapësirë femrës dhe dashurisë në tekstet tuaja?

Historitë e mia të dashurisë kanë një kuptim social, janë mjet për t’i bërë një skaner shoqërisë. Është e vërtetë që kam evoluar në një botë femrash, sepse jam rritur mes tyre. Meshkujt te “Rrëfimet…”, janë dashur vetëm si burim ëndrre dhe në tërësi në letërsinë time, ata janë objekt që të bën të ëndërrosh. Ka pak meshkujt që janë parë ndryshe, për shembull Ndoc Gjetja, një njeri që e kam dashur shumë si mik. Më ka ngelur peng që nuk e takova dot.

 

E ka ndihmuar personin tuaj kjo zbrazje e përvojave dhe ngarkesave emocionale nga Shqipëria?

Tani po shkruaj “Shtatë net në Sicili”, romani i fundit ku është personazh një shqiptare. Kam përshtypjen se arti nuk është vetëm katarsis. Po të ishte, do ishte e tmerrshme. Ajo që të shtyn t’i ndash gjërat me të tjerët, diçka që të ka pëlqyer ose të ka tmerruar, ky është tregimi në fakt. I thua dikujt vranë një njeri në mes të rrugës, ose më dhuroi dikush një gjerdan perlash. Pra gjëra që të çudisin, që të krijojnë kënaqësi, frikë, eksperienca që ia vlen barra qiranë t’i ndash me të tjerët.

 

Portreti juaj në kopertinë, një modë e kultit të autorit?

Është vënë në librin e xhepit në botimin frëngjisht dhe është shitur mjaft. Sikur ajo kopertinë t’i ketë sjellë shumë fat! Prandaj e ruajta edhe në shqip! Ndoshta femrat që e ndjejnë që po iu mbaron rinia, kanë nevojë ta shohin veten të bukur. Fotografia është e bukur dhe jo reale. Është bërë nga Fadil Berisha. Jam unë ashtu siç do desha të isha. Ndërkohë ka njerëz që shikojnë përtej plastikës dhe shyqyr që ekzistojnë këta njerëz. Pastaj, të jesh shqiptar i kohës së komunizmit e të mos jesh pak narcisist, është e pamundur. Ne ky narcisizëm na ka mbajtur që të mos rrëzoheshim. Ka qenë pjesë e karakterit.

 

Në ç’mënyrë mund të ndihmojë narcisizmi?

Kur donin të na unifikonin me uniformë ushtarake, do duhej pak narcisizëm për të mos u përmbysur. Ky është një realitet historik. Në Zvicër mund të jetoja pa qenë narcisike, kurse këtu duhej të mbijetoje. Në romanin “Legjenda ime” e them se duhej të ishe ose femme fatale ose viktimë, nuk kishte mënyrë tjetër në raportin me meshkujt. Mirëpo në një vend ku femra është e shtypur, je e detyruar të bësh këtë zgjedhje. Mendoj që gjithçka intime e imja dhe personazheve të mi ka një rëndësi sociale dhe politike. Unë jam autor politik por nëpërmjet intimes. Dera nga e cila hyj, është dera intime. Ama gjithçka paraqes, forma është intime, përmbajtja është politike dhe sociale.

 

Kush është

Besa Myftiu është lindur dhe shkolluar në Tiranë. Ka ushtruar një kohë profesionin e gazetares në revistën “Skena dhe ekrani”. Kishte shkruar një skenar për film televiziv “Unë e dua Erën”, më 1991, momenti i largimit nga Shqipëria për në Zvicër. Mësoi frëngjishten, mori një diplomë gjuhe dhe do të kthehej në Shqipëri. E ktheu nga rruga Mireille Cifali, psikanaliste dhe historiane asistente e të cilës Besa u bë pak më vonë. Jep mësim në Universitetin e Gjenevës në Fakultetin e Shkencave Pedagogjike. Gjithçka ka shkruar në gjuhën frënge. Është autore e vëllimit poetik “Des amis perdus” botur në dy gjuhë; e romaneve “Ma Légende” (L’Harmattan, 1998, me parathënie të Ismail Kadaresë), “Confessions des lieux disparus” (Editions de l’Aube, 2008, me parathënie nga Amelie Nothomb, dhe “Amours au temps du communisme” (Fayard, 2011); e përmbledhjes me tregime “Le courage, notre destin” (Editions Ovadia, 2007).

“Unë kisha dy ëndrra: të realizoja një film dhe të realizoja një doktoratë”, thotë Besa. Më 2001 bëri filmin “Yllka” bashkëprodhim shqiptaro-zviceran dhe më 2002 bëri tezën “Nitezsche et Dostoïevski: éducateurs!” (botuar nga Les Paradigmes 2005). Thotë se Cvajgun dhe Bjelinskin i ka pasur modele të kritikës letrarë. “Një tekst duhet të të fali në radhë të parë kënaqësi dhe pastaj njohuri. Ky është koncepti im mbi tekstin. Njohuria vetëm nuk mjafton. Dhe në tezën “Niçe dhe Dostojevski: edukatorë”, me këtë merrem, se si arti na edukon.”

 

Elsa Demo

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Historia jone e dendur me folklor

Publikuar me : 22.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 39 here.
Historia jone e dendur me folklorNga provat e shfaqjes "Heronjte e viagres" Valeria Dedaj “Heronjtë e viagrës” janë heronj fiktiv të një shoqërie që gjithnjë ka vuajtur për të pasur udhëheqës shpirtërorë. Komedia epike e Bashkim Hoxhës, njëherësh regjisor i saj, trajton këtë fenomen të trashëguar nga tradita si shqetësim aktual. Vepra është prodhim i Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit që drejtohet nga Hoxha. Ai flet shkurt për projektin që do ta ketë premierën më 25 maj,...Lexo te gjithe artikullin »


» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit
» Lamtumire maestro!
» Underground
» Viti i dyte vazhdon me shlyerjen e borxheve
» Nje kengetar ne gjuhen latine per Carl Orff-in
» Kuaj dhe bicikleta. Po viti ’97?
» Vlore, mbyllet Aulona Folk

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit