Publikuar me : 25.09.2011 Ne :
Kronike - 95 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
TIRANE – Tre persona, një turk, një biznesmen me banim në Tiranë dhe një mik i tyre, u arrestuan mesnatën e së premtes vonë, nga Policia e Shtetit në pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës në Korçë dhe në Tiranë, ndërsa iu bllokuan 3.5 kilogramë heroinë si dhe një armë pistoletë e markës “Zastava”, me një krëhër me fishekë. Edmond Gerxhani, 38 vjeç, nga Skrapari, banues në Tiranë, pronar i një firme private, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh, Abdulla Kili, 41 vjeç i dënuar më parë për shitje droge si dhe Vebi Alioglu, 37 vjeç me shtetësi turke, u arrestuan nga Antidroga gjatë një operacioni të nisur në dalje të Shqipërisë në Kapshticë dhe në Tiranë. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, që pohuan se fillimisht në Korçë u arrestua Edmond Gerxhani dhe më pas në Tiranë u prangos turku Vebi Alioglu dhe Abdulla Kili. Gerxhanit, iu kap një sasi prej afërsisht 2.5 kilogramë heroinë e dyshuar se kishte destinacion Greqinë. Vetë i arrestuari mohoi të kishte lidhje me heroinën ndërsa tha se kishte pasur si qëllim të udhëtonte drejt Turqisë.
Operacioni për arrestimin e këtyre 3 personave nisi të premten në mesditë, me mbajtjen nën vëzhgim si të përfshirë në një rrjet të trafikimit të narkotikëve. Fillimisht rreth orës 16:40 të së premtes në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë Oficerët e Antidrogës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare kryen një kontroll në automjetin e drejtuar nga Edmond Gerxhani, me targa TR 9417 K, ndërsa ky udhëtonte i vetëm në këtë veturë. Gjatë kontrollit të bagazheve të automjetit u gjet dhe u sekuestrua një sasi prej rreth 2.4 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë. Menjëherë atij iu vunë prangat dhe u izolua fillimisht në Kapshticë e më pas në Korçë. Më tej, gjatë kontrollit të kryer në banesën e tij, blutë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, të markës “Zastava” që e mbante pa leje.
Më tej forcat e rendit, vijuan kontrollet e banesave të dy “ortakëve” të Edmond Gerxhanit, Abdullah Kili dhe Vebi Alioglu.
Gjatë kontrollit të kryer në një banesë në të cilën ndodheshin turku Alioglu dhe Abdullah Kili, policia gjeti dhe bllokoi edhe një sasi tjetër lënde narkotike prej më tepër se 1 kg heroinë. Të dy këtyre personave, policia iu komunikoi akuzën e mbajtjes, prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Të njëjtën akuzë hetuesit i komunikuan edhe Edmond Gerxhanit të arrestuar nga Policia në pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës në Korçë. Të tre shtetasit pas kryerjes së veprimeve të para u izoluan në ambientet e policisë së Tiranës, ku gjatë marrjes së tyre në pyetje, të tre personat kanë mbajtur qëndrime mohuese ose pasive duke preferuar të mos flasin. Gjithsesi burimet e policisë thanë se për të arrestuarit kanë edhe prova të tjera të administruara nga vëzhgimet e tyre dhe mbajtja e raporteve të posaçme. Pritet që gjatë ditës së sotme ose të hënën ata të paraqiten për vlerësimin e masës së arrestit.
Të arrestuar
Edmond Gerxhani, 38 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për falsifikim dokumentesh
Abdulla Kili, 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për shitje droge
Vebi Alioglu, 37 vjeç, shtetas turk me banim të përkohshëm në Tiranë
Sekuestruar
3.5 kg lëndë e dyshuar si heroinë
1 armë zjarri pistoletë tip Zastava
1 automjet me targa TR 94 17 K
4 aparate telefoni celular
3 persona u arrestuan nga Antidroga, në një operacion të kryer në Korçë dhe në Tiranë, gjatë të cilit policia bllokoi afërsisht 3.5 kg heroinë
2.5 kg heroinë bllokoi Policia Kufitare e Korçës, gjatë kontrollit të kryer në automjetin e Edmond Gerxhanit në Kapshticë ndërsa ai po udhëtonte drejt Greqisë.