Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Bob Dilan, nje rrebesh ne stuhi

Publikuar me : 17.07.2011 Ne : Kulture - 159 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

“Po udhëtoja në një karrocë me zonjuhën Marihuanë, zonjusha Marihuanë ka një shtëpi në Baltimorë. Rreth e rrotull i kam rënë botës, djema, ndërsa tani po përpiqem të hyj në Parajsë para se të mbyllet dera”. Kështu rrëfehet Bob Dilan (pseudonim i Robert Alen Cimermanit) në këngën “Përpiqem të hyj në Parajsë” (Tryin’ to Get to Heaven, 1997), më e vlerësuara e albumit “Time out of mind” dhe e vetmja performancë me harmonikë e albumit. Siç kërkon parajsën, Dilan kërkon edhe ndihmën e Zotit për t’i “mataruar shtratin e vdekjes”, kërkon të bien këmbanat e lirisë, ngre zërin për barazi, për të drejtat e afro-amerikanëve. Dilani di ta kuptojë gruan kur i thotë: “Bën dashuri porsi një grua, ndjen dhimbje porsi një grua, por thyhet si të ishte një vajzë e vogël”, por di edhe ta largojë me fjalët “ti s’ia vlen. Ti përdor metodat e një djalli që në strofkullën e luanit fle”.

“Strehë nga stuhia” (Plejad, maj 2011 botuar me rastin e 70 vjetorit të artistit), shqipëruar nga Edvin Shvarc është një tufë poezish të përzgjedhura nga përkthyesi, që veçoi nga krijimtaria 50-vjeçare e këngëtarit dhe poetit Dilan, lirikat më të ndiera, më të fuqishme. Libri është një rrugëtim në kulmet e krijimtarisë të një artisti që ka krijuar me qindra këngë, ka regjistruar rreth 45 albume, ka fituar çmime si Grammy Awards, Golden Globe, Academy Awards, Kennedy Center Honor në vitin 1997, “Pulitzer” në vitin 2008, kur katër vite më parë ishte kandidat për Çmimin Nobel. Lexuesi gjen te “Strehë nga stuhia” lirika të zhanreve të ndryshme që ai krijoi nga folk-u, blues-i, country, për të vazhduar me rock end roll-in, muzikën gospel, jazz dhe swing. Gjen aty “Blowin in the wind”, “The times that are A-Changing”, që u bënë himne të luftës për të drejtat shoqërore në Amerikë, “Like a Rolling stone”, kënga që shënoi kthesën në krijimtarinë e Dilanit dhe në historinë e kohëzgjatjes së këngëve të rok end rrollit, por edhe kujtimet e dashurisë me gruan e parë “Sara”, “Knockin’ on Heaven’s Door”, “Gotta Serve Somebody”. Bashkë me këngët kuptohet edhe filozofia e një njeriu që diti “si t’u shpëtonte tallazeve të jetës”. Shvarci, që për herë është njohur me Dilanin në moshën 8 vjeçare, i komenton krijimet në një intervistë për “Shekullin”



Z. Shvarc çfarë tiparesh ka gjuha e Dilanit në lirika? Është një gjuhë mjaft simbolike. Natyrisht që përdor edhe krahasimet, të cilat i ka huazuar nga poetët modernë francezë, simbole nga teatri absurd, ai i Brehtit. Dilani përdor shumë mirë edhe legjendat, figurat e vjetra të Perëndimit të largët amerikan. Ka edhe një veçori tjetër, ai qëmton më së miri lajmin e ditës dhe e ritregon me mënyrën e vet. Përdor shumë mirë edhe figurat biblike dhe frymëzohet edhe nga piktorët e mëdhenj si të Rilindjes ashtu edhe nga ata modernë.



Vihet re kujdesi juaj që gjithçka të tingëllojë shqip. Gruaja që Dilani dashuronte ishte herë sorkadhe, herë pëllumbeshë.

 

Po, edhe ne në këngët tona të vjetra, baladat, kemi përdorur gjithmonë këto lloj krahasimesh, por meraku im i parë është që një përkthim që mban emrin tim poshtë, të jetë sa më shqip të jetë e mundur. Jo vetëm të mos ketë asnjë fjalë të huaj, por të tingëllojë shqip dhe të rrjedhë lirshëm, përndryshe unë e humbas lexuesin që në faqen e parë.



Nga erdhi kjo ngasje për të përkthyer lirikat e Dilanit?

 

Ngasja më ka lindur vite më parë, por librin e nisa këtu e para dy tri vitesh. Përkthimet i kam bërë për një njeri shumë të dashur në jetën time. Ishte një mënyrë për t’i bërë një surprizë, për t’i treguar përkushtimin tim. Veç këngëve të dashurisë, Dilani ka këngë që shpërthejnë me kritika shoqërore, me tema historike, biblike, këngë proteste, balada. Janë një pjesë e këngëve më të bukura të krijimtarisë së tij artistike, për mendimin tim. Me këtë libër ku disa prej këngëve janë të shoqëruara edhe me partitura, i jepet mundësia një studiuesi muzike apo një këngëtari që të lexojë lirikën, por edhe ta shoqërojë me një instrument, qoftë kitarë, qoftë piano, saze apo fizarmonikë.



Si shprehet protesta në lirikat e tij?



Në fillim të viteve ‘60-të, protesta në këngët e  tij ka qenë shumë e fortë. Pastaj e “akuzuan” sikur tradhëtoi muzikën folk dhe kaloi nga kitara elektrike në kitarën akustike, madje e quajën edhe Judë, tradhëtar. Kjo ndodhi gjatë një koncerti në ‘’Royal Albert Hall’’ të Londrës. Dilanin e akuzuan sikur tradhëtoi edhe rrymën ose vijën e vet të protestave, sepse shumë njerëz në vitet ‘60-të e konsideronin si profet, si shprehës të zërit të brendshëm të brezit të tyre. Preku tema duke filluar që nga lufta për të drejtat civile, protestat kundër Luftës në Vietnam, ndryshimet që ndodhën në atë kohë në Amerikë kur ndoshta ajo vetë nuk ishte ende gati për të ndryshuar dhe luajti rolin e tij duke ndikuar te shumë artistë.



Po ai vetë çfarë qëndrimi mbante ndaj ngjarjeve?

Kritik i hollë, por jo nga ata lloj kritikësh, të cilët hedhin poshtë dhe mohojnë çdo gjë. Dilani mundohej ta jepje kritikën e vet të shoqëruar edhe me një farë zgjidhjeje.



Çfarë rrëfehet në poezi për marrëdhënien e tij me gratë?

Ka pasur një histori marrëdhëniesh të pasura, por tejet të ndërlikuara. Njeri që di të dashurojë me pasion, të dhurojë dashuri, por si të gjithë njerëzit e mëdhenj, ka edhe ai anën e vet egoiste.



Po në Shqipëri, pse nuk kemi pasur kurrë këngë që provokonin protesta shoqërore?

Kënga është një nga mënyrat më shprehëse artistike, me të cilën, me shumë kujdes, edhe mund të përcillen mjaft mesazhe. Kënga ngahera ka pasuruar gjallesën tonë dhe vazhdon të ndikojë mendjet e njerëzve, por nuk është se kemi dëgjuar shumë këngë të fuqishme, apo proteste, madje as këngë të mbushura me kritika shoqërore. Pastaj varet nga shijet vetjake, nga thellësia e shpirtit të këngëtarëve apo të autorëve që e zgjedhin vetë mënyrën sesi duan të komunikojnë dhe çfarë mesazhesh të përçojnë.



Cila është kënga dhe lirika që ka lënë gjurmë te ju? Janë disa: “Duke trokitur në portat e qiellit (Parajsës)”, të cilat mund të hapen, ose mund të mos hapen, varet nëse e meriton. Është kënga “Dinjitet” që lëshon një mesazh të fortë. Çdokush duhet të ketë dinjitetin e vet dhe ta mbrojë atë me dhëmbë e me thonj duke filluar që nga lypësi e deri te mbreti. Ka një këngë tjetër “Duhet t’i shërbesh dikujt” që përcjell lajtmotivin se mund të jesh edhe një punëtor i thjeshtë, edhe Papa i Romës, mund të jesh edhe një njeri i famshëm, por gjithmonë duhet të paguash një çmim, sepse duhet t’i shërbesh dikujt. Ndoshta edhe Zotit, apo Djallit, por pa i shitur shpirtin.

 

 

Temat

Tematika që ka mbuluar lirikat e tij është jashtëzakonisht e gjerë, me tema historike, biblike, shoqërore, politike, fetare. Mund ta quash një artist kameleon, por jo një artist që u përshtatej kërkesave të kohës, por përkundrazi, kohën kur jetoi ia përshtaste nevojave apo ndjenjave të veta. Thuhet madje, sikur në takimin e parë me Bitëllsat, pasi kaluan një natë në hotel, duke i rënë kitarës dhe duke kënduar, Dilani u mësoi Bitëllsave, që atëherë ishin tepër të rinj e të pafajshëm, jo vetëm sesi tymosej marihuana, por edhe sesi mund të shkruanin një lirikë për së mbari.



Puna me gjuhën

Dilani ka një gjuhë shumë të pasur me figura letrare. Në përgjithësi nuk ka përdorur rimën, kështu që në shqipërim u gjet një lloj përshtatje e vargut të lirë. Nga ana tjetër duhet t’i njihje mirë si shprehjet frazeologjike, ashtu edhe mendësinë amerikane të kohës kur ka jetuar poeti dhe sidomos kur i ka krijuar ato këngë, të ngjarjeve që kanë ndodhur në periudha të ndryshme, qysh nga vitet ‘60 deri në fillim të shek XXI.

 

Filozofia e jetës

Ka pretenduar, natyrisht me shaka, që ‘’kishte bërë diku një pakt me komandantin e përgjithshëm të kësaj bote dhe të botës që ne nuk e shohim dot,’’ për të arritur aty ku është. Motoja e veprimtarisë dhe krijimeve artistike të Dilanit ishte “Bëj gjithmonë atë që di të bësh më mirë!” – të shprehte ndjenjat e veta nëpërmjet lirikave dhe muzikës. Të mundohej të ndryshonte botën i pajisur me armën e vet që është mendja.

 

Biri për atin (Evdini për Robert Shvarcin)

Më ka mësuar me disiplinën e punës, mënyrën e përkthimit, të qëndruarit besnik ndaj autorit, jo livadhisjeve kot më kot. Përkthimi është edhe rikrijim, por po nuk pate edhe një lloj delli prej shkrimtari apo poeti, nuk mund të jesh në gjendje kurrë të përçosh, të shqipërosh ashtu siç duhet. Përsa u përket gjuhëve, së bashku me time më, nuk më ka mësuar asnjë gjuhë përveç shqipes, të cilën ende po vazhdoj ta rimësoj dhe ta përsos edhe në ditët e sotme, kur më duket se po pëson shumë dëme, të vullnetshme dhe të pavullnetshme. Ishte i rreptë dhe këmbëngulës, ndoshta në kufijtë e kokëfortësisë, por kur ballafaqoheshin argumentet, gjithmontë fitonte më e mira për punën, për përkthimin.

 

Lirika

Botë Politike

Jetojmë në një botë politike,

ku dashuria s’ka vend.

Gjallojmë në kohë kur njerëzit krime bëjnë

dhe krimet fytyrë nuk kanë.

 

Në një botë politike jetojmë,

ku stalaktitet varen poshtë,

kambanat e martesës tringëllojnë dhe ëngjëjt këndojnë,

dhe retë tokën do mbulojnë.

 

Jetojmë në një botë politike,

ku mençuria është plasur në burg,

në qeli kalbet dhe si dreqi është keqdrejtuar

pa i lënë mundësi askujt të gjejë rrugën e duhur.

 

Në një botë politike jetojmë,

ku mëshira mbi dërrasë shkel,

jeta reflektohet nëpër pasqyra, vdekja zhduket

nëpër shkallë drejt bankës më të afërt.

 

Jetojmë në një botë politike,

ku kurajoja i përket së shkuarës,

shtëpitë janë plot fantazma, fëmijët e padëshiruar,

e nesërmja mund të jetë dita jote e fundit.

 

Në një botë politike jetojmë,

në një botë ku mund të shohim e të ndjejmë,

po s’ka asnjë që kontrollon, kartat me hile janë përzierë,

të gjithë e dimë fort mirë që është e vërtetë.

 

Jetojmë në një botë politike,

nëpër qytete të frikës vetmitare,

pak e nga pak tjetërsohesh,

pa e ditur kurrë pse je këtu.

 

Në një botë politike jetojmë,

nën mikroskop ngaherë,

mund të udhëtosh kudo dhe atje veten të varësh,

gjithmonë do të kesh litar për t’u nderë.

 

Jetojmë në një botë politike,

Duke u spërdredhur dhe baltë duke hedhur,

ku sapo zgjohesh, të stërvisin që të zgjedhësh

rrugën që duket më e lehta.

 

Në një botë politike jetojmë,

ku paqja s’është e mikpritur aspak,

nga dera e kanë përzënë që të sorollatet edhe pak

ose me shpatulla pas murit e kanë vënë.

 

Jetojmë në një botë apolitike,

ku çdo gjë është e kësaj apo e atij,

ngjitu në majë të strukturës dhe emrin e Zotit thërrit me sa ke në kokë,

por s’do jesh kurrë i sigurt se çfarë është në të vërtetë.

 

Jorida Pasku

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Historia jone e dendur me folklor

Publikuar me : 22.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 39 here.
Historia jone e dendur me folklorNga provat e shfaqjes "Heronjte e viagres" Valeria Dedaj “Heronjtë e viagrës” janë heronj fiktiv të një shoqërie që gjithnjë ka vuajtur për të pasur udhëheqës shpirtërorë. Komedia epike e Bashkim Hoxhës, njëherësh regjisor i saj, trajton këtë fenomen të trashëguar nga tradita si shqetësim aktual. Vepra është prodhim i Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit që drejtohet nga Hoxha. Ai flet shkurt për projektin që do ta ketë premierën më 25 maj,...Lexo te gjithe artikullin »


» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit
» Lamtumire maestro!
» Underground
» Viti i dyte vazhdon me shlyerjen e borxheve
» Nje kengetar ne gjuhen latine per Carl Orff-in
» Kuaj dhe bicikleta. Po viti ’97?
» Vlore, mbyllet Aulona Folk

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit