Publikuar me : 29.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 67 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Mungesa e të dhënave nga Instat mbi treguesit e Prodhimit të Brendshëm Bruto duket se ka nxjerrë jashtë lojë edhe Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili tashmë duhet të marrë vendime mbi politikat monetare duke u bazuar mbi të dhëna rrethanore. Mungesën e treguesve e ka konfirmuar vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë gjatë konferencës së djeshme për shtyp. “Mungesa e të dhënave direkte mbi treguesit e ekonomisë reale vështirëson analizën e plotë të ekonomisë shqiptare. Gjykimi jonë për ecurinë e aktivitetit ekonomik bazohet mbi të dhëna indirekte, të cilat përafrojnë zhvillimet e sektorëve të veçantë të ekonomisë, si dhe mbi informacionin e filtruar nga treguesit monetarë, nga treguesit fiskalë, nga treguesit e sektorit të jashtëm të ekonomisë, si dhe nga vrojtimet e besimit të biznesit e të konsumatorit”, – tha ai.
Shqipëria është duke përjetuar aktualisht një terr informacioni statistikor, ku Instat nuk ka publikuar të ecurinë e PBB-së për dy tre mujor me radhë. Të dhënat mbi tre mujorin e dytë duhej të ishin botuar më 30 shtator, kurse ato mbi tremujorin e tretë sipas kalendarit duhet të botohen sot. Por nëse Banka e Shqipërisë merr vendime në mungesë të tyre, qeveria ka miratuar tashmë buxhetin e vitit 2012 duke pasur vetëm të dhënat mbi PBB-në e tre muajve të parë 2011.
Rritja ekonomike
Banka e Shqipërisë është më e përmbajtur se qeveria për sa i përket treguesve të rritjes ekonomike të vendit. Një ditë pas deklaratës së ministrit të Financave, Ridvan Bode se ekonomia shqiptare u rrit 3.9 për qind gjatë këtij viti, kreu i BSH-së Ardian Fullani lajmëroi për rreziqet e larta në të cilat po zhvillohet ajo për shkak të zhvillimeve në tregjet botërore si edhe një ngadalësim të ritmeve të rritjes. Deklarata e Fullanit u bë menjëherë pas mbledhjes së djeshme të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili merr në shqyrtim të gjithë treguesit që kanë të bëjnë me performancën e ekonomisë.
Ndryshe nga Bode, i cili dha shifra konkrete për rritjen ekonomike, Fullani u mjaftua vetëm me konfirmimin e një rritje pozitive, por të ngadaltë, gjithnjë duke u bazuar mbi të dhëna rrethanore. “Analiza e këtyre treguesve mbështet vlerësimin për një rritje pozitive, por nën potencial, të ekonomisë shqiptare në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit. Projeksionet për ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen mbeten subjekt i një shkalle të lartë pasigurie, të diktuar kryesisht nga zhvillimet në ekonominë botërore. Analizat dhe vlerësimet tona sugjerojnë vazhdimësinë e normave të moderuara të rritjes së aktivitetit ekonomik në pjesën e mbetur të këtij viti dhe në vitin e ardhshëm”, – vijoi Fullani.
Por uljes së kërkesës për eksportet shqiptare, do t’i shtohet edhe shkurtimi i shpenzimeve për investime publike nga qeveria përgjatë vitit 2012 duke ulur kështu sasinë e parave që hidhen në treg. Në këto kushte sipas BSH-së, është biznesi ai që do të duhet të luaje rolin kryesor në rritjen ekonomike të vendit gjatë vitit të ardhshëm.
Ardian Fullani, guvernator BSH
Mungesa e të dhënave direkt mbi treguesit e ekonomisë reale vështirëson analizën e plotë të ekonomisë. Analiza e këtyre treguesve mbështet vlerësimin për një rritje pozitive, por nën potencial, të ekonomisë shqiptare në tremujorin e dytë dhe të tretë.
Ridvan Bode, ministër i Financave
Konfirmimi i fundit që kemi marrë nga INSTAT-i për rritjen ekonomike është 3.9 përqind. Edhe pse kemi qenë skeptikë në mbylljen e vitit 2011 konform parametrave të autorizuar në korrik, po ju them se buxheti do të respektojë atë autorizim që kemi marrë nga parlamenti që të mos tejkalojmë huamarrjen e brendshme