Publikuar me : 27.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 72 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Viti që po lëmë pas ishte një vit i suksesshëm për ekonominë shqiptare, kjo sipas ministrit të Financave, Ritvan Bode.
Duke folur para mediave në analizën vjetore të Ministrisë së Financave, Bode u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend që mundi t’i bëjë ballë krizës ekonomike, duke shënuar edhe rritjen më të lartë në rajon.
“Vlerësimi vjen nga grupi i ekspertëve të FMN-së, të cilët theksojnë se në Shqipëri, autoritetet përdorën politika mikse për të zbutur ndikim e krizës. Ekonomia jonë u vlerësua edhe nga agjencitë e Moody dhe Standard and Poors”, tha Bode.
Sipas ministrit, vlerësimi për një ekonomi stabël gjatë vitit 2011 vjen në një kohë kur agjencitë kanë deklaruar se ekonomitë e vendeve të rajonit janë në ulje dhe disa prej tyre edhe me një degradim nga viti i mëparshëm.
“Reformat e qeverisë kanë mundësuar një rritje më të lartë të ekonomisë shqiptare nga vendet e rajonit dhe më të lartë edhe nga disa vende të Europës. Borxhi i jashtëm është rritur me 7 pikë përqindje duke qenë më i ulëti në të gjithë rajonin”, tha Bode.
Një muaj më parë, Banka Botërore dha alarmin për nivelin e lartë të borxhit publik në Shqipëri, i cili vlerësohej si më i larti në rajon.
Ndërsa FMN-ja, në raportin e fundit për ndikimin e krizës globale në ekonomitë e vendeve të Evropës Juglindore vlerësonte rritjen ekonomike në Shqipëri, duke dhënë parashikime të zymta për ecurinë e saj vitin e ardhshëm. Në raport theksohej se presioni për të mbajtur në nivelin e kërkuar borxhin publik do të frenojë edhe më shumë ritmet e rritjes ekonomike.
G. N. / Redaksia Online