Publikuar me : 17.02.2012 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 52 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
E. Senja
Banka e Shqipërisë zhvilloi dje ankandin e radhës të bonove të thesarit në emër të qeverisë për financimin e deficitit buxhetor. Ndryshe nga pritshmëritë, bankat kanë ofruar norma më të larta interesi për blerjen e bonove me afat maturimi 1 vjeçar edhe pse Banka e Shqipërisë vendosi në fund të janarit uljen e normës bazë të interesit. Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, bonot një vjeçare janë blerë me një interes mesatar prej 7.21 për qind kundrejt 7.01 për qindve që u blenë në ankandin e datës 31 janar 2012. Shuma e emetuar me nëpërmjet bonove 1 vjeçare ishte rreth 11.8 miliardë lekë.
Ndryshe nga bonot me afat maturimi një vjeçar, norma mesatare e interesit pësoi ulje për bonot me afat maturimi gjashtë mujor. Norma mesatare e interesit për to ishte 6.1 për qind kundrejt 6.23 për qindve në ankandin e fundit. Bonot e emetuara me këtë afat maturimi ishin në vlerë e 4.5 miliardë lekëve.
Referuar treguesve të mësipërm, duket se bankat preferojnë fitime më të ulta dhe ekspozim jo shumë afatgjatë, kjo nisur edhe nga zhvillimet negative në tregjet globale dhe ekonominë e vendit. Ankandi i zhvilluar dje është ndër ata të zakonshmit me anë të të cilit qeveria siguron borxhin e brendshëm të parashikuar për të financiar deficitin buxhetor.
Banka e Shqipërisë ka ulur dy herë normën bazë të interesit për lekun brenda pak muajsh. Aktualisht norma e interesit është 4.5 për qind, në treguesit minimal historik të saj. Me uljen e normës së interesit, Banka e Shqipërisë priste rritje të kreditimit si edhe lehtësim të kostos së borxhit të qeverisë.