Publikuar me : 22.12.2011 Ne :
Kronike - 81 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Rënia e temperaturave dhe reshjet e borës kanë sjellë një probleme në qarkullimin e automjeteve në disa rrugë të vendit. Më problematike situata paraqitet në Qafën e Llogarasë dhe në Qafën e Muzinës, ku trashësia e borës arrin në 30 cm, ndërsa dhjetëra automjete vijojnë të jenë të bllokuara.
Gjithashtu, mësohet se të izoluara janë edhe disa komuna si Pogan, Zagori, Picar, Lunxhëri, etj.
Edhe në qarkun e Korçës, trashësia e borës, e cila arrin në 40 cm ka bllokuar disa akse rrugore dhe ka vështirësuar qarkullimin në shumë të tjera. Zonat e Lekasit, Mokrës dhe Vithkuqit mbeten të bllokuara, ndërsa akset nacionale që lidhin Korçën me qytete të tjera janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.
Situatë e njëjtë paraqitet edhe në veri të vendit. Mësohet se rruga Shkodër-Vermosh dhe Shkodër-Dukagjin dhe rruga Peshkopi-Librazhd janë të bllokuara.
Trashësia e borës dhe erërat e ftohta që kanë shkaktuar ngrica kanë vështirësuar qarkullimin në rrugët që lidhin Bulqizën me komunat e saj.
Në Pukë vijojnë reshjet e borës, ndërsa policia njofton se qarkullimi i mjeteve mund të behët vetëm me zinxhirë.