Publikuar me : 13.10.2011 Ne :
Politike - 55 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Përmes një deklarate për shtyp në lidhje me progres-raportin e BE-së për Shqipërinë, zëvendëskryetari i delegacionit për Evropën Juglindore, Viktor Boshtinaru, shprehu shqetësim të thellë për rrugën që vendi ynë po ndjek. Ai deklaroi se ndjen keqardhje që për të dytin vit radhazi, Shqipëria humbi sërish rastin për të marrë statusin e vendit kandidat.
Komisioni foli ne raport për progres të kufizuar në plotësimin e kritereve politike dhe përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të përcaktuara nga blloku.
“Mendoj se klasa politike që udhëheq Shqipërinë ende nuk e ka kuptuar sa shume po humbet ai si vend dhe mbi të gjitha, sa shumë po i bën të humbasin qytetarët shqiptarë. Kjo është ajo që të irriton më tepër, fakti që për shkak të lidershipit politik, të gjithë qytetarët përballen me një të ardhme të pa sigurt, shumë më të errët nga sa mund ta prisnin dhe nga sa meritojnë”, deklaroi Boshtinaru.
Ai theksoi se nëse Shqipëria nuk bënë ndryshime të menjëhershme Komisioni Evropian do të detyrohet ta quajë dokumentin “regres-raport”, dhe jo raport progresi.
“Ngërçi politik nuk do ta çojë asgjëkundi Shqipërinë, Berisha duhet ta kuptojë se në demokraci mazhoranca qeveris me përfshirjen e opozitës, sidomos për çështje kyçe siç janë reformat. Ai duhet t’u shpjegojë qytetarëve përse një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani, duke detyruar vendin të humbasë dy vjet”, thekson eurodeputeti rumun.
Ani Shëmbitraku