Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Bote te vjetra shkelin syrin ne distance

Publikuar me : 22.01.2012 Ne : Kulture - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Zënë kreun e vendit në familje dhe vend të barabartë në botën e burrave, në sjellje, qëndrim, veshje e krehje. Për sjelljen e tyre seksuale nuk flitet me siguri. Hamendësohet se ky transformim “mund të ishte një mënyrë e tërthortë për një grua e cila kishte tendenca homoseksuale”, siç vëren antropologia amerikane, autore e “Sworn Virgins” (Virgjëreshat e betuara). Young e ka trajtuar problemin në origjinë  të tij në Shqipëri dhe në vendet kufitare, faktorët ekonomikë, social, kulturorë. Çfarë përcaktojnë rrethanat për një femër kur djali i madh i shtëpisë ka vdekur, babai është vrarë, apo faktorë të brendshëm, raporti aspak dashamirës që virgjëresha e betuar ka ngritur më herët me autoritetin e babait.

Shkrimtarja Elvira Dones e riktheu në vëmendje në vitet dymijë fillimisht me një dokumentar e më pas me romanin “Hana”, që u përkthye shpejt në disa gjuhë. E pas kësaj revista e gazeta prestigjioze, fotoreporterë perëndimorë erdhën e takuan, dhe fotografuan, këtë peizazh të rrallë njerëzor e kulturor që i përkiste një bote të vjetër jo dhe aq, përderisa jeton pa iu bërë përshtypje vendasve.

Kanuni i Lekë Dukagjinit ia ka njohur të drejtat dhe detyrimet. Por me atë që qartëson dhe rregullon të djeshmen, njerëzit mitizojnë dhe turbullojnë të sotmen.

Figurën e gruas burrë e përafërt me modelin në fjalë e përtërin kohë dalja në qarkullim në SHBA dhe në festivalet e filmit prodhimi i pavarur amerikan “Albert Nobbs”. Është historia e një gruaje burrë në Irlandën e Shekullit të 19-të, e interpretuar nga aktorja e shquar amerikane GlennClose. Regjisori me origjinë kolumbiane Rodrigo Garcia, i cili punoi për herë të parë me Close më 1999 për filmin “Things You Can Tell Just by Looking at Her”, bashkëpunoi për skenarin e aktores me shkrimtarët Gabriella Prekop dhe John Banville.

Historia e origjinës është “Jeta e pazakontë e Albert Nobs” e autorit irlandez të shekullit të 19-të George Moore. Kjo frymëzoi Simone Benmussa për shkruar një pjesë për teatër e cila u shfaq në fillim në Francë dhe më 1978 në Londër. GlennClose interpretoi më 1982 në një variant njujorkez të dramës dhe qysh atëherë ka dashur ta bëjë film. Në intervistën që ajo ka dhënë pas premierës në Festivalin e Torontos, vjeshtë 2011, përkrah partneres së saj Janet McTeer, – edhe ajo luan një burrë, Hybert Pejxh, – Close thotë se për realizmin e jashtëm të figurës, ka mbajtur për model imazhin e virgjëreshës shqiptare.

Albert Nobbs shërben në një hotel të sërës së lartë në Dublinin e varfër të periudhës viktoriane. Është i saktë dhe korrekt në zbatimin e urdhrave. Vetëm kur vjen mbrëmja në dhomën e tij të vogël, mund ta shohësh të numërojë të hollat që i fsheh poshtë një dërrase nën dysheme. Historisë ia ndërron faqen Hybert Pejxh, një piktor i punësuar në të njëjtin hotel. Kur të dy ndajnë dhomën, sekreti zbulohet. E nëse e kapërcen pragun e vërteta, Albert do të flaket në rrugë.

Kritikët ndahen. Disa e vlerësojnë performancën e aktores GlennClose nga më të mirat e karrierës së saj, një rol që mund ta çojë drejt nominimit për Oscar-in e gjashtë (“Lidhje të rrezikshme” dhe “Tërheqje fatale” ndër të tjera). Vlerësohet e shkëlqyer puna që ka bërë kostumografi Pierre-Yves Gayraud me veshjet që tregojnë hendekun social çka përcakton frymën e “Albert Nobbs”-it. Po edhe puna e drejtorit të fotografisë Michael McDonough që e sjell periudhën të gjallë. Por “ndoshta problemi me këtë film qëndron tek natyra e personazhit kryesor” thotë një tjetër kritik. Nobsi ka një pamje prej fantazme dhe është një sfidë e pakapërcyeshme që t’i japësh sado pak jetë personit të tij.

 

 

Intervista/ Glenn Close dhe Janet McTeer për heronjtë e palëvduar të “Albert Nobsit”

“Albert Nobbs” njihet si projekti i zemrës i Glenn Close, ku ajo ka rolin e një burri, por filmi ka një strukturë më të ndërlikuar. Në këtë intervistë të përbashkët me dy protagonistet, Glenn Close dhe Janet McTeer, marrë nga Dana Harris, botuar në Indie Wire, në Toronto International Film Festival me rastin e premierës. Ato flasin për kapërcimet gjinore, për pushtetin e një gruaje të jashtëzakonshme shqiptare dhe pse “Albert Nobbs” meriton të nominohet për përdorimin e shkëlqyer të skenave nudo.

 

Mendoni se Albert ishte njeri i lumtur?

G.Close: Alberti s’e ka idenë ç’është lumturia. Është një i mbijetuar që bën punë të padukshme. Një njeri i padukshëm zgjedh punë të padukshme. Në periudhën viktoriane të shekullit të 19-të, shërbyesit nuk mund ta shihnin tjetrin në sy. As të shihnin, as të flisnin dhe as mund t’iu flisje. Ajo përballon jetesën dhe kursen para që të mos përfundojë në rrugë apo në vorfënore. Ishte 14 vjeç kur pa sa e shëmtuar ishte bota dhe kjo e frikësoi. E kërkon lumturinë pa ditur ku t’i hedh sytë, por kupton që është diçka që e dëshiron.

J. McTeer: Ajo e ka ndarë veten nga vetja. Kurse Hyberti jo. Alberti shikon tek ai njeriun që gjoja e jeton këtë jetë të fshehtë.

GC: Nuk ma do mendja që Hyberti e kupton sa i izoluar është Alberti.

JM: Jo.

 

Sa grim dhe proteza ju është dashur?

JM: Oh, zot i madh.

GC: Kemi bërë prova serioze. Më është dashur të ndryshoj formën e hundës. Edhe këta janë zmadhuar… meqë i kam shumë të vegjël veshët.

JM: Kur punon me aktore në role burrash, s’mund t’i bësh me mjekër, s’mund të thuash që janë burra.

GC: Hybertit ia bëmë hundën si të thyer sepse ishte grua e rrahur.

JM: Dhe plot gjëra për ta ashpërsuar lëkurën. Dy orë punë çdo mëngjes.

GC: Albertin e shqetëson çfarë i ka ndodhur në vite fytyrës së tij. Ajo nuk është sqimatare. Nuk ia hedh kurrë sytë vetes në pasqyrë. Kam një foto të një gruaje nga Shqipëria…

 

Grua nga Shqipëria?

GC: Po, e kam lexuar në një artikull të National Geographic, ekziston një element kulturor në Shqipëri që, nëse një familje nuk ka trashëgimtar mashkull, caktonin një grua për t’i përfaqësuar në bashkësinë mashkullore. Kjo grua që ka jetuar si burrë ishte modeli im. Vija e flokëve të saj, vetullat, lëkura, duart e saj… gjithë këto vite kam menduar për këtë njeri.

Bashkë me grimierin Matthew Mungle bëmë disa prova dhe një moment kur e pashë veten në pasqyrë qava, sepse nuk isha më unë. Mendoja se do ta ruante thelbin e fytyrës sime të njohur. Por ai më lehtësoi nga kjo barrë. Nuk bëri gjëra të mëdha të çuditshme me fytyrat tona.

JM: Jo, jo. Gjëra të vockla fare, vetullave… u ndryshoi formën.

GC: Nuk do t’ia kisha dalë pa Methjun.

 

Keni gjetur histori të ngjashme të asaj kohe?

JM: Shumë njerëz kanë jetuar kësisoj. Një gjë duhej mbajtur mend për Anglinë ku ndryshe nga këtu, sodomia, nëse ishe homoseksual, ishte e paligjshme. Të dëbonin jashtë vendit. S’kishte gjë kundër lesbizmit sepse Mbretëreshë Viktoria nuk besonte që ekzistonte.

 

Është shumë interesante në kontekstin e influencës kulturore të mbretit apo mbretëreshës dhe fleksibilitetit të tyre ndaj funksioneve të gjinisë.

GC: Them se… së fundi, gjinia nuk përbën dallim. Është emocionuese kur sheh Hybertin dhe (gruan e saj) Kethlinën. Shikon dy njerëz që kanë një lidhje të fortë, që e duan njëri-tjetrin. Ata kanë mirësinë ta quajnë Albertin “z. Nobs” dhe jo të thonë “Ah, pa prit, e dimë që je grua”. E dinë që ajo është krijesë delikate dhe janë të hapur e të dashur.

JM: Është e mrekullueshme që kjo ka ndodhur në një kohë përpara etiketave. Grua e rregullt, çift i rregullt, burrë homoseksual, grua lesbike, ndër-gjinor… ata nuk ishin të tillë. Në fund të fundit fjala është që njerëzit të bëhen ata që janë, të jenë vetvetja me çka ndihen mirë. Te ky koncept duket se sot mbërrihet më lehtë.

GC: Skena ku Hybert thotë, “Albert, mund të jesh cili të duash.” E parashikon.

JM: Ajo s’i thotë gjej një mik apo një mike. Ajo i thotë, je i sjellshëm, punon shumë. I rendit një sërë cilësish si njeri. Është çështja e vlerave njerëzore. Jo e racës, kallëpit, ngjyrës, preferencës seksuale, moshës…

GC: Për tri gjëra mendoj kanë nevojë qeniet njerëzore. Të ndihen të sigurta. T’i gëzohen marrëdhënies. Dhe nëse kanë fat, të bëjnë punën që meritojnë. Por siguria dhe marrëdhënia janë jetike.

 

S’duket se Hyberti dëshiron që të jetë burrë.

JM: Hyberti është ai që dëshiron të jetë. Është në rregull ai. Është i lumtur. E quaj nganjëherë AI, e nganjëherë AJO… Ai mendon për veten si të ishte AI. Ai e do jetën. Ai ka bërë kërcim të madh. Ajo pëlqen të qeshë, të flirtojë…

 

Më duhet ta them që ky film meriton të nominohet për përdorimin e mirë të nudos.

JM: Oh! (qesh)

 

Ishte padyshim një zbulim, të tregosh veten siç je dhe në të njëjtën kohë, me njëfarë krenarie. Nuk ishte për të ardhur turp.

JM: Kërkoja vërtet diçka postmoderne… Kur bën diçka në një moment me gjithë dëshirën dhe fuqinë, është e lehtë ta bësh seriozisht.

 

Filmi

Regjia: Rodrigo Garcia. Interpretojnë: Glenn Close, Mia Wasikowska, Aaron Johnson, Janet McTeer, Pauline Collins, Brenda Fricker. Skenari: Gabriella Prekop, John Banville, Glenn Close. Drejtor fotografie: Michael McDonough.

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Historia jone e dendur me folklor

Publikuar me : 22.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 39 here.
Historia jone e dendur me folklorNga provat e shfaqjes "Heronjte e viagres" Valeria Dedaj “Heronjtë e viagrës” janë heronj fiktiv të një shoqërie që gjithnjë ka vuajtur për të pasur udhëheqës shpirtërorë. Komedia epike e Bashkim Hoxhës, njëherësh regjisor i saj, trajton këtë fenomen të trashëguar nga tradita si shqetësim aktual. Vepra është prodhim i Teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit që drejtohet nga Hoxha. Ai flet shkurt për projektin që do ta ketë premierën më 25 maj,...Lexo te gjithe artikullin »


» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit
» Lamtumire maestro!
» Underground
» Viti i dyte vazhdon me shlyerjen e borxheve
» Nje kengetar ne gjuhen latine per Carl Orff-in
» Kuaj dhe bicikleta. Po viti ’97?
» Vlore, mbyllet Aulona Folk

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit