Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Brace-Berishes Qeveri milioneresh e politikanesh me muskuj

Publikuar me : 30.09.2011 Ne : Politike - 74 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli



Luis Tanushi

 

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është vënë dje nën akuzë nga nënkryetari i grupit parlamentar Socialist, Erion Braçe, për vjedhjen e pasurisë kombëtare dhe për kontratat korruptive në naftë, krom, bakër e ar. Gjatë interpelancës së thirrur nga deputeti i qarkut të Beratit, ky i fundit është përballur me kreun e qeverisë mbi të gjitha çështjet e bujshme, për të cilat janë hedhur hije dyshimi nga Partia Socialiste se me to janë kryer veprime korruptive. Akuzat janë shpërfillur nga kryeministri Berisha, i cili preferoi që kohën e tij, në vend që ti jepte një përgjigje deputetit, të flasë për atë që ai e quan rritja e ekonomisë shqiptare.

 

Akuzat

Që në fillim të fjalës së tij, numri dy i grupit të PS-së, Erion Braçe, ka sqaruar se për kjo interpelancë është nxitur nga greva e minatorëve, skandali i kompanisë “Stream Oil & Gas”, skandali i shitjes së Azotikut të Fierit për skrap dhe skandalet e tjera që lidhen me keqpërdorimin e pasurive kombëtare. Për të gjitha këto çështje, deputeti socialist vlerësoi se një pakicë fare e vogël ndër ta, kasta e “milionerëve me muskuj”, të nevojshëm nga pikëpamja elektorale në territor, kanë lejë të vënë dorë me kufi mbi pasurinë kombëtare. “Një pakicë edhe më e vogël, kasta e “milionerëve të politikës”, kontrollon vendimmarrjen administrative dhe garanton pjesëmarrjen në bizneset, vendase apo të huaja, që shfrytëzojnë pasuritë kombëtare apo ofrojnë shërbimet ekskluzive. Mbi të gjithë jeni ju, kryeministri! Ju kontrolloni gjithçka e jepni leje për çdo gjë. Për këtë arsye, kjo nuk është qeverisje. Ky është sistemi!”, – akuzoi Braçe. Deputetë kërcënoi se do të bëjë publike një sërë emrash dhe lidhjet e tyre me interesat politike.

Sipas tij, nuk është vetëm kromi por çdo pasuri minerare, çdo pasuri publike, çdo aset i trashëguar e qëllimisht në rrënim, çdo e drejtë mbi këto pasuri që administrohet nga qeveria, që po vihet nën administrimin e shfrytëzimin e një grushti njerëzish e kompanish që shpallin publikisht “disponim” mbi pasuritë tona kombëtare. “Vit pas viti ata po fitojnë më shumë, ndërsa shqiptarët më pak. Politika juaj me pasuritë kombëtare dhe të drejtat mbi to, po i stimulon. Një mandat i paqartë i më pak se gjysmës së shqiptarëve ju ka emëruar “administrator” por nuk ju ka njohur si “pronar” të pasurive të këtij vendi”, -drejtoi akuzat ndaj kryeministrit deputeti i PS-së.

 

Shpërfillja

Në vend të përgjigjeve për akuzat që janë lëshuar nga nënkryetari i grupit socialist, kreu i qeverisë ka shpërfillur gjithçka që është thënë dhe ka përdorur kohën e tij për të folur mbi historinë botërore apo çështje ekonomike të vendit, pensionet apo rrogat. “Në muret e këtij parlamenti mund të lexohet beteja dyjavore e vitit 1991, kur krahu i majtë i asaj kohe donte me çdo kusht, t’u jepte fermerëve shqiptarë tokën si argat. Ajo ka qenë një beteje e ashpër dhe e vendosur. Betejë në të cilën ideja jonë, e frymëzuar nga parimet e Xhefersonit mbi tokën, u bë realitet në ligj për 460 mijë familje, fermerë shqiptarë”,- ishin disa nga fjalitë e para të lëshuara nga Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në foltoren e parlamentit.

Duke vënë theksin se historia është histori dhe se aty ishin themelet, ai vlerëson se është po kjo mazhorancë, e cila ka në arkivin e saj trashëgiminë më të shkëlqyer të vendosjes në dispozicion në pronësi të aseteve të këtij vendi dhe vlerave të tij, qytetarëve shqiptarë, pa dallime të asnjë lloji. Për kryeministrin, kjo mazhorancë mundësoi që “vendin më hiperkolektiv të planetit e privatizoi dhe ia doli që një hark kohor të shkurtër katërvjeçar, Prodhimi i Brendshëm Bruto në 80 përqind të tij të ishte rezultat i supeve, mendjes, mundit dhe djersës së shqiptarëve të lirë, pronarë dhe sipërmarrës”.

Sipas tij, është kjo mazhorancë, e cila do ta sillte ekonominë shqiptare nga një ekonomi tërësisht të falimentuar, me reformat e thella që ndërmerrte u dha shqiptarëve stabilitetin makroekonomik, bëri të mundur që ata me punën, mundin dhe djersën e tyre të zhvillojnë pronat e tyre dhe t’i japin vendit një rritje dy shifrore. Pas fjalës së tij, seanca plenare vijoi me diskutimin e lirë.

 

Kush do flasë më shumë, garë Berisha-Braçe

Gjatë seancës së djeshme plenare kryeministri Berisha shkoi në podiumin ku ishte duke folur deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, për t’i marrë fjalën, ndërkohë që ky i fundit nuk ishte larguar ende. Deputeti i qarkut të Beratit po tentonte që fitonte disa sekonda më tepër kohë, por kreu i qeverisë si shenjë hakmarrjeje ndaj nënkryetari të grupit së PS-së, nuk preferoi të fliste nga vendi i tij, por shkoi te foltorja duke detyruar deputetin Braçe që të largohet. Gjatë ndërrimit të vendeve në foltoren e Kuvendit ka pasur dhe një shkëmbim fjalësh midis tyre, të cilat nuk u dëgjuan për publikun pasi batutat u zhvilluan pa mikrofon. Berisha zuri vendin ndërsa Braçja vinte vwrdallw foltores pwr tw marrw letrat qw kishte lwnw tek mikrofoni.

 

 Akuza në Kuvend: varrezat e makinave po blihen nga mafia

Parlamenti miratoi dje mes debatesh të forta Aktin Normativ për heqjen e varrezave të makinave dhe pikave të grumbullimit të skrapit që ndodhen pranë rrugëve kombëtare. Me 71 vota pro mazhoranca mundi që të miratojë Aktin, i cili u votua kundër nga 60 deputetë të opozitës. Tashmë pronarët e pikave të grumbullimit kanë edhe tetë ditë kohë përpara se ushtria të shkojë dhe ti sekuestrojë materialet. Qeveria ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes për transportimin nëpër reparte të mjeteve të sekuestruara dhe më pas shitjen e tyre.

Dje në Kuvend opozita e cilësoi aktin një veprim korruptiv duke akuzuar se njerëz të afërm me pushtetin dëshirojnë që të vjedhin skrapin që vlen miliona dollar. Më e ashpër në qëndrimin e saj ka qenë deputetja e qarkut të Elbasanit, Shegush Ligori, e cila u shpreh se pas aktit fshihet mafia e skrapit ashtu si në rastin e projektligjit për importimin e plehrave. “Pronarët e këtyre vendgrumbullimeve nuk do të kenë mundësi të bëjnë lëvizjen për një muaj. Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit do t’ua marrë këto mjete që vlejnë miliona euro njerëzve që mbajnë familjet. Nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes do të bëjë transportimin dhe nëpërmjet biznesmenit të radhës të lidhur me familjen në pushtet do ta shesë për skrap në Elbasan dhe të nxjerrë miliona. Në krye është një qeveri që funksionon si organizatë e mirëfilltë kriminale”,- theksoi deputetja Ligori.

Anëtarja e Komisionit të Ligjore komentoi edhe procedurën e ndjekur për heqjen e mjeteve motorike nga rrugët kombëtare. Sipas saj qeveria ka shkelur hapur edhe ligjin themeltar të shtetit, konkretisht nenit 121, pasi në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese sqarohet se urgjenca është parakusht për detyrimin e qytetarëve dhe prekjen e pronës.

Sipas deputetes socialiste, situate e rënduar ambientale për shkak të makinave është e akumuluar ndër vite dhe nuk mund të zgjidhet brenda një kohe tepër të shkurtër. “Në këtë kohë krize së paku 220 familje pa llogaritur të punësuarit do të mbyllnin bizneset e tyre dhe të mbeten pa asnjë të ardhur dhe do tu sekuestrohen mjetet. Është një veprimtari e pastër korruptive e kësaj qeveria, e biznesmenëve dhe sekserave të radhës të lidhur me familjen në pushtet që me biznesin e skrapit tashmë shumë në modë mbahen dhe përpiqen të riciklojnë pushtetin”, theksoi Ligori.

Deputetët e mazhorancës dhe disa ministra sqaruan se akti në fjalë i hap rrugë zgjidhjes së shumë problemeve të krijuara nga ky realitet i rënduar me grumbullimin e mjeteve motorike. Ministri i Transporteve, Olldashi sqaroi edhe nevojën e urgjencës së përgatitjes së aktit dhe të miratimit të tij në parlament duke e justifikuar me numrin e lartë të aksidenteve dhe me ndotjen e mjedisit. “Pse ndikon kjo në përmirësimin e mjedisit? Akti normativ presupozon të shoqërohet edhe me procesin e licencimit. Po flasim për 290 biznese te paligjshme, te cilat ne baze te aktit jo vetëm do te largohen nga rruga për të mos qene me burim aksidentesh, por do te detyrohen te licensohen dhe do te detyrohen te marrin lejen mjedisore”, tha Sokol Olldashi. Sipas tij kundërshtimet e PS-së janë justifikimi i radhës për të mos votuar ligjet që paraqiten nga mazhoranca. “Është më thelbësorja është një përpjekje që bëhet nga deputetët e opozitës për të bërë rolin e parimrit në mënyrë tërësisht spekulative. Unë kam një pyetje të drejtpërdrejtë për të gjithë kolegët e opozitës që folën, më thoni të nderuar kolegë të opozitës cila ka qenë data e fundit kur ju keni votuar një ligj dhe cila ka qenë data e fundit kur ju keni propozuar një amendament për një ligj”, deklaroi Olldashi.

 

Akti Normativ u miratua brenda pak minutash

Me një shpejtësi të madhe qeveria më datë 7 shtator të këtij viti përgatiti aktin që parashikon heqjen e varrezave të makinave që ndodhen buzë rrugës kryesore. “Ndalimin e krijimit të vendgrumbullimeve dhe grumbullimin e mjeteve motorike, rimorkiove, si dhe të pjesëve të tyre të këmbimit, të dala jashtë përdorimit, në një distancë jo më pak se 1 km nga akset e rrugëve kombëtare, të përcaktuara si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe në vende të tjera të paautorizuara nga organet apo institucionet përkatëse, të ngarkuara me akte ligjore dhe nënligjore për këtë qëllim”,– theksohet në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria. Qeveria ka përcaktuar hapat që duhet të marrin dhe sanksionet që do të kenë pronarët ose poseduesit e vendgrumbullimeve ekzistuese të mjeteve motorike, rimorkiove dhe pjesëve të tyre të këmbimit, në rast se, nuk zbatohen masat e parashikuara në Aktin normative. Mazhoranca e ka argumentuar nxitimin e saj dhe përfshirjen e ushtrisë si masë për përballimin e gjendjes së rënduar në vendgrumbullimet e mjeteve motorike të dala jashtë përdorimit. “Këto vend-grumbulime më së shumti janë përqendruar pranë akseve nacionale dhe kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në ndotjen e mjedisit dhe në problemet e sigurisë rrugore në të gjithë territorin”, arsyetohet në relacionin që shoqëron aktin.

 

PS dorëzon paktin në Kuvend, PD e refuzon

Shtyhet për të tretën herë miratimi im projektligjeve që kërkojnë konsensusin e opozitës. Opozita nëpërmjet Sekretarit të Grupit të PS-së, Taulant Balla dorëzoi zyrtarisht në Kuvend paktin prej dhjetë pikash për zgjidhjen e krizës politike. Në emër të Grupit Parlamentar të opozitës Gramoz Ruçi u propozoi grupeve parlamentare që të miratojnë një pakt kombëtar prej 10 pikash që kanë të bëjnë me ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe në Kushtetutë, me shqyrtimin e projektligjeve me rëndësi për integrimin e vendit dhe zgjedhjen konsensuale të krerëve të disa institucioneve të pavarura. Por demokratët hodhën poshtë paktin duke e cilësuar atë si një fasadë politike. Sipas nënkryetarit të PD-së Astrit Patozi, propozimi i bërë nga opozita është thjesht një mënyrë për të mos votuar projektligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe që janë kusht i domosdoshëm për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

 

Opozita nuk ruan dot votat brenda grupit

Kuvendi miratoi kandidaturën e zonjës Lindita Milolati për një mandat të dytë si Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës. Por votimi tregoi dobësinë e opozitës për të mbajtur radhët e saj kur një nga deputetët votoi pro kandidaturës duke thyer vendimin e grupit. Kandidatura e Milolatit mori 75 vota pro, 49 kundër dhe 2 abstenime. Një prej deputetëve të Partisë Socialiste duke shfrytëzuar fshehtësinë e votës theu vendimin e grupit parlamentar duke dhënë pëlqimin për kandidaturën për Kryetare të Autoritetit të Konkurrencës. Rrjedhja e votës la të surprizuar deputetët e opozitës ndërkohë që u dha një armë më shumë mazhorancës për të shmangur votimin e fshehtë. “Doni edhe votim të fshehtë” ka qenë ironia e deputetëve të mazhorancës për kolegët e tyre të opozitës. Kërkesa për votim të fshehtë është një kërkesë e vazhdueshme e socialistëve, sipas të cilëve mazhoranca ka rrjedhje votash nëse do të vendoset votimi i fshehtë edhe për ligje të caktuara.

 

 

 

 

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

PD-PS vendosin per numerim elektronik

Publikuar me : 22.05.2012 Ne kategorine : Politike - Lexuar : 71 here.
PD-PS vendosin per numerim elektronikQendër e numërimit të votave / foto arkiv Dy partitë kryesore kanë arritur më në fund të bien dakord për procesin e votimit dhe numërimit për zgjedhjet e ardhshme. Pas rezervave të shprehur nga ekspertët e OSBE/ODIHR-it, PD dhe PS kanë modifikuar qëndrimin por në fund është rënë dakord për numërim elktronik. OSBE/ODIHR shprehën shqetësim për dështim të zgjedhjeve për shkak të kohës së shkurtër që është në dispozicion për implementimin e kësaj praktike, që...Lexo te gjithe artikullin »


» Spoti tek CNN, si fitoi kompania me dy punonjes tenderin 300 mije euro
» KLSH, kompjuteret Fatos Beja s’i denoncoi ne prokurori serbet
» Bashkia Vlore, marreveshje me Tetra Tech Ard
» Meta Shqiperia ne rrugen e duhur drejt BE-se
» Komando ne Bosnje NATO na dekoroi, ministria s’na jep parate
» Ambasadori holandez Presidenti, gjitheperfshires dhe ne raundin e pare
» Sondazhi Greqia, vend i padeshiruar edhe ne NATO
» Presidenti konsensual, Meta ve ne prove aleancen PD-LSI
» Ambasadori i Suedise Presidenti te jete konsensual
» SHBA, Berisha takohet me komunitetin shqiptaro-amerikan

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit