Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Sociale - 57 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Xhek Preçetaj
Në mes të një pylli, në majë të një kodre apo një mali, kudo mund t’i gjesh skautistët. Tashmë përveç vlerave të larta shoqërore që mund të transmetojnë, ata arrijnë të japin edhe një kontribut të mirë për promovimin dhe njohjen e bukurive të vendit tonë. Kjo për faktin se aktivitete të ndryshme të tyre bëhen në natyrë. Në vende të cilat arrijnë të ndërthurin stilin e veçantë të jetesës skaut me vlerat e ambientit. “Vitet e fundit kemi zgjedhur të shkojmë në Qafshtamë, për faktin se përshtatet me gjithçka. Por jo vetëm kaq, ajo paraqet shumë vlera për të gjithë”. Kështu shprehen Elona Leka, Ana Guni dhe Xhoana Dervishi, lidere grupesh skaut në Shqipëri, si dhe organizatorë të aktiviteteve të ndryshme të skautëve.
Kampingu
“Përgjithësisht në gjysmën e dytë të korrikut ne organizojmë një aktivitet për të gjithë skuatët. Ky aktivitet mbahet në një vend të largët nga qyteti apo nga urbanizimi. Një aktivitet i cili i mundëson çdokujt të njohë më së miri jetesën skaut”, shprehet Ana. Këto aktivitete ndryshe njihen edhe me emrin kampingje. Në to për disa ditë radhazi të rinjtë bashkëjetojnë me njëri-tjetrin në një ambient i cili përbëhet nga tenda për të fjetur dhe gjëra të tjera të thjeshta. Duke përçuar një mesazh të rëndësishëm, atë të jetesës në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, jo rrethuar nga mijëra të mirat teknologjike. “Vitet e fundit kemi zgjedhur si vend për kampin e përgjithshëm, Qafshtamën. Por megjithatë çdo grup i vogël bën edhe dalje apo organizime të tjera personale si grup në vende të tjera përgjatë vitit. Në kampingje ne mundohemi t’iu mësojmë të tjerëve çdo gjë tjetër nga ajo që ata mësojnë në shkollë. Për shembull, një ditë i mësojmë ndihmën e shpejtë. Si t’i japë dikujt ndihmën e shpejtë, si të dalë nga rreziku etj. Një ditë tjetër bëhet një ecje e gjatë për rreth zonës ku njihen me bimësinë dhe gjithçka mbart zona ku ata qëndrojnë. Më pas bëhen lojëra të ndryshme sportive, konkurse ndërmjet njëri-tjetrit dhe shumë aktivitete të tjera të ndryshme konstruktive”, tregon Xhoana. “Fakti që kemi zgjedhur zonën e Qafshtamës për disa vjet radhazi, është se ai mbart shumë vlera. Këto vlera të ndërthurura me jetesën skaut mundësojnë një eksperiencë të veçantë për çdo kënd. Vlerat e ndryshme që zona mbart janë ato të ujit të veçantë që ka, natyrën e zonës dhe një klimë kuruese. Me anë të kampingut gjithashtu çdokush arrin të mësojë se si jetohet përtej qytetit. Me fjalë të tjera këto zona të mundësojnë që çdokush të marrë një edukim qoftë kulturor të zonës, por gjithashtu edhe shoqëror”.
Organizimi
“Organizimi është një pjesë disi e vështirë. Kjo në disa aspekte. Së pari duhet që të përshtatësh gjithçka me ambjetin. Duhet të ngresh tendat, të përgatitësh lojërat, daljet, etj. Por gjëja më e vështirë është të organizosh fëmijët. Pasi janë të gjithë të vështirë të menaxhohen njëkohësisht. Megjithatë, duhet thënë se është diçka shumë e bukur. Një tjetër vështirësi është edhe fakti se ka një mungesë parash. Kjo mungesë është mbuluar disi nga pjesëmarrësit të cilët paguanin një shumë parash në formën e kontributit, për të mbuluar shpenzimet. Megjithëse skautizmi si shoqatë është e regjistruar, kurrë nuk ka pasur ndihmën nga ana e shtetit, vetëm organizata joqeveritare të ndryshme. Vitin e fundit ishte Organizata Botërore e Skautit ajo që na mundësojë disa kontribute në materiale”, tregon Elona.
Pjesëmarrja
Këto kampingje janë të hapura për çdo kënd. Por duhet të përshtasësh me jetesën skaut. Nuk je duke shkuar për pushime të mirëfillta në një dhomë hoteli me ushqimin e servirur dhe shërbime të ndryshme të ofruar nga kamerierët. Këtu të duhet të gatuash vetë, të flesh në një tendë etj. Je shumë larg reatisë. Ndaj dhe quhet një përvojë jetësore e rëndësishme. Grupmoshat të cilat marrin pjesë, janë nga më të ndryshmet. Duke filluar nga fëmijët 7-8 vjeç, gjimnazistët dhe duke vazhduar më pas me liderët. Mosha është e shumëllojshme, por mbizotërojnë fëmijët dhe gjimnazistët. Vetë organizimi skaut ndahet në mënyrë të tillë: Deri në moshën 18 vjeç je një skaut, pasi kalon këtë moshë bëhesh një lider skaut dhe duke vazhduar më tej me gradat e caktuara.
Aktivitet e tjera
“Skautët marrin pjesë edhe nëpër aktivitete të ndryshme jashtë vendit. Për shembull, është një projekt që quhet: “Moba Project”, i cili përkon në një bashkëpunim mes skautëve të të gjithë Ballkanit. Ky projekt ka mundësuar takimin e skautëve nga vende të ndryshme të Ballkanit në qytete të ndryshme. Aty janë shkëmbyer informacione ndërmjet skautëve, janë bërë trajnime, etj. Por gjithashtu skautët ndër vite kanë marrë pjesë edhe në takime të ndryshme të organizuar nga ËOSM (Ëorld Organization of the Scout Movement). Aktivitete të cilat janë mbajtur në Angli, Japoni, Korenë e Jugut, Belgjikë, Suedi, etj. Por nuk duhet harruar fakti që janë gjithashtu shumë organizime apo aktivitete ndërmjet grupeve të vogla apo edhe liderëve në vende të ndryshme të Shqipërisë. Në vende të tilla si: Theth, Gjinër, Valbonë, Qafshtamë, Bok, Razëm, Korçë, etj”.
Opinion
A mund shndërrohet lëvizja skautiste shqiptare në lëvizje fetare?!
Lëvizja Skautiste Shqiptare i ka fillimet në vitin 1920. Ajo mori një zhvillim të madh pasi me përkujdesjen e veçantë të ish-mbretit Zog, 4 inspektorë të Ministrisë së atëhershme të Arsimit shkuan dhe panë nga afër në Angli zhvillimin e Lëvizjes Skautiste. Nga viti 1922-1937 Shqipëria ishte anëtare e Organizatës Botërore Skautiste. Gjatë këtyre viteve vlen për t’u përmendur aktivitetet e shumta të zhvilluara në qytetet: Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë, Berat etj. Botimi i revistës “Gjurmësia” e sidomos Ekspedita Skautiste, apo e gjurmësise siç quhej në shqip në atë kohë e drejtuar nga zoti Avni Zajmi në verilindje e alpet e Shqipërisë përfshi: Krujën, Burrelin, Peshkopinë, Kukësin dhe pjesë e Alpeve.
Fakt është se dhe gjatë periudhës së minizmit dhe izolimit të vendit nga diktatura Lëvizja Skautiste Shqiptare mbijetoi në një formë të re, jetoi në një formë të re, si të thuash me një emër të tjetër, si rrethi i turizmit pranë shtëpive të pionerit dhe klubeve sportive të asaj kohe, veçanërisht kampi veror “Qemal Stafa” realizonte aktivitete të tilla.
Ajo që ka më shumë rëndësi për Lëvizjen Skautiste Shqiptare është fakti se rilindja e saj pas viteve ’90 kur nisën proceset demokratike në vend nuk u bë “me ndihmën e skauteve italianë”, por gjithçka u rivitalizua në bazë të traditës së krijuar në vite për Lëvizjen Skautiste Shqiptare.
Faktet flasin vetë. Në pranverë të vitit 1991 me nismën e 2 mësuesve nga Saranda, Mihal dhe Dolorez Dhima, u organizua Takimi i Parë Kombëtar për Lëvizjen Skautiste Shqiptare, i drejtuar dhe asistuar nga trajnues të dërguar nga Zyra Rajonale e Gjenevës dhe në dhjetor të po atij viti mbahet Kongresi i parë i Skautistëve në Shqipëri. U organizuan disa aktivitete lokale dhe kombëtare, ku mund të përmend kampingjet kombëtare tek Syri i Kaltër dhe në vitin 1995 Shqipëria është sërish anëtare me të drejta të plota në Organizatën Botërore të Skautistëve, ËOSM.
Pas vitit 2000 Qendra kombëtare e Lëvizjes Skautiste Shqiptare vendoset në Krujë me shoqatën “Beslidhja SkautAlbania”, e cila vazhdon të jetë anëtare e ËOSM-it. Kjo shoqatë ka mbi 1000 anëtarë, statusi i saj udhëheq Lëvizjen Skautiste në Shqipëri në përputhje me Kushtetutën e ËOSM-it, dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar për organizatat joqeveritare. Ka një komitet drejtues dhe ka shtrirje me degët e saj në qytetet kryesore të vendit dhe paguan rregullisht kuotizacionin në ËOSM dhe në Zyrën Rajonale në Gjenevë.
Me keqardhje vërejmë se qarqe të caktuara fetare në Shqipëri kërkojnë që këtë Lëvizje kombëtare ta mohojnë dhe ta konvertojnë në një lëvizje fetare, për ta prezantuar si një lëvizje që zhvillohet nga një segment i caktuar i Kishës Katolike dhe ta mbyllin skautizmin shqiptar brenda mureve të kishës.
Gjatë vitit të kaluar ndodhi që kisha dërgoi 2 persona në Suedi duke i mohuar të drejtën Shqipërisë që rrjedh nga anëtarësimi i saj në ËOSM për të dërguar 3 persona të tjerë me shpenzime të Organizatës Botërore. Ne respektojmë aktivitetet Skautiste që organizon “Agesci” në Shqipëri dhe vazhdimisht ne kemi kërkuar që të kemi një bashkëpunim me këtë shoqatë, por është e papranueshme që Lëvizja Skautiste Shqiptare të mbyllet në kisha. Kjo do të përbëjë një precedent të rrezikshëm, në një vend multifetar si Shqipëria, ku ka tolerancë dhe bashkëjetesë besimesh që ta orientosh një Lëvizje të shëndetshme pa dallim dhe ngjyra fetare, ta bësh instrument vetëm të një feje.
Kjo është një pengesë për aktivitetin normal të Lëvizjes Skautiste Shqiptare që në traditën e vet ka zhvillimin çdo vit të kampingjeve lokale si në Shkodër (Razëm), në Elbasan (Gjinar), në Pukë, Peshkopi, Vlorë (Llogora), Berat (Uznovë), Kavajë (Spille), Korçë (Vithkuq), Tropojë (Valbonë). Ndër to aktiviteti më i rëndësishëm në rang kombëtar është ai që organizohet në Qafshtamë të Krujës, çdo vit, në 15-ditëshin e dytë të muajit korrik, me pjesëmarrjen e mbi 100 skauteve nga e gjithë Shqipëria. Gjatë vitit 2012 janë planifikuar të organizohen disa aktivitete, që rezultojnë të miratuara dhe nga Zyra Rajonale e Gjenevës, siç janë tre seminare për rritjen dhe për hapjen e Skautizmit, si dhe kampingje të ndryshme me rastin e 90 -vjetorit të pranimit të Shqipërisë në Organizatën Botërore, si dhe Kampingun e madh kombëtar në Qafshtamë.
Drane Leka, Komisionere e te rriturve.
(Reagim ndaj shkrimit të botuar në gazetën “Shekulli” në nëntor 2011)