Publikuar me : 24.09.2011 Ne :
Kronike - 50 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ashtu siç kishin paralajmëruar minatorët e Bulqizës kanë bllokuar portën kryesore të kompanisë koncesionare “ACR”, në shenjë proteste për të plotësuar kërkesat e tyre. Sot vijon dita e 6-të, e grevës së urisë së 10 minatorëve, 4 prej tyre mësohet se kanë paraqitur shenja të komplikuara shëndetësore.
Pas përkeqësimit të situatës kanë mbërritur mjekë nga spitali rajonal i Bulqizës, të cilët kanë ndërhyrë me ndihmën e parë mjekësore, ndërsa kanë dhënë alarmin se ndërhyrja duhet të vijojë në ambientet e spitalit. Nga ana tjetër, minatorët nuk kanë pranuar të dalin nga greva deri në plotësimin e kushteve të tyre, pavarësisht gjendjes së tyre të rëndë.
Ndërkohë, kreu i Konfederatës së Industrisë, Taf Koleci ka deklaruar se ditën e hënë, pritet të ketë zhvillime të reja në Bulqizë, por nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë deklaratë. Greva dhe protesta e minatorëve të Bulqizës vijon, pasi ende nuk është arritur një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë “ACR”.