Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Burre per burre, Vdekje per vdekje!

Publikuar me : 12.08.2011 Ne : Kulture - 112 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Vizel bashkë me të tjerë në kampin e përqendrimit të Buhenvaltit, i shtati në rreshtin e dytë


“Burrë për burrë, vdekje për vdekje”! Është urdhri që kumbon në kokën e një të riu hebre, Elishës 18 vjeçar, që i duhet ta shohë vdekjen në sy, kur mban në dorë revolverin që duhet të zbrazet mbi trupin e kapitetin anglez Xhon Dauson. Është koha kur Palestina është sunduar nga Anglia dhe një hebre i quajtur David Ben Moshe është dënuar me vdekje nga autoritetet angleze për aktivitete terroriste. Në këmbim të Moshesë, Lëvizja (grupim hebre) që duket se lufton për lirinë e hebrenjve të Palestinës, merr peng Xhon Dausonin dhe merr vendimin që ai të vdesë. Pakti është i qartë: “ Dhuna ishte e vetmja gjuhë, që merrej vesh fare mirë prej anglezëve: Burrë për burrë, Vdekje për vdekje!”.

Vrasjen e Dausonit duhet ta kryejë i riu Elisha, që dallohet nga të tjerët, nga ajo përvojë jete drithëruese që ka kaluar në kampet e përqendrimit në Buhevald dhe Aushvic. Ai ka vetëm pak net për t’u “njohur” me vdekjen, vetëm pak net për t’i bërë ballë maktheve, vizioneve, zërave, klithmave të të harruarëve që vijnë nga kujtesa e largët.

Elisha nuk ka çfarë i gëzon jetës, nuk e ka idenë çfarë është dashuria, ka vetëm një ideal: t’i falë lirinë njerëzve të popullit të tij, një ideal që i ka mbajtur bashkë hebrenjtë në shekuj. I riu ka dhe një ëndërr që i shuhet shpejt: të studiojë për filozofi në Sorbonë. Ndoshta kjo ishte rruga që do ta shpinte te njohja e vetes, te kuptimi i ngjarjeve viktimë e të cilave kishte rënë. Elisha donte t’i jepte njëherë e përgjithmonë përgjigje pyetjeve : “Ku mund ta gjeja Zotin? Në vuajtje apo në rebelim? Kur njeriu ndihet vërtet njeri?  Atëherë kur nënshtrohet, apo kur ngre krye? Ku e çon vuatja njeriun? Në dëlirësi apo në shtazëri?”

Është historia e protagonistit të librit “Agim” (L’aube, 1960), i botuar nga “Bota Shqiptare”, pjesë e trilogjisë me titull “Nata” (1958) i Eli Vizelit, shkrimtar hebre-amerikan, Nobeli i Paqes 1986. Një roman që lindi nga përvoja e vuatjeve të autorit dhe familjes së tij në kampet e përqendrimit. Vizel, i lindur në një familje hebreje humbi nënën dhe motrat në dhomat e gazit, babanë në krematoriumet e Luftës së Dytë Botërore. Kush më mirë se ky dëshmitar i mbijetuar nga Holokausti mund të flasë për vuajtjen dhe poshtërimin e hebrenjve? Vizeli e zbraz shpirtin e tij në librin e fundit të trilogjisë, te “Dita” (1961), ku në distancë me ngjarjet bën bilancet e tij me Holokaustin.

Eli Vizel është i paanshëm në rrëfimin e tij. Duket se ka të njëjtën keqardhje si për vdekjen e një anglezi ashtu dhe të një hebreu, edhe pse në libër njëri trajtohet hero e tjetri  viktimë. Duket se kujtimet e të mbijetuarëve të kampeve të tmerrit përpëliten në mendjen e hebreut të ri që pak e nga pak po përpiqet të kryejë një vrasje. “Agim” i Vizelit i ngjet një romani psikologjik, ai hyn thellë te përballja e njeriut me vdekjen, frika nga misteret e saj dhe në fund bashkëjetesa me të. Mjeshtri i tij i Kabalës i kishte mësuar, Elishës edhe që “Vdekja është një qënie pa krahë, pa këmbë, pa gojë dhe pa kokë: ajo është vetëm sy. Nëse ndonjëherë të rastis të takosh ndonjë krijesë me sy gjithandej, atëherë ta dish mirë se ke të bësh me vdekjen”. Hebrenjtë e rinj këtë e shohin të vetmen rrugë për shpëtim dhe i dorëzohen.

Të josh rruga ku shkel Elisha për të njohur veten dhe tjetrin. Bën çudi marrëdhënia e tij prej xhelati me viktimën, marrëdhënia e jetës me vdekjen edhe pse e gjithë historia lë

një shije të hidhur në fundin e saj, por edhe që pritej. Elisha vret. Ai është bërë pjesë e operacioneve terroriste, duke urryer armikun dhe duke u rreshtuar kështu në anën e kundërt të judaizmit tradicional.

 

Bindja e “Lëvizjes” drejtuar të rinjve hebrenj

Është e pashpirt, çnjerëzore fare, po deshët, por nuk kemi rrugë tjetër! Për breza e për breza me radhë synuam të ishim më të mirë, më të qashtër në zemër sesa ata që na përndiqnin, por që të gjithë e keni parë rezultatin me sytë tuaj: Hitlerin dhe kampet e Shfarosjes në Gjermani. Jemi përpjekur aq shumë, sa na ka ardhur në majë të hundës, që të jemi më të drejtë sesa ata që pretendojnë të flasin në emër të drejtësisë. Kur nazistët vranë një të tretën e njerëzve tanë, burrat e drejtë s’patën asgjë për të thënë. Sa herë që vjen puna për të qëruar hebrenj, që të gjithë bien squkë, u mbyllet goja dhe këtë e provojnë njëzet shekuj histori. Ne mund të mbështetemi vetëm në veten tonë. Nëse do të na duhet të bëhemi më të padrejtë e më çnjerëzorë sesa ata që janë treguar të padrejtë e çnjerëzorë me ne, atëherë do të bëhemi që ç’ke me të! Nuk na e ka fort qejfi që të jemi mbartësit e vdekjes, prandaj kemi zgjedhur të jemi më mirë viktima, sesa xhelatë. Urdhëresa e shenjtë: “Mos vrisni!” u dha nga maja e njërit prej maleve këtu në Palestinë, dhe ne ishim të vetmit që iu bindëm verbërisht. Por ajo punë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe ne na duhet të jemi si gjithë të tjerët. Vrasja nuk do të bëhet profesioni ynë, por detyra jonë! Gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vazhdim ju do të keni vetëm një qëllim: të vrisni ata që na kanë shndërruar në vrasës. Ne do të vrasim vetëm e vetëm që të bëhemi edhe një herë njerëz…

 



Eli Vizel biografi

Është lindur më 30 shtator 1928 në Rumani nga Sarah dhe Shlomo Feig, familje që kanë mbështetur gjithmonë komunitetin hebre. I njëjti fat nuk i priu familjes Feig. Gjatë kohës së luftës, Vizel humbi nënën dhe motrat në dhomat e gazit dhe më vonë të atin. Ai vetë vuajti në kampet e përqendrimit në Aushvic, Buna dhe Bulevard. Megjithë këtë përvojë, për 10 vjet pas përfundimit të luftës, Vizeli refuzoi të shkruante ose të diskutonte për Holokaustin sepse si të gjithë të mbijetuarit, ai nuk gjente dot fjalët për ta përshkruar atë që hoqi. Arriti të çlirohej nga e kaluara vetëm pas botimit të librit me kujtime “Dhe Bota qendroi e heshtur” në jidish, që u botua në Buonos Aires dhe më vonë i shkurtuar në gjuhën franceze me titull “La Nuit” e më tej në anglisht me titull “Night” (Nata). Është libri i parë i trilogjisë me të njëjtin titull që vijoi më vonë me botimin e “Agim” (1960) dhe një vit më vonë “Dita”, libra me peshë për letërsinë që dokumenton Holokaustin. Në vitin 1955, Vizeli u bë qytetar amerikan, vendi ku shkroi 40 libra nga 57 libra që përmban gjithë krijimtaria e tij. Në vitin 1986 ai u nderua me Nobelin për Paqen. Komiteti Norvegjian i Nobelit, e quajti atë “lajmëtar i njerëzimit”, duke theksuar se, përmes betejave dhe përvojave vetjake të poshtërimit që zbatoheshin në Kampet e Përqendrimit dhe përmes veprave praktike në dobi të paqes, Vizeli u ka dhënë të gjithëve një mesazh të fuqishëm paqeje dhe dinjiteti njerëzor. Vizel është edhe kryetar i Bordit Këshillues i Algemeiner Journal. Në vitin 1990, loboi pranë qeverisë amerikane në mbështetje të viktimave të spastrimit etnik në Bosnje. Ka marrë shumë çmime ndërkombëtare dhe 75 doktoratura nderi.

 

Eli Vizel

Për mua, Jeruzalemi është mbi politikat. Ai i përket popullit hebre dhe është më shumë se një qytet, është ai që lidh një hebre me një tjetër në një mënyrë të vështirë për t’u shpjeguar. Kur një hebre viziton Jeruzalemin për herë të parë, ai nuk e ka herën e parë; është thjesht kthim në shtëpi. Kënga e parë që kam dëgjuar është ninulla e nënës sime për Jeruzalemin. Hidhërimi dhe gëzimi i saj janë pjesë e kujtesës sonë kolektive.

 

Libri i parë i nobelistit Eli Vizel, “Nata” erdhi në shqipe këtu e tre vite të shkruara nga përkthyesi Edvin Shvarc, i botuar nga shtëpia botuese “ABC”. Atëherë Shvarc pohoi që “të përkthente Eli Vizelin, ishte si të tregonte historinë e familjes”. Përkthyesi rrëfeu edhe për lidhjen e thellë me historinë e hebrenjve. U kthye pas në kohë, te humbjet e të afërmve të zhdukur gjatë Holokaustit. Sërish i ngacmoi Shvarc kujtimet, këtë herë me shqipërimin e “Agim” (Bota Shqiptare, 2011), libri i dytë i “Natës” së Vizelit.

 

 

Jorida Pasku

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 65 here.
Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP“Proces 2012” është ekspozita që çelet sot në orën 11:00 në Galerinë FAP. Më punime të realizuara nga studentët e Atelierit të Tekstilit dhe të Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve në Tiranë.   Lexo te gjithe artikullin »


» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor
» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit