Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Politike - 97 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Deputetët e opozitës e kanë vënë theksin tek borxhi publik i rritur gjatë diskutimit të projekt-buxhetit 2012 në Kuvend. Deputeti Ben Blushi u shpreh se 3 sektorë kryesorë të ekonomisë në Shqipëri janë tkurrur dhe kjo si pasojë e rritjes së borxhit.
“Borxhi po zhyt qeveritë e Europës sepse nuk ditën t’i vënë kufij. Nëse rritja e këtij buxheti ka ndodhur, kjo është sepse borxhi është rritur. Çështja është që borxhin ta paguajmë”.
Një tjetër sinjal alarmi sipas Blushit mbetet privatizimi i pronave publike, i cili bëhet nga qeveria për të mbyllur gropat e buxhetit. “Privatizimi me urgjencë po bëhet për të mbyllur gropat e buxhetit. Në kohën e krizës, këto pasuri publike do të shiten nën kosto”, tha Blushi.
Braçe: Qeveria rrit luksin, shoqëria zhytet përditë në borxhe
Vila qeveritare në Vlorë dhe kostoja e luksit të saj të shfrenuar ka qenë argumenti hapës i fjalës së deputetit socialist Erion Braçe.
Sipas Braçes, në kushtet kur shumë qytetarë nuk ia dalin të mbyllin muajin e thellohen përditë e më shumë në borxhe, qeveria privatizon fitimet për të financuar luksin qeveritar. Braçe solli detaje të luksit të vilës me 40 ambiente, si holle, dhoma gjumi, dhoma pritje, veranda, tualete, dhoma pritjeje etj. me një kosto rreth 450 mijë dollarë.
“Në kohën kur qeveria privatizon fitimet për të financuar luksin e saj e për t’i paraqitur zullumet si heroizma, në Kuvend paraqitet një buxhet i hartuar mbi borxhe”, u shpreh Braçe, duke theksuar se pavarësisht se çfarë propagandon qeveria, rritja ekonomike është në rënie, numri i të papunëve është rritur dhe rritja e pagave nuk mund të krahasohet as me vendet e rajonit, e aq më pak me ndonjë nga vendet e BE-së.
“Secili nga ne pyet atë që ka në krah: Përse nuk kam punë unë, pse nuk kam rritje të të ardhurave? Sepse borxhi është rritur. Në 6 muaj, konsumi ka rënë me 6.3 për qind, ndërsa përmbaruesit njoftojnë çdo ditë sekuestrimin e pronave”.
Braçe iu referua shifrave të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave një ndër katër shqiptarë është në borxh ndaj të afërmve apo bankave. “Janë 820 mijë shqiptarë në borxh familjar apo ndaj një banke. Të gjithë i kanë borxh njëri-tjetrit. Shoqëria është zhytur në borxhe. Qeveria vetë i ka CEZ-it 120 milionë euro borxh. Ne duhet ta rrëzojmë këtë sistem. Ndryshimi nis nga sistemi i drejtë i taksimit. Kush fiton më shumë, paguan më shumë”, tha Braçe.
Buxheti 2012, Berisha: Shqipërinë 100-vjeçare ta paraqesim si nuse
Kryeministri Berisha ka bërë sot në Kuvend “mbrojtjen” e buxhetit për vitin e ardhshëm, duke e cilësuar si buxhetin që ka në epiqendër familjen shqiptare.
“Rritja e rrogave dhe pensioneve është politikë e kësaj qeverie, politikë e paprecedent në Shqipëri. Rroga minimale dhe pensioni minimal janë rritur me 120 për qind. Kjo është fatura e kësaj qeverie për të mbrojtur fytyrën e saj njerëzore. Ky është vendi i vetëm në rajon që ka ulje të papunësisë”, u shpreh Berisha.
Mes krahasimeve të shifrave me ato të vitit 2005, kryeministri Berisha ka sulmuar herë pas here deputetët e opozitës, duke i cilësuar si pengues të reformave të qeverisë.
“Ju keni sindromën e tunelit në raport me buxhetin. Tuneli po përfundon, por ju jeni në pjesën e errët. Buxheti garanton stabilitetin makro-ekonomik të vendit. Ky buxhet para së gjithash, takimin e parë të tij ka atë me qytetarin shqiptar. Ka vendosur në epiqendër familjen shqiptare. Ju u thoni shqiptarëve se ka 1 milion të papunë. Ky është nihilizmi më ekstrem sepse po të rrini sa në PS, Parlament, “Sheraton” e “Rogner”, dhe nuk shihni hallet dhe dertet e shqiptarëve. I garantoj shqiptarët që sa kohë që ata votojnë këtë qeveri, do të bëjmë gjithçka për shpërndarjen sa më të drejtë të të ardhurave të tyre”, tha Berisha.
Sipas Berishës, projektbuxheti i vitit 2012 ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik të vendit, duke rritur rrogat e pensionet e njëkohësisht duke përmbushur 125 projektet e 100-vjetorit të pavarësisë. “Ky buxhet guxon dhe do të rrisë rroga e pensione, duke e bërë Shqipërinë ndoshta vendin e vetëm që merr një vendim të tillë. Ne nuk injorojmë krizën, por krahas stabilitetit makroekonomik do të bëjmë gjithçka që të dërgojmë para çdo muaj në llogaritë e familjeve të 800 mijë shqiptarëve.
Një tjetër qëllim i buxhetit: Shqipëria në 100-vjetorin e saj do të jetë Shqipëria dixhitale. Ky buxhet ka për mision që Shqipërinë 100-vjeçare ta paraqesë një nuse të vërtetë para shqiptarëve”, tha kryeministri në Kuvend.
G.N. / Redaksia Online
* * *
Projektbuxheti i vitit 2012 po diskutohet sot në Kuvend në një seancë të posaçme. Projektbuxheti vitit 2012 është diskutuar dy javët e fundit në komisionet parlamentare, ku ka pasur debate mes deputetëve të opozitës dhe atyre të maxhorancës.
Sipas deputetëve të opozitës, projektbuxheti i vitit 2012 nuk merr parasysh nivelin e lartë të borxhit publik dhe bën një ndarje politike të fondeve që i jepen qeverisjes lokale.
Ministri i Financave, Ritvan Bode, është shprehur se ai garanton ruajtjen e stabilitetit makro-ekonomik dhe mbajtjen e borxhit publik nën kufirin e lejuar.
Disa ditë më parë, Banka Botërore, në raportin e saj mbi Evropën Juglindore theksonte se Shqipëria është vendi me borxhin më të lartë publik në rajon.