Publikuar me : 30.06.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 197 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

TIRANË- Pensionistëve dhe buxhetorëve iu premtohet rritje e re pagash dhe pensionesh. Premtimi erdhi nga Kryeministri Berisha gjatë parashtrimit të shkurtimeve në buxhet në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Sipas tij, rritje më të madhe do të kenë pagat e ulta dhe të mesme, ndërkohë që ato të lartat vetëm do të indeksohen me normën e inflacionit. Rritje gjithashtu pritet të ketë edhe për pensionet, ku ato të fshatit do të jenë edhe më të privilegjuarit. Por, ndryshe nga vitet e shkuara, kësaj radhe kreu i qeverisë nuk ka dhënë asnjë shifër për masën e rritjes që pritet të aplikohet mbi pagat e ulta ato të mesme si dhe mbi pensionet. Më parë, ishte premtuar rritja e pensioneve nga 5 deri në 7 për qind të pensioneve të qytetit si dhe 10 për qind të atyre të fshatit si dhe rritje nga 5 deri në 10 për qind të pagave të administratës sipas kategorive.
Kreu i qeverisë këmbënguli se shkurtimet në buxhet po bëhen me qëllim që të mos hiqet dorë nga kjo nismë. “Ndonëse, si asnjë qeveri tjetër në Europë, në një hark kohor të shkurtër, ne kemi mbidyfishuar pensionet e ulëta dhe krahas këtij mbidyfishimi, ne vazhdojmë rritjen me përparësi të rrogave të ulëta, por edhe pagave mesatare, sikundër do të bëhet indeksimi i pagave të larta”, – tha ai dje gjatë fjalimit të posaçëm në mbledhje qeverie.
Qeveria premton rritje të pagave dhe pensioneve, por tabelat e buxhetit të ndryshuar ofrojnë një panoramë paksa ndryshe nga sa deklarohet në publik. Gjatë hartimit të buxhetit fillestar, qeveria kishte parashikuar dy miliardë lekë për rritjen e pensioneve dhe 1.5 miliardë lekë për rritjen e pagave. Me ndryshimet e tanishme, fondi për rritjen e pensioneve ulet nga dy miliardë lekë në 1.6 miliardë, ndërsa fondi për rritjen e pagave ulet nga 1.5 miliardë lekë në një miliardë. Në total, nga 3.5 miliardë lekë që ishte parashikuar në fillim, fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve është shkurtuar me rreth 900 milionë lekë duke u bërë 2.6 miliardë lekë.
Shuma prej 3.5 miliardë lekë i korrespondonte një rritje parashikuar pagash dhe pensionesh nga 5 deri në 10 perqind, pyetja është se sa do të jetë realisht rritja tani që fondi u shkurtua me një të katërtën e tij? Në këto kushte, rritja asnjëherë nuk mund të jetë në masën e premtuar, por vetëm një indeksim me normën e inflacionit. Nëse shkurtimit të fondit i shtojmë edhe normën e inflacionit, i cili momentalisht vërtitet në rreth 4 për qind, duket që përfitimi nga buxhetorëve apo pensionistëve nga rritja, në mos fare, do të jetë i papërfillshëm. Nëse pagat përshembull rriten me 7 për qind dhe inflacioni është 4 për qind, në përfitimi real i rrogëtarit është 3 për qind, pasi pjesa tjetër e rritjes shkon për të mbuluar koston e shtrenjtimit të çmimeve.
esenja@shekulli.com.al
Pronarët e të përndjekurit, më pak para për kompensimin
TIRANË- Pronarët dhe të përndjekurit do të marrin më pak para gjatë këtij viti. Krahas investimeve dhe mbështetjes sociale, shkurtimet në buxhet kanë prekur një pjesë të mirë fondeve të parashikuara për kompensimin financiar të pronarëve dhe dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë. Të dyja këtyre kategorive, qeveria kishte vendosur t’u shpërndante nga dy miliardë lekë, por sëfundmi ka ndërruar mendje duke tkurrur fondet me 500 milionë lekë.
Nëse në fillim të vitit pronarëve i ishin premtuar dy miliardë lekë, sipas ndryshimeve në buxhet, ata do të marrin rreth 300 milionë lekë më pak. Me shkurtimet e bëra, qeveria e barazon fondin për këtë vit me atë që u shpërnda edhe gjatë vitit të shkuar, 1.7 miliardë lekë. Kështu edhe në lidhje me të përndjekurit, ku pritet që ata të mos marrin më dy miliardë lekë, por 200 milionë lekë më pak. Edhe pse i shkurtuar, fondi për të përndjekurit këtë vit është rreth 400 milionë lekë më i madh se ai i vitit të shkuar.
Janë prekur gjithashtu në mënyrë të ndjeshme të gjithë zërat që kanë të bëjnë me mbështetjen sociale, siç është ndihma ekonomike, pagesa e papunësisë apo kompensimin i energjisë elektrike. Më rendë është prekur kjo e fundit, ku nga 500 milionë lekë që ishin parashikuar, qeveria e ka zbritur në zero lekë fondin për kompensimin e energjisë. Nga ana tjetër, fondi për ndihmën ekonomike është shkurtuar me 300 milionë lekë duke zbritur nga 17.1 në 16.8 miliardë lekë.
Në total, ekzekutivi ka shkurtuar shpenzimet me rreth 18.4 miliardë lekë, rreth 1.6 miliardë më pak nga sa kishte këshilluar FMN-ja gjatë vizitës së fundit në Tiranë. Në këto shkurtime, preken në mëyrë të barabartë me nga 9.4 miliardë lekë shpenzimet korrente dhe ato kapitale. Ndërkohë, nga ana tjetër, ekzekutivi është kujdesur që të bëjë një shtesë me 400 milionë lekë të fondit për shpronësimet dhe atij rezervë.
Edhe në kahun e të ardhurave, pritshmëritë janë ulur po me 18.4 miliardë lekë duke mbajtur kështu të paprekur deficitin e buxhetit, i cili ishte edhe qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve. Parashikimet më negative, qeveria i ka në lidhje me të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, duke i zbritur ato nga 136 miliardë lekë në 120 miliardë. Këto të ardhura janë burimi kryesor i të ardhurave tatimore, prandaj edhe shkurtimet janë kaq të mëdha. Ulje të parashikimeve gjithashtu janë bërë edhe në të ardhurat nga Akcizat. Të dy këto tregues mund të lexohen dhe si pritshmëri për ulje të mëtejshme të konsumit në vend, duke i renë një tjetër këmbanë alarmi, asaj të rritjes së ulët ekonomike.
3.5
miliardë lekë është shuma me të cilën qeveria ka rritur financimin e brendshëm të deficitit. Në total, ekzekutivi ka parashikuar të marrë nga tregu vendas 32 miliardë lekë nga 48.7 miliardë lekë që është deficiti total duke u tërhequr disi nga tregu i jashtëm.
Fondi total i rritjes
(100 perqind) 3.5 mld lekë
(25 perqind) Shkurtimi 900 mln lekë
(75 perqind) Shuma e mbetur 2.6 mld lekë
Sali Berisha
Kemi një marrëveshje me FMN-në dhe kjo marrëveshje është mosrritja e borxhit. Ne nuk kemi firmosur kurrë marrëveshje për mos rritje rrogash. Ne nuk kemi një marrëveshje për mosrritje të rrogave, ndaj nuk kemi shkelur e nuk po shkelim asnjë lloj premtimi. Ne nuk kemi marrëveshje me FMN-në për rritjen e taksave, përkundrazi, ne jemi shprehur qartë dhe e kemi në ligjin tonë rritjen e rrogave, e kemi në ligjin tonë taksën 10 për qind. Marrëdhëniet me FMN-në janë shumë të mira e do të vazhdojnë të jenë të tilla
Arben Ahmetaj
Në konkluzionet e FMN konfirmohet në mënyrë të drejtpërdrejtë rënia dhe pabarazia e standardeve të jetesës për qytetarin e zakonshëm, e ndërkohë sot Sali Berisha u tall sërish me shqiptarët kur u tha se paga mesatare është 520 dollarë. Mjafton t’i referohemi shifrave të INSTAT ku paga mesatare bruto është 15 perqind më e ulët. I kujtojmë Sali Berishës që shqiptarët blejnë më pak ushqime dhe mallra konsumi, e kjo thjesht dhe vetëm për shkak të politikave të tij ekonomike të dështuara.
Ardian Fullani
Nën presionin e rritjes së çmimeve të huaja, çmimet e mallrave të grupeve ‘ushqime të përpunuara’ dhe ‘mallra të konsumit jo-ushqimor’, në të cilin bën pjesë edhe nafta, kanë qenë kontribuesit kryesor në vlerën e inflacionit. Ndërkohë, efekti sezonal i rritjes së ofertës vendase të frutave dhe perimeve është reflektuar në një kontribut më të ulët të grupit ‘ushqime të papërpunuara’ në inflacion. Rritja e disa prej çmimeve të administruara dhe efekti i rritjes së akcizës për disa mallra vazhdojnë të japin një kontribut konstant, por pozitiv, në inflacionin vjetor.
1.2
miliardë lekë më pak parashikon të mbledhë qeveria nga Sigurimet Shoqërore deri në fund të këtij viti. Në total, të ardhurat nga Sigurimet Shoqërore pritet të jenë rreth 50 miliardë lekë nga 51.2 miliardë që ishin parashikuar kur u hartua buxheti i këtij viti. Në këto kushte, qeveria pritet të shtojë edhe më tepër subvencionet ndaj skemës së Sigurimeve Shoqërore duke rritur edhe më shpenzimet në arkën e shtetit.
Pagat dhe pensionet, sot blejmë më pak apo më shumë?
Pagat dhe pensionet i janë nënshtruar rritjeve të herë pas hershme gjatë viteve të fundit, por më tepër se kjo, rendësi për qytetarët ka të bëjë fakti se sa të mira dhe shërbime mund të blejnë ata me masën e rritjes. Çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm kanë pësuar rritje të ndjeshme përgjatë gjysmës së parë të këtij viti në vend, duke rritur edhe më koston e jetesës. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rritja më e madhe është vërejtur tek ushqimet, të cilat formojnë jo pak por 70 perqind të inflacionit. Nga ana tjetër, studimet tregojnë së familjet shqiptare shpenzojnë më shumë se gjysmën e buxhetit mujor për t’u ushqyer. Të kombinuar me njeri-tjetrin, shtrenjtimi i çmimeve të ushqimeve, me peshën e madhe në buxhetin familjar që kanë shpenzimet për t’u ushqyer, formojnë një panoramë më te qartë të përfitimit real që kanë qytetarët nga rritja e pagës apo pensionit të tyre. Fakt është që zyrtarisht, buxhetorët dhe pensionistët kanë përfitime më të larta se më parë, por me këto të ardhura sot blihen më pak ushqime, veshje apo të mira dhe shërbime te tjera.
Emirjon Senja