Publikuar me : 26.11.2011 Ne :
Politike - 58 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Asnjë vend pune i ri nuk do të hapet në administratën publike gjatë vitit të ardhshëm. Qeveria ka përcaktuar në ligjin e buxhetit numrin maksimal të punonjësve të administratës publike në 88 640 persona duke hequr mundësinë e punësimeve të reja në të.
Vendim vjen pas shkurtimit të fondit total të pagave për vitin 2012 krahasuar me atë të këtij viti. Nëse në buxhetin 2011, fondi i pagave ishte 58.86 miliardë lekë, për vitin 2012 ai parashikohet të jetë rreth 58.450 miliardë lekë. Shkurtimi nuk është i ndjeshëm, por ky është një tregues se gjatë vitit të ardhshëm nuk do të ketë punësime shtesë në administratë.
Në total, pjesë e administratës publike përgjatë 2012-s do të jenë 88 640 persona. Pjesa më e madhe janë mësues, rreth 38 900 punonjës dhe policë 13 637 të tillë. Numër të konsiderueshëm punonjësish ka edhe Ministria e Shëndetësisë, por pagat e pjesës dërrmuese të tyre jepen nga buxheti Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) për këtë arsye edhe nuk figurojnë si pjesë e punonjësve të institucioneve qendrore.
Qeveria ka ndërmarrë një reformë në administratën publike duke përcaktuar me detaje numrin e punonjësve që i nevojitet çdo institucioni si dhe fondet përkatëse. Një grup pune i ngarkuar nga Këshilli i Ministrave punoi për disa muaj për të bërë këto rregullime. Duket se edhe përcaktimi i numrit maksimal të punonjësve në ligjin e buxhetit është rrjedhë e kësaj reforme.
Në lidhje me punësimin foli edhe deputeti Braçe, i cili paralajmëroi për rritje të mëtejshme të papunësisë gjatë vitit të ardhshëm për shkak të politikave të qeverisë. Berisha gënjen, buxheti nuk është i jashtëzakonshëm, niveli i të papunëve u rrit dhe javën e kaluar. Shumë pyesin pse nuk kam punë, pse nuk kam rritje të të ardhurave, sepse rritja është stimuluar nga borxhi. Një ditë duhet ta kthejmë borxhin. Konsumi në vend ka renë dukshëm. Shqiptarët nuk kanë nevojë për borxh, por për punë”, – tha ai. Përkundër kësaj, Berisha theksoi se papunësia në Shqipëri është ulur, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit.
Buxheti në Shifra
Të ardhurat 356 mld lekë
Shpenzimet 397 mld lekë
Deficiti 41.2 mld lekë
Subjekti Shuma
Min. Transporteve 41.6 mld lekë
Min. Ekonomisë 2.2 mld lekë
Min. Arsimit 38.7 mld lekë
Min. Shëndetësisë 29 mld lekë
Min. Mjedisit 2.2 mld lekë
Min. Financave 7.2 mld lekë
Min. Bujqësisë 6.3 mld lekë
Min. Integrimit 0.33 mld lekë
Min. Brendshme 16.4 mld lekë
Min. Mbrojtjes 19.6 mld lekë
Min. Jashtme 2.2 mld lekë
Min. Punës 53.5 mld lekë
Min. Drejtësisë 5.5 mld lekë
Ministria e Turizmit 2.3 mld lekë
SHISH 1 35 mld lekë
Prokuroria 1.8 mld lekë
Avokati Popullit 80 mln lekë
Gjykata Kushtetuese 97 mln lekë
Gjyqësori 1.77 mld lekë
Presidenti 158.7 mln lekë
Kryeministria 415 mln lekë
Kuvendi 1.2 mld lekeë
Pronarët 1.8 mld lekë
Përndjekurit 1.7 mld lekë
Ruçi: 8 pikat e PS për të miratuar buxhetin 2012
Partia Socialiste i ofroi mazhorancës tetë kushte për arritjen e kompromisit për projektbuxhetin e vitit 2012. Duke folur në emër të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se buxheti aktual nuk ofron zgjidhje për përmirësimin e situatës ekonomike në të cilët ndodhen shqiptarët. Ruçi deklaroi se buxheti është tregues i mungesës së një plani të qartë të kësaj mazhorance për zbutjen e efekteve të krizës ekonomike, nëse luftohet apo jo korrupsioni, nëse ka apo jo më shumë përkujdesje për fëmijët e tyre. Deputeti Ruçi deklaroi se jetesa e shqiptarëve është tepër e vështirë nga barra e shkallës fiskale.
“Ky buxhet nuk zbut varfërinë, nuk ul papunësinë, nuk ka politika të reja fiskale, nuk mbështet shëndetësinë që është ku thërret qameti, nuk mbështet arsimin, nuk nxjerr bujqësinë nga feudalizmi i sotëm, ky buxhet nuk shpëton dot vendin nga plehrat, nuk përmirëson mjedisin shkatërrimin e lumenjve, pyjeve, ky buxhet dobëson buxhetin e pushtetit vendor, nuk lufton korrupsionin, nuk jep asnjë shpresë për ish të përndjekurit politikë, për ish-pronarët, nuk adreson asnjë nga 12 prioritetet e BE”, deklaroi Ruçi. Në thelb të paketës të propozuar nga socialistët, është zbatimi i taksimit progresiv. Grupi parlamentar socialist edhe më parë ka kërkuar ndryshim të politikës fiskale për të zbutur ndikimin e krizës ekonomike në familjet e varfra.
Në vijim të kërkesave të saj, opozita kërkoi heqjen e TVSH-së mbi produktet ushqimore bazë. Ndërsa për fermerët, PS propozoi uljen e TVSH-së. Në fushën e shëndetësisë, deputeti Ruçi deklaroi se opozita është e gatshme që të japë votat e saj për buxhetin nëse do të ulet tatimi mbi barnat si dhe ndihma për familjet në nevojë. Në fushën e arsimit, socialistët kërkuan heqjen e takës për librat, për të nxitur në këtë mënyrë edukimin.
Pas miratimit të programit të saj në Kongresin e 5 nëntorit, PS në paketën ofruar demokratëve për të arritur konsensusin për buxhetin e vitit të ardhshëm, propozoi zgjidhje të problemeve për disa shtresa që këto 20 vite janë njohur si “target grup” i mazhorancës. Ish pronarët dhe ish të përndjekurit publik ishin dy kategoritë e reja për të cilët grupi parlamentar i PS kërkoi zgjidhje të menjëhershme të problemeve. Për ish pronarët u kërkua ngritja e një komiteti të menjëhershëm për zgjidhjen njëherë e mirë të pronës dhe të dëmshpërblime në rast se nuk jepet zgjidhje për t’i kompensuar fizikisht. Ndërsa për ish të përndjekurit, kryetari i grupit parlamentar socialist, propozoi që kushdo që do të bëjë 75 vjeç, duhet të marrë shpërblim të menjëhershëm.
Paketa me tetë pika propozuar nga PS, si kusht për miratimin e buxhetit 2012
1- Pranojeni që ju si kryeministër dhe ne si deputetë të paguajmë më shumë TVSH për pagën, dhe hiqja mësuesit, infermierit.
2- Paguajnë dy herë më shumë taksa, siç thashë për sheqer, vaj, barna, energji, ne nuk e pranojmë këtë padrejtësi. TVSH e bukës, miellit të kushtojë 17 perqind me pak.
3- Sot shqiptarët paguajnë 10 perqind TVSH për barnat për shërbimet shëndetësore, ti 3 herë më pak, dhe unë 2 herë më pak. Deklarohu që ti dhe unë të paguajmë më shumë.
4- Një litër naftë për fermerët blihet 1700 deri 1800, 800 është vetëm TVSH -ja jote, ta ulim.
5- Sot popullata paguan 20 perqind TVSH të energjisë, ne themi ule në 6 perqind.
6- Sot të gjithë fëmijët, paguajnë TVSH në e librit, hiqe.
7- Të zgjidhim përfundimisht çështjen e pronës. Të ngremë një Komitet, parashikoje në buxhet.
8- Të përndjekurit që kanë mbushur 75 vjeç, t’i bëhet dëmshpërblimi i menjëhershëm
Ridvan Bode: Nuk e pranojmë propozimin tuaj
Buxheti i shtetit për vitin 2012 është mbrojtur në parlament nga kryeministri Berisha, i cili e cilësoi si buxhetin familjar të 820 mijë familjeve shqiptare. “Ata janë aksionerë direkt në këtë buxhet, vendosin për buxhetin e të gjithë shqiptarëve, kontot e portofolat e tyre, vendet e tyre të punës, shërbimet ndaj tyre, për shkollat e fëmijëve të tyre, për shërbimin mjekësor, mjekët e infermierët që kujdesen për njerëzit e tyre të dashur…”,- tha Berisha.
Më pas ai nisi një analizë të gjatë të arritjeve të qeverisë në këto vite dhe duke thënë se ka ulur ndjeshëm taksat e qytetarëve dhe ka rritur pagat e pensionet. Duke e krahasuar qeverinë e tij me personazhin biblik të Davidit, Berisha tha se Shqipëria është vendi i vetëm që nuk është prekur nga kriza. “Buxheti i viti 2012, para së gjithash e mbi të gjitha, garanton stabilitetin makroekonomik të ekonomisë shqiptare. Ky buxhet, i një vendi jashtë eurozonës, vendos në themel të tij të gjitha kriteret më të shëndosha europiane të parametrave makroekonomikë. Rritja e rrogave dhe pensioneve është edhe qëllimi i parë më madhor i këtij buxheti. Zhvillimi i dytë madhor është rritja e rrogave e pensioneve. Kjo është një politikë konstante e kësaj qeverie”,- tha dje Berisha. Sipas tij, ky është buxheti i Shqipërisë dixhitale dhe opozita bën gabim që e sulmon atë.
Pas kësaj Berisha i është rikthyer fjalimit të tij standard, atë që nis me kilometrat e shtruara nga qeveria në këto vite, koncesionet energjetike dhe fakti që “Shqipëria është Miss Bota, është si Zvicra, por me det”.
Buxheti sipas Berishës
222 miliardë lekë, në vitin 2004.
232 miliardë në vitin 2005
258 miliardë në vitin 2006
351 miliardë në vitin 2007
379 miliardë në vitin 2009
362 miliardë në vitin 2010
390 miliardë në vitin 2011
396 miliardë në vitin 2012