Publikuar me : 01.09.2011 Ne :
Kulture - 68 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Claudia Cardinale
Elsa Demo
Claudia Cardinale këto vitet e fundit mbështet regjisorët e rinj. Pranon të luajë në filma debutantësh kur skenari i pëlqen. Së fundi luan protagonistë në “Të jesh italian me zonjën Enrika”, Turqi, 2011, 110 min, i regjisorit turk Ali Ilhan. Filmi konkurron në kategorinë Botë Ballkanike. Cardinale në rolin e zonjës Enrika është një grua që strehon në shtëpi një student turk dhe i mëson sjellje zotërinjsh duke e identifikuar pak nga pak me një bir natyral, sepse në të vërtetë biri i saj i është larguar nga shtëpia.
Aktorja është e ftuar në Festivalin e Durrësit. Bashkia e Durrësit i dha të martën në mbrëmje “Çmimin e Argjendtë”, për nder të një artisti me një impakt në kulturën pritëse. Është hera e parë që Cardinale vjen në Shqipëri ku gëzon njohje dhe admirim siç u duk para dhe pas premierës së filmit, e rrethuar nga qytetarë të zakonshëm të cilëve nuk ua prishte kur të gjithë donin të kishin me të një foto.
Dje në mesditë ajo pati një takim me Pyetje-Përgjigje në sallën “Aleksandër Moisiu”. Biseda e saj nisi me projektet e të rinjve. Ka realizuar tre të tillë deri tani, veç filmit “Të jesh italian me zonjën Enrika”. “Gjëja më e rëndësishme gjithmonë është skenari”, thotë Cardinale e pyetur fillimisht se si vepron ajo me debutantët, përse i mbështet regjisorët e rinj. “Nëse nuk më pëlqen skenari nuk merrem me të. Nëse më pëlqen e takoj regjisorin dhe kjo është e rëndësishme sepse në këtë takim të drejtpërdrejtë me regjisorin unë mund të lexoj sytë e tij dhe të kuptoj ia vlen apo nuk ia vlen. Besoj se jam në gjendje ta bëj këtë, sepse jam një individ që në vitet shtatëdhjetë ka punuar me regjisorët më të mëdhenj të kinemasë.”
Si ndodhi?
E lindur 10 km larg nga Tunizia, muzë e Fellinit, Bologninit, Viscontit, Monicellit mjeshtërve italianë, me një karrierë ndërkombëtare. Në moshën 20-vjeçare erdhi në Romë te një teze, pa njohur gjuhën. Hyrja e saj në kinema ishte një koinçidencë e lumtur. “Ndodhesha në autobus, – tregon aktorja – dhe në stacionin pranë shtëpisë së tezes mu afrua një burrë që më tha se duhej patjetër ta provoja kinemanë.” Ai burrë ishte Pietro Notarianni, bashkëpunëtor me regjisorë të kinemasë italiane. Mjaftoi një vështrim nga makina e tij në autobus për të kuptuar që ajo vajzë do mund të ishte portreti i ri i kinemasë italiane.
Roli i parë vjen në filmin e Moniccellit “I soliti Ignoti”. Këtu fillon një ngritje e menjëhershme e Claudias e cila atë kohë u konsiderua antagonistja e Brigitte Bardot-së që kishte shpërthyer në Francë: “CC” kundër “BB”. Me rëndësi ishte interpretimi në filmin “La ragazza con la valigia” i Valerio Zurlinit, “filmi që më bëri të fejuarën zyrtare të të gjithë italianëve. Më pëlqen ai film dhe e kam parë këtë vit në disa festivale në Kolorado dhe në jug të Francës”.
Pastaj vazhdon me ritmin e 2-3 filmave në vit. “Ndodhesha në të njëjtën kohë me xhirimet e “Il Gattopardo” dhe “Otto e mezzo”. Fellini e Visconti ishin antipode për mënyrën e tyre të të punuarit. Punën e të parit e cilëson improvizim i pastër, dhe të të dytit, më pranë teatrit. Publiku në Durrës do të ketë rastin të shohë “Tetë e gjysmë”, një kopje shumë e mirë e Arkivit të Filmit, që nuk është shfaqur kurrë, sepse asnjë nga vepra e Fellinit nuk ka qenë e lejuar të shfaqet.
Takimi me Sergio Leonen i cili e ftoi për rolin e Xhillit në filmin “Na ishte njëherë Perëndimi” ishte takim me një regjisor që kishte një mënyrë krejt të re të punuari. “Me kamerën ai ndalej te trupi, e sidomos te sytë aty ku është pasqyra e shpirtit të njeriut. Ky është ai lloj filmi ku personazhi ishte e vetmja grua në një film ëestern.
Kam bërë balancën. Në të vërtetë mua më ka pëlqyer rreziku. Përpiqem të bëj atë që aktorë të tjerë nuk e bëjnë.”
Loja para kamerës i jep aktorit të nxjerr jashtë atë që fsheh brenda vetes. Sepse Cardinale i mendon aktorët si njerëz introversivë, shumë të tërhequr e të vetmuar. “Edhe unë kam qenë e egër, dhe nuk flisja kurrë kur isha e vogël. Do të thoja që ishte kinemaja që më ka shpëtuar jetën. Duhet të jesh shumë i fortë për të bërë këtë punë, e fortë nëse vendos të zgjedhësh përpara kamerës, sepse çdolloj karakteri me të cilin ti punon të zhvat pak nga vetvetja.”
Nga ana tjetër kinemaja ekspozon aktorin ndaj syrit të publikut. Këtu Cardinale shton: “Unë gjithnjë kam dashur të gjykohem për punën time dhe jo për jetën time. Prandaj e kam lënë Romën dhe jetoj në Paris, sepse dua të jem indipendente. Fellini bëri “La dolce vita” për ata paparazzi.
Vitet e rinisë së hershme, ardhja në Itali pa ditur gjuhën, dhe mundësia që iu dha për të interpretuar pranë Toto-së, Gassman-it, Mastroianni-t, duken si një këmbim i llogaritur për mirë nga ylli që mbron jetën e Claudias. Ajo këtë beson.
Cardinale njihet nga publiku shqiptare nga filmat “Rroku dhe vëllezërit e tij” i Luchino Viscontit, 1960, “Cartouche” i Philippe de Broca-s, 1961, “Na ishte një herë në Perëndim”, “Libera, amore mio” (1975) ku interpreton përkrah Cardinales aktori shqiptar Bekim Fehmiu. “Është film që nuk e shoh prej shumë vitesh”, thotë Cardinale e pyetur në veçanti për Fehmiun. “Më kujtohet që ishte i aftë. Më duhet të rishoh filmin tani, sepse nuk më kujtohet. Mendoj se kur aktorët nuk dëgjohen me njëri-tjetrin nuk realizohet një skenë të mirë. Duhet të japësh dhe të marrësh.”
Nesër, më 2 shtator, në filmin e mbylljes së festivalit, shfaqet “8½” (1963), Federico Fellinit që prezantohet nga Cardinale.