Publikuar me : 26.08.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 43 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Emirjon Senja
Instituti i Statistikave do të punësojë 11 700 persona në të gjithë Shqipërinë si anketues në shërbim të regjistrimit të popullsisë. INSTAT hap aplikimet për të gjithë ata që janë të interesuar të marrin pjesë në skuadrën që do të bëjë anketimin e qytetarëve duke përcaktuar edhe vendet e lira limit për secilën njësi administrative të vendit. Ata që do të punësohen do të punojnë për një muaj e gjysmë dhe në fund pagesa do të jetë 300 euro (rreth 42 mijë lekë të reja).
Përcaktimi i numrit të anketuesve për bashkitë apo komunat është bërë mbi bazën e numrit të popullsisë.
Burime nga INSTAT shpjegojnë detajet se si do të bëhet rekrutimi i anketuesve. Aplikimet do të zgjasin deri më datë 31 gusht 2011 dhe të interesuarit mund të dërgojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë bashkive dhe komunave të vendit.
Të gjithë personat që do të pranohen do të kalojnë në fillim përmes një procesi trajnimi. Sipas zyrtarëve të INSTAT-it, procesi i trajnimit do të zgjasë pesë ditë, nga data 22 deri në 27 tetor të këtij. Kandidat për të aplikuar janë të gjithë ata që kanë një diplomë të shkollës së mesme, por më të privilegjuar do të jenë ata që janë me shkollë të lartë si edhe ata që kanë njohur në statistika, mësimdhënie, etj. Kusht tjetër për t’u bërë pjesëtar i grupit është edhe ruajtja e konfidencialitetit, korrektësia në punë, gatishmëria për të punuar edhe me orare të zgjatura, të gëzojë reputacion të mirë në komunitet, të jetë banor i bashkisë apo komunës ku do të angazhohet, etj. Më parë, INSTAT kishte ngritur komisionet e verifikimit sipas vendimit të qeverisë, të cilët ndodhen pranë bashkive dhe komunave. Rreth dy mijë prej tyre janë kontrollorë.
Regjistrimi i popullsisë pritet të kushtojë rreth 14 milionë euro. Rreth 8 milionë prej tyre janë dhënë nga Komisioni Evropian, ndërsa tjetër nga qeveria shqiptare. Së fundmi, qeveria rriti edhe me 78 milionë lekë fondin për këtë program. Nga këto, rreth 47 milionë lekë do të përdoren për të paguar anketuesit dhe kontrollorët, ndërsa pjesa tjetër për organizimin dhe zbatimin e projektit të censusit të përgjithshëm të popullsisë dhe banesave.
Pjesë e censusit do të bëhen të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në Shqipëri të paktën prej një viti. INSTAT shpjegon se procesi ka për qëllim të fusë në sistem popullsinë rezidente që banon në Shqipëri.
Ndërkohë, emigrantët do të regjistrohen në një listë të veçantë, për të mundësuar një bazë të dhënave edhe për ata.
Dokumentet për të aplikuar
Kërkesë për aplikim
Curriculum vitae
Kopje e diplomës (shkollë e mese ose e lartë)
Kopje pasaporte
Vërtetim vendbanimi
Kreshnik Spahiu
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD)
“Ligji i Censusit është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe standardet e BE-së. Edhe Greqia, e cila e kërkon me forcë zbatimin e regjistrimit etnik nuk e aplikon vetë këtë standard. Votimi në parlamentin shqiptar është bërë në shkelje të procedurës dhe nuk është siguruar kuorumi i votave. Parlamenti deklaron se ligjin e kanë votuar 71 deputetë, dy prej tyre nuk kanë qenë të pranishëm pasi ndodheshin jashtë Shqipërisë dhe në vend të tyre kanë votuar dy deputetë të tjerë. Një proces regjistrimi mbi baza etnike do shkaktojë rritjen artificiale të pakicave greke pasi mijëra shqiptarë kanë falsifikuar procesin për marrjen e pensioneve 300 euro dhe marrjen e lejes për të lëvizur jashtë Shqipërisë”
Nikolla Gjurgjaj
Kreu i shoqatës maqedonase
“Ne e kundërshtojmë ligjin aktual për regjistrimin, sepse ka një nen, specifikisht neni 20 që thotë se nëse deklaron kombësinë pa e faktuar me dokumente, atëherë të vendoset edhe gjobë. Nuk mund të ketë komision 100 perqind shtetëror. Shembull është Maqedonia, ku në grupet e punës për ligjin e regjistrimit ka pjesëtarë dhe nga minoritetet. Duhet të zëvendësohet ligji dhe të shtyhet regjistrimi”
Si mund të ndryshohet kombësia
Ndryshim i kombësisë bëhet në bazë të Ligjit për Gjendjen Civile, të miratuar në vitin 2009. Në këtë ligj kombësia përcaktohet si element përbërës i gjendjes civile të çdo shtetasi shqiptar, gjë që detyron çdo shtetas ta deklarojë kombësinë e tij për t’u shënuar në regjistrin themeltar të gjendjes civile. Ligji parashikon ndryshimin e kombësisë me anë të vendimit të Gjykatës së Shkallës së parë, kur qytetari i interesuar i paraqet asaj prova dhe fakte zyrtare. “Ndryshimi i kombësisë bëhet në rastet e përcaktuara në këtë ligj vetëm me vendim gjyqësor, duke u thirrur, në çdo rast, si palë në proces shërbimi i gjendjes civile, edhe kur kombësia ka qenë caktuar përkohësisht ose kur është bërë një gabim material”,- thuhet në ligjin 10129, dt. 11.05.2009.
3800 shqiptarë nga jugu i vendit kanë ndërruar kombësinë nga shqiptare në greke. Mbi 150 të tjerë në zonat e veriut në serbo- malazeze kanë ndërruar kombësinë. Në të gjitha rastet ndërrimi i kombësisë është bërë në gjykatë ku kërkuesit kanë paraqitur dokumentet shoqëruese.
Pëllumb Xhufi
Regjistrimi pas presionit nga Athina
“Regjistrimi i domosdoshëm edhe duhet bërë me përjashtim të dy zërave: vetë përcaktimit të kombësisë dhe deklarimit të fesë. Në radhë të parë, këto janë në kundërshtim me Kushtetutën, sepse është kushtetutë moderne që nuk bën dallime për qytetarët. Shqipëria është vend rreptësisht laik dhe mbijetesa e këtij shteti është përcaktuar nga krijuesit edhe si rezultat i ruajtjes së raportit korrekt mes shtetit dhe fesë. Në rastin konkret shteti merr përsipër të vendosë kuotat e besimtarëve shqiptarë sipas komunitetit, dhe kjo është shkelje e parimit të laicitetit. Vende të tjera demokratike e kanë të ndaluar përfshirjen e shtetit në censuse të karakterit fetar. Shqipëria i ka zgjidhur problemet me minoritetet që në 1921, me kontratë solemne në Lidhjen e Kombeve, ku u njohën minoriteti grek maqedonas, dhe malazez. Janë përcaktuar vendet ku këto minoritete përbëjnë shumicë substanciale që asokohe. Edhe qeveria greke e ka pranuar minoritetin grek të Shqipërisë, të përqendruar në 85 fshatra të përcaktuar shprehimisht në OKB. Kushdo që do të dijë numrin e minoriteteve, mund t’i referohet Regjistrit Themeltar të Shqipërisë. Formulari përmban një terminologji pa asnjë përputhje me Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare. Flitet për grupe etnokulturore në një kohë që Konventa Evropiane dhe Kushtetuta flasin për pakica kombëtare. Regjistrimi është bërë me presion nga Greqia, është imponuar nga Athina zyrtare.“
Kur merret kombësia
Fëmija merr kombësinë e prindërve me kombësi të njëjtë, të dokumentuar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Kjo kombësi nuk mund të ndryshohet, përveç rasteve, kur, sipas ligjit, vërtetohet pasaktësia e kombësisë së prindërve, ose kur ka një vendim gjyqësor të formës së prerë, për ndryshimin e atësisë apo të amësisë. Ndryshimi i kombësisë, në çdo rast, bëhet me vendim gjyqësor.
Kur prindërit kanë kombësi të ndryshme, fëmijës i shënohet kombësia e njërit prej prindërve, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre. Në rast mosmarrëveshjeje ose në rast vdekjeje të njërit prej tyre, shërbimi i gjendjes civile, përkohësisht, shënon si kombësi të fëmijës atë të të atit. Kombësia e fëmijës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile shënohet në bazë të vullnetit të të dy prindërve ose kombësia e njërit prej tyre, sipas vullnetit të fëmijës madhor.
Fëmija e lindur jashtë martese, kur nuk dihet atësia, merr kombësinë e nënës. Kjo kombësi mund të ndryshojë me vërtetimin e atësisë, sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij neni.
Fëmija me prindër të panjohur, i lindur në Shqipëri, prezumohet me kombësi shqiptare. Kur njëri ose të dy prindërit gjenden ose kur fëmija arrin moshën madhore, për kombësinë e tij zbatohen përcaktimet e pikës 2 të këtij neni.
I birësuari merr kombësinë e birësuesve, sipas përcaktimeve të pikës 2 të këtij neni, por kur ai arrin në moshë madhore, ka të drejtë të rimarrë kombësinë që kishte para birësimit, ose ta ndryshojë atë, sipas kombësisë që kanë prindërit biologjikë.
I linduri me fekondim artificial nga një grua e martuar merr kombësinë e njërit prej bashkëshortëve, sipas kritereve të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni.