Publikuar me : 26.12.2011 Ne :
Kuriozitete - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Nga Ardian Vehbiu
Në fillim të vitit të ardhshëm, Shoqata Amerikane e Dialekteve do të shpallë “fjalën e vitit”: ngjarje me rëndësi jo aq për anglishten e Botës së Re, sesa për të kuptuar më mirë natyrën e viruseve (memeve) që kanë infektuar mendjet e amerikanëve gjatë 2011-ës.
Mes fjalëve kandidate për këtë titull të shquar, është edhe
occupy, e cila e ka marrë shkëlqimin falë protestave të bujshme nëNew York City (Wall Street) dhe në qytete të tjera të mëdha anembanë Amerikës dhe botës.
Kur mora vesh për këtë fjalë, më shkoi mendja menjëherë në debatet tona për
pushtimin osman dhe sundimin që i erdhi pas, edhe pse këto debate nuk kanë qenë të tilla, që ta bënin foljen
pushtoj kandidate për fjalën shqipe të vitit.
Sa për këtë të fundit, po të më linin përnjëmend të zgjidhja, do ta kisha vënë gishtin te
vjedhje: si në
vjedhje e votës, vjedhje e parave, vjedhje e fondeve, vjedhje e ikonave, vjedhje e shtetit, vjedhje e doktoraturave, vjedhje e energjisë, vjedhje e eshtrave, vjedhje e ideve. Në fakt, po të gjykosh nga mediat,
vjedhja është normalizuar tashmë si emërues i përbashkët i marrëdhënieve tona me hapësirën publike, duke fituar gjithnjë e më shumë respekt, në kontekstin antietik të suksesit bashkëkohor. Në fakt, sot po vidhet kaq masivisht edhe sepse mekanizmat e ligjshëm për shkëmbimin e parave, mallrave dhe informacionit janë sabotuar ose prishur tashmë nga “të fortët”.
Krahas vjedhjes, një tjetër kandidate për fjalën shqipe të vitit do të ishte
kurban; fjalë që u bë e njohur falë librit best-seller të ish-kryebashkiakut të Tiranës E. Rama. Lexuesi standard ende nuk e ka shumë të qartë se çfarë shënjon pikërisht kjo fjalë me nota e jehona orientale në titullin e librit: kurbanin e përkrahësve folklorikë të L. Bashës me rastin e hyrjes së këtij në Bashki, apo vetë Ramën kryebashkiak dhe kryeopozitar të zgjedhjeve të fundit lokale, që u flijua në altarin e normalitetit dhe të stabilitetit politik të vendit. Shoqërimet mendore herë të vetëdijshme e herë të pavetëdijshme me
Qengjin e Zotit (Krishtin), të përforcuara edhe nga fotoja e mrekullueshme e qengjit qerpikbardhë në kopertinë të vëllimit, e shtojnë edhe më pështjellimin ndërfetar – për të mirën e librit vetë.
Përtej festave dhe riteve pagane të kryeqytetit, një tjetër fjalë (ose më mirë togfjalësh) me shanse për protagonizëm do të ishte
Rruga e Kombit: edhe për ata që e shohin si çlirim përfundimtar të shqiptarëve në Ballkan dhe katalizator të bashkimit kombëtar, edhe për ata të tjerët, që e shohin më shumë si monument të korrupsionit gjigant të qeverisë Berisha (
vjedhje). Kjo vepër ambicioze dhe e rëndësishme ende nuk e ka të përcaktuar statusin e vet: Infrastrukturë apo përmendore? Aortë e shqiptarizmit apo katedrale në shkretëtirë? Ata që flasin për të, dhe që zihen për të, janë ku e ku më të shumtë se ata që ia kanë parë të mirën.
Një tjetër fjalë që i ka kartat në rregull për t’u marrë në shqyrtim është
Piramida; ose ndërtesa e lënë pa zot, në qendër të kryeqytetit, dhe që tashmë shërben veç si shenjë paralajmëruese e një prishjeje iminente. Në imagjinatën kolektive,
piramida u referohet strukturave autoritare të pushtetit dhe faraonëve të Egjiptit të lashtë; sikurse u referohet edhe skemave financiare të
vjedhjes së parave, në vitet 1990. Mbështetjen kësaj fjale ia sjell, në fakt pak papritur, edhe përmendja e një piramide tjetër, këtë herë të butë, që do të ishte ngritur në sheshin Skënderbej sipas planit rregullues të miratuar, po të mos kishte ndërhyrë kryebashkiaku i tanishëm dhe ta kishte shndërruar sheshin në truall, me një operacion
blitz, të cilit i kemi pasë thënë aksion me goditje të përqendruar dikur, e që e la qytetin gojëhapur si për nga shpejtësia e mobilizimi, ashtu edhe për nga mediokriteti i hatashëm i konceptit.
Edhe fjala
ambasador ka marrë forcë dhe vlerë të paparë, në mediat dhe në kulturën politike të ditës; duke ia shpërthyer hekurat kafazit tradicional të kuptimit, për të fluturuar drejt kuptimesh dhe përdorimesh të reja. Nëse
ambasadori tradicionalisht është përfaqësuesi zyrtar i një shteti të huaj i akredituar pranë shtetit tënd, ky i sotmi në Tiranë është shndërruar më tepër në një gjysmë-perëndi, ose një kimerë e babait imagjinar, mëkëmbësit perandorak, arbitrit të një ndeshjeje
wrestling dhe garantit finok të paligjshmërisë së sanksionuar. Në atë masë që liderët politikë shqiptarë mbrojnë e shërbejnë interesa të ndryshme nga ato të zgjedhësve që i mbajnë në pushtet, ndonjëherë madje edhe të fuqive të huaja me interesa në Shqipëri, është afërmendsh që
ambasadorët të fillojnë të trajtohen si përfaqësuesit e vërtetë të interesave të qytetarit shqiptar.
Do të ndalesha me kaq; edhe pse ka plot fjalë e shprehje të tjera, si
votë, lipotimi, pallat, kapje, shkatërrim, krizë, shantazh, bleu, riciklim, sëmësë, aksident rrugor, euro, vizë, i fortë dhe
malok që mund të vinin njëlloj në vështrim. Të gjitha së bashku, këto fjalë kandidate do të na vlenin jo aq për të përpiluar fjalorin e bashkëkohësisë shqiptare të sotme, sesa për të hartuar një tekst të thjeshtë dhe të kuptueshëm, që të na vlente si përmbledhje doracake e monologut të shqiptarëve me vetveten.