Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Cili eshte fituesi i zgjedhjeve ne Tirane?

Publikuar me : 06.07.2011 Ne : Kuriozitete - 134 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Forum nga Arbër Zaimi

Zgjedhjet lokale të 8 majit përbëjnë një fenomen interesant në traditën njëzetvjeçare të pluralizmit në Shqipëri. Mbulimi mediatik i gjithë procesit, që prej votimit, gjer te numërimi e gjer te proceset e gjata të KQZ-së e të Kolegjit Zgjedhor, ka bërë që publiku të jetë tejet i ndërgjegjshëm për atë që ndodh – po ashtu si edhe ndërkombëtarët.

Ka qenë pikërisht ky mbulim mediatik që i ka ballafaquar shqiptarët me anën më të errët të proceseve elektorale, dyshimeve për kutitë e manipuluara, fleta të hedhura jashtë zarfeve, procedura ligjore të shkelura rregullisht, marrja e vendimeve kundërthënëse me arrogancën e shumicës, rezultatet me më shumë fletëvotimi se sa votues etj.

Duket sikur me gjithë prepotencën që i ofron pushteti, Sali Berisha po tenton të marrë Tiranën, pa e vrarë mendjen për ligj, procedurë a etikë. Nga ana tjetër, reagimi i socialistëve duket sikur është tepër pasiv – ndoshta për shkak të ruajtjes së një principi shtet-formues, e ndoshta për shkak të lodhjes nga protesta të stërzgjatura nga 2009 e këtej.

Qytetarët janë të hutuar e të drobitur prej gjithë kësaj periudhe të nxehtë si në mot ashtu edhe në klimë politike. Opinionistët i shërbejnë opinionit, ca kritikojnë mazhorancën, ca lavdërojnë mbërritjet e mazhorancës, ca kritikojnë opozitën, ca lavdërojnë konstruktivitetin e opozitës, e ca prodhojnë veç mjegull.

Por, a ka fitues të këtyre zgjedhjeve për Tiranën? Cili është ky fitues, nëse ka?

Përgjigjet



 

Falma Fshazi

Nëse nuk përsëriten zgjedhjet shqiptarët humbin, kushdo që të fitojë

Më 27.06.2011 institucioni prestigjioz akademik francez Science Po. Paris (Shkencat Politike Paris) organizoi konferencën e titulluar “(Ré) imaginer les Balkans” ( Të (Ri)imagjinosh/krijosh Ballkanin). Titulli qe frymëzuar nga vepra e njohur “Imagining the Balkans” (Oxford, 1997) e akademikes Maria Todorova e ftuar e nderit e konferencës, në të cilën merrnin pjesë jo vetëm studiues, por dhe autoritete të BE dhe NATO-s.

Shqipëria u përmend shumë pak në konferencë. Po sjell katër momentet kur u përmend vendi ynë: “Ah po, Shqipëria, nuk dihet ende kryetari i bashkisë së kryeqytetit”, “Flitet dhe për Shqipërinë që nuk di qëkur nuk di të bëjë zgjedhje,” “Bosnja, Kosova, Shqipëria mund të bëhen geto apo periferia e re e Europës”, “Serbia, Mali i Zi do të marrin data… Bosnja, një anëtarësim mund të realizohet veç nga 2034… Shqipëria, as që bëhet fjalë, nuk di të bëjë as më themeloren, zgjedhjet.”

Në datën 9-13 maj 2011 mësuam që PS kish fituar në zgjedhjet vendore shumicën e qyteteve kryesore, madje dhe disa bastione të djathta. Ndoqëm së bashku drejtpërdrejtë si z. Rama fitoi me +10 vota Tiranën. Po ashtu, dinim se PD fitoi qendrat kryesore të veriut. Pas kësaj, normalisht, do të duhej të vinte një deklarim zyrtar i rezultatit, vazhdim me ankimimet dhe natyrshëm, në media e institucione partiake, analizat e diferencave në votë, fshat-qytet, veri-jug, individ-subjekt, qendror-lokal etj.

Për më tepër, demokracia dhe ekonomia shqiptare do të kish gjetur një shans zhvillimi, ndërsa do të përballte qendroren me lokalen. Mirëpo normalja, nuk ndodhi. Që në mes të majit po ndjekim një operacion pushtetar, institucional, partiak e mediatik legjitimimi të z. Basha, i post-deklaruar fitues me +93 post-vota. Më 30.06.2011, ende nuk ka ligjërisht asnjë fitues përfundimtar për Tiranën. Po jetojmë atë çfarë nuk e pranon asnjë normalitet demokratik, duke (ri)ndërkombëtarizuar një ekstremitet shqiptar.

Operacioni “shpëto -10shin”, ka prodhuar, një humbës të rëndësishëm në korridoret ndërkombëtare: ka nënvizuar e reklamuar si të paaftë, jo seriozë, joprofesionale dhe jo të sinqertë në angazhimet më themelore demokratike Shqipërinë. I ka dhënë asetet më të rëndësishme në dorë kujtdo që do t’i shohë shqiptarët në periferi. Ky operacion po i kushton vite standarde jetese, qindra shanse socio-ekonomike e shumë mund dhjetëra brezave shqiptarësh brenda e jashtë vendit. Në këto kushte, nëse nuk ribëhen zgjedhje të pakontestueshme në Tiranë, ekuacioni i vetëm që mund të prodhohet është: fiton dikush – humbin shqiptarët.



 

Arlind Qori

Me këto standarde nuk ka fitues as me 10, as me 93 vota

Kur duhet të dukesh “intelektualisht i pavarur”, ngjan bukur të thuash se cilido qoftë fituesi formal i zgjedhjeve, rezultati i ngushtë i bën të dy kandidatët fitues apo humbës. Por kështu nuk flasim më për fitues politikisht, por thjesht për ushtrues detyre, funksionalisht. Çështja është se kur në Greqinë antike u mendua se baraspesha e fuqisë e pamundësoi zgjidhjen e konfliktit me shpatë, vota si guralec i hedhur në qyp shërbente për të përcaktuar jo vetëm fituesin formal, por edhe atë politik e moral, qoftë edhe me një votë të vetme. Rëndësia politike e votës së vetme shtesë nuk lind nga madhështia e Njëshit si numër e nuk zhbëhet dot nga shprehia lozonjare “njëckë”. Ajo mbështetet në paradigmën e barazisë së pakundërshtueshme politike të qytetarëve në zgjedhje, prej të cilës edhe një i vetëm më shumë i fal krejt legjitimitetin rëndesës së peshores nga njëra anë.

Çështja shtrohet nëse në zgjedhjet e fundit në kuptimin politik të mësipërm ka pasur fitues. Nëse e gjykojmë drejtësinë cektësisht si procedurale, jo në kuptimin e respektimit të vendimit të institucioneve që njeh ligji për të shpallur fituesin si KQZ, por në atë daljes së rezultatit nga duart e të dyja palëve konkurruese, atëherë fitues del Rama, pasi kur çështja reduktohet në mundësinë e secilës palë për të vendosur veton gjatë numërimit e sa kohë në fund të dyja palët nënshkruan, Rama doli fitues me 10 vota. Pavarësisht se fituesi politik nuk gjykohet nga numri i votave mbi kundërshtarin, të famshmet 10 nuk janë të vetëmjaftueshme për ta shpallur politikisht Ramën fitues: jo në kuptimin e përmbysjes së mëpasshme të rezultatit në KQZ, por në atë të legjitimitetit politik që nuk fillon e mbaron me procesin zgjedhor, por përfshin si praktikë politike elementë që nisin nga pjesëmarrja politike qytetare, jo vetëm si zgjedhës, por mbi të gjitha si ushtrues konstant të pushtetit në të gjitha format e larmishme të këtij të fundit. Kjo kërkon që votat jo vetëm të mos vidhen, por as të mos blihen apo shantazhohen; që qytetarët të mos zgjedhin vetëm një nga dy kandidatët që shkreptijnë nga majat olimpike, por të kenë zë në emërimin e tyre; që hapësira mediatike të shumohet duke u çoligopolziuar nga pikëpamja sasiore e shumuar nga ana përmbajtjesore; që gjykimi i secilit të vlejë po aq, pavarësisht nëse fryn goma biçikletash apo ka zanatin e gangsterit që vjedh apo ruan vota; që oligarkët e bashkuar në interesa afatgjatë e të ndarë në interesa afatshkurtër të mos diktojnë zgjidhjet që pasojnë zgjedhjet; që populli të mos vendosë një herë e pastaj të kthehet me vrap në shtëpi për t’u përfshirë nga spektakli numërues, por duke u vetorganizuar ta bëjë frymën e vet të rëndë për veshët e vendosësve formalë; që populli nga dele që kërkon bariun më të mirë të shndërrohet në fuqi politike që delegon me kusht e zmbrapsshëm çdo grimë pushteti jashtë vetes.

Gjykuar me këto standarde, që nuk janë ato sterilet të akronimeve interesante të zotërinjve ndërkombëtarë që thërrasim në ndihmë kur barinjtë s’merren vesh për ndarjen e tortës, zgjedhjet e fundit nuk prodhuan asnjë fitues politik e moral. Zgjedhjet nuk janë dita e demokracisë, por kulmimi i përmbajtjes së përditshme të saj formalisht në një çast kalendarik. Në këtë kuptim, pavarësisht numrave, nuk ka fitues as me 10 vota e aq më pak me 93. Madje, kurrë s’ka pasur fitues politikë e moralë të zgjedhjeve në Shqipëri. Përndryshe s’ka si shpjegohet skizofrenia politike e zgjedhësve që masivisht votojnë e po aq masivisht qahen për ata që kanë votuar.



 

Andi Kananaj

Fituan vetëm ata që nuk besojnë te zgjedhjet e lira

Fitues është siguria që Shqipëria ka humbur çdo kontakt të mundshëm, qoftë ky dhe në nivel teorik me konceptin e pushtetit që rrjedh nga zgjedhjet. Është e qartë se në kushtet kur opozitës nuk i lejohet të mbrojë dot me anë të mjeteve që demokracia i lë në dispozicion votën e territorit ku ai kandidon, për pjesën tjetër, uzurpimi është thjesht çështje kohe.

Nga ana teorike zgjedhjet janë një proces monoton që përsëritet ciklikisht një herë në dy vjet (ndoshta dhe më shpesh). Në Shqipëri periudha zgjedhore mund të jetë çdo gjë, por vetëm monotone nuk është. Fantazia është në majat e veta, jo vetëm për fabrikat e Pr, por dhe për juristët, manipuluesit, kandidatët për kryetar, apo dhe kandidatët për viktima të mashtrimit zgjedhor. E vetmja situatë monotone është besimi se dhe këtë herë si çdo herë votat do të vidhen. Ky fenomen ka çuar në mënyrë të qartë drejt humbjes së çdo bazamenti që krijon sistemin tonë i çili historikisht mbërriti në ditët tona pasi fitoi sfidën me sistemin feudal. Ndarja e qartë me sistemin tjetër ishte pikërisht mundësia e përfaqësimit me zgjedhje. Kjo nuk ndodh, ose dhe kur ndodh është sa për sy e faqe. Kushtet e krijuara tregojnë se identiteti i vetë sistemit është në krizë të plotë.

Avantazhi i sistemit me zgjedhje nga ai me kalim hyjnor të pushtetit dukej se nuk ishte më në dyshim, por faktet tregojnë se të paktën në këtë pikë ne jemi në dyshim të fortë. Momenti tregon që dimë se çfarë duam, por nuk e vëmë dot në zbatim. Dimë se duam zgjedhje për të përcaktuar përfaqësuesit, por nuk kemi arritur ta realizojmë ndonjëherë në praktikë. Fakti që e kemi të shkruar në Kushtetutë tregon se Kushtetuta nuk është Kushtetutë në sytë atyre që duhen të kujdesen për ta bërë funksionale.

A pati fitues zgjedhjesh në fushatën konkrete? Ndoshta do të kemi një kryetar bashkie nga Partia Demokratike, i cili nga momenti që do të jetë i tillë, do t’i ketë djegur vetes çdo mundësi për një karrierë personale. Duke qenë një kandidat pa moral duhet të marrë në konsideratë që me ikjen e Berishës askush nuk do të shqetësohet nëse dhe Basha del nga politika. Lulzim Basha do të jetë një Tritan Sheh i radhës, me ndryshimin që ky i fundit është kohë që mos të shkojë në Lushnjë, nëse do t’i duhet për punë.

Tirana nuk pati fitues dhe sepse kodi është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të ketë të integruar të miratimin e të dy palëve. Përveç KQZ, të gjithë organet e tjera kanë ndarë në çift dhe tek drejtimin e tyre. Ky miratim dukshëm nuk duket se është në unison.

Këto zgjedhje patën fitues ndoshta gazetat dhe TV, që patën çdo ditë momente suspansi të ardhura nga aktorët gazmorë të këtij procesi të mërzitshëm.

 

Leart Kola

Disfatë për çdo shqiptar, fitore për familjen Berisha

Zgjedhjet në Tiranë nuk prodhuan fitues, pavarësisht se dikush prej kandidatëve do të bëhet kryetar i bashkisë. Farsa e kthyer në institucion nga KQZ ishte goditja përfundimtare sa i përket procesit të votimit në Shqipëri. Kjo që bëri Berisha në bashkëpunim me institucionin e KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor është një sjellje e njohur e regjimeve autokratike në botë. Në vendet ish-sovjetike, përfshi këtu dhe Rusinë, argumenti i manipulimit të votave në fshehtësi, nuk ishte rezultativ për krerët e këtyre vendeve, sepse sërish i jepte mundësi popullit opozitar të organizohej, kësisoj krerët e tyre e kthyen terrorin dhe vjedhjen në një spektakël publik. Nëpërmjet vjedhjes publike liderët autoritarë arritën dy rezultate të menjëhershme: poshtërimin dhe stepjen e liderëve opozitarë dhe shuarjen e besimit tek zgjedhjet për të gjithë popullin e opozitës. Askush tani nuk beson më që nëpërmjet një procesi legjitim në demokraci, siç është vota, do të mund të shprehen politikisht. Kjo ka bërë që në Rusi sot edhe partitë opozitare i shpik vetë Putini që më pas i fut në qeveri. Terrori i viteve të para është instaluar aq shumë në mendjet e Rusëve sa askush nuk beson më se Putin, mund të humbë pushtetin nëpërmjet votimit. Këtë mësim ka përvetësuar Berisha nga këta “kolegë” të tij, e për këtë arsye mendoj që arroganca e pushtetit nuk është e rastësishme, përkundrazi është e mirëllogaritur, se luhet gjithçka për gjithçka. Nëse Berisha del i palagur nga kjo luftë, siç edhe fatkeqësisht po del, atëherë legjitimiteti i qëndrimit të klikës së politik-biznesmenëve të tij në pushtet do të mbetet i cenuar për një kohë të gjatë. Sigurisht që kjo klikë herët apo vonë do të përmbyset, por kjo ka për të qenë shumë e dhimbshme për shumicën e shqiptarëve, e është pikërisht ajo që nuk duam të ndodhë.

Në të njëjtën kohë duhet vënë re se Rama, apo kushdo opozitar që mendon se duhet të jetë konstruktiv duke e penguar shpërthimin e shprehjes së vullnetit popullor, thjesht e shtyn këtë akt për një moment të dytë, kur ky vullnet do të dalë gjithsesi në pah, por më ashpër e me pasoja shumë më tragjike seç do të mund të ndodhte tani.

Në analizë të fundit këto zgjedhje nuk prodhuan fitues, por arritën të prodhonin një seri të gjatë humbjesh. Së pari, humbi besimi tek institucioni i votës, së dytik klasa politike, PD dhe PS me veprimet dhe mosveprimet e tyre treguan që janë shkëputur nga populli, e popullin e shohin vetëm si legjitimues të tyrin, humbi presioni ndërkombëtar që haptazi u shfaq si presion vetëm në letër përkundrejt regjimeve autokratike, siç është ky i Berishës, humbën standardet morale që duhet të përfaqësoheshin nga shoqëria civile dhe gazetarët, që dhe në këtë moment kur duhet dhe mund të tregohej një këmbëngulje tek e vërteta, u bashkuan me pushtetin, duke u joshur nga favoret imediate. Pra, nëse mund të korrigjoj hyrjen time, në mënyrë paksa provokative, në këto zgjedhje po të përjashtojmë nga lista familjen Berisha, pjesa tjetër e shqiptarëve si popull, dhe e Shqipërisë si komb e shtet, për mendimin tim pësoi një disfatë historike.

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Bashkemoshatareve te mia

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 95 here.
Julian Hoxhaj Lot, dhimbje, ulërima, nëna që vajtojnë,baballarë që qajnë në heshtje, pedagog që ulin kryet, studentë që bisedojnë me njëri-tjetrin dhe qajnë në heshtje, gazetarë që transmetojnë pa reshtur, politikanë dhe personalitete që pasojnë, qytetarë që vijnë të heshtur dhe përloten kur kalojnë para fotografive të 11 engjëjve të vendosura në hollin e universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’. Ndoshta kjo ishte hera e parë që kur ky universitet është...Lexo te gjithe artikullin »


» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret
» Pse tremb vota e emigranteve?
» Eksperience me nderkombetare
» Shqiptaret si faktor stabiliteti

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit