Publikuar me : 31.01.2012 Ne :
Kulture - 90 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Elsa Demo
Të njëjtat fjalë të drejtorit Agostino Girdano i zgjedhim për urimin e revistës “Jeta Arbëreshe”: Daftë imzot!, që “Jeta…” të mbijetojë. Revista e përtremuajshme dygjuhëshe, arbërisht-italisht, organ i Shoqërisë Kulturore me të njëjtin emër nga Purçilli, feston sot 10-vjetorin. Me këtë rast organizohet një Kuvend Internacional:
Arbërishtja, Gjuha jonë që mbahet në Institutin Shkollor “Ernest Koliqi” i Frasnitës. Janë ftuar edhe Universiteti i Prishtinës dhe i Shkodrës.
“Jeta Arbëreshe” i drejtohet 100.000 banorëve në 50 zona arbërishtfolëse të Italisë. Ajo përballet me atë që është problemi i parë dhe më i rëndësishmi për arbëreshët: gjuha. Prof. Giordano, themelues dhe drejtues i revistës tregon në këtë intervistë për “Shekullin” se po të ishte bërë 30 vjet përpara ligji për të drejtat e pakicave në Itali, problemet me arbërishten, do të ishin disi më të thjeshta. Po ja që problemet e kulturës arbëreshe debatohen në gjuhën italiane dhe revista ka marrë për detyrë që të trokasë në familjet arbëreshe, për t’i shtyrë në shkrimin dhe leximin e gjuhës së tyre. “Jeta Arbëreshe në mënyrë të vazhdueshme iu bën thirrje nënave që t’iu flasin fëmijëve të tyre arbërisht, jo italisht. Nënat e kanë për detyrë ta bëjnë këtë, ndërsa fëmijët kanë të drejtën të trashëgojnë nga nënat bagazhin kulturor dhe gjuhësor. Është akt barbarie të mos u mësosh fëmijëve gjuhën e tyre”, thotë prof. Giordano i lindur dhe rritur nga një nënë qind për qind shqiptare. “Arbëreshi – edhe sepse mbeti pesë shekuj e gjysëm analfabet te gjuha e tij – për të shkruanjë arbërisht do shtijtur, tëhelqur, tundur; do telefonuar, ritelefonuar, do mbushur me e-mail.”
Janë disa revista që dalin në Itali nga shoqëri arbëreshe, si në Catanzaro, Piana degli Albanesi, San Demetrio Corone etj., por “Jeta…” ka prioritet gjuhën dhe problemet e saj, shkrimin në arbërisht dhe për arbërishten apo botën filogjike shqiptare.
Prof. Giordano, me sa lexues e ka filluar jetën “Jeta Arbëreshe” dhe sa ka aktualisht? Në sa katunde shpërndahe revista në kartë?
Nëng e di me sa lexues u nis “Jeta Arbëreshe”. Revista qe shprishur me qindra kopje këtu këtje, ndëpër katundet arbëreshë të Italisë, me dorë e me postë: bashkivet, shkollavet, priftravet, kultorëvet, universitetevet arbëreshë, njerëzve të thjeshtë; si edhe dica miqve profesorë universitarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Por kujtonj mirë me sa bashkëpuntorë u nis. Më të shumët m’i paraqiti prof. Italo C. Fortino: ishin nxënës arbëreshë të tij, në Universitetin “L’Orientale” të Napolit; të tjerët ishin gjindë çë njihja unë. Vetëm një vit, me një ndihmë të jashtëzakonshme të Ligjit 482/99, “Jeta Arbëreshe” qe dërguar sistematikisht shumë banorëve të katundevet arbëresh-folës të Italisë: për çdo numër, nga muaj, shprishëshin afro 2.000, ndër 48 katunde arbëresh-folës të Italisë. Sot lexues “Jeta…” ka më pak në formën prej letre dhe më shumë në formën on-line. Sepse ka më pak, ose fare, para nga Shteti e nga Krahina
.
Paratë mbeten në krye të kërkesave, po dëshirë a kanë njerëzit të bashkëpunojnë me “Jetën…”?
Jeta Arbëreshe zu si mujore, pastaj shkoi dymujore, pra tremujore. Domethënë ka pasur, e ka, probleme. Probleme financiare mësegjithë, sepse abonime s’ka: “Jeta…” botohet vetëm me kontributet shtetërore/krahinore apo me paratë e ndonjë mecenati ose të drejtorit. Për këtë është në rrezik të shkonjë gjashtëmujore ose të shkonjë nga forma “prej karte” drejtpërdrejt ne formën “on line”. S’ka të tjera vështirësi Jeta, për të rronjë. Korrispondentët Arbëreshë kanë disa vështirësi në të shkruar, po shkruajnë, nganjë tek e folmja arbëreshe e katundit të tij. Të gjënj njerëz të prirur për bashkëpunim nuk është thjesht. Shpeshëherë dëshira për bashkëpunim gjëndet më ndër njerëz të thjeshtë se sa ndër intelektualët.
Janë shunë arbëreshët nëpër katunde që nuk jua kanë hapur derën?
Ndër katundet arbëreshë ka gjithmonë kureshtje mbi problematikat arbëreshe, por më të shumët e arbëreshëvet janë analfabetë, nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë. Pra janë ata çë nuk e vlerësojën gjuhën sepse “s’jep bukë”, a sepse janë të martuar me lëtinj, a sepse nuk mbajnë gjuhën si “kryesorja” e jetës së tyre. Sepse rrojnë “arbreshitetin” e tyre në mënyrë instinktive, natyrore; flasin pa u pyejtur “pse” e bëjnë, dhe “si” e bëjnë”. E bëjnë e mjaft. Pa arsyetuar. Këta arbëreshë s’i kanë hapur derën “Jetës Arbëreshe”: sepse rivistës sonë nuk i mjafton se arbëreshi di e flet: do t’i mësonjë atij të lexonjë e të shkruanjë arbërisht.
Vihen re ndryshime në standardin e atyre ju shkruajnë ndër vite? Arbërishtja në këto faqe është përtërirë?
Çdo Korrispondent arbëresh ka detyrën të shkruanjë tek më e mira e folme e katundit të tij, se kjo mos të bjerë specifikën e saj. Redaksia nuk i ndërron një “presje” tekstevet të Korrispondentëvet, aq nga ana leksikore sa gramatikore; ndërron vetëm gabimet e grafimit. Ka ana tjetër, me drejtorin në krye, “Jeta Arbëreshe” shpie përpara një farë Arbërishte standarde, domethënë një gjuhë “e tërë arbëreshe”, çë huazimet eventualë i merr ka shqipja, jo ka italishtja. Çdo Korrispondent, ture shkruar mbi “Jeta…”, e ka mirësuar të Folmen e tij. Pra ka edhe ndonjë Bashkëpuntor arbëresh çë – per vendim vetjak ose për mungesë të një folme arbëreshe të pasur katundare ose për indoktrinim universitar të gabuar – shkruan drejtpërdrejt shqip. Patjetër shkrimi mbi këtë revistë e pasuron gjuhësisht shkruesin arbëresh.
Drejtoni një makinë me dy marshe, shpreheni ju. Keni vënë re ndikim nga përzierja e shkrimeve arbërisht me ato në shqip të studiuesit nga Shqipëria dhe Kosova?
Studiuesit e Shqipërisë dhe te Kosovës janë entuziastë të shkruajën kraha-kraha me Arbëreshët. Deri pak mot prapë Shqiptarët i le të lirë të shkruajin mbi argumente të ndryshëm, por tash i shtrëngova të merren vetëm me çështje arbëreshe. E bëjnë me oreks: disa me kompetencë, disa me druajtje. Të gjithë e bëjnë me seriozitet. Për mua “Jeta Arbëreshe” është një urë midis Shqiptarëvet dhe Arbëreshëvet. Rrojtja e përbashkët mbi faqet e nji revistje është pozitive, është rritje, është matje reciproke. Arbëreshi – edhe sepse mbeti pesë shekuj e gjysëm analfabet te gjuha e tij – për të shkruanjë arbërisht do shtijtur, tëhelqur, tundur; do telefonuar, ritelefonuar, do mbushur me e-mail. Shqiptari jo: pa lypur asgjë, më mbush me artikuj e me poezi. Megjithëse shqiptari di se Jeta është “e arbëreshëvet”. Arbëreshi xë ka shqiptari dhe anasjelltas. Nga kjo pikëpamje Jeta Arbëreshe është një mërekulli, një eksperiment i vetëm në terë panoramën publicistike, aq arbëreshe sa shqiptare.
Nëna juaj Anita Blaiotta, ka qenë e para tifoze e “Jetës…”. Ç’mendonte ajo për trashëgiminë arbërishte? Po tani ç’mendon për këtë fëmijën tuaj 10-vjeçar?
Nëna ime, bijë prindsh arbëreshë e me prejardhje shqipe 100 perqind, rroi arbëreshitetin e saj me thjeshtësi e me fuqi. Motër e një vjershtari popullor të njohur, vjershtare edhe ajo, rroi për gjashtëdhjetë vjet afër nji kunati intelektual – protopapas Emanuele Giordano – dhe nji biri – unë – çë, prej vogëlisë së tij, u rrit me bukë e kulturë arbëreshe. Në çdo inixiativë popullore arbëreshe ishte e para, jipte ndihmën e saj: te këndimet, te rrëfimet. Ajo qe e pranishme tek diplomi im universitar; ajo më këndoi vjershe, ajo më rrëfiajti zakone popullore, fjalë t’urta e idiomatizme. Asaj i dhuroja të parën kopje të “Jetës Arbëreshe”, sapo dilte nga shtypi. Ajo e donte shumë trashgjiminë arbëreshe, ture zënë nga ajo gjuhësore; dy kostumet zakonore femërore të shpisë së saj ja huante edhe vashavet çë do të veshëshin arbëreshe, ndër Vallet e Pashkëvet. Nëna ime vdiq para një vit e gjysëm. Po ajo ishte krenare për “Jetën Arbëreshe”: e lexonte gjithë, po daledalë; më inkurajonte vetëm të botoja më larg njèrin numër nga jetri, sepse ishte në merak për mua, për shëndetin tim. Nëna ime, Anita Markut, ishte krenare për mua, sepse shihte të realizuar tek unë gjithë ata ideale arbëreshe çë ajo nuk mundi të shprehte ose te realizonte te vetëhea e saj. Vdiq në moshen 91-vjeçare: unë isha gjithmonë “djali i saj”, e Jeta “nipi i saj i fituar”.
Përse “Jeta” do të dalë këtej e tutje një herë në gjashtë muaj?
Gëzova shumë kur Jetën e leva, para dhjetë vjetsh. E kam dashur shumë: për 5 vjet e botova mujore, për 1 vit dymujore, për 4 vjet tremujore. Kur dilja një herë ndë muaj, më se ndonjë Korrispondent më thoshte: “S’bëmi mbë herë të lexomi numrin e kaluar e ti na dërgon tjetrin!…”. Por unë, veç gushtit, dilja nga muaj. Besoj se mosnjë tjetër revistë arbëreshe dolli mujore për 5 vjet rresht, çë nga De Rada e këtej. Por nuk botova shumë se të përcaktoja një rekord; rekordin e arrijta sepse shkruajta shumë. E njoh ndryshimin çë shkon ndë mes të nji mujori e të nji gjashtëmujori: kronika bier shijen e saj. Po Arbëreshi ka nevojë të rritet: pak e pak do t’e shpie nga fëmijëria te pjekuria. Për shumë mot botova “Alfabetin Shqip” mbi Jetën, sot jo më; për shumë mot botova fotografi mbi Jetën, sot jo më. Gjuha dhe shkrimi arbëresh zunë vendin e fotografisë.
E pra Arbëreshi do mot se të shkruanjë, se të dërgonjë korrispondenca e materiale nga katundi: japmi më mot Arbëreshit. Pra faqet e Jetës do të shtohen: japmi më vend shkrimevet të Arbëreshëvet. Po japmi edhe vend studimevet (mbi problematika arbëreshe) të Shqiptarëvet. Krijomi një revistë gjashtëmujore arbro-shqiptare, çë merret, sa më mirë e sa më thellë, me problematikat kulturore të Botës Arbëreshe.
Jepini “Jetës”, ju lutem një urim arbërisht nëpërmjet kësaj interviste.
I jap ketë urim “Jetës Arbëreshe”: “Daftë Inzot të na dërgonjë gjë turresë(1) njera ndë theristì(2), nëmos nga “karta” shkomi tek “interneti”. Mua karta më pëlqen, ti e di. Po ndëse s’mund t’jetë ndrishe, e dashura “Jeta” ime, është më mirë të dalsh “on line” se fare!”.