Publikuar me : 11.07.2011 Ne :
Kulture - 176 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Spektatori 3-vjeçar i "Princit të vogël", në Teatrin e Kukullave
Shfaqja e Princit të Vogël në Teatrin e Kukullave në Tiranë kaloi përmes një përvoje të re teknike. Për fëmijët që ndoqën dje spektaklin e fundit për këtë sezon, do të mbetet edhe përvoja e parë shpirtërore. Regjisori nga Sofja Bonjo Lungov e kishte konceptuar udhëtimin e princit të Antoine de Saint-Exypéry-së, brenda një
camera obscura. Skena dhe plateja e të vegjëlve ndahej me tyl të zi ku projektohej në lëvizje të pandërprerë bota qiellore. Për një orë fëmijët ndoqën aventurat e Princit të vogël (me zërin e aktores Anila Muça) dhe banorëve të planetëve të çuditshëm.
E pikërisht kur princi flokëart ndahej nga me fjalinë “Njerëzit e rritur janë vërtet të çuditshëm”, vogëlushët duartrokisnin sepse kuptonin që po mbyllej një skenë e po fillonte tjetra. Kishte nga ata që afroheshin te skena dhe godisnin për të çarë errësirën ose për të provuar që ky vend u kujton diçka nga bota jashtë që ata njohin. E vërtetë është që askush nuk qau. Ndoshta ngaqë ishte kursyer drama e zhdukjes së princit të vogël
që u shemb ngadalë ashtu si kumbiset një pemë. U përmend shpesh fjala trishtim, por pa e inskenuar finalen: dramën e një aviatori të vetmuar në shkretëtirë, me ankthin dhe parandjenjat e tij për më të keqen, gjë që kishte prodhuar përfytyrimin e një princi me zbulimet e tij autentike në arat e natyrës njerëzore.
Jashtë këtij teatri kukullash, kërkuam njerëz që e ruajnë në zemër “Princin e vogël” të Exupery-së. Kufijtë e moshave 3-83 vjeç, të cilave regjisori Lungov donte t’u fliste, ekzistojnë vërtetë. Takuam njerëz që pranuan të flasin për leximet e tyre të hershme të “Princit të vogël”.
Regjisori i teatrit Hervin Çuli (40 vjeç) ishte 13 kur e ka lexuar bashkë me nunin e tij që ishte një dashnor i madh i “Princit”. “Ai ma lexonte si përrallë nga italishtja, ndërkohë më mësonte gramatikë. Këtë ka të mrekullueshme “Princi i vogël”: Lexohet si përrallë për fëmijë duke qenë një traktat filozofik. Është një nga librat politik më të bukur në botë.” Hervini thotë se qysh atëherë, e ka lexuar dhjetë herë a më tepër përkthimin e Petro Zhejit. Përmend dhe emra miqsh si aktorja Yllka Mujo, një tifoze e sëmurë e “Princit”, gazetarin Andrea Stefani, piktorin Mikel Temo.
“Në fëmijëri kam lexuar Aventurat e Tom Sojerit dhe Hakelberi Finit, libra që më ngjiznin atë lloj trishtimi si ai që ndjen kur ikën princi i vogël. Vetë Antoine de Saint-Exupery, është njeri mister. Ai fluturoi dhe përfundoi si princi i vogël. U zhduk në qiell dhe nuk u gjet më.” Në vitin 1996, Hervin Çuli themeloi kompaninë me emrin “Princi i vogël”, që sot për shkak të boshllëkut ligjor nuk funksionin. “Por unë do ta rigjej kompaninë time kur të funksionojë ligji për artin skenik. Vazhdoj ta kem të fortë dëshirën për ta vënë në skenë, jo thjesht si një ofertë për fëmijët. E shoh si një vepër politike jo ndaj politikës, por si një lloj emancipimi që sjell tek çdo brez”.”
Atalanta Pasko (60 vjeç), një nga trashëgimëtarët e Dhimitër Paskos (ndër të tjera autor dhe përkthyes përrallash dhe i letërsisë për fëmijë) ka një përvojë dhe më të avancuar me “Princin”. “Aty nga fillimi i viteve ’80”, tregon Atalanta, “pata idenë se mund të vuaja më pak nga e nxehta e një korriku të llahtarshëm, nëse do merresha me diçka vërtet të bukur që do më shkëpuste nga çdo lidhje me materien, qoftë dhe kjo materie vetë trupi im. Dhe kur flitet për të bukur, mendja më shkon menjëherë drejt e tek “Princi i vogël” i Ekzyperisë. S’di në ç’bibliotekë e gjeta dhe nisa të përktheja disa kapituj. Eksperimenti doli me sukses, sa i takon vapës.
Ndërsa përkthimi… janë thjesht pak kapituj, siç e thashë, për qejfin tim.” Gruaja që ka lëvruar gazetarinë, regjinë e montazhit filmik, dhe është në fushën e botimit të veprave të të atit prej disa vitesh, mendon, me keqardhje, se asnjë nga përkthimet e shumta që janë bërë në gjuhën shqip, s’arrin të vlerësojë siç duhet stilin e këtij libri. “Jo për mangësi të shqipes, as për paaftësi të shqipëruesve”, thotë. “Ekzyperi punon shumë hollë; ashtu si Princi edhe ai vetë është fisnik.
Fjalori dhe fjalia e tij janë prej aristokrati, por jo të akullt; janë të thjeshtë por pa vulgarizma; mbartin filozofi, pa rënë në stërhollime filozofike. Do desha të vërej se problemi qëndron tek respektimi i fjalive mungesore ose i fjalive të shkurtra që e bëjnë aq të vërtetë dhe dinamik sidomos dialogun. Në disa përkthime këto fjali i gjen të bashkuara, disa herë gjen shtesa, fjalë e grupe fjalësh të cilat s’i ka origjinali, por krijohen nga përkthyesi “për të sqaruar” brendinë. Nga ana tjetër, mund të gjesh rreshta të tërë që mungojnë – përfshi kushtimin e faqes së parë apo shënimin e faqes së fundit.”
Vepra që është përkthyer në 180 gjuhë të botës, njihet në shqipe me përkthimin e Petro Zhejit, botuar më 1986. Mirëpo shumë vite më përpara qarkullonin nën dorë përkthime të ndryshme të veprës. Mira Meksi e ka treguar fatin e dorëshkrimit të përkthimit të saj. Çezar Kurti, gjithashtu. Vepra qarkullonte në origjinal apo nga gjuhë të tjera.
Lekë Tasi (83 vjeç), piktor/shkrimtar, përmend disa raste se si gjatë izolimit hynin vepra në kundërshtim të dukshëm me frymën që lejohej
nga lart. Rasti i parë, komedia braziliane “Dhelpra dhe Rrushtë”. Tasi e quan një himn i heroizmit moral, që “sikur të ekzistonte në repertorin mendor te censorëve njohja e duhur për ta klasifikuar filozofikisht, do ta hiqnin me vrap nga karteloni (se “po na prish njerëzit”)”. Rasti i dytë, në vitet ‘80, filmi “Fisheri i Gjenevës”. E midis këtyre dy rasteve, “mjaft skandaloze për një vrojtues edhe jo fort të vëmendshëm, unë vendos edhe “Princin e Vogël” të Antoine de Saint Exupery, që u botua në vitet ‘60.” Ç’mund të ketë ndodhur? “Përplasja e tij me moralin militant vërtet s’binte fort në sy, sepse e zbuste subjekti në dukje fëminor, por prapë do mjaftonte 1 perqind zhdanovizëm – dhe ai s’na mungonte – që leja e botimit të binte rrugës si për shumë libra të tjerë.”
Jehonën e botimit të “Princit” Lekë Tasi e kujton si një dehje në mjedise artistike e studentore, “sikur t’u kishte ardhur formula vetë e thjeshtësisë që bashkon gjenialitetin me lulet e një kopshti fëmijësh. Mjafton të kujtosh vizatimet e bëra nga autori, të cilat nuk mendoj se mund të barazohen diku në botë dhe në kohëra për nga shkrirja me përmbajtjen.”
Pas viteve nëntëdhjetë, botohen më 2000 përkthimi i Naum Priftit, përkthimi i Nikolin Todollit më 2003 dhe i shpëtim Çuçkës më 2009.
Spektatorët e vegjël në Teatrin e Kukullave, një ditë kanë për t’i lidhur imazhet që panë me fjalët në libër. Do t’iu gjejnë kuptimin e vërtetë fjalëve të mençura të dhelprës më të bukur të botë teksa i kërkon princit të vogël ta zbusë, ta zbusë:
“Në jetë nuk mund të njohësh veçse gjërat që arrin të zbutësh. Por me sa duket njerëzit s’kanë më kohë për njohur gjësend. Ata vetëm blejnë gjëra të gatshme në dyqan. Dhe meqë në dyqan nuk mund të blesh miq, atëherë edhe njerëzit nuk kanë më miq. Nëse dëshiron një mike, zbutmë mua!”
Hervin Çuli:
E dua Princin e Vogël sepse fantazia me realitetin nuk kanë atë vijën ndarëse që ne të mëdhenjtë e kemi. E dua sepse është qiellor, sepse është libër politik. Në këto përfundime kam dalë kur e lexoja me sy tjetër, para dy vjetësh. Më ka tingëlluar si një gjuhë biblike. Dhe Zoti, ndoshta, ka pamjen e një fëmije. M’u duk sikur ai raporti ndërmjet të mirës dhe të keqes, është diferenca që ne kemi me të tjerët, që tek ata buron vetëm mirësia dhe e thjeshta, kurse ne i komplikojmë për hir të interesave.
Atalanta Pasko:
Sa shikoj që ka dalë një përkthim i ri i Princit (ndërsa shkruaj kam pesë shqipërime mbi tryezë), nxitoj ta marr, por asnjë prej tyre s’e ka plotësuar atë që unë pres. Mbasë e dua tepër-tepër këtë Princin e Vogël të Ekzyperisë, prandaj mund të kem “pretendime” të tepruara? Ndoshta dhe kjo mund të jetë e vërtetë. Do desha që këtë libërth ta lexojë çdo shqiptar – dhe ta lexojë me sa më pak firo nga origjinali. Ndërkohë, s’ma mban të plotësoj kapitujt që më kanë mbetur pa përkthyer, se gjithsesi është më lehtë të kritikosh.
Lekë Tasi:
Princi i vogël s’është thjesht një përrallë, është një gur miliar në letërsi. Princi duhet të vdesë dhe autori mbetet pa gojë para kësaj pritmërie. Pret prej tij ta shpjegojë. Dhe ai flet për yje që tingëllojnë si këmbana, dhe për delen që hëngri trëndafilen, ndaj i lë amanet lulen e tij që s’ka fuqi të mbrohet. Atë e ka pickuar gjarpri dhe njolla në kyçin e këmbës po i zverdhet. Të dijshmit e botës vendosin në kulmin e ankthit të tyre filozofik tamam atë, vdekjen e një fëmije, është ajo që i hidhëron themelisht, i zemëron me Krijuesin.
Autori
Antoine de Saint-Exupéry (1900-1944) shkrimtar, aviator. Shkroi: Aviatori, Posta e jugut, Toka e njerëzve, Fluturim natën, Princi i vogël, Letër një pengu. Në Luftën e Dytë Botërore iu bashkua forcave ajrore franceze. Më 31 korrik 1944, ndodhej në bordin e avionit të tij P-38 Lightning. Ishte nisur në një mision zbulimi, papritur u zhduk ndërsa fluturonte në Mesdhe. Më 1998, në brigjet e marsejës u gjend medaljoni i tij dhe mbulesa e avionit P-38 Lightning. Pak vjet më vonë Horst Rippert, një pilot gjerman i luftës, bën rrëfimin tronditës se ishte ai kishte qëlluar dhe rrëzuar P-38 Lightning.
Elsa Demo