Publikuar me : 26.01.2012 Ne :
Sport - 36 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Endi Tufa
Grumbullimi 5-ditor me futbollistët që luajnë në Superligë i kanë qartësuar idetë e trajnerit të ri të kombëtares shqiptare Xhani de Biazi (Gianni De Biasi), i cili nuk përton t’ua shpjegojë edhe me skemë gazetarëve. Trajneri ka bërë një rezyme të ‘zborit’ me 23 lojtarët pjesë e kampionatit shqiptar, të cilët janë kandidatë për të veshur fanellën kuqezi, duke u shprehur se tani kupton se çfarë mund t’i ofrojë Superliga. “Këto ditë ishin të rëndësishme për të vlerësuar futbollistët që kisha në dispozicion.
Jam i kënaqur për përkushtimin dhe punën e tyre, ndërsa unë dhe stafi kemi një vlerësim të kualitetit që na ofron kampionati shqiptar. Sigurisht që është dikush që më ka pëlqyer më shumë, por nuk më duket e drejtë të them emrin e tij. Unë iu thashë të gjithëve se dyert e kombëtares janë të hapura”, u shpreh De Biazi, trajner i kombëtares.
I qartë me atë që mund t’i japë Superliga, ai duhet të njihet dhe me lojtarët që luajnë jashtë që, siç thotë tekniku, duhet të ‘zbulohen’ edhe ata. “Është shpejt të flas për të ardhmen, pasi do të shoh edhe ata që luajnë në Perëndim. Për ne edhe ata duhen zbuluar dhe për këtë do të takohemi për të folur mbi projektin tonë”, vijoi ai. Aventura e vërtetë e Xhani de Biazit në pankinën kuqezi do të nisë më 29 shkurt në miqësoren e Tbilisit, kundër Gjeorgjisë.