Publikuar me : 11.10.2011 Ne :
Politike - 50 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Ardit Rada
Avioni me të cilin do të udhëtonte drejt Turqisë Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe delegacioni shqiptar, ka pësuar një defekt vetëm pak kohë përpara nisjes. Në pamundësi të një avioni tjetër, stafi i presidentit ka biseduar me palën turke për gjetjen e një zgjidhjeve dhe brenda pak minutash Turqia ka nisur një avion të sajin për të marrë delegacionin shqiptar. Presidenti Topi, Zv.ministri i Punëve te Jashtme, Selim Belortaja, Kryetari i Dhomës se Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka etj kanë shkuar në Turqi me avionin e nisur nga Presidenti turk, Abullah Gyl. Lajmi është pohuar dje nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, të cilat kanë komentuar ngjarjen duke i vënë titullin: Presidenti shqiptar mbërrin në kryeqytetin turk pasi u zgjidh çështja e avionit.
Sipas tyre, presidenti duhet të mbërrinte në Turqi mëngjesin e djeshëm, por ai nuk mundi të ishte në kohë për shkak të defektit të avionit. “Ekzekutivët turq dërguan një nga avionët e tyre që të sillte Topin në Turqi. Presidenti turk, Abdullah Gul do të nderojë Topin me një ceremoni ushtarake në rezidencën presidenciale mbrëmjen e së hënës”,- shkruante agjencia Ëorldbulletin.
Burimet e presidencës nuk e komentuan dje këtë fakt. Në faqen online presidenca ka botuar informacionet në lidhje me vizitën dhe konferencën e përbashkët të dy presidentëve. “Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar, nisi sot vizitën zyrtare treditore në Turqi, i ftuar nga Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl”,- thuhet në njoftimin e presidencës.
“I hodhëm një sy edhe marrëdhënieve ekonomike. Kemi marrëdhënie tregtare, me shkëmbime tregtare, 135 milion euro. Kemi hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të tregtisë së lirë midis dy vende dhe një dimension tjetër i këtij bashkëpunimi ekonomik, janë investimet. Kemi investime turke që kanë arritur në 1.5 miliardë euro në Shqipëri. Këto janë të shtrira në disa sektorë, në hekur, në shëndetësi, në telekomunikacion, në arsim, në banka. Kemi rreth 100 firma që kanë investimet e tyre në Shqipëri”,- tha Presidenti i Turqisë, Gul duke iu referuar Topit si miku i tij.
Ndërkohë Presidenti Topi iu referua turqve si një popullsi që ka në vetvete edhe edhe origjinën shqiptare. “Ne gëzohemi për përparimin e Turqisë, për rritjen e saj ekonomike, sepse është përparimi dhe arritja e një vendi, i cili ka në vetvete dhe një popullsi me origjinë shqiptare. Në Shqipëri ekzistojnë shkolla turke, universitete turke, qendra spitalore turke dhe mund të rikonfirmoja edhe një herë atë që thashë në bisedime se këto janë qendra, të cilat ofrojnë cilësi dhe na inkurajojnë që ato të shtohen, sepse kanë në vetvete jo vetëm kualitetin, por përmbledhin në vetvete dhe dëshirën që nga këto shkolla të dalin njerëz që do të punojnë më tej në të ardhmen për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Në Turqi, gjithashtu, ka studentë shqiptarë dhe këto janë marrëdhënie edhe të karakterit historik. Ka pasur studentë shqiptarë që nga vitet 30-të”,- tha Presidenti Topi.
1.5 miliardë euro ka investuar Turqia në vendin tonë. Sipas shifrave zyrtare, në Shqipëri veprojnë rreth 100 firma turke ndërsa marrëdhëniet tregtare arrijnë në 135 milion euro. Në Shqipëri ekzistojnë shkolla turke, universitete turke, qendra spitalore turke si dhe shkëmbim studentësh mes dy vendeve