Publikuar me : 25.11.2011 Ne :
Sport - 27 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ndërsa presidenti Andrea Anjeli përsërit tashmë njoftimin e famshëm mbi kontratën e fundit me Juventusin të Alesandro Del Pieros gjatë Asamblesë së Aksionarëve (“Janë bërë interpretime të ndryshme mbi fjalët e mia, ndërkohë që më përpara kishim rënë dakord së bashku me Aleksin”), kapiteni bardhezi nuk dorëzohet, por shtyn moshën e pensionit: “Do të vazhdoj të luaj deri 40 vjeç”. Por Del Piero nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes mbi skuadrën që kërkon të mbyllë karrierën e tij brilante: “Nuk është një gjë që më pëlqen të përgjigjem, dua të mbyll këtë pjesë të gjatë të karrierës sime me mendje sa më të kthjellët”.
Numri 10 flet se si e përjeton situatën e tij si rezervë luksi në skuadrën e Kontes: “Futbolli nga stoli shihet keq, – thekson 37-vjeçari, – pjesa më e madhe e stolave janë të ftohtë, më mirë të qëndrosh në fushë. A ndikon tek unë? Një lojtar përgatitet për të luajtur dhe kërkon të luajë, nëse nuk mund ta bëjë, nuk është i lumtur. Por e di shumë mirë që është pjesë e menaxhimit të një skuadre”. Aleks ka thënë se futbollistët më të mire, me të cilët ka luajtur ndonjëherë kanë qenë Roberto Baxhio e Zinedin Zidane. “Teknikisht ishin të mrekullueshëm. Mbrojtësit që më kanë krijuar më shumë probleme? Kanavaro, Nesta e Turam”. I pyetur mbi biografinë e ato që ka shkruar Ibrahimoviç në autobiografinë e tij, që kishte kërcënuar Barcelonën se do “të rrihte” Pepe Guardiolën, Del Piero shton: “Edhe këtu te Juvja thuajse u kap me duar me dikë… Me mua? Jooo! Unë do ta kisha rrahur. Zllatan zakonisht është i qetë. Por është shumë kërkues dhe kërkon të japë më të mirën nga vetja dhe nga të tjerët”. Duke u kthyer te e ardhmja, presidenti Anjeli, ia ka lënë hapur dyert një rikthimi të Del Pieros në klub: “Dyert e Juventusit dhe të zyrës sime do të jenë gjithnjë të hapura për Alesandro Del Pieron. Ai dhe Juventusi janë një gjë e vetme dhe kjo mund të thuhet vetëm për të, Bonipertin, Platininë dhe pak të tjerë”.
Mbrojtësi
Juventusi i rikthehet brazilianit Aleks
Në merkaton e janarit Juventusi mund të kthehet të trokasë në dyert e Çelsit për Aleksin. Që këtë verë në të vërtet klubi bardhezi ishte interesuar për qendërmbrojtësin 29-vjeçar brazilian dhe duke iu referuar shtypit anglez, “Zonja e vjetër” do të provojë sërish në janar, duke ofruar pak a shumë 9 milionë euro për kartonin e tij. Një propozim që blutë e Londrës mund ta konsiderojnë të mjaftueshëm, para së gjithash nëse do të mbyllnin një marrëveshje me Boltonin për Kahillin. Mbi gjurmët e mbrojtësit Aleks, në garë janë edhe Zeniti e Totenhemi.
Sulmuesi
Lacio mendon për Lukas Podolskin
Nuk do të jetë saktësisht një operacion “rinor”, por është sigurisht një pistë interesante. Pasi ka sjellë në shtëpi Klozen dhe Sisenë, Lotito qenka duke menduar seriozisht për Lukas Podolskin, “binjakun” e qendërsulmuesit gjerman dhe “shpatulla” e tij në kombëtare për shumë vjet. Sulmuesit të Këlnit i skadon kontrata në 2013-ën dhe për momentin nuk duket se ka asnjë qëllim të gjejë një marrëveshje për rinovimin. Kjo mund ta favorizojë shumë mësymjen e Lacios, e që në janar, mund të paraqesë ofertën e saj për klubin gjerman.
E ardhmja
Roma, Di Benedeto flirton me kinezët
Sa i takon çështjes së aksioneve të klubit, Roma akoma përbën një lajm, sidomos kur bëhet fjalë për një grup biznesmenësh kinezë për të hyrë në kuotat e klubit verdhekuq. “Jemi duke zhvilluar bisedime me grupe kinezësh, që kanë kërkuar të blejnë 20 perqind të kuotave tona të Romës, – tha drejtori operativ i bankës “Unicredit”, Fiorentino. – Di Benedeto, pasi u informua nga ne, tha se nëse gjejmë marrëveshjen, do të ishte i lumtur për zhvillimin e fuqishëm të Romës. Edhe për ne dhe klubin do të ishte pozitive. Tani të presim përgjigjet e kërkesave nga ana jonë”.