Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Deshmia e Balliut, nuk e kam vrare une Kolicin

Publikuar me : 19.07.2011 Ne : Kronike - 77 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

 

 

TIRANË- “Nuk kam lidhje me vrasjen e Aleksandër Koliçit. E kam pasur shok kur ishim jashtë dhe e kam pasur shok kur ishim në burg. Nuk kisha arsye që ta vrisja. Në kohën kur ka ndodhur vrasja unë kam qenë në lokal duke pirë kafe, për këtë janë edhe regjistrimet nga kamerat e sigurisë së lokalit”. Me këto fjalë është mbrojtur dje përpara gjykatës 34 vjeçari Bledar Balliu, i akuzuar nga policia dhe prokuroria si autor i dyshuar i vrasjes së Aleksandë Koliçit, të ndodhur mbrëmjen e 15 korrikut 2011.

Sipas tij, në kohën e vrasjes së Koliçit ai ndodhej rastësisht i ulur në një lokal pak metra nga vendi i ngjarjes, duke pirë kafe. “Në atë lokal jam ulur që nga ora 20:30 minuta e kam qëndruar deri në ora 23:00. Këtë pretendim e faktoj edhe me prova materiale, siç janë regjistrimet e bëra nga kamerat e sigurisë së lokalit ku isha duke pirë kafe. Të vetmin moment kur jam ngritur nga lokali, është fakti kur kam dal për të blerë një kartë për rimbushje telefoni dhe më pas jam kthyer në lokal”,- është shprehur i dyshuari Balliu, dëshmi të cilën e ka mbështetur edhe avokati i tij mbrojtës Petraq Semani.

Por, këto pretendime janë kundërshtuar nga prokurori i çështjes, i cili gjatë fjalës së tij ka kërkuar që 34 vjeçari Balliu të mbetet në qeli deri në përfundim të hetimeve, nën masën e sigurisë “arrest me burg”. “Nga hetimet paraprake, ka rezultuar se natën e vrasjes i dyshuari Bledar Balliu ka qenë pranë vendit të vrasjes. Kjo provohet nga qelizat lëvizëse të telefonit që ai kishte në përdorim. Gjithashtu, nga dëshmitë e siguruara nga kamerierët e lokalit, është provuar fakti se në pak minuta para vrasjes Balliu është ngritur nga lokali për tu kthyer pas disa minutave, çka lindin dyshime se gjatë kësaj kohe është kryer vrasja. Ndërsa, në lidhje me pretendimin se ka blerë kartë rimbushëse të telefonisë lëvizëse, shitësi i dyqanit ka mohuar një fakt të tillë, duke u shprehur se “gjatë kësaj kohe nuk ka ardhur njeri për të blerë kartë rimbushëse”,- tha prokurori i çështjes, duke i kërkuar togave të zeza izolimin në qeli të 34 vjeçarit.

Në përfundim të fjalës, prokurori u shpreh se në banesën e Balliut është sekuestruar një xhakovente (xhup) ku nga ekspertimi ka rezultuar se ka mbetjet baruti. Por, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Balliut, i cili pas konsultimeve me avokatin është shprehur se atë xhakovente nuk e ka përdorur prej kohësh. “Atë e vishja vetëm kur bëja vrap gjatë dimrit dhe nuk e di se si janë gjetur këto mbetje baruti. Natën e ngjarjes, unë kisha veshur një bluzë me krah të shkurtër ngjyrë lejla dhe pantallona të shkurtra, çka provohet edhe nga kamerat e sigurisë që janë të vendosura në lokalin ku kam pirë kafe”,- është shprehur Balliu, duke i kërkuar gjykatës lirimin nga qelia.

 

 

Prokuroria dhe avokati të sjellin provat

Avokati mbrojtës i Bledar Balliut ngriti të njëjtat pretendime, duke kërkuar që klienti i tij të lihet i lirë pasi nuk ka të bëj me vrasjen e shtetasit Koliçi. Por, prokurori e kundërshtoi këtë kërkesë, duke u shprehur se si rrethanë plotësuese të dyshimit, janë edhe dëshmitë e familjarëve të Koliçit, të cilët janë shprehur se me të vetmin person që viktima kishte probleme ishte Bledar Balliu. Gjyqtarja e masës, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, vendosi që 34 vjeçari Balliu të mbetet në qeli nën masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditor, duke i lënë kohë mbrojtjes dhe prokurorisë që të sjellin prova që e shfajësojnë ose e implikojnë nga ky dyshim.

 

40

ditë kohë i ka lënë gjyqtarja avokatëve mbrojtës dhe prokurorit të çështjes. gjatë kësaj kohe ata duhet të sjellin prova të tjera në lidhje me fajësinë apo pafajësinë e të arrestuarit. Në përfundim të afatit, në gjykatë do të zhvillohet një seancë tjetër ku do të shqyrtohen pretendimet e palëve

 

Koliçi

“Në atë lokal jam ulur që nga ora 20:30 minuta e kam qëndruar deri në ora 23:00. Këtë pretendim e faktoj me regjistrimet e bëra nga kamerat e sigurisë së lokalit ku isha duke pirë kafe. Të vetmin moment kur jam ngritur nga lokali, është fakti kur kam dal për të blerë një kartë për rimbushje telefoni dhe më pas jam kthyer në lokal”

 

Prokurori

“I dyshuari Bledar Balliu ka qenë pranë vendit të vrasjes. Kjo provohet nga qelizat lëvizëse të telefonit që ai kishte në përdorim. Nga dëshmitë e kamerierëve të lokalit, është provuar se në pak minuta para vrasjes Balliu është ngritur nga lokali për tu kthyer pas disa minutave, çka lindin dyshime se gjatë kësaj kohe është kryer vrasja”

 

 

Si u arrestua Bledar Balliu pak minuta pas vrasjes

Bledar Balliu banonte në një pallat në rrugën “Sami Frashëri”, jo shumë larg vendit të vrasjes së 41 vjeçarit Koliçi. Kur policia shkoi herën e parë në banesën e Balliut, ai nuk ndodhej në shtëpi e për këtë shkak hetuesit vendosën të prisnin në afërsi të pallatit. Vetëm gjysmë orë pas vrasjes, ai mbërriti në banesë i veshur normal, por sipas burimeve të policisë i djersitur dhe i zverdhur. “A mund ta di për se keni ardhur”,- mësohet se iu drejtua i akuzuari specialistëve të zyrës së hetimit të vrasjeve. Përgjigja e tyre qe e thatë dhe e shpejtë. “Për një punë të mirë që ke bërë ti”. Gjatë verifikimit të kryer nga policia në duart e tij, janë konstatuar faktorë plotësues si mbetje bloze nga qitja e kryer me pistoletë, fakt që është administruar nga policia si provë rrethanore. Gjatë marrjes së tij në pyetje, Balliu, nuk ka pranuar të ketë marrë pjesë apo të ketë kryer vrasjen e Aleksandër Koliçit. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e të akuzuarit, policia tha se kishte gjetur një jelek antiplumb, si dhe veshje, të cilat autori i ka mbajtur në momentin e kryerjes së krimit. Po kështu policia tha se kishte sekuestruar disa materiale shkresore, të cilat e implikojnë Balliun edhe në disa vepra të tjera penale. Për këto vepra të dyshuara të kryera nga Balliu, policia tha se ishte duke kryer veprime procedurale për të zbardhur rrethanat e tyre.

 

 

Dëshmitarët

Në vendin e ngjarjes, policia tha se kishte shoqëruar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, të cilët sipas policisë kanë parë momentin e vrasjes si dhe kanë sqaruar për hetuesit detaje mbi rrethanat e vrasjes së 41 vjeçarit. Burime të Policisë thanë se disa fëmijë kanë parë qartësisht veprimet e të dyshuarit si dhe rrugën e largimit të tij. Këta të fundit mësohet se kanë dhënë një përshkrim të hollësishëm të të dyshuarit mbi veshjen, gjatësinë dhe detaje të tjera të tij duke marrë një përshkrim të përafërt.

 

3 muaj kishte që kishte dalë nga burgu, Bledar Balliu, i akuzuar për vrasjen e Aleksandër Koliçit, pas përfundimit të të vuajtjes së dënimit për krimin e trafikut të drogës

 

6 vite burg vuajti Bledar Balliu (Arif Shehu), nga 16 vite burg të dhëna për të nga Gjykata e Krimeve të Rënda, si pjesëtar i grupit “Poter Al’, i cili ishte përfshirë në një linjë të trafikut të drogës.

 

Flamur Vezaj

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Tragjedia e Himares, dy te plagosurat ne koma do dergohen neser ne Austri

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kronike - Lexuar : 89 here.
Tragjedia e Himares, dy te plagosurat ne koma do dergohen neser ne AustriNjë e plagpsur duke u transportuar për në Spitalin Ushtarak (foto Hektor Pustina) Studentët e vitit të tretë Gjuhe-Letërsi pak orë para aksidentit në Apolloni I PËRDITËSUAR – 15:40 Dy prej të plagosurave nga tragjedia e Himarës do të dërgohen për mjekim të specializuar nga Austri. Spitali Ushtarak i ka drejtuar një kërkesë për transport ambasadës austriake në Tiranë pasi një gjë e tillë mund të realizohet vetëm me avion sanitar. Një lajm i tillë është...Lexo te gjithe artikullin »


» Tragjedia e Himares, dy te plagosura qe jane ne koma do dergohen neser ne Austri
» Tragjedia e Himares, dy te plagosura do dergohen neser ne Austri
» Tragjedia e Himares, dy te plagosura do dergohen ne Austri
» Qeveria pezullon per nje vit licensen e “Kristal-it”
» Pezullohet licensa per “Kristal-in”
» Iu zhvat 20 milione leke, mashtronte t’u kthente pronen
» Tirane, kapen pese persona te kerkuar
» Tirane, kapen 5 te kerkuar
» “21 janari”, shtyhet gjyqi ndaj te akuzuarve, avokatet kerkojne pa vlefshmerine e ekspertizave
» Lamtumire studenteve qe perloten Shqiperine

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit