Publikuar me : 28.06.2011 Ne :
Sociale - 87 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Në 1991 Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian
(KSBE), organizatë politike e sigurisë kolektive, që i siguronte Shqipërisë një mbrojtje nga agresorët e jashtëm, por e detyronte atë të pranonte pluralizmin politik, ekonominë e tregut dhe respektimin e të drejtave te njeriut. Por nuk do të ishte e lehtë për të mbërritur deri këtu. Përplasjet ideologjike ishin të mëdha. Reiz Malile është vënë përballë sulmeve të ashpra, teksa paraqiste në Byronë Politike një relacion të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Një nga kundërshtarët më të ashpër të tij, jashtë Byrosë politike ishte dhe Sofokli Lazri, i cili drejtonte një pikë kyçe në Departamentin e Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror. “Është fjala për raportin e Reiz Maliles të mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike: “Mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian”. Kur u diskutua ajo çështje skifterët ju lëshuan ish ministrit tonë të jashtëm”, kujton ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Bashkim Pitarka. “Në ato ditë, para asaj mbledhjeje, që u mbajt me 23 shtator 1990, unë ndodhesha ne Tiranë dhe Reizi ma dha raportin e tij për t’i hedhur një sy para se ta niste për në Byro. Unë isha plotësisht dakord me atë tekst, i shkruar me shumë kujdes dhe me një frymë pozitive që përputhet me frymën e sotme”- thotë Pitarka, duke sqaruar më tej, pse dështoi takimi mes Alisë dhe presidentit Bush, në Nju Jork për nënshkrimin e marrëveshjes për rilidhjen e marrëdhënieve diplomatike.
Z.Pitarka, një nga pikat kulmore të mandatit tuaj në OKB ishte edhe vizita e parë e presidentit Alia në OKB. Si u realizua ajo?
Vizita e Ramiz Alisë në SHBA nisi në fund të shtatorit deri në 1 tetor 1990. Në mbledhjen e Byrosë Politike në gusht 1990, ai e shtroi për diskutim që duhej vajtur në OKB. Ftesa kishte ardhur nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Peres de Kuelar, gjatë vizitës së tij në maj, kur ia tha në fytyrë që s’mbante mend ndonjë president shqiptar që të kishte marrë pjesë më punimet e OKB-së. Alia ia ktheu se kishte qenë kryeministri Mehmet Shehu shumë vite më parë dhe që nga viti ’60 nuk kishte më vizita të tilla. Vizita ishte planifikuar për tu bërë që në atë kohë. Peres de Kuelar e ftoi zyrtarisht Alinë, duke i thënë se ishte një samit i rëndësishëm ndërkombëtar dhe prania e tij do ta nderonte, sepse ishte jo vetëm përvjetori i OKB-së, por edhe samiti për të drejtat e fëmijëve dhe duhej pjesëmarrje e nivelit të lartë për ta nënshkruar dokumentin final. Alia e falenderoi për ftesën dhe e siguroi se do ta shikonte pozitivisht pjesëmarrjen në mbledhjen e OKB-së.
Alia erdhi me djalin për vizitë në SHBA. Unë u mora gati një muaj e gjysëm me përgatitjen e vizitës. Në radhë të parë për të siguruar një takim me presidentin Bush, sepse kjo ishte edhe ideja themelore e asaj vizite. Udhëheqja shqiptare ishte penduar që i kishte shtyrë bisedimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të, sepse shkaku ishim ne dhe jo amerikanët. Këtë shqetësim unë ia kisha ngritur përfaqësuesit të përhershëm të SHBA-së në OKB, ambasadorit Pikering, që ishte shumë bashkëpunues dhe miqësor. Pastaj amerikanët nuk dhanë më shenja. Unë shkova dhe i kërkova ndihmë ambasadorit Pikering për vizitën e Alisë në SHBA. Së pari masa sigurimi si për gjithë delegacionet e tjera dhe ajo ishte kërkesë e Alisë dhe e qeverisë shqiptare dhe jo e imja. Bëhej fjalë për një limuzinë dhe për shërbimin e sigurisë si për gjithë kryetarët e shteteve të tjera. Dy ditë para se të vinte Alia në Nju Jork, unë kisha çuar sekretarin e parë të misionit, Eqerem Gaxholli, bashkë me sekretarin e dytë, që të takoheshin për tu koordinuar me amerikanët për lëvizjet e presidentit në Nju Jork dhe Boston, te Antoni Athanas dhe at Artur Liolin. Kur e takova ambasadorin Pickering ai më tha se e kishte biseduar me departamentin e shtetit dhe kishin thënë se s’kemi pse tia japim këtë trajtim presidentit Alia, sepse nuk ka rrezikshmëri për jetën e tij. I thashë se nuk ishte ky problemi kryesor, por se shoqërimi me eskortë, krijonte lehtësi qarkullimi në Nju Jork, sidomos në Manhaten, kur do të ishin 80 kryetarë shtetesh, mbretër, ministra etj. I thashë ambasadorit se presidenti Alia ishte tashmë në Paris, kur duhet ta njoftoja se nuk do të kishte shoqërim sigurie dhe nuk kishte marrë as roje me vehte përveç njërit. Pickering më tha se do ta ngrinte sërish këtë çështje, ndërsa limuzina, ngaqë nuk kemi marrëdhënie nuk jepet për shkaqe reciprociteti dhe sugjeroi që të merrnim me qera. I thashë ambasadorit se një limuzinë dhe siguria e amerikane do të ishte shumë e rëndësishme për lëvizjen. Pickering më tha: “Pse nuk ia thua ambasadorit Kramer?”, zëvendësndihmësit të sekretarit të shtetit. I thashë se më vinte rëndë, sepse i kishim ndërprerë kontaktet për çështjet e marrëdhënieve. Pickering më premtoi se do të bisedonte për këtë shqetësimin tonin. Një ditë më merr në telefon dhe më thotë: “Ambasador, shpëtove, nuk do të të pushojnë nga puna!”.
-Pse?- i thashë.
-Po ja do të të hiqnin ndonjë kopaçe, se u the se do të japin siguri për presidentin dhe nuk do të japësh.
-Dy oficerë shumë të kualifikuar të mbrojtjes së VIP-ave, pranë departamentit të Shtetit, do të vihen në dispozicion të delegacionit tuaj dhe njëri ndër ta, është kushëriri im i parë nga ana e nënës-më tha ambasadori Pikering.
E falenderova dhe atë dhe ambasadorin Kramer dhe më thanë: “Mirë u pjekshim në Uashington”.
Kur më thanë ashtu mendova se Alia do të ftohej atje.
Alia erdhi dhe rojet e pritën me një grup shqiptarësh të komunitetit shqiptar, që quheshin “përkrahës të komunistëve”, apo të “kuqtë”, nga Nju Jorku, Nju Xhersi dhe Konektikati. U bënë shumë takime. Alia takoi edhe zonjën Theçer, me ministrin e jashtëm Eduard Shavernaxe, që e kishin kërkuar rusët dhe me disa presidentë shtetesh, por disa nuk pranuan.
Si u prit fjala e Alisë në OKB?
Ramiz Alia e mbajti fjalim dhe shqiptarët në sallën e OKB-së duartrokitën, kur ai tha se do bëheshin reforma në Shqipëri dhe kur foli në mbështetje të Kosovës. Atë ditë përballë OKB-së u bënë dy demonstrata, një nga shqiptarët nacionalistë, të arratisurit dhe një grup tjetër nga Kosova etj. që thërrsnin “Rrofsh o vëllai Ramiz Alia që na mbrojte çështjen e Kosovës. Policia ndërhyri, ndryshe do kishte plasur boksi.
Pse dështoi takimi Alia-Bush?
Ditë që foli presidenti Bush, më duket ishte 1 tetor 1990. Ai e mbajti herët në mëngjes dhe iku shpejt. Amerikanët nuk na kishin lënë takim: “Është i zënë, nuk ka mundësi këtë radhë, të shohim herë tjetër”. E pyeta ambasadorin Pikering dhe më tha: “Unë e kam përcjellë kërkesën tuaj”. Iu përgjigja: “Ju keni thënë se do ta shihni për të ardhmen. Por ai vjen këtu për këtë punë, takimin”.
Pas fjalës së presidentit Bush (Plaku), sekretari i përgjithshëm e përcolli jashtë dhe, përballë pjesës frontale ku rri sekretari i përgjithshëm dhe dy ndihmësat e tij, ka një sallon pune, që quhet “Salloni kinez”. Ai përdoret për këto takimet, koktejlin me të gjithë kryetarët e shteteve. Ata rreshtoheshin dhe mbanin radhë për t’i dhënë dorën presidentit amerikan. Sipas traditës shkojnë tre kryesorët e delegacionit: presidenti, ministri i jashtëm, apo kryeministri nëse ka dhe përfaqësuesi i përhershëm në OKB. Ramizi më thotë: “Shfrytëzo rastin kur t’i japësh dorën presidentit Bush, që t’i bësh kërkesë për një takim, qoftë edhe të shkurtër, që t’i vëmë firmën marrëveshjes për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”. I thashë: “Më falni shoku president, por nuk është as e sërës sime, as e rastit”. “Ose kështu sit hemi ne, sepse nuk do të bësh krushqi me to”-ngulmoi presidenti Alia. Nuk kisha ç’të bëja, përveç faktit se do bëhesha lolo. Alia u takua me presidentin Bush.
Ky i tha: “Gëzohem që po takohem me ju. Po jetojmë kohë interesante”. Alia i tha: “Urime për fjalimin, ishte shumë interesant, që të provokonte mendime”. Erdhi radha e Reiz Maliles, i cili kishte një histori me presidentin Bush. Në kohën e futjes së Kinës në OKB, në 1971, Reiz Malile, si zv.ministër i jashtëm i Shqipërisë, dhe si ambasador i Shqipërisë në OKB, bashkë me Bushin kishin debatuar në OKB, sepse Bush ishte kundër futjes së Kinës. Malile ishte bashkautor i rezolutës për rifutjen e Kinës në OKB dhe përjashtimin e Tajvanit. Presidenti Bush iu drejtua: “Ej ambasador! E mban mend, kur ne të dy ishim ambasadorë. Unë luftoja të mos e fusim Kinën, ti luftoje që ta fusje. Unë shkova ambasador në Kinë, dhe e lidha Kinën me SHBA-të, ti ishe ambasador dhe i prishe marrëdhëniet. Reizi iu përgjigje: ‘Po është e vërtetë”. Kur erdhi radha ime për ta takuar, shefi i tij i protokollit ishte ish-zv.përfaqësuesi amerikan pranë OKB-së, ambasadori Ris, që ishte bërë zv.sekretar i përgjithshëm i OKB-së për asamblenë e përgjithshme dhe në atë kohë ishte drejtor i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Ai më prezantoi edhe mua te presidenti Bush: “Ambasadori Shqiptar, dhe negociatori me departamentin e shtetit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike”. U përgjigja: “Sa mirë që e kujtuat zotërinj. Meqë jemi këtu ta bëjmë një takim me zotin Alia, sepse ai për këtë punë ka ardhur dhe jo për samitin e fëmijëve”. Bushi mu përgjigj: “Z.ambasador jam shumë i zënë. Do të shihni, ndoshta në televizor, që nga këtu do t’i hipi helikopterit dhe do të shkoj në aeroportin J.F.K për tu kthyer në Uashington. Do të kemi kohë, ndoshta më vonë do të takohemi, por tani nuk kam kohë”. Xhim Bejkeri më dha dorën dhe më tha: “Ambasador, ju uroj për punën e shkëlqyer që keni bërë. Mirupafshim në Uashington”-, sepse kujtonte se do të nënshkruanim marrëveshjen. Më vonë kur u takova në OKB me ambasadorin Pikering më tha: “Ambasador, të presim disa kohë se derisa nuk u vendosnë për 47 vjet, presim edhe 47 javë”. Ç’do të thoni?-ia ktheva.
-Ti je i mençur e kupton vetë-ma ktheu.
Unë e kuptova se nuk nuk pranuam të vendosim marrëdhënie me qeverinë komuniste, presim sa të bjerë dominoja e fundit.
Alia, dhurata për oficerët amerikanë
Pitarka kujton se amerikanët i bënë një sigurim të përsosur Alisë dhe ai u detyrua t’i falenderonte në aeroportin “Logan” të Bostonit. Iu tha” Ju i jepni nder vendit tuaj me këto që bëni”-dhe u dha dy dhurata, njërit Skënderbeun mbi kalë, punim me filigram, tjetrit diçka më të vogël. Ai me gradë më të lartë tha se i vinte keq, por nuk mund t’i merrnin dot dhuratat. “Unë u thashë se presidenti do të ofendohej po të mos i merrnin. Limuzinën nuk na e dhanë, por morën makinën time, një “Linkoln Taun”, ku hipte presidenti, unë dhe shoqëruesi, ndërsa në makinën e dytë vinte Reizi më të tjerë”.
Pitarka thotë se nuk është e vërtetë se Ramiz Alia ka qenë i veshur me antiplumb gjatë kohës që kryente vizitat. “Thanë madje se ma lanë mua pastaj, por unë nuk kam parë në jetën time një jelek antiplumb. Kur ia thashë këtë Eqerem Gaxhollit, që ishte shef i sigurimit në mision më tha se ia kishte dhënë njëri nga shqiptarët, por unë i thashë se nuk më kishte thënë gjë mua. Nëse do të kishte ndonjë skandal, siç mund t’i themi sot kur pati edhe shqetësime ishte se një mëngjes, kur rojet e sigurisë shkuan poshtë, dhe lanë dy roje të tjera shqiptare, që po bënin muhabet, dy vorioepirotë futën trakte poshtë derës dhe u bë problem, sepse thanë se kur kanë hyrë deri këtu s’qenka i sigurtë as presidenti. Vorioepirotët ndërkohë po bënin demonstratë para hotelit Plaza dhe arritën të futen vetë apo me të tjerë. Traktet thonin se kur Shqipëria do të lirojë VorioEpirin dhe bënin thirrje për të çliruar atë. Në fakt lobi grek ishte shumë aktiv. Në fakt kur u bë fjalë se sekretari i përgjithshëm i OKB-së do të vinte në Shqipëri, lobi grek dhe ai jugosllav filluan luftën madje deshën të përdornin edhe lobin çifut dhe të influenconin te amerikanët”-kujton Pitarka.
Si të bisedosh me amerikanët
Unë i njoh shumë mirë amerikanët se kam punuar shumë me ta. Jo vetëm nga bisedimet për rivendosjen e marrëdhënieve, jo vetëm nga studimi që i kam bërë unë Departamentit të Shtetit dhe praktikave të tij, apo ndjekjes së politikës së jashtme amerikane. Gjatë misionit të OKB-së, kur më dërgoi Kofi Anan, në Saharanë Perëndimore, kam patur tre herë drejtues themelorë, ish-zv.ministra të jashtëm të Departamentit të Shtetit, që ishin përfaqësues të interesave amerikane në atë shtet liliput. Xhim Bejkeri i madh, që do ta quaja një nga presidentët e mëdhenj të dipomacisë amerikane, që punoi me Marokun, Algjerinë dhe Mauritaninë për interesat e SHBA-ve. Amerikani nuk mund ta pranojë që ti t’i thuash se je dakort me të për të gjitha. Ai do që qoftë si person ka ambicien pozitive që ta arrijë me aftëesi dhe punën e tij. Dhe jo si vasal. Unë e kam dëgjuar edhe në Departamentin e Shtetit se Shqipëria nuk është vend vasal dhe nuk është protektorat i Amerikës. Amerikanët nuk duan që tu jargavitesh, dhe unë mendoj se ne u jargavitemi shumë. Sepse pastaj nuk ka vlerë qenia e Shqipërisë si shtet aleat dhe i rëndësishëm i SHBA në Ballkan. Këtë duhet ta pranojmë, sepse nuk na duan se jemi simpatikë dhe me sy të bukur. Shqipëria ka një rëndësi strategjike në Ballkanin, që është barku i butë i Europës.
Politika janë i dëgjon kaq shumë ndërkombëtarët, sepse ka humbur mbështetjen në popull dhe ambasadorët e disa vendeve kryesore, që kanë disa detyra specifike. Nuk është ky mandati i një ambasadori. Ai ka për detyrë të zhvillojë marrëdhëniet bilaterale. OBSE, marrëdhëniet e sigurimit dhe të bashkëpunimit, ODIHR-i ka për detyrë të vrojtojë zgjedhjet, ndërsa BE-ja është një qeveri ndërkombëtare. Ajo duhet të kishte pranuar në gjirin e vet vendet e Ballkanit për të parandaluar luftën. Pse, kur u futën në BE Greqia dhe Portugalia ishin gati? Madje ishin shumë të varfëra, sidomos Greqia që ishte copë-copë. Europa ishte shumë e dobët, por u bë një plan “Marshall”, bile edhe çmontimi i industrisë gjermane bëri të mundur një zhvillim paraprak sepse ato u morën dhe u çuan në Francë, Holandë, apo amerikë përveç inteligjencës. Ndaj unë pyes, pse të mos ketë një plan “Marshall” për Ballkanin, madje është shumë i vonuar. Në 21 vjet, nëse ndihma do të ishte kanalizuar siç duhet, ne sot do të kishim punëra për më shumë popullatë, sepse jemi popull i vogël dhe nuk do të kishim nevojë të emigronim. Do të thuash se ka korrupsion, ka edhe larje parash, por ato para nuk janë hedhur për qëllime produktive.
Arben Rrozhani