Publikuar me : 12.12.2011 Ne :
Ekonomi dhe Biznes - 59 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Emirjon Senja
Qeveria lajmëron dështimin e amnistisë fiskale, kur kanë mbetur tre javë nga afati limit i aplikimit të ligjit, nga i cili presupozohej se do të përfitonte biznesi dhe individët. Ministri i Financave, Ridvan Bode deklaroi dje, se ecuria me ligjin e faljes nuk ishte ajo që pritej duke lajmëruar kështu dështimin e një nisme tepër ambicioze të qeverisë. Në fjalën e tij, Bode fajësoi marketimin e keq që sipas tij iu bë këtij ligji si dhe kundërshtimin e opozitës. “Pritej që numri të ishte edhe më i madh, duket se propaganda e këtij procesi nuk u zhvillua si duhet. Kanë qenë më simbolike të ardhurat e përfituara nga amnistia në sektorët e tjerë. Nisur nga situata në të cilën u votua kjo amnisti, nisur nga konfliki politik, nga kundërshtimi i Partisë Socialiste, ajo nuk arriti maksimumin e objektivit, por çliroi biznesin dhe qytetarët”, – tha Bode. Qeveria pret që deri në fund të vitit të çlirohen rreth 40 miliardë lekë nga biznesi, ndërkohë që sipas ministrit pjesa kryesore e vëmendjes së individëve ka qenë tek rivlerësimi i apartamenteve kundrejt pagesës së një tatimi 1 për qind të diferencës midis çmimit fillestar dhe atij që del pas rivlerësimit.
Të dhënat e ofruara gjatë muajve të fundit mbi ecurinë e amnistisë fiskale nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por edhe nga zëvendës ministri i Financave Alfred Rushaj, konfirmojnë një interes minimal nga ana e biznesit. Përfituesit më të mëdhenj të amnistisë fiskale ishin ata që kishin makina me targa të huaja, të cilët u dynden për të paguar gjysmën e doganës për të përfituar gjysmën tjetër. Krahas kësaj, “ofertën” e bërë nga qeveria për rivlerësim të pasurisë, deri në fund të muajit tetor, preferuan t’a shfrytëzonin rreth 4 mijë individë duke bërë që shuma e pasurisë së rivlerësuar të arrijë në rreth 30 miliardë lekë kundrejt 14 milionë lekëve pasuri të rivlerësuar nga bizneset.
Ligji i miratuar me 74 vota në prill, parashikonte faljen e një serë detyrimesh të prapambetura, gjobat apo kamatëvonesat e bizneseve, rivlerësimin e aseteve, deklarimin e të ardhurave, etj. Drafti parashikonte faljen e detyrimeve të papaguara, të evidentuara deri më datë 31 dhjetor 2008 në regjistrat e administratës tatimore. Detyrimet për vitin 2009 faleshin me kushtin që biznesi të paguante 30 për qind të principalit. Faleshin edhe 50 për qind e detyrimeve, nëse biznesi paguante gjysmën tjetër të principalit. Bizneset dhe individët kishin të drejtë që të legalizonin çdo shumë monetare të padeklaruar, kundrejt pagesës së tarifës prej 3 për qind. Ligji parashikonte edhe një serë lehtësish për bizneset e vogla, siç janë falja e detyrimeve të papaguara deri në fund të 2010-s apo falja e gjobave për kasat fiskale nëse ato i kanë vendosur deri më 28 shkurt 2011, etj. Afati i fundit për përfitimin nga falja është data 31 dhjetor e këtij viti, por deri atëherë ka mbetur shumë pak kohë, sidomos për të përfituar bizneset, pasi procedurat për ta janë shumë më komplekse se sa për individët.
Bizneset: Ja pse nuk funksionoi falja
Mos përmbushja e qëllimit të ligjit të faljes ishte parashikuar nga përfaqësues të ndryshëm të biznesit, që në momentin kur ai u miratua. Ata nuk ranë dakord me pika të caktuara të tij. Janë pikërisht këto “mangësi”, të cilat nuk i dhanë dhe nxitje biznesit për të qenë entuziast për të përfituar nga ligji. Gjatë diskutimit të ligjit, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, kërkoi më shumë siguri nga qeveria se biznesit të cilat do të deklarojnë detyrimet e papaguara nuk do të ishin në shënjestër të hakmarrjes së organeve tatimore. Përkundër kësaj kërkese, ministri Bode u dha siguri të plotë bizneseve në këtë drejtim, por duket se kjo nuk ka mjaftuar nëse shohim shifrat e deklarimit të bizneseve.
Krahas kësaj, bizneset shpjegojnë se nuk ka pasur një skemë të qartë të tatimeve për të administruar këtë proces. “Mua me ka ardhur në zyrë vetëm një lajmërim nga tatimet se duhet të përfitoj nga falja, por nuk kam asnjë të dhënë se sa është detyrimi i papaguar dhe përfitimi që do të kem. Sigurisht që unë mund ta bëj vetë bilancin, por mjafton një mos rakordim sado i vogël i shifrave dhe më djeg duke mos përfituar nga amnistia. Duhej që tatimet të na vinin në dijeni për detyrimin që kishim. Plus kësaj, nëse bëj sot pagesën e detyrimit, tatimet nuk më lajmërojnë nëse kam përfituar ose jo nga falja”, – shpjegon administratori i një kompanie të madhe biznesi në Tiranë.
Bizneset ankohen gjithashtu edhe për procedurat e ngatërruara. Problemi kryesor i bizneseve duket se ka të bëjë edhe me nenet 19 dhe 20 të ligjit, në të cilat parashikohet falje e detyrimeve të bizneseve të mëdha. Më konkretisht, pika “c” e nenit 19 thotë: “Falen detyrimet tatimore të papaguara të tatimpaguesve, persona juridikë apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008”. Sipas tyre, ligji parashikonte faljen e të gjitha detyrimeve të papaguara, me kushtin që ato të ishin regjistruar në regjistrat e administratës tatimore deri në fund të vitit 2008. Që detyrimet të falen, duhet që tatimet të kenë bërë një kontroll tek një biznes para datës 31 dhjetor 2008 dhe t’i kenë evidentuar ato në regjistra si detyrime të papaguara. Problemi i bizneseve kishte të bënte me faktin se çfarë ndodh nëse, kontrolli ishte bërë pas datës 31 dhjetor 2008 dhe rrjedhimisht detyrimet ishin evidentuar në regjistrat e tatimeve pas kësaj dite kur është edhe limiti ligjor që lejon faljen. “Ne mund të kemi detyrime të papaguara që prej vitit 2006 apo 2007, por kontrolli tatimor është bërë në janar 2009 ku edhe janë evidentuar këto detyrime. Ligji thotë që falen vetëm ato që janë regjistruar deri në fund të vitit 2008, çfarëdo bëhet në këtë rast? Prandaj, autoritetet duhet t’a bënin më të qartë procedurën duke përcaktuar periudhën tatimore”, -vijon administratori.
Madje, procesi i faljes është shoqëruar edhe me keqkuptime duke bërë që mjaft biznese të paguajnë detyrimet sipas ligjit por të mos përfitojnë faljen, për shkak të mos rakordimit të shifrave. “Di një rast, kur një biznes pagoi 3 milionë lekë detyrime me qëllimin për të përfituar faljen, kur tatimet bënë verifikimet, doli që ai kishte harruar të përfshinte edhe një 1 mijë lekësh në bilanc, ç’ka bëri që ai të mos përfitonte edhe pse pagoi gjithë atë shumë”.
Arsyet e dështimit sipas biznesit
1-Procedurat shumë komplekse
2-Mos pasja e sigurisë që nuk do të ishin pjesë e kontrolleve të shpeshta nga tatimet pas deklarimit të të ardhurave
3-Administrata tatimore nuk u rakordua me bizneset për t’i vënë ata në dijeni për shumën e borxhit që ka secila dhe si mund të përfitojë nga falja
4-Bizneset, të cilat kanë paguar një pjesë të detyrimeve sipas përcaktimeve të bëra në ligj, nuk kanë marrë përgjigje nëse janë falur apo jo
5-Administrata tatimore nuk ka qenë bashkëpunuese në nivelin e duhur me bizneset