Publikuar me : 31.01.2012 Ne :
Kronike - 61 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Ka dështuar seanca gjyqësore në ngarkim të shtetasit Admir Tafili , e parashikuar të zhvillohej të martën në Gjykatën e Shkallës së Parë në Shkodër. Mosprania e dëshmitarëve ka bërë që seanca e rradhës të mos zhvillohet dhe kryetari i trupit gjykues, Ken Dhima, ta shtyjë atë për një ditë tjetër. Admir Tafili i cili vuan dënimin e dhënë prej 22- vitesh në burgun e sigurisë së lartë, pas arratisjes së tij në tetor 2010, tashmë përballet dhe me akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese të dy vëllezërve Gjovalin e Nik Pjetrushi, 43 dhe 25 vjeç në fshatin Grudë e Re.
Kjo vrasje është kryer për hakmarrje më 18 mars 2011, ditë në të cilën policia bëri ndalimin e tij disa orë pas kryerjes së krimit.Vetë i akuzuari nuk ka qenë i pranishëm në seancat gjyqësore duke u përfaqësuar nga avokati dhe si shkak i mosparaqitjes ka qënë siguria e të akuzuarit. Në seancën e ardhshme pritet të dëshmojnë familjarët e vellezërve Pjetrushi, të cilët mbeten të vrarë pasi u qëlluan në pritë nga Admir Tafili.
Në sencat e mëparshme, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ken Dhima ka refuzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar, ndërsa avokati mbrojtës ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, kërkesë kjo e refuzuar. Përveç familjarëve të dy viktimave, në seancën e ardhshme pritet të dëshmojë dhe një person i cili më 18 mars 2011 ka qenë pranë vendit të krimit. Admir Tafili, gjatë një leje disa orëshe u arratis nga burgu ku vuante dënimin për plagosje dhe kreu vrasjen e dy vëllezërve për hakmarrjen ndaj vrasjes së babait.
Pas marrjes në pyetje në polici, ai pranoi autorësinë e vrasjes se dyfishtë dhe deklaroi se e ka bërë për hakmarrje. Admir Tafili përballet dhe me akuzën e arratisjes, pasi në tetor të vitit 2010-të, ai u arratis nga burgu duke mos respektuar lejen e dhënë. (Anila Dushi)