Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Dhimiter Shuteriqi Liria dhe roberia e profileve te castit

Publikuar me : 12.10.2011 Ne : Kulture - 57 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Albumi me 140 portrete vizatime e skica në laps e penë nga Dhimitër S. Shuteriqi, është një total memec që nuk jep më shumë informacion se të dhënat e përgjithshme të nënshkrimit të autorit. Ai shënon emrin e personit në portret, profesionin e tij dhe datën e realizimit që mund të ketë ndodhur gjatë një takimi, pushimi apo vëzhgimi të tipareve të tjetrit.

Ekspozita në mjediset e Tirana Ekspres në magazinat e stacionit hekurudhor në kryeqytet, nuk është një koleksion veprash arti. Është një bashkim kohësh e vendesh që fshihen në anën tjetër të profileve të personazheve që ka kapur Dhimitër Shuteriqi (1915-2003). Ne nuk mund t’i shohim as kohët e as vendet, por nëpërmjet të dhënave biografike mbi Shuteriqin mund të ndjejmë atë pak lëvizje që ka turbulluar nganjëherë dorën e autorit e cila ruan të njëjtin karakter sjelljeje kundrejt personazheve.

Portretet çojnë në dy kohë dhe në dy hapësira gjeografike si hapësira kulturore. Janë dy periudhat më të rëndësishme në jetën e Shuteriqit: formimi si intelektual në Perëndim dhe drejtimi i institucionit të propagandës së Partisë së Punës.

E para i përket periudhës së studimeve për filozofi e drejtësi në Grënobl, fundi i viteve tridhjetë. Shkonte aty nga Liceu Francez i Korçës ku kishte patur mësues të lëndës së vizatimit piktorin më të rëndësishëm shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX, Vangjush Mio. Kultura fillestare e vizatimit u bashkua me klimën e muzeve, galerive, mjediseve të artit që frekuentoi në Francë. Më 1935 kishte botuar në Korçë “Kangët e rinisë së parë” një poezi thellësisht e frymëzuar nga simbolistët francezë, e njohur si periudha e poezive baudelaire-iane në krijimtarinë e Shuteriqit, të cilës i dha krejt tjetër rrjedhë në Shqipëri.

Vizatimet e viteve 1937-’38 janë portrete miqsh studentë, njerëz të kulturës. Ato ndjekin linjën e thjeshtë realiste të tipareve njerëzore shfaqin edhe tendenca kubiste. Madje për ftesën ekspozitës është përdorur një portret i kësaj natyre si për ta identifikuar portretin e Shuteriqit me këtë fazë “kërkimi” e frymëzimi që mori fund me kthimin në atdhe, në vitin ’42, pas qëndrimit në një kamp emigrantësh.

Periudha e dytë e portreteve është një zhvendosje brenda për brenda oborrit të Lidhjes së Shkrimtarëve prej vitit 1953 kur Shuteriqi erdhi në krye dhe sapo kishte botuar vëllimin I të romanit “Çlirimtarët”, që u konsiderua për 40 vjet si romani i parë i letërsisë shqipe të realizmit socialist.

Ka skicuar Mark Ndojën sekretari i LSH i akuzuar për krijimin e një fraksioni letrar bashkë me Kasëm Trebeshinën e Mehmet Myftiun. Profilet e poetit Ali Asllani, aktorit Mihal Popi, përkthyesit e dramaturgut Spiro Çomora, piktorit Nexhmedin Zajmi, e punonjësit shkencor Milto Sotir Gurra, sopranoja Marije Paluca Kraja, patriotja Parashqevi Qirjazi, janë ndërmjet viteve 1945-’60. Organizatorin e lëvizjes komuniste në Shqipëri, Koço Tashkon e ka skicuar në Pragë në vitin 1958.

Bëjnë një përjashtim për mprehtësinë e tipareve që karakterizojnë portretet e malësorëve, luftëtarëve me Dedë Gjolulin e Bajram Currin të cilët autori i ka takuar gjatë udhëtimeve në Veri.

Deri në tetëdhjetën portretet duken njëlloj, më afër karikaturës: Sali Shijaku e Skënder Kamberi, Sterjo Spasse e Ismail Kadare, Çesk Zadeja e Baki Kongoli me dy kokë. Portreti i Adelina Mamaqit, nga të paktët portretet femërore në ekspozitës është realizuar në trajtën e një çelësi muzikor. Janë portretet e Lasgush Poradecit të cilit në vitet e rinisë, Shuteriqi i pati kushtuar një poezi, e të Skënder Luarasit me të cilin kishte patur polemikë për botimin e veprës së Migjenit.

Më 1973 u shkarkua nga Lidhja për liberalizëm. Po vinte Plenumi IV. Shuteriqi kaloi dhjetë vjet izolimi, nuk shfaqej dhe nuk ftohej në rrethet e artistëve. Ismail Kadare e përshkruan rënien e Shuteriqit, ndoshta i vetmi profil i tiji letrar, në romanin  “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje”.

Shuteriqi vetë do të flasë për të gjitha këto që ekspozita e portreteve i sugjeron përciptazi, nëse do të botohen kujtimet të cilat ai i plotësoi deri në ditët e fundit.

  Për herë të parë e të fundit portreti i Shuteriqit u skicua në romanin e shkurtër të Ismail Kadaresë, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë, përballë pasqyrës së një gruaje”

 

Një epokë

Bereta e zezë gaskonje dhe llulla e shuar në syprinën e tryezës, ishte një shenjë pritje në zyrën e Kryetarit të Lidhjes. Pas mbledhjes me shkrimtarët të Plenumit IV, ku merrte pjesë gruaja e Udhëheqësit, pritej “qarkullimi”. Në ç’provincë a minierë do të degdiseshin ata mbi të cilët rëndonte turpi i mbylljes në guaskë dhe borgjezimi i jetës.

Për të rrokur një histori 50-vjeçare, mjafton ndonjëherë një ditë, një ngjarje, një njeri, një shtëpi, apo qoftë edhe një Lidhje. Për të mësuar se ç’ndodhte në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë, Ismail Kadare në romanin e shkurtër “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve përballë pasqyrës së një gruaje”, qëndron në furtunën para dhe pas Plenumit që goditi intelektualët shqiptarë, që i largoi nga kryeqyteti, nga tempull i përdhosur sy për sy Sigurimit, nga jeta dhe arti që kishte filluar të pësonte shkarje, për t’i hedhur atje ku jetonin masat, për të rregulluar gabimet e mëkatet, për t’u bërë të mbarë e të shtruar me kthimin në Tiranë.

Ishte fundi i karrierës 24-vjeçare edhe për kryetarin e Lidhjes. Kadare përshkruan tek “Përballë pasqyrës së një gruaje”, Dhimitër Shuteriqin prej ditës kur kishin pirë kafenë e njohjes së tyre, deri në lajmin e qarkullimit të shkrimtarëve. “Që midis nesh do të kishte një pengesë afrimi, unë e kisha ndjerë qysh në takimin e parë, kur ai më kishte ftuar të pinim bashkë një kafe, siç bënte shpesh me rishtarët që fillonin punën në Lidhjen e Shkrimtarëve”, shkruan Kadare, në kapitullin kushtuar kryetarit, që edhe pse nuk e përmend asnjëherë me emër, ai është Shuteriqi.

Pas viteve ‘90-të janë hapur shpesh debate në shtypin e shkruar për misionin e Lidhjes së Shkrimtarëve nën diktaturë. Debate për hapjen e dosjeve, që sipas atyre që e kërkonin këtë do të dilte në shesh inkriminimi i drejtpërdrejtë i Lidhjes me regjimin e Hoxhës. Dyshimet binin mbi këdo, edhe mbi ata që bënin tifozin pa iu dridhur syri dhe të bindur se emrat e tyre si bashkëpunëtor nuk do të figuronin në asnjë dosjezezë. Ditën kur Kryetari iu transmeton shkrimtarëve të rinj, mes tyre të riut Kadare, atë ditë kur qeskat poshtë syve i vareshin më shumë se kurrë, duke iu thënë se tani iu kishte ardhur radha e qarkullimit edhe “atyre të shtëpisë”, edhe kryetarit vetë, Kadare shkruan: “Po vrisja mendjen të gjeja përse i isha shmangur afrimit me këtë njeri. Kishte mbaruar studimet në Francë në vitet ’30, vishej gjithnjë bukur dhe veç një berete gaskonje, që e vinte shpesh, e mbante llullën njëlloj si shkrimtarët francezë, që i kishim parë në fotografi. Të gjitha këto më pëlqenin, madje dy javë më parë, në një nga përfytyrimet e vajtjes tek Margarita, kisha menduar se sa me ëndje, do t’ia kisha kërkuar hua atë beretë e atë llullë për mbrëmjen e parë, atë të njohjes me M.”

 

Një nga pikat e dobëta për kryetarin ishte Franca, fakti që kishin të bënin me një kryetar që kishte studiuar në Francën borgjeze. 

Por Kadare e çon deri në fund portretin e tij, në rrjedhë logjike. Franca ishte vendi i studimeve të udhëheqësit. Kështu që ai që e përdori për argument këtë gjë, kishte rrezik të thyente qafën për vete.


Ja ku ishin përballë, Shuteriqi e Kadare. Çfarë i bënte të moskuptueshëm. Ai një kryetar që para se t’i nxinte goja emrat e atyre që do të qarkullonin, numëronte veset dhe mëkatet e shkrimtarëve: pijanecë, kurvarë, homoseksualë, rrufjanë moralë e politikë, kurmarxhinj, nostalgjikë, mistikë, hermetikë. Një njeri që vinte nga trevat e perëndimit nga ku nuk do të kthehej më asnjëherë, për t’iu përshtatur Lindjes. Kurse shkrimtari vinte nga Lindja, nga Leningradi, me dëshirën drejt perëndimit. “Ne po kryqëzoheshim të dy në këtë vend që quhej Shqipëri. Por kishim të dy shenja dhe kahe të kundërta. Në këtë udhëkryq dukej sikur secili i thoshte tjetrit: ku kërkon të shkosh, o i gjorë? Ai më prishte mua një ëndërr dhe unë bëja, me sa duket të njëjtën gjë. Ndaj e kishim vështirë të merreshim vesh.”

Edhe disa vjet Shuteriqi i shtyu në krye të Lidhjes. Më ’73 u shkarkua.

 

 

Biografi

Dhimitër S. Shuteriqi u lind në Elbasan më 1915. Ndoqi Liceun Francez të Korçës dhe në vitet ’30 studion në Francë në Universitetin e Grënoblit për filozofi dhe drejtësi. Në vitet 1953-’73 është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Shkruan romanin “Çlirimtarët” në dy vëllime, 1952-’55, “Fyelli i Marsiasit” 1965, “Gjashtëdhjetë tregime në një” 1981, romanin “Sytë e Simonidës” 1998, monografi për Naim Frashërin, studime për folklorin dhe për shkrimet e vjetra shqipe.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 65 here.
Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP“Proces 2012” është ekspozita që çelet sot në orën 11:00 në Galerinë FAP. Më punime të realizuara nga studentët e Atelierit të Tekstilit dhe të Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve në Tiranë.   Lexo te gjithe artikullin »


» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor
» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit