Publikuar me : 07.12.2011 Ne :
Sport - 83 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
Dy ditë pas incidenteve të rënda të ndodhura në fushën e stadiumit të Laçit, kur u dhunua arbitri i ndeshjes, Lorenc Jemini, nga një numër i madh personash, tifozë dhe drejtues të klubit të futbollit të Laçit, policia arrestoi dje, zv.presidentin e Laçit, Dodë Laska dhe zv.trajnerin Ardian Laska. Lajmi u bë i ditur për “Shekulli”-n nga burime të policisë së Laçit.
Veç tyre, blutë shoqëruan në ambientet e tyre së paku 9 persona, të cilët janë pyetur në cilësinë e dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Të dy të arrestuarit akuzohen për goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe e qetësisë, mosbindje ndaj urdhërit të policisë. Burimet thanë se kanë kërkuar marrjen e një kallëzimi apo deklarimi nga arbitri i ndeshjes Lorenc Jemini, por sipas tyre ai ka refuzuar në mënyrë kategorike.
“Kam bërë një gjyq tre vite rresht me Albert Xhanin duke shkuar thuajse javë për javë në Durrës dhe nuk dua të merrem fare me këtë çështje”, ka thënë arbitri Lorenc Jemini, sipas policisë. Ky i fundit mësohet se ka marrë një plagë serioze në sy.
Burimet e policisë së Kurbinit, thanë dje për “Shekullin” se veprimet e tyre do të vazhdojnë më tej, me hetime shtesë duke kërkuar deklarime nga persona që mund të kenë dijeni mbi rrethanat e hetimit. Policia tha se do të merren pamjet filmike të televizioneve të ndryshme, për të identifikuar autorët e dyshuar të uzurpimit të fushës së futbollit gjatë kohës së zhvillimit të ndeshjes.