Publikuar me : 28.09.2011 Ne :
Kronike - 70 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Dashamir Biçaku
Është djegur pranë Prokurorisë së Përgjithshme autovetura e nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Tavo. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në kryeqytet, në rrugën “Qemal Stafa”, jo shumë larg godinës së institucionit qëndror të akuzës, por nuk ka patur komunikatë policie për të. Vetura e markës “Range Rover” e një prej tre nënkryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ka marë flakë në mënyrë të papritur gjatë natës.
Një mjet zjarrfikës ka shuar flakët që kishin përfshirë automjetin. Policia e kryeqytetit, megjithëse mbërriti në vendin e ngjarjes menjëherë pas konstatimit të rastit, nuk e ka bërë publik ngjarjen. Të pyetur mbrëmë nga Shekulli, Drejtoria e Policisë në Tiranë ka pranuar ngjarjen dhe ka thënë se është marrë në pyetje edhe vetë z.Tavo por ai nuk ka shfaqur ndonjë pretendim. Sipas policisë së Tiranës, “ngjarja mund të jetë aksidentale, por ata e kanë referuar dosjen përkatëse në prokurorinë e Tiranës, për hetime të mëtejshme”.