Publikuar me : 26.12.2011 Ne :
Kulture - 25 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Gjaku i poetit foto nga filmi i pare i Jean Cocteau
Elsa Demo
Gjatë tre muajve të fundit Drejtoria e Librit dhe zyra e shtypit e Ministrisë së Kulturës nuk i përgjigjen kërkesës së “Shekullit” për t’u informuar mbi Çmimet Kombëtare të Letërsisë, jurinë, autorët në konkurrim.
Prej vitit 1995 MTKRS organizon një konkurs kombëtar në fushën e krijimtarisë letrare i cili jep çmime për krijimet në poezi, prozë, studime dhe kritikë letrare, letërsi për fëmijë, një çmim për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaja dhe anasjelltas dhe një çmim për karrierën. Dhënia e këtyre çmimeve llogaritet në politikat e qeverisë nëpërmjet ministrisë përkatëse, për kulturën e shkruar, e cila herë quhet “ndihmë”, herë “ndërhyrje e shtetit” dhe herë “strategji”.
Njihet nga të gjithë problematika për këto çmime për të cilat flitet pas të vjelave. Një juri që ngrihet në dy muajt e fundit; pesë anëtarë brenda kësaj kohe duhet të shqyrtojnë 1600 tituj të rinj, ndoshta dhe më shumë, që botohen në një vit (sipas raportit të fundit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, e përafërt me shifrën vjetore që deklaron Biblioteka Kombëtare për hyrjet e reja vjetore).
Organizimi i këtyre çmimeve gjithnjë lë dyshime për mënyrën si zgjidhet juria pranë Ministrisë, si procedohet në një kohë shumë të shkurtër dhe sigurisht kontestohen fituesit, qoftë në aspektin e nivelit të veprave qoftë për lidhjet miqësore e influente me jurinë dhe pushtetin.
Jemi në fund të dhjetorit, çmimet si zakonisht jepen në fund të janarit të vitit të ardhshëm dhe Ministria nuk ka shpallur jurinë dhe informacione të nevojshme.
“Nuk mendoj që thelbi i punës së ministrisë janë çmimet. Çmimet mund të kompensojnë bursat për shkrimtarët. Në vend që të japim bursa, japim një çmim vjetor. Janë dhjetë çmime që mund të konsiderohen 10 bursa.” Është përgjigjja e ministrit të Kulturës Aldo Bumçi, para dy javëve në takimin për përmirësimin e lexueshmërisë në vend. Shumë nga të pranishmit në atë takim shprehën shqetësimin se çmimet
janë kapur nga klane letrare dhe njerëzish që kanë edhe pushtet politik dhe i bënë të ditur ministrit se opinioni publik nuk mund të trajtohet më si i verbër: juria deklaron vetëm rezultatin final, kur së paku një dhjetëshe kandidatësh për çdo kategori çmimesh e ka detyrim ta bëjë transparent.
Kjo mbyllje dëmton edhe fituesit. Sepse askush nuk e shikon kurorëzimin e më të mirëve si pjesë të promocioni të autorëve shqiptarë apo të veprave më të mira të letërsisë bashkëkohore.
Dëshpërimi që vjen nga fjalët e ministrit të Kulturës ka të bëjë me mosnjohjen e tij dhe të stafit të tij që fle gjumë dhe paguhet për librin, sepse edhe Çmimet Kombëtare të Letërsisë janë të lidhura me iniciativat që ministri Bumçi ëndërron të zbatojë për përmirësimin e lexueshmërisë, janë pasoja të tregut të librit, shpërndarjes, veprimtarisë ilegale në këtë treg, të pandara nga problemet e të drejtës së autorit dhe veprimtarisë ilegale të botuesve me tirazhet fantazma në dëm të autorit.
Dilet nga ky qorrsokak?
Autorë, përkthyes, botues, konkurrentë apo indiferentë ndaj çmimeve, shprehin në faqet e gazetës “Shekulli” rezervat dhe sugjerimet së pari mbi mungesën e transparencës. Në thelb ajo që e bën të kotë këtë çmim është moskomunikimi i letërsisë me lexuesin në një treg informal.
Konkursi që fabrikon shkrimtarë
Flutura Açka
Prej vitesh Çmimet Letrare Kombëtare e kanë humbur besueshmërinë e tyre, madje ndonjëherë janë bërë edhe qesharake. Do të jetë shumë e vështirë t’i rikthehet autoriteti, pasi në situatën që janë tani, përveç klanizimit të skajshëm që u bëjnë letrave shqipe, frymës politike që vesh peizazhin e tyre, kanë bërë një dëm të madh e të pariparueshëm, shpeshherë. Juri të dyshimta, të ngritura mbi rrethe miqësie e politike, me anëtarë me CV letrare e profesionale jobindëse, jo vetëm që s’kanë zbuluar talente (një nga detyrimet e këtyre çmimeve), por kanë fabrikuar shkrimtarë. Askush nuk kandiset ta blejë veprën e vlerësuar, aq thellë bren dyshimi për juri të tilla. Një çmim letrar duhet të jetë një ngjarje kombëtare ku të gjithë duhet të festojnë pasi janë të bindur se kanë vlerësuar të duhurin. Por kush e gjen të duhurin, kur veprat as lexohen fare, ju siguroj, as lexohen fare. Mua më ka ndodhur që disa miq të mi më kanë uruar për ndonjë vepër timen, shumë kohë pas atij viti kur vepra ime ka qenë në konkurrim dhe ai (ose ajo) ka qenë në jurinë për çmimet letrare të atij viti. Është kaq e shëmtuar kjo! Juri të çmimeve të tilla duhet të ngrihen vetëm me kritikë autoritarë (nga të cilët kemi fare pak), të cilët duhet të paguhen mirë dhe të mbajnë përgjegjësi, një juri që të punojë me kohë dhe të seleksionojë paraprakisht vepra dhe të argumentojë se përse e jep çmimin. Këto ditë iu dha këtu në Holandë Çmimi Letrar Kombëtar për këtë vit një poeti të një province të largët, emrin e tij, Tonnus Oosterhoff, nuk e njihnin dhe aq shumë lexues, por kritika e kishte veçuar si një fenomen që nuk duhej t’i shpëtonte syrit të saj. Ajo është një kritikë patriote, dhe këtë fjalë e them në kuptimin e saj të parë, jo siç e kemi shpërdoruar ne shqiptarët. Ngaqë nuk e kemi ndjeshmërinë ta trajtojmë talentin si pasuri kombëtare, ne e shpërfillim pa e vlerësuar dhe duke e sfiduar shpesh me mediokritet, të tillë që nuk mund të konkurrojë dot as brenda gardhit të “provincës” së vet mentale.
Utrech, Holandë
Mimoza Hysa: Juri me një votim të gjerë specialistësh
Është e pafalshme që ende nuk është përcaktuar juria, dhe sugjerimi im do të ishte për një juri që angazhon në një votim të gjerë specialistët dhe të interesuarit e fushës, siç ndodh në rastin e Çmimit Strega në Itali, po që ka pas gjasa të bëhet tek ne. A ia vlen të japësh sugjerime, lind pyetja? Sepse tek ne nuk lexohet çfarë shkruan por me kë je dhe kundër kujt je… si në luftë. Dhe në këtë periudhë, për shumë arsye më duket vetja një ushtar në lirim.
Lista e kandidatëve të shpallet dy muaj para
Alket Çani
Çmimet kombëtare të letërsisë nuk përfshihen, ç’është e vërteta, në sferën time të interesave kulturore dhe kureshtive të përgjithshme. Megjithatë, për t’iu përgjigjur apelit dhe shqetësimit tuaj të drejtë, jam i mendimit se ndoshta do të ishte më e udhës që, në respekt të publikut dhe të lexuesve, të shpallej, të paktën një ose dy muaj para datës së dhënies së çmimeve, një listë me kandidatët apo pretendentët kryesorë. Në këtë mënyrë do të shkurtohej, deri në njëfarë mase, edhe kohëzgjatja e ankthit që mund të ketë pushtuar pretenduesit.
Për sa i përket jurisë, ndoshta është menduar që kjo të mbahet e fshehtë për ta ruajtur nga ndërhyrjet. Uroj më mirë të jetë kështu, sesa sikur krijimi i saj të jetë lënë për ditën e fundit. Gjykimi i shëndoshë e do që juria t’i lexojë veprat para se të marrë vendimet për çmimet. Sidoqoftë, – e që të vijmë tani tek çështja e kundërshtimeve -, vendime të tilla janë gjithmonë subjektive dhe varen nga kontekste të caktuara. Për rrjedhojë, do të ketë gjithmonë kundërshtime dhe pakënaqësi. Sidomos nga ana e atyre, të cilëve nuk do t’u jepet çmim. E them këtë sepse do të preferoja që kundërshtimet dhe pakënaqësitë të vinin, ndonjëherë, edhe nga vetë fituesit e çmimeve. E, veçanërisht, nga fituesit e përsëritur. (Por e di që kjo është një utopi.)
Nga ana tjetër, fakti që vendimet janë subjektive nuk do të thotë medoemos që janë të padrejta. Veç kësaj, nocionet “e drejtë” dhe “e padrejtë” janë nocione të vagullta, që përcaktohen përgjithësisht nga vullneti i subjekteve apo nga moda e çastit. Nga kjo pikëpamje, dhe më konkretisht, nëse ke pranuar të bëhesh pjesë e këtij lloj sistemi çmimesh letrare, duhet të pranosh edhe vendimin e jurisë. Më lejoni të kujtoj këtu se të njëjtët njerëz që mund të kundërshtojnë çmimet kur janë humbës, do t’i pranonin me kënaqësi ato në rast se do të ishin fitues.
Personalisht jam kundër vlerësimit të veprave letrare me çmime dhe, në përgjithësi, kundër çdo lloj forme gare dhe konkurrimi në fushën e artit dhe letërsisë. Por kjo është një çështje tjetër.
Juritë nën ndikimin e miqësive dhe politikës
Donika Omari
Problemi që ngrihet nuk është thjesht institucional, është së pari e mbi të gjitha problem shoqëror. Difektet që vihen re në dhënien e Çmimit Kombëtar të Letërsisë janë difekte të shoqërisë shqiptare në tërësi: mungesë serioziteti, mungesë impenjimi, mungesë reagimi ndaj shkeljes së rregullave dhe mungesës së transparencës. Në rastin e jurive letrare, dhe aspak vetëm në këtë rast, shtohet ndërhyrja e faktorëve jashtëletrarë, ndikimi i miqësive dhe i politikës.
Kështu kanë funksionuar juritë në kohën e diktaturës, kështu funksionojnë edhe në qeveritë e ndryshme të kohës së demokracisë. Veprat madje as që lexohen. Kam qenë pjesëmarrëse në një juri letrare në kohën e regjimit monist. Juria përbëhej prej pesë anëtarësh. Kritiku letrar Xh.Abazi dhe unë e kishim marrë punën seriozisht, dhe kaluam me sa mbaj mend afërsisht nja dy muaj vetëm duke lexuar veprat e paraqitura, duke u shkëputur nga punët e tjera. Mundim i kotë. Tri anëtarët e tjerë, me një marrëveshje të heshtur, e kishin të qartë qysh më parë cila vepër duhej të fitonte: një novelë fare e dobët e skematike e Sh. Musarajt, sepse atë e kishte pëlqyer kryeministri, M.Shehu. Megjithëse ky, siç ishte shprehur vetë, nuk e kishte lexuar deri në fund!
Nuk kam parë ndonjë ndryshim të madh në procedurat dhe në impenjimin e anëtarëve të nja dy jurive letrare ku përsëri kam qenë anëtare, tani në kohë demokracie. Shpesh vota jepet pa i diskutuar veprat, ose me diskutime të nja dy pjesëmarrësve, se pjesa tjetër s’ka marrë mundimin “të harxhojë kohë” duke lexuar punë të të tjerëve. Ose e ka ndarë mendjen qysh në fillim se kush duhet ta meritojë çmimin, përcaktuar ky parapëlqim nga miqësitë ose nga politika. Duke shkelur madje edhe ndonjë rregull të përcaktuar.
Një juri me anëtarë të përkushtuar dhe me interes për letërsinë, do të nxitej vetvetiu të shkëmbente mendime, nga kureshtja për arritjet ose për mangësitë që paraqit prodhimtaria vjetore letrare e vendit. Diskutimet, shkëmbimi i mendimeve, do të vlenin si një nxitje për të shkruar pastaj lidhur me konstatimet, dhe këto shkrime do të ndihmonin për zhvillimin e kritikës letrare, pra, për orientimin e lexuesit drejt vlerave të vërteta dhe shijes së mirë.
Vetë koha e paktë në dispozicion të leximit (as dy muaj, në kohën kur duhet përballuar një prodhimtari shumë më e madhe se dikur, qoftë në fushën e krijimtarisë së mirëfilltë qoftë në atë të përkthimeve) është tregues i një mungese të madhe serioziteti në organizimin e kësaj veprimtarie. (Në Itali, për çmimin “Strega”, lihet një afat njëvjeçar, me rregulla të përcaktuara qartë e që nuk ndryshojnë sipas oreksit të njërit a tjetrit kryetar.)
Cila është zgjidhja?
Kështu siç qëndrojnë gjërat, mendoj se ato fonde që ka Ministria për kulturën është më mirë të investohen në veprimtari që ndihmojnë vërtet në zhvillime të shoqërisë e të kulturës shqiptare. Detyra kryesore e kësaj ministrie mendoj se është masivizimi në fushat që ka marrë përsipër të zhvillojë: zhvillim i turizmit masiv, së pari në trojet shqiptare. Përhapje masive e kulturës: duke ndërmarrë strategji afatshkurtra e afatgjata për të përhapur kulturën në popull në të gjithë përbërësit e saj. Po ashtu planifikime të menduara mirë për t’i krijuar rinisë tërheqje të tjera nga frekuentimi i lokaleve, kafeneve e pabeve. Masivizim i sportit. Le të kujtojmë që masivizim do të thotë tërheqje në veprimtari kulturore, sportive, letrare, artistike të masës së rinisë, dhe jo vetëm, por të çdo qytetari.
Kur të kenë fituar njerëzit ndërgjegjen dhe ngritjen e duhur, atëherë institucionet, si ato shtetërore ashtu edhe ato politike, OJQ-të, organet e masmedias, etj., e po kështu edhe juritë, nuk do ta kenë aq të lehtë të mos kuptojnë se në demokraci gjërat funksionojnë kur në bazë është puna dhe ndershmëria.