Publikuar me : 17.12.2011 Ne :
Politike - 64 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Kryebashkiaku Basha ka zgjedhur njësinë nr 5 në kryeqytet për të hapur diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2012. I nisur në minibashkinë që i dha kryetarit aktual më pak vota se gjithë të tjerat, diskutimi për projektbuxhetin pritet të shtrihet gjatë ditëve të ardhshme në të gjitha minibashkitë e kryeqytetit.
Gjatë konsultimeve me të pranishmit, Basha u shpreh se buxheti prej 70 milionë dollarësh për vitin 2012 do të përqendrohet në tre shtylla kryesore: punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura.
“Buxheti i përmbahet filozofisë së çdo qytetari. Qyteti fillon nga pragu i derës së secilit prej jush. Tre janë shtyllat kyçe në projektbuxhetin e 2012-s për Bashkinë e Tiranës: punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura”, u tha Basha të pranishmëve, duke theksuar se do të ketë transparencë në shpërndarjen e drejtë të buxhetit.
Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës është kundërshtuar nga anëtarët e majtë të Këshillit Bashkiak, të cilët e kanë cilësuar një mashtrim politik të Bashës.