Publikuar me : 08.12.2011 Ne :
Politike - 94 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Në Ditën e Rinisë, Aleanca Kuq e Zi ka zgjedhur të mos festojë, por t’u gjendet pranë të rinjve dhe fëmijëve të sëmurë duke dhuruar gjak. Në një deklaratë për mediat, përfaqësues të AK u shprehën sot se ëndrrat dhe idealet e të rinjve të viteve ’90 nuk janë realizuar ende. “Në dhjetor 1990 e donim Shqipërinë si gjithë Europa. Në dhjetor të 2011-s, PD e PS na lanë jashtë Europe”.
Në një tubim të organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, përfaqësues të AK thanë se në 21 vitet pas rënies së komunizmit, politika shqiptare u ka pirë gjakun të rinjve.
* * *
Sot, Dita e Rinisë
8 dhjetori është shpallur me vendim të Parlamentit si Dita Kombëtare e Rinisë, në kujtim të lëvizjes studentore të vitit 1990.
Në 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universitetit të Tiranës bojkotuan mësimin dhe nisën protestën që do të shënonte një kthesë në historinë e vendit.
Protesta e të rinjve, e cila zhvillohej për mungesën e energjisë elektrike, kushtet e ekonomike dhe jetesën e vështirë në konvikte, mori përmasa akoma më të mëdha pas dhunës së ushtruar nga pushteti komunist.
Me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, rinia e asaj kohe zhvilloi një sërë manifestimesh që u shoqëruan me kërkesën për lejimin e pluralizmit politik në vend, kërkesë që u pranua më pas nga Presidenti Ramiz Alia.
G. N / Redaksia Online