Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Do paguhet borxhi serb, nuk perfiton Kosova

Publikuar me : 28.06.2011 Ne : Ekonomi dhe Biznes - 162 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

TIRANË- Marrëveshja për shlyerjen e 8.5 milionë dollarëve borxh që Shqipëria i ka Serbisë kaloi edhe pengesën e fundit, siç është miratimi në Kuvend duke i hapur kështu votimit formal në seancë plenare. Më tepër se me shumën për të cilën bëhet fjalë, pagesa e borxhit ndaj Serbisë tërhoqi vëmendjen maksimale tw publikut për shkak të specifikës së marrëdhënieve me këtë shet, ku në mes është gjithnjë Kosova. Në total, Shqipëria do t’i shlyejë ish-vendeve të Jugosllavisë një borxh, i cili bashkë me interesat përllogaritet të shkojë në rreth 23.7 milionë dollarë. Nga këto, rreth 3 milionë dollarë përllogaritet të jenë interesat. Sipas marrëveshjes, borxhi do të ndahet midis gjashtë shteteve që kanë përbërë Jugosllavinë, si Serbia, Kroacia, Sllovenia, Bosnja, Maqedonia dhe Mali i Zi. Edhe pse gjatë periudhës në të cilën është krijuar ky borxh, Kosova ka qenë nën juridiksionin e Serbisë, ajo nuk përmendet në asnjë pikë të marrëveshjes si përfituese nga shuma totale që shteti shqiptar do t’u shlyejë këtyre vendeve. E pyetur në lidhje me këtë, specialistja e Ministrisë së Financave në Komisionin e Ekonomisë, Desdemona Aliçkaj theksoi se zgjidhja e kësaj çështje i përket Serbisë dhe Kosovës.

Vendi ynë ka pesë vjet afat për t’i paguar Serbisë borxhin total prej 8.5 milionë dollarë plus interesat. Gjatë kësaj periudhe, pagesat do të bëhen në data fikse dy herë në vit, në 31 mars dhe 30 shtator. Gjithsej, janw 10 këste të barabarta në vlerë, me interes Libor gjashtëmujor (0.5 perqind). Në rast vonese, mbi shumën që duhet paguaj do të aplikohet edhe një penalitet prej 2 perqind.

Marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe shteteve që kanë dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë për kthimin e borxhit nga vendi ynë është nënshkruar në shkurt të këtij viti. Pjesë e saj ishte edhe miratimi i shumave që vendi ynë duhet t’i paguajë secilit prej këtyre vendeve. Nga borxhi total prej 20.7 milionë dollarë, Shqipëria duhet t’i paguajë Sllovenisë 3.8 milionë dollarë, Kroacisë 5.5 milionë, Bosnjës 3.7 milionë, Malit të Zi 532 mijë dollarë dhe Serbisë rreth 8.5 milionë dollarë.

Regjimi Komunist e kishte të ndaluar me Kushtetutë marrjen e borxheve nga shtetet e tjera. Për t’i shpëtuar këtij ndalimi ligjor, autoritetet zgjidhnin një metodë tjetër, atë të shkëmbimit të mallrave me mallra. Borxhi ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë është shkaktuar kryesisht gjatë gjysmës së dytë të viteve ’80. Ndaj këtyre shteteve, Shqipëria eksportonte kryesisht minerale dhe në këmbim merrte pajisje elektroshtëpiake, si frigoriferë, lavatriçe, etj. Në fund të vitit bëhej një bilanc i këmbimeve dhe diferenca shlyhej me para. Të dhënat tregojnë se zakonisht, ishte Shqipëria ajo që dilte me deficit ndaj të tjerëve duke shkaktuar kështu edhe këtë borxh tregtar. Deri më tani, vendi ka shlyer thuajse të gjitha detyrimet e trashëguara nga regjimi komunist ndaj vendeve të këtij kampi. Në listën e shteteve që duhen shlyer ishin edhe Kuba me Korenë me të cilat ende nuk ka një marrëveshje. Vietnami nga ana tjetër, renditet në shtetet që kanë për t’i kthyer borxh Shqipërisë por të dhënat tregojnë se detyrimi është në vlera minimale.

 

* * *

“U dhamë krom, morëm frigoriferë e lavatriçe”

Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministri i Financave, aktualisht anëtar i Komisionit të Ekonomisë në Kuvend dhe një ndër ekspertët më të mirë që ka aktualisht maxhoranca, sqaron për gazetën detajet e marrëveshjes së borxhit me Serbinë menjëherë pas miratimit të saj.

Z. Shehu, sot (dje) Komisioni i Ekonomisë miratoi marrëveshjen e borxhit me Serbinë, çfarë është dhe si u krijua ky borxh ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë?

Është një borxh jo i konsiderueshëm nga përmasa i krijuar më shumë se 20 vjet më përpara, por është negociuar tani dhe sot (dje) iu bë miratimi në Kuvend. Është një borxh tregtar pasi në kohën e monizmit, marrëdhëniet mes shteteve bazoheshin mbi sistemin e kliringut, (shkëmbim mall me mall) dhe në fund të periudhës bëhej bilanci dhe kompensohej diferenca në monedhe. Bihej dakord midis dy palëve dhe vendosnin për mënyrën se si do mbyllej, do transferohej për në vitin tjetër apo diferenca do të kompensohej me para.



 

Për çfarë lloj mallrash bëhet fjalë?

Për sa i përket Jugosllavisë, tipike kanë qenë mallrat e përdorimit shtëpiak, kryesisht frigoriferë, lavatriçe, etj. Kurse, ne kemi eksportuar kryesisht krom apo mallra të tjera të ngjashëm.



 

Po për sa i përket përfitimit të Kosovës nga ky borxh, ka ndonjë klauzolë apo përcaktim tjetër në marrëveshje në këtë aspekt?

Vendet e ish-Jugosllavisë përfaqësohen momentalisht nga Serbia. Ato kanë marrëveshje se si do ta zgjidhin çështjen e borxhit. Është e lidhur edhe me situatën politike. Koha i zgjidh apo zbut gjërat në varësi të ecurisë politike. Hyrja në BE përshembull do të jetë një zgjidhje, pasi duke qenë të gjithë bashkë, anëtarët do të jenë më tolerantë ndaj njëri-tjetrit. Kosova ka çështje të pazgjidhura edhe më të mëdha me Serbinë, siç janë Sigurimet Shoqërore përshembull.



Pas marrjes vesh të këtij lajmi, nëpër forume ka filluar të qarkullojë së fundmi një pretendim se Shqipëria duhet t’i kërkojë në këmbim Serbisë dëmshpërblim për dëmet e krijuara gjatë luftës së Kosovës në zonat kufitare me ne…..

Ky është borxh që i takon periudhës para vitit 1990 dhe toleranca ka qenë maksimale, nuk është kërkuar asnjë kamatëvonesë për këto 20 vjet nga ana e Serbisë. Do të ishte spekulim pastaj të lidhje një borxh të para 20 viteve me ngjarje të kohës së fundit. Këto janë çështje që janë në diskutim dhe neve nuk na intereson të krijojmë probleme të tilla. Ne na intereson njohja e Kosovës dhe jo hapja e problemeve të tjera.

 

Mqs jemi tek borxhet, nëse me lejoni të kalojmë pak edhe tek situata aktuale e borxhit publik të vendit. Si e shihni deklaratën e kreut të FMN-së për Shqipërinë, i cili tha se borxhi prej rreth 60 perqind të PBB-së është shqetësues për vende në zhvillim si Shqipëria?

Mund të merret përkohësisht borxh. Në kushtet kur kemi dy premisa pozitive, njëra është që kemi normë të lartë investimesh dhe huamarrja është më pak se gjysma e investimeve. Kjo do të thotë që marrim borxh për investime që e shlyejnë veten. Rrugët përshembull janë investime të tilla. Premisa e dytë është se kemi një ekonomi me rritje pozitive dhe rikthimi në rritjet normale stabilizon menjëherë parametrat e borxhit publik. Pra, po të arrijmë një rritje 6-7 perqind në automatikisht zbresim në një borxh 54-55 perqind e PBB-së. Këtu ka një gjë pastaj, ose duhet të pranosh këshillën e FMN-së ose duhet të provosh që ka rezerva në administrimin tatimor. Pra, s’mund të vazhdosh në një kohë të gjatë me politikën e rritjes së borxhit, ose duhet të rrisësh taksat apo do të rrisësh performancën e menaxhimit të taksave për të stabilizuar borxhin.

 

 

INSIG-u, dështoi privatizimi, qeveria do ulë çmimin

TIRANË- Qeveria ndryshon procedurat e shitjes së Institutit të Sigurimeve pas dështimeve të njëpasnjëshme që kanë shoqëruar këtë proces. Ndryshimet më të fundit ligjore parashikojnë vlerësimin nga e para të aseteve të INSIG-ut duke marrë në konsideratë faktin që deri më tani, ofertat për blerjen kanë qenë minimale. Sugjerimi për rivlerësimin e aseteve të INSIG-ut vjen nga kompania që këshillon qeverinë për shitjen, “Bnp Paribas”. Në letrën dërguar Ministrit të Financave, Ridvan Bode më datë 1 Qershor të këtij viti, kompania ka analizuar shkaqet se mos shprehjes së interesit për INSIG-un duke e justifikuar atë me çmimin e lartë që kërkon qeveria. Nisur nga kjo, pas rivlerësimit ka shumë gjasa që vlera e INSIG-ut pritet të jetë më e vogël duke bërë që qeveria ta nisë tenderin me një shumë më të vogël se çmimi minimal prej 40 milionë euro, i vendosur më parë. “Nga ana e këshilltarit të privatizimit, rekomandohet fuqimisht heqja e kufizimeve të çmimit nga kuadri ligjor ose azhornimi i çmimit minimal për të pasqyruar më mirë kushtet aktuale të tregut”, – citohet në relacionin që shoqëron ndryshimet ligjore për procedurat e privatizimit të INSIG-ut.

Deri më tani, për blerjen e INSIG-ut, pranë Ministrisë së Financave janë afruar një numër shumë i vogël ofertuesish duke detyruar kështu qeverinë që të rishikojë procedurat e shitjes. Për këtë, ekzekutivi ka ndryshuar edhe ligjin për shitjen e INSIG-ut duke lejuar futjen në garë edhe të kompanive vendase përveç se atyre të huajave.

 

 

Qeveria kundër FMN

Qeveria këmbëngul në mos rritjen e taksave edhe pse kjo ishte një sugjerim i FMN-së për të stabilizuar treguesit fiskal të vendit. Kryeministri Berisha përforcoi dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, atë që kishte paralajmëruar më parë edhe kreu i Financave Ridvan Bode: Qeveria nuk do të rrisë taksat por nga ana tjetër do të vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve. Por si mund të bëhet kjo në kushtet kur kërkohet urgjentisht marrja në kontroll e borxhit publik? Pas shkurtimeve të pritshme me rreth 20 miliardë lekë në buxhet, qeveria pritet të kthejë të gjithë vëmendjen tek organet e mbledhjes së të ardhurave, siç janë tatimet dhe doganat si e vetmja shpresë për të parandaluar rritjen e mëtejshme të deficitit buxhetor. Një gjë e tillë u konfirmua dje edhe nga Kryeministri Berisha. “Unë kam mirëkuptim për kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar për disa kërkesa që misioni ka bërë në vizitën e tij të fundit. Por nuk mund të them që ne do të rrisim taksat. Ne nuk do të rrisim taksat. Ne do të rrisim performancën gjithnjë e më shumë. Ne besojmë se duke konsoliduar disiplinën fiskale dhe duke mos rritur taksat, krijojmë më shumë vende pune dhe më shumë rritje”, – tha ai.

 

Emirjon Senja

 

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Biznesi ne krize, bien me 18 perqind te ardhurat nga tatim-fitimi

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Ekonomi dhe Biznes - Lexuar : 69 here.
Biznesi ne krize, bien me 18 perqind te ardhurat nga tatim-fitimiDrejtori i Pergjithshem i Tatimeve, Gazmir Spahija Emirjon Senja Të ardhurat në buxhetin e shtetit po realizohen me ritme të ngadalta duke detyruar qeverinë që të ulë investimet në infrastrukturë me qëllim mbajtjen nën kontroll të deficitit buxhetor. Treguesit fiskal të publikuara nga Ministria e Financave pasqyrojnë një rritje me 2.5 për qind të të ardhurave në buxhet deri në fund të prillit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përballë kësaj...Lexo te gjithe artikullin »


» CEZ nuk po e shlyen borxhin ndaj KESH-it
» Kur shteti nuk paguan shtetin, sh.a-te i kane 40 mln dollare borxh buxhetit
» Greqia behet gati te kthehet tek dhrahmia
» Qeveria, kontroll karburantit pa akcize per kompanite e naftes
» Euro dhe cmimet e aksioneve pesojne renie
» Greqi, rriten eksportet shqiptare
» FMN-ja nderpret kontaktet me Greqine deri ne zgjedhjet e reja
» Ndryshon pagesa e “tatimit mbi fitimin”, tani behet deri ne fund tremujorit
» Dalja e Greqise nga Eurozona kushton 1 trilion dollare
» Pronat, kalon ligji Tapi per tokat e ndara me ligjin 7501

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit