Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Dr. Frankenshtajn le shtratin dhe… spektaklin

Publikuar me : 25.11.2011 Ne : Kulture - 31 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Elsa Demo

Çdo histori që tregon dështimin e përpjekjes për të krijuar me mjete gjysmë okulte e gjysmë shkencore një shëmbëlltyrë të re njerëzore, mund të bëjë një histori Frankenshtajni, vetëm nëse do të jetë në gjendje të aktivizojë te ne efektin ndjesor të horrorit, si zhanër. Zhvendosja e një historie gotike nga gjuha e shkruar te ajo vizuale, është një eksperiment që shoqërohet me të njëjtin shqetësim: sa mund t’ia arrijë artisti të japë një shëmti të bukur që të ketë efektin e ndodhisë?

Ekspozita “Nën trysni” shtrihet përgjatë gjithë gjerësisë dhe lartësisë së Galerisë së Fakultetit të Arteve Pamore, Universiteti i Arteve. Ajo “ndahet” në tri dhoma që ofrojnë faza evolutive të spektaklit të horronit.

Në një tryezë qelqi në hyrje janë shtruar gota për festë me një lëngë me ngjyrë të zi. Eliziri i jetës? Solucion për preparate kimike.

Dhoma e parë është e mbushur me bidonë qumështi, që janë përmbysur sikur të kenë mbajtur pesticide.

Në këtë hapësirë ekspozimi çdo objekt i njohur ka dalë nga kuptimi ynë i parë.

Përparëset e onduluara metalike që imitojnë përparëset lëkurë të kasapit, janë varur si “pas pune”. Dhoma i ngjan një morgu, po edhe një thertoreje. Nuk është as njëra, as tjetra. Sepse impresionet e frikës prej gjakut dhe vdekjes që sugjeron vendngjarja, orientohen te një proces meditimi dhe relaksimi nëpërmjet elementeve arredues, hidrosanitaret dhe sendet prej druri e qelqi. Librat e anatomisë me të cilët ka studiuar në rini ndërtimin e trupit njerëzor Sadik Spahia, janë hapur në tryezë si tekste për mrekullitë e alkimisë mbi muskujt e një të vdekuri: ndërtimi i faringut, zorra e verbër, zorra kolon.

Një peshore për matje super të sakta, dhe një orë muri e vjetër që ka të vizatuar një diamant në qendër të fushës, janë objekte marrë nga Uzina e përpunimit të bakrit në Rubik, e njohur si uzina e floririt. Futja e tyre në kontekstin e ekspozitës pasuron leximin.

Në muret e veshura me pllaka porcelani janë ngjitur foto të vjetra bardhezi që paraqesin aspekte nga stërvitja ushtarake e njerëzve në vitet e ndërtimit të Shqipërisë socialiste: Rregulli, regjimi, precizoni klinik në reparte ushtarake, kolonat uniformë pa dallim gjinie, moshe e profesioni.

Dhoma e dytë dhe tretë duken më vete për shkak të mureve ndarëse të galerisë. Por ato tregojnë dhe dy faza të ndryshme të një eksperimenti të Dr. Frankenshtajnit. Në të dytën eksperimenti ka dalë jashtë kontrollit. Mostrat e metaleve të çmuara janë vetëm një remineshencë e qëllimit të mirë që ka devijuar dhe ka prodhuar një rrjetë monstrash. Megjithatë, nëse deri këtu është ndjerë akoma aroma e njeriut dhe e punëve të tij, në dhomën e tretë ku ngrihet një kafaz me susta shtretërish, njeriu ka ikur përfundimisht.

Instalacioni skulpturor i Sadik Spahisë i ngritur në një shtrirje gjigante është një konstelacion shenjash të dhunës dje dhe sot. Arkivi fotografik i popullit ushtar dhe reliket e uzinës së bakrit për përpunimin e floririt në Rubik janë “esenca romantike” që ideologjia i përpunon me mjetet e trysnisë.

 

Intervista me artistin Sadik Spahia

Zoti Spahia, ekspozita të tërheq në atmosferën e dhunës: është e ngarkuar me elemente që sugjerojnë impresion të fortë. Cila është origjina e këtij projekti?

Projekti ka një kohë të gjatë që ka filluar. Për një kohë të gjatë kemi biseduar me muratorin Edi Muka, për ta zhvilluar sa më gjerë dhe për të ardhur në një shtrirje të tillë. S’ka qenë thjesht një punë tavoline, ka qenë një punë eksploruese. Ajo çka kemi dashur të rrokim kërkonte që të vëzhgonim sa më shumë, pavarësisht se është një eksperiencë që na vjen nga vetë jeta jonë, nga ajo që kemi përjetuar.

Ideja është që të sjellim këtu se si formohen mentalitetet, se si njerëzit ndryshojnë nën presionin e pushteteve të ndryshme, politik, social, mediatik, e me radhë.

 

Kërkimi në terren ku është bazuar?

Kam studiuar kryesisht territore ku ushtrojnë aktivitetin grupe të mëdha njerëzore, fabrikat e dikurshme, uzinat, shkollat, ambjente dhe aktivitete që janë zhvilluar përpara edhe pas nëntëdhjetës. Nuk ndalem në një periudhë të kaluar ose në një të sotme. Është një kërkim i cili e shoqëron përgjithësisht qenien njerëzore dhe në këtë drejtim, jam ndalur në ato momente kur pushteti i çfarëdo forme krijon deformacione.

Në Rubik, në uzinën e braktisur, të gjitha makineritë ishin kthyer në përbindësha, gjithçka ishte e braktisur dhe kërcënuese. Njerëzit silleshin rrotull atyre makinerive për të kërkuar një shpresë e cila kishte vdekur.

 

Prej tyre keni marrë esencat? Mostrat e kërkimeve për flori nga Rubiku dhe nga arkivat imazhe fotografike që flasin për uniformitetin e njeriut?

Imazhet në mur janë marrë nga shtypi dhe kronikat e kohës dhe unë nuk i përpunoj por i paraqes si dokument. Edhe objekte të tjera janë mbledhur në këto ambiente ku përgjithësisht individi-njeri është i përhumbur, nuk ekziston. Ajo çka shohim të konkretizuar nga ky megraprojekt, nga ky terren arkeologjik që ne përpiqemi t’i heqim hirin, janë disa objekte si monstra. Detajet njerëzore që janë këtu në mënyrë superrealiste por të cilat nuk arrijnë të krijojnë tërësinë e tyre, mbesin të shkëputura dhe prodhojnë objekte që janë kërcënuese për ne, sepse nuk janë pjesa natyrale e jetës. E gjithë situata është një laborator i madh, alkimik, jo në funksion të jetës, një lloj trysnie që ushtrohet që në fëmijëri deri në moshën e vonë. Ka zhvillime të cilat nënkuptojnë që nuk ka një kohë të ndaluar ku pastaj vjen plotësisht e mira. Njeriu kërkon, njeriu gabon, njeriu ngrihet përsëri në këmbë për të ndërtuar jetën e vet dhe ne përpiqemi të kuptojmë ku janë gabimet. Në njëfarë mënyre, është një përpjekje njerëzore që i takon njerëzimit në tërësi.

 

Përparëset metalike, tubat plastikë si enë të zbrazura gjaku, ose sustat sikur janë marrë nga psikiatria…

Përparëset që përdoren aty ku theren bagëtitë, i kam marrë nga ky sistem dhe i kam zëvendësuar me një element metalik sepse në vetvete është një objekt kërcënues dhe vetë ai propozon. Njerëzit e përftojnë materialisht idenë që po kërkoj. Objektet plastike në shumësinë e tyre krijojnë organe të çuditshme ku lëvizin lëngjet kimikë apo alkimikë dhe në tërësi duke u bashkuar me objekte të stërmëdha të laboratorit, krijojnë qenie të cilat nuk janë miqësore për ne, pra krijojnë monstra të tjera.

Ndërsa krevatet që gjinden në spitale, në ushtri, atje ku bëhet një jetë kolektive, ku ekzistojnë ëndrrat tona të fshehta, janë kthyer në një kafaz, struktura e të cilit është marrë nga mjedise ku dëfrehet, nga mjediset e natës, e diskove, e striptizave etj.. Është postprodukti i gjithë gjërave që bëjmë ne.

 

Dy elemente personale kishte ekspozita: dy libra anatomie të kohës së studimeve…

Sepse ky është një kërkim për një kohë që kam jetuar. Dhe natyrisht që kam vendosur gjëra që mund të jenë personale ose të miqve të mi.

 

Nuk është hera e parë që ju zgjidhni këto përmasa prezantimi dhe zhvilloni një element që merr shkas nga një fenomen kolektiv, nga një grup shoqëror. Kujtojmë instalacionin e kapelave të policëve të shtetit, i cili qëndroi disa vjet i ekspozuar në Galerinë Kombëtare si vepra juaj përfaqësuese në pavijonin e veprave të artit bashkëkohor shqiptar të pas nëntëdhjetës.

Çdo njeri ka detyrën e vet në zgjedhjen që bën karshi shoqërisë, mjedisit, njerëzve. Detyra e artistit është që të mos jetë një person që e dekoron jetën, por që e përmirëson jetën. Në punët e mia jam përpjekur të tregojë një pozicion të caktuar të artistit karshi problematikave që e rrethojnë, sot dhe tani. Edhe më herët jam përpjekur të ofrojë mesazhin tim si qytetar, si pjesë e një komuniteti. Edhe në këtë rast kam dashur të shprehë qëndrimin tim jo në kafene, po në mënyrën time.

 

Ju vjen keq që kur të shpërbëhet kjo ekspozitë do të mbeten vetëm fotografitë?

Të gjitha ekspozitat që kam bërë unë janë shpërbërë. Por ajo që mbetet është pjesa e kërkimit, ajo nuk mbaron kurrë. Natyrisht kjo është një punë shumëdimensionale që nuk mund të përballohej pa ndihmën e Edi Mukës dhe Genc Përmetit.

 

Origjina e profesionit tuaj është skulptura. Megjithatë për këtë ekspozitë nuk jeni ju ai që keni rrahur përparëset metalike. Pra cilat janë gjërat që keni prekur me duart tuaja?

Përparëse i kam modeluar unë dhe i ka rrahur kovaçi. Janë dashur 6 muaj për t’i realizuar.

 

Fjala është për kënaqësinë e punës me materialin për skulptorin që tani bën instalacion…

Unë përpiqem që të mos i largohem eksperiencës së skulpturës sepse skulptura po të jetë syçelët, ka mundësi të përpunojë gjithçka. Në artin bashkëkohor skulptura i ka të gjitha mundësitë të ketë dinamikën për t’iu përgjigjur problemeve të kohës.

 

Ku do të shkojnë pas ekspozitës peshoret e floririt, enët e qelqit dhe materialet që ia keni marrë Rubikut?

Një pjesë e mirë e punimeve do të kthehen, një pjesë do t’i ruaj. Ndoshta nesër unë mund të organizoj një ekspozitë tjetër.

 

* * *

 

Nën trysni 

Nga Edi Muka

Kur shikuesi hyn në punën e Sadik Spahisë, Nën Trysni, instalacioni duket sikur të gllabëron në brendësinë e tij. Aftësitë perceptuese ngatërrohen, duke ja lënë vendin një ndjesie sikur kemi hyrë në botën imagjinare të një ëndrre të keqe të përbashkët. Nën Trysni në pamje të parë konsiston në një lloj kaosi të organizuar që i përngjan një laboratori të braktisur, ku dikush duket sikur ka zhvilluar një eksperiment pervers e të gërdishëm në përpjekje për të ngjizur një qenie të çuditshme, gjysmë njeri e gjysmë përbindësh. Çdo hap i hedhur shoqërohet nga një ndjenjë ankthi. Ajo çka në pamje të parë duket si një mjedis steril i njëfarë laboratori, dalëngadalë i jep jetë një përzije që rritet brenda nesh. Imazhe fotosh bardhë e zi nga kolektiva njerëzish nën urdhër përzihen me pjesë gjymtyrësh njerëzore të stërmëdha; objekte të ngurta e dekorative lidhen mes tyre me do si zorrë duke imituar shëmbëlltyrën e një matriksi të frikshëm; një numër shtretërish standard, nga ato që hasim në spitale apo ushtri janë kthyer në një lloj kafazi pervers, i ndërtuar për të eglendisur epshin e zotëve të laboratorit.

Nën Trysni nuk konsiston në një objekt artistik, por në një hapësirë të konceptuar dhe të transformuar në një punë arti, një përpjekje për një Gesamtkunstëerk – një vepër totale arti. Për të hyrë në të na duhet të përkulemi, sikur po nderojmë me detyrim zotat imagjinarë që fshihen pas laboratorit të gërdishëm. Që nga ky çast vetë ne jemi bërë pjesë e instalacionit në një lojë të ndërsjellë dritëhijesh të shkaktuar nga lëvizja jonë në hapësirë, teksa dalëngadalë pushtohemi nga ndjenja e përzishme se zorrët plastike të matricës së frikshme kanë penetruar brenda nesh, duke na bërë të pafuqishëm përballë kontrollit të zotave perversë që harlisen në dritëmugëtirën e laboratorit të braktisur.

Nën Trysni nuk është aspak një reflektim mbi të kaluarën, por një thirrje për të tashmen, për syhapjen ndaj trysnisë së matricës së sistemit që fshihet pas shkëlqimit të rremë, dhe për zgjimin nga makthi i laboratorit famëkeq, ku zotat e vetëshpallur presin të argëtohen me limfën tonë.

 

Ekspozita

Fakulteti i t të Arteve Pamore hap aktivitetet që organizohen deri në fundit të vitit në kuadër të kremtimit të 45-vjetorit të krijimit të Akademisë së Arteve, sot Universitet i Arteve. Është vetë dekani i këtij fakulteti, skulptori Sadik Spahija që i përuron veprimtaritë me ekspozitën personale e quajtur “Under Pressure”. Është kuruar nga Edi Muka. Në Galerinë FAP, nga sot deri më 20 janar 2012.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kulture - Lexuar : 65 here.
Studentet e Tekstilit dhe te Modes ne FAP“Proces 2012” është ekspozita që çelet sot në orën 11:00 në Galerinë FAP. Më punime të realizuara nga studentët e Atelierit të Tekstilit dhe të Modës në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve në Tiranë.   Lexo te gjithe artikullin »


» Hirushja e nxenesve qe nuk degjojne
» Nje film nga Abbas Kiarostami
» Kosova e Behlulit, realitet pa mistike
» Sorra te zeza dhe lule shumengjyreshe
» Ky eshte Ismail Qemali, prapa i vjen padija
» Historia jone e dendur me folklor
» Jo gjithmone e perzene Even nga parajsa
» Mbe ane te “erotizmit ne kinema”
» Nga magjepsese ne magjistrice
» Nxenesit mbajne trupin e mjeshtrit

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit