Shtypi shqiptar online - Lajme dhe te reja !
Drejtesi per 21 janarin

Publikuar me : 22.01.2012 Ne : Kuriozitete - 64 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Nga Edi Rama

Udhëtimet ngushëlluese drejt katër dyerve të hapura për mort në katër cepa të humbur Shqipërie ishin një dhimbje shumëkilometërshe në realitetin surreal të përditshmërisë së jetës pa të nesërme të atyre familjeve të këputura përtokë me plumba e me fjalë gur të rënda qeverie, në fund të rrugëve pa rrugë që lidhin netët pa ëndrra me ditët pa dritë në kërkim të bukës së fëmijëve. Familje si të zgjedhura enkas nga dora vrastare për t’i çuar nga një mesazh plumb Veriut e Jugut, atyre që zgjodhën të qëndrojnë në fshat e atyre që fshatin e lanë për të gjetur Amerikën në rrethinat dëshpëruese të askushëve të kryeqytetit, mesazh nënave të tretura nga vitet nën shamitë e vjetra, mesazh grave të vuajtura prej punës në tokën e vështirë e prej hallit të pashkrueshëm të një jete në errësirë, mesazh vajzave të martuara me fëmijë të vegjël a të porsalindur që u mbytën befas në të zezat e një lufte të hapur njëanshmërisht me zjarrin e pushkëve nga qeveria, mesazh djemve në emigracion dhe çupave si Ana, e bija e të gjorit Ziver, e cila bëri xhiron e botës në ekrane e gazeta me sytë prej deti që e humbën për të dytën herë, po këtë herë përgjithmonë, babanë e ndarë nga varfëria dëshpëruese prej nënës së ikur bashkë me Anën e vëllain më të vogël nga ferri i fshatit gjirokastrit ku u lidh në martesën e palumtur, në ferrin e një fshati në Lushnjë, ku vuan me shpirtin ndër dhëmbë shpotinë primitive ndaj gruas së divorcuar, mesazh pleqve, burrave e djemve të rropatur rrugëve të varfërisë, papunësisë, braktisjes sociale, mesazh të gjitha familjeve të zakonshme shqiptare që të bien në gjunjë e të ulin kokën përballë padrejtësisë së kthyer në regjim, të mbledhin ëndrrat në krodhën e bukës e shpresat në gllënkën e ujit dhe as të mos bëzajnë kundër qeverisë e jo më të kuturisen e ngrenë krye, siç bënë banditët që morën plumbin mu në çaçkën e kokës së tyre të palarë.

Të gjithë ta marrin vesh, njëherë e mirë, mesazh i unifikuar quhet ky, qeveria të merr ç’të dojë, ëndrrat, shpresat, dinjitetin, punën, lekët, shpirtin, të merr edhe jetën kur ia sjell në majë të hundës me pakënaqësinë tënde dhe as e ndal kush as e ndëshkon kush në mes të Europës së Bashkuar, paçka se është fillimi i dekadës së dytë të shekullit XXI kur Europa protestuesit e vet që shpërthejnë molotovët dhe dëndin me gurë policinë, djegin e shkatërrojnë në Athinë, Londër, Paris, Romë e kudo që u shkrepet të ngrenë krye për liri e të drejta që rëndom i kërkojnë në tym ndërkohë që jetojnë në parajsën e paarritshme për protestuesit shqiptarë, i qëllon vetëm me shkopinj gome, me ujë me presion, me plumba kauçuku në rastin më të keq, po jetën ua ruan si gjënë më të shenjtë për konstitucionin e saj moral dhe nëse, largqoftë, në kushtet e vetëmbrojtjes reale jo si “vetëmbrojtja” kriminale e Saliut në 21 janar, një polic europian hap zjarr për të shpëtuar jetën e vet e i merr jetën një të riu europian, dorëhiqet automatikisht ministri i brendshëm, shkarkohet prefekti, zhvishet komisari dhe polici fatkeq përfundon pas hekurave të burgut.

Kurse kryeministri europian vërtet dënon moralisht dhunën e kërkon publikisht që drejtësia të ndëshkojë shkelësit e ligjit, por edhe i kërkon ndjesë popullit të vet për fatkeqësinë e premton ristrukturim të forcave të rendit, rritje të cilësisë së menaxhimit të revoltave qytetare, ndryshim të metodave të edukimit qytetar në shkolla, përfshirje të prindërve në punën parandaluese të shpërthimeve urbane, rishikim të parametrave të buxhetit për financimin e periferive a zonave urbane ku gëlon pakënaqësia publike, hapjen e programeve të reja sociale e integruese e me radhë çka i takon qeverive që burojnë nga vota e lirë dhe punojnë me dashuri e pasion për vendin, për popullin, për njerëzit pa dallim, edhe për ata që e humbasin fillin e arsyes në rrugën e dëshpërimit social. Ndërsa në Shqipëri qeveria s’ka duar për të përkëdhelur duart kockë e lëkurë të nënës së Hekuran Dedës, zbritur në një fushë të humbur pranë Tiranës prej ferrit të një tjetër fshati lart në veri bashkë me plakun, djemtë, vajzat, nuset, nipat e mbesat, duart e dridhura që shtrëngonin portofolin bosh dhe paketën e zhubravitur të cigareve gjetur në xhepat e gjakosur të trupit pajetë të të birit, teksa nga sytë e mekur i binin pikë-pikë mbi to lotët e fuqisë së shterur mbledhur si grahmë e heshtur në cep të kolltukut rënkues dhe nga buzët e rreshkura i dilnin rënkimet kumbuese të lëndimit të pangushëllueshëm prej fyerjeve shtazarake të gojës vrastare të qeverisë që ia quajti botërisht djalin shtatlartë e krenar, banditë e kokëpalarë.

Nëna e Aleksit kishte ngrirë përjashta statujë me sytë nga kopshti i varfërisë para fidanëve të sapombjellë prej të birit fisnik, katër motrat e të vrarit vejevinin si hije përreth vajzës së mitur të vëllait të tyre, e cila shkonte karrige më karrige për të parë e hutuar nga afër vizitorët gojëkyçur prej zemëratës pa kuptuar dot psenë e pllakosjes së heshtjes së gjatë, nusja e re ishte mbyllur në zezimin e saj, bashkë me të sapolindurën e veshur në të bardha që gërvishtte heshtjen me belbëzimet e veta të forta, duke bërë me gisht nga fotoja e të atit, ndërsa babai malësor i katër vajzave të mbetura pa vëllanë e vetëm dhe vjehrri plak i nuses së mbetur vejushë mes katër mureve në lulen e rinisë, mundohej të kacavirrej fjalëve të dhimbjes për ta arsyetuar kasaphanën që mbylli përjetë sytë e të birit si vullnet të Zotit.

Motrat e vëllezërit emigrantë të Faikut, ardhur për mortin e rënë rrufe në fshatin e mjerë nga arat e punës së krahut në Itali, lëkundeshin dhimbjesh pas dy djemve të të vrarit ardhur nga Greqia, që mbanin më këmbë me duart tërë kallo e sytë e përhumbur tutje nënën e lëshuar në buzën e gropës së varrit, ku një zakon i vjetër e donte të hidhej bashkë me trupin e të vdekurit edhe koka e një gjeli të therur mu përmbi qivurin e groposur, për të nxjerrë hijen e vdekjes nga dera e shtëpisë. Dreqi e di pse s’iku menjëherë ajo hije nga fshati lëngues, po mori me vete pak kohë më vonë edhe djalin e dytë të nënës shpirtplasur, gjendur shtrirë nga një plumb vetëvrasës në kodrën ku pas varrimit u ngjit përditë në muzg për të folur me qiellin, në kërkim të fantazmës së babait. S’ka duar qeveria e dalë nga votat e vjedhura që të vjedhë ç’t’i dalë para, për të trokitur në shtëpitë e heshtura që kanë të shkruara mbi muret bosh të gjitha mundimet e ndërtimit të tyre, as këmbë s’ka qeveria për të shkuar drejt zemrave të plakura prej dhimbjes e trupave të rraskapitur në rrugët e pamundura të jetës së familjeve të zakonshme shqiptare, s’ka qeveria as sy për të parë ku jetojnë, si jetojnë, me se mbijetojnë, çfarë bëjnë qindramijëra familje për të rritur fëmijët e dashurive të mallkuara prej varfërisë, e ëndrrave të vrara prej papunësisë, e shpresave të mbytura në gropat e izolimit shoqëror, e dëshirave të mbetura në vitrinat e dyqaneve e ekranet e televizorëve, e nevojave të panumërta që u rrinë mbi kokë sa çelin sytë çdo mëngjes, as veshë nuk ka qeveria për të dëgjuar kërkesat e fëmijëve që duan libra për shkollë e mbeten analfabetë se në shkollë s’shkojnë dot prej skamjes, që s’marrin dot një dhuratë për ditëlindje a Krishtlindje, e që për lodra kanë vetëm gurët e shkopinjtë e gardheve që ndajnë shtëpitë nga bota e iluzioneve të humbura të prindërve të tyre, qeveria ka vetëm gojë për të gënjyer, për t’u tallur, për të kaluar radhën dhe ka padyshim edhe forcën muskuloze të padrejtësisë për t’i mbajtur njerëzit në radhët e frikës, të lëmoshave korruptive, forcën që ta bën jetën bukë, ujë, televizor e ftohtësi paralizuese. Me atë forcë, kur frika s’mjafton e rreshti prishet nga të pakënaqurit, qeveria bën shembujt që i duhen frikës për t’u ushqyer e rritur, duke u hakmarrë mbi gjithë pemën e gjakut të shtëpisë, të qepet pas e s’të ndahet me shuplaka të paligjshme, të flak nga puna, të prish biznesin, të tremb të ardhmen, të heq rrogën e gruas, burrit, babës, motrës, vëllait, të shkon deri tek djali i xhaxhait, i tezes, i dajës, të gjuan në fis e në farë e të damkos si delet për t’u qethur a therur me vulën e përjashtimit social dhe, zi e më zi, kur hakngrënët ngrenë krye për të kërkuar hakun e tyre me kushtetutë, zot a zakon njerëzor, qeveria ka edhe pushkë që derdhin plumba në mish, që çajnë kafka e shpojnë shpatulla, brinjë, gjunjë, sakatojnë kë t’u dalë para, për ta unifikuar e bërë bombë në kokën e popullit mesazhin e saj “Shqipëria po ndryshon”.

Prandaj o me ne, kështu si duam ne, bëj si them unë mos bëj si unë, o sikter, bum-bum-bum, me plumba e me kërdisje të sharash që të mos guxojë kush ta ndalë ndryshimin e jetës sonë në kurriz tuaj, pasurimin tonë përmes varfërimit tuaj, riciklimin tonë me votën tuaj që edhe kur s’na e jepni e marrim vetë në emër të ndryshimit të pandalshëm, derisa të hiqni dorë fare nga ideja se mund të na hiqni nga kurrizi e të drejtoni kurrizin për t’u bërë të gjithë të barabartë para ligjit e votës dhe të mos mundoheni më fare dhe ne as mos të mundohemi më fare as t’ua vjedhim votën, se ajo do të na mbetet ne kur ju të bindeni më në fund dreqi e mori se me ne s’ka shaka, s’ka numra as votim, s’ka shpresë, dhe frika e bërë urti t’ju thotë në vesh të mos dilni më hiç nga shtëpia për “punët e botës” e të mos merreni me fjalë kur dilni nga shtëpia. Nëse këto rreshta mund të të duken prozë patetike e jo një projekt ogurzi për të nesërmen e oborrit të sotëm të pushtetit, hidhi sytë gjetkë, matanë kufijve të Europës së Bashkuar, në lindje tutje ku vendet e sovjetëve janë zëvendësuar me sulltanatet “pluraliste”, a matanë perëndimit teposhtë, nën kufijtë jugorë të  Shteteve të Bashkuara ku lulëzojnë pjellat e çeguevarrizmit “demokratik”, ose edhe mbi ca njolla të hartës së Afrikës, zgjidh e merr varietetin që do po në thelb, ku më shumë e ku më pak, ku me pak e ku me shumë gjak e ku tashmë fare pa gjak, projekti funksionon njëlloj, me parlament e me opozitë, me zgjedhje “të lira” e me qeveri të “zgjedhura”, aty ku fitojnë gjithnjë po ata, votojnë gjithnjë të njëjtët dhe të shumtit rrinë në shtëpi kur votohet, sepse rezultati dihet sidoqoftë edhe po dolën në votime, ndaj s’ia vlen mundimi, ekspozimi, sakrifikimi që shpërblehet pastaj me hakmarrje mbi pemën e gjakut të shtëpisë. Prandaj edhe ky i sotmi për Shqipërinë e goditur pabesisht tek liria e zgjedhjeve është një udhëkryq fatal, mes kthesës së fortë nga hullia e hapur deri këtu me shkelje, vjedhje e gjak e këtij projekti qeveritar, përmes bashkimit qytetar për triumfin e votës së lirë që na çon drejt Europës, dhe thellimit në rrugën e verbër, parashikuar në projekt përmes mpirjes shkallë-shkallë të shoqërisë e futjes së secilit si gur i heshtur nën murin e indiferencës së përgjithshme. I cili ngrihet gur pas guri nga rënia e rezistencës pas goditjeve të njëpasnjëshme mbi zgjedhjet që konfirmojnë me pahir pushtetin e krimeve, skandaleve, paudhësive dhe krijojnë, më në fund, psikozën se sidoqoftë, çfarëdo ndodhtë, sado të përpiqemi duke votuar, prapë s’e rrëzojmë dot binanë që votat përsëri do t’i vjedhë e pastaj do na turret edhe më keq, ndaj ditën e zgjedhjeve më mirë tek shtëpia sesa tek kutia.

Pushkët grykënxehta të 21 janarit dhe kutitë e shqyera pas 8 majit janë dy anë të së njëjtës medalje, emblema me dy pamje e projektit për ta kthyer lirinë e patjetërsueshme të votës në një votë të tjetërsuar lirisht, duke goditur në trup e në tru, paralizuar e indiferentizuar një masë sa më kritike qytetarësh të hedhur knock out, për të kalëruar lirshëm procesin zgjedhor mbi shalën e pushtetit pa pasur më një ditë as nevojën e dhunimit të zgjedhjeve, për ta katandisur kësisoj opozitën e burgosur në qelinë e humbjes së paracaktuar në një bashkëpunëtore të pushtetit që ha supën e tij për të bërë sikur kundërshton, e cila si rregull ka si hije në krah edhe një prani atavike të revoltuarish prej vërteti, pa lidhje me të, që, siç ndodh në ato “demokracitë” të kontrolluara shtetërisht, lihet të vijë vërdallë në protesta me dyqind vetë për t’i dhënë pak lezet gjellës bajate të kuzhinës së pluralizmit qeveritar dhe kur e tepron, i jepet dru e kyçet nëpër rajone policie ku mbledh mendtë për ca kohë. E në ndërkohë, vendi përparon në hendekun e tmerrshëm mes mungesë së lirive për shumicën dhe parave me shumicë për pakicën, me marrëdhënie bilaterale e foto takimesh ndërkombëtare, me sfondin e demokracisë së pikturuar nga mediat qeveritare ku hera – herës fanepset spërkatja e gjakut të ndonjë gazetari të vrarë për “motive të dobëta”, dëgjohen kërcitjet e zinxhirëve në dyert e ndonjë redaksie që “s’paguan taksa”, apo luhet teatri i demaskimit publik të ndonjë pronari televizioni të pasuruar me paratë e “popullit sovran” që prangoset e kalbet në birucat e “shtetit ligjor”.

Në mikrobotën e demokracisë shqiptare është bërë edhe prova e parë gjysmë e fshehtë e këtij projekti në 28 qershor të vitit 2009, edhe prova e dytë në ditën për diell në 8 majin e Tiranës, duke kaluar përmbi bulevardin e gjakosur të 21 janarit, ndërsa në dy vitet ndërmjet janë kryer eksperimente jo të pasuksesshme për ta bërë ryshfetin rutinë, vjedhjen e pasurive kombëtare e të fondeve publike zakon, shkeljen e Kushtetutës e të ligjit normë, shkeljen e lirive e të drejtave njerëzore të nëpunësve të padëshiruar ligj të pashkruar, dhunën e ftohtë mafioze mbi qytetarët, mbi shtypin e biznesin ligjësi, shkatërrimin e bizneseve që bezdisin biznesmenët e oborrit ligjshmëri, vrasjen e rrahjen e protestuesve rend kushtetues. Ndërsa zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 a kurdoqoftë do të mbahen, do të jenë prova gjenerale që do të përcaktojë fatin e projektit ogurzi, ose duke e kthyer Kushtetutën në leckë për të llustruar çizmen fashiste të pushtetit dhe Shqipërinë në një “demokraci” të kontrolluar plotësisht nga shteti i futur në oborrin e pushtetit, nëse konfirmohet fuqia e sundimit të popullit me vota të vjedhura, ose duke e rivendosur Kushtetutën në themelin e bashkëjetesës politike përmes fuqisë së popullit të ngritur në këmbë me një votë shumëfish më të madhe edhe sesa mali i votave të vjedhura dhe duke e rifutur kësisoj Shqipërinë në rrugën e triumfit të lirisë e të vlerave demokratike të Europës së Bashkuar. Në këtë ditë të shënuar përgjithnjë në historinë e re të Shqipërisë, një vit pas vrasjeve barbare të Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Faik Myrtajt e Ziver Veizit, unë dua t’ju them megjithatë se ne nuk jemi vetëm në kërkim të drejtësisë. Shqipëria nuk është në mëshirën e fatit e të qeverisë që kërkon forcërisht të bëhet Zot i saj.

Drejtësinë e kërkon Shqipëria, por e kërkon me zë përditë e më të lartë edhe bota demokratike, e kërkojnë miqtë e partnerët e pazëvendësueshëm të popullit shqiptar në rrugën e përpjetë të ndarjes me të shkuarën, më të parët ndër ta miqtë e mëdhenj amerikanë, të cilët për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit nuk janë mjaftuar me fjalë, po kanë angazhuar agjencinë më të fuqishme investigative të botës, FBI-në. Pa Shtetet e Bashkuara në krah shqiptarët s’do kishin bërë shumëçka prej arritjeve historike të këtij njëzetvjeçari, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara edhe për hetimin e 21 janarit Shqipëria sot s’do mund të shihte shpresë në pasqyrën e gjakut ende përvëlues të një viti më parë. Ndërkohë që urdhëruesi i flakëve të ndezura në tytat e pushkëve që vranë katër shqiptarë të pafajshëm, e plagosën dhjetëra të tjerë, nga njëra anë u kapardis, jo njëherë, para shqiptarëve për zbatimin e Kushtetutës në vrasjen e qytetarëve, ndërsa nga ana tjetër çoi në mesnatë hijen e tij për të blerë me para gjakun e Hekuran Dedës në familjen e të ndjerit duke premtuar fotografinë e vrasësit, madje citoi,në madhësinë e gomës së fuoristradës siç u tha vëllezërve të të vrarit, FBI-ja edhe falë këmbënguljes së mikut të madh të shqiptarëve Aleksandër Arvizu, vuri të gjithë profesionalizmin e saj të lartë në shërbim të gjetjes së autorëve të masakrës.

Jam sot i bindur, falë miqve të mëdhenj amerikanë, se 21 janari i ardhshëm, s’do ta gjejë Shqipërinë kaq të trazuar sa sot prej mungesës së drejtësisë për 21 janarin e shkuar, sepse provat e pakundërshtueshme të ekspertizës së lartë të Byrosë Federale Investigative, do të hedhin dritën që do të jetë e pamundur të shuhet nga pushteti i korrupsionit dhe korrupsioni i gjykatave të pushtetit. Mirënjohje dhe respekt për Shtetet e Bashkuara, të cilat me këtë mbështetje të vyer në rrugës e gjetjes të së vërtetës për 21 janarin, po i tregojnë Shqipërisë e shqiptarëve, të gjithëve ne, se rruga e demokracisë, e lirive e të drejtave, e barazisë së të gjithëve para ligjit dhe e drejtësisë së barabartë për të gjithë mund të mos jetë e lehtë kur kërkohet paqësisht, por vetëm paqësisht mund të ndërtohet mbi themele të qëndrueshme. Në orët e para të kësaj dite pimë një kafe me vëllezërit e Hekuranit, malësorë të varfër e kryelartë, të lënduar thellë në shpirt prej asaj trokitjeje në mesnatë të hijes së kryeministrit të vendit, po dhe prej shpifjes së radhës të atij që i akuzon sot si gënjeshtarë, e madje u kërkon 5 milionë lekë pse gjoja paskan gënjyer kur i kanë treguar publikut të vërtetën therëse të asaj mesnate. “Një valixhe me para për të pritur kryeministrin në shtëpi dhe në këmbim foton e vrasësit të vëllait!”, ofertë rrëqethëse prej koskash mafioze që ka efektin tmerrues të së vërtetës se nuk vjen prej një mafieje të fshehtë, po prej vetë qeverisë që u vrau vëllanë. Por lajmi çlirues që ambasadori amerikan u dha shqiptarëve për angazhimin e përfunduar të FBI-së, i ka bërë ata me fletë, u ka dhënë mbrapsht besimin se do të kenë përsëri të tyrin dinjitetin e vjedhur me përdhunë, shpresën e humbur përballë zezimeve të drejtësisë shqiptare, që qëllon me grusht në fytyrë sa herë bëhen gati me iluzionin se këtë herë mund të ketë drejtësi. U ka dhënë mbrapsht besimin e vrarë tek mundësia e rifillimit të jetës në shtëpinë e tyre teksa trupi i Hekuranit përpëlitet nëntokë nga mungesa e drejtësisë, së bashku me trupin e Aleksit, Ziverit dhe Faikut, përpëlitje prej fyerjet barbare, prej karshillëku i të parit të qeverisë që përdorimin e forcës së armëve e quan vullnet kushtetues.

Të dashur familjarë të katër dëshmorëve të 21 janarit, të dashur të plagosur me plumbat e shtetit në 21 janar, të dashur të rrahur e të nëpërkëmbur pabesisht për shkak të daljes suaj në demonstratën e 21 janarit,  të dashur të revoltuar, kudo ku ndodheni,  për padrejtësitë e panumërta që e kanë pasuar 21 janarin, kjo e sotmja është një ditë shprese dhe si të tillë duhet ta jetojmë të gjithë së bashku. Sepse ju nuk jeni vetëm, Shqipëria nuk është vetëm në rrugën e saj të mundimshme për t’u bashkuar me botën demokratike, ku Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duan ta përfshijnë edhe Shqipërinë, në respekt të shqiptarëve si ju, të shqiptarëve  të zakonshëm si qytetarë që e meritojnë integrimin e plotë në atë botë të madhe vlerash e parimesh të paprekshme. Le të qëndrojmë të gjithë bashkë për ato vlera e parime, pa e humbur drejtpeshimin në rrugën tonë të ndërtimit paqësor të shtetit të së drejtës për çdo shqiptar, të demokracisë funksionale për të gjithë njësoj, të sigurisë e të mirëqenies së përbashkët në të njëjtin atdhe, i cili pas zbardhjes së krimit të vrasjeve të 21 janarit, do të jetë pa asnjë dyshim, një atdhe më i mirë për shqiptarët dhe një atdhe ku fëmijët e këtyre shtëpive, që sot shkruajnë papushim vjersha, ju dëgjuat vetëm tre, unë kam dëgjuar shumë më shumë se tre, do të mund të marrin frymë lirisht dhe do të mund të shkruajnë vjershat e të ardhmes së tyre.

Komente

Mesa duket nuk ka ende asnje koment per kete artikull.
Shkruaje ti i pari nje koment !

Bashkemoshatareve te mia

Publikuar me : 23.05.2012 Ne kategorine : Kuriozitete - Lexuar : 95 here.
Julian Hoxhaj Lot, dhimbje, ulërima, nëna që vajtojnë,baballarë që qajnë në heshtje, pedagog që ulin kryet, studentë që bisedojnë me njëri-tjetrin dhe qajnë në heshtje, gazetarë që transmetojnë pa reshtur, politikanë dhe personalitete që pasojnë, qytetarë që vijnë të heshtur dhe përloten kur kalojnë para fotografive të 11 engjëjve të vendosura në hollin e universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’. Ndoshta kjo ishte hera e parë që kur ky universitet është...Lexo te gjithe artikullin »


» Konsensus jo kompromis
» Aksidentet miresetevijne
» Bashkemoshatareve te mija
» Serbia heq makiazhin
» Tragjedia si kusht per solidaritet
» Te dedikohem nje faleminderit, Greqi
» Per cfare kane nevoje shqiptaret
» Pse tremb vota e emigranteve?
» Eksperience me nderkombetare
» Shqiptaret si faktor stabiliteti

Ndaj kete artikull me miqte e tu ne rrjetet sociale me te njohura :

Fjala jote vlen !

Stacione TV Shqip
Shiko TV Rrokum online falas! TV Rrokum
Shiko Lajme Top Channel online falas! Lajme Top Channel
Shiko KTV Live online falas! KTV Live
Shiko Lajme TVKlan online falas! Lajme TVKlan
Shiko SuperSonic Live online falas! SuperSonic Live
Shiko Ora News Live online falas! Ora News Live

Gazetat PDF
PDF Gazeta Shqip!
PDF Gazeta Koha Jone!
PDF Gazeta 55!
PDF Gazeta Tema!

Publicitet

Sherbime te tjera
Lidhu ne RSS
Sherbim per Webmasterat
Rezultate sportive Live
Termat e Perdorimit
Kontakte


Indeksi | Lajmet ne faqen tuaj | Shperndarje RSS | Reklamoni Faqen tuaj | Add to Google

VetemLajme.Com : Permbledhje e shtypit Shqiptar - Produkt i PikaWeb © 2007-2012
Kujdes : Artikujt e publikuar i perkasin autoreve perkates. Prane cdo artikulli gjendet dhe burimi origjinal. Per me teper lexoni Termat e Perdorimit