Publikuar me : 15.10.2011 Ne :
Politike - 70 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli
Denis Dedej
Dritëro Agolli ka preferuar të festojë dje 80 vjetorin së bashku me disa nga njerëzit me të cilët ka ndihmuar në themelimin e Partisë Socialiste 20 vjet më parë, por edhe me miq të rinj. Dje në orën 10.00 Dritëroi së bashku me të shoqen, Sadijen u ulen në një prej kolltukëve në qendër të sallës ku mbahej dhe pritja. Deputetë, themelues të PS-së, por edhe shumë gazetarë u mblodhën për të uruar patriarkun e socialistëve.
Për këtë përvjetor detajet e festës ishin menduar më së miri nga organizatorët. Në kohën kur të gjithë të ftuarit mburriten u krye dhe tradita e prerjes së tortës nga politikani i njohur. Torta kishte pamjen e një libri dhe mbi të ishte shkruar urimi për shkrimtarin e njohur të letrave shqipe. Pas kësaj, deputetë dhe drejtues të lartë të PS nisën t’i afroheshin Dritëro Agollit për t’i uruar ditëlindjen. Krahas urimeve, dëshira e të pranishme ishte dhe të merrnin një foto nga ky moment i veçantë. Në krah të patriarkut dhe të shoqes, qëndroi për një kohë të gjatë “profesori” i socialistëve, Servet Pëllumbi. Media e shumta të interesuara për këtë ngjarje morën urime dhe reagime të ndryshme nga pjesëmarrësit në këtë festë. Por, në këtë ditë të shënuar, Agolli preferoi që të jepte një mesazh për Partinë Socialiste dhe të komentonte aksionin politik të saj.
“PS të përpiqet që ky ngërç që ka ndodhur të ndihmojë për ta shkallmuar dhe të përpiqet shumë për këtë perspektivë ku do të shkojë vendi ynë me këtë lloj politike të përgjithshme tepër të acaruar. Domethënë njerëzit që bëjnë pjesë në këto parti, pro edhe vetë populli, të kërkojnë rrugën se si mund të zgjidhet kjo punë”, – ishte mesazhi i Dritëro Agolli. Sipas tij, njeriu në vetvete ka shumë pikëpyetje. Ai tha se që në mëngjes herët dhe deri sa fle ka momente të tilla kur kundërshton vetvete. Më tej, themeluesi i PS-së vlerësoi se ndonjëherë këtë pikëpyetje nuk i kundërshton dhe ndonjëherë tjetër është i lëkundur. “Megjithatë përpiqem dhe më del në ëndërr që mund të bëhet një e mirë për Shqipërinë. Partia Socialiste lufton për këtë gjë që të plotësohen ato kërkesat e Bashkimit Evropian dhe të luajë një rol më të madh akoma për zbutjen e atmosferës acaruese. Të mos bëhen dy Shqipëri. Një Shqipëri ka. Të mos e ndjejmë të bëhet si të pushtuar nga të tjerët, nga të huajt”,- vijoi shkrimtari.
Duke i kërkuar Partisë Socialiste që të angazhohet për zgjidhjen e dialogut, Dritëroi kujtoi se vendi është çliruar dhe armiqësi kishim vetëm me pushtuesit, kurse me shumë të tjerë që nuk pajtoheshin me ne i kishim kundërshtarë. “E kam fjalën që të mos mbetemi armiq, por të mbetemi kundërshtarë politikë, por në anët e tjera të sjelljes të dhënies së dorës, të folurit, të dialogut, që t’i themi njëri-tjetrit hajt ta diskutojmë këtë apo atë gjë., por jo kaq të acaruar, me inat të madh. Ne duhet që edhe kundërshtarin tjetër ta zbusim, ti themi që hajde të diskutojmë, disa gjëra duhet t’ia aprovojmë edhe kundërshtarit me një kompromis të logjikshëm, në mënyrë që ta kuptojë edhe ai vetë që kjo forcë politike ka të drejtë”, – përfundoi mesazhin e tij për drejtuesit e Partisë Socialiste, patriarku i socialistëve.