Publikuar me : 27.12.2011 Ne :
Kronike - 54 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

TIRANE- Katër persona të dyshuar pjesëtarë të një grupi ndërkombëtar në trafikimin e lëndëve narkotike u arrestuan dje nga Policia e Shtetit në qytetin e Shkodrës. Operacioni për arrestimin e tyre është zhvilluar njëkohësisht në pesë vende të rajonit tonë. Përveç katër të arrestuarve në Shqipëri, policia ka arrestuar edhe rreth 60 persona të tjerë në Malin e Zi, Bosnje Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi. Burimet zyrtare të policisë shqiptare thanë se gjatë operacionit të koduar “Trio” u prangosën Leonard Dushi 41 vjeç, Agim Hasaj, 35 vjeç, banues në Stërbeq, të Malësisë së Madhe, Leonard Sterkaj, 27 vjeç, banues në Dedaj, të Malësisë së Madhe, Ervis Bici, 29, banues në Koplik, Malësi e Madhe.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë në Shqipëri, është kryer kontroll në banesat e 12 personave të ndryshëm të dyshuar si të përfshirë në këtë linjë të trafikut të drogës. Më pas policia tha se ka ndaluar katër personat e mësipërm, të cilët, sipas saj, ishin edhe të dyshuar si pjesë e grupit të trafikut të drogës. Ndërkaq në total, policia tha se kishte bllokuar dhe sekuestruar afërsisht 1.2 kg marijuanë, pavarësisht kontrolleve të shumta dhe ndalimit të katër personave.
Policia tha se në banesën e Leonard Dushit, kishte bllokuar dhe sekuestruar prej 30 gram bimë e dyshuar si lëndë narkotike, 6 aparate telefoni celularë, 15 karta SIM, një sasi faturash për transferta bankare, një kompjuter lap top dhe një automjet të markës “JEEP”.
Në shtëpinë e Agim Hasajt, policia tha se bllokoi 475 gram bimë e dyshuar narkotike, 111 copë fishekë luftarakë, dy krehra pistolete dhe tre aparate celularë. Në banesën e Stërkajt policia bllokoi një makineri për presimin dhe ambalazhimin me vakum të lëndës narkotike. Policia tha se po ashtu bllokoi 140 gramë marijuanë, tetë aparate telefoni celularë dhe dy automjete të markës Volksëagen Passat dhe Golf V. Ndërkaq në banesën e e Ervis Bicit policia bllokoi gjysmë kile lëndë narkotike marijuanë, 103 copë fishekë, tre aparate telefoni celular, katër karta SIM, dy aparate komunikimi në distancë, si dhe një automjet “Hammer”. Policia tha se ndaj personave të mësipërm është komunikuar masa e arrestit në flagrancë me akuzën e “Prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike” dhe “prodhimit dhe mbajtjes së armëve dhe municioneve luftarake” etj.
Operacioni ballkanik
Në Shqipëri, operacioni rezultoi vetëm me katër të arrestuar ndërsa në rajon u realizuan një seri arrestimesh. Policia e Malit te Zi tha se kishte arrestuar 20 persona të përfshirë në këtë linjë trafiku. Ndërkaq në Serbi Bosnje e Kroaci, policitë lokale të këtyre vendeve arrestuan afërsisht 35 persona. Në total, operacioni përfundoi me afërsisht 60 persona të arrestuar. Mirna Soja, një zëdhënëse e Policisë boshnjake në Banja Luka tha se policia po kërkonte disa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë linjë të trafikut të drogës që kalonte në për pesë shtete të Ballkanit. Në Serbi, Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, tha se ky operacion kishte nisur në Serbi për të shkatërruar organizatën kriminale.