Publikuar me : 11.10.2011 Ne :
Kronike - 94 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

Sipas referimit të bërë nga OPGJ i doganave pranë NJPH Durrës, gjatë kontrollit fizik të një automjeti tip trajler nga autoritetet doganore të degës së doganës Durrës, ka rezultuar se në këtë automjet kane qenë të ngarkuar mallra të një natyre dhe sasie të ndryshme nga ato të deklaruara për zhdoganim.
Mallrat ishin me prejardhje nga Bari, Itali dhe ishin porositur në disa subjekte tregtare italiane nga tre shtetas. Në mjetin transportues përveç ujit mineral dhe pijeve freskuese, (të deklaruara për zhdoganim), në trajler ishin ngarkuar gjithashtu: zbutës rrobash, çaj S.Benedeto 1.5 lit, litra, shampo, makarona’, letër duarsh, ilaç rrobash, qumësht, ilaç enësh, dhe birra “Heineken”, të cilat nuk ishin deklaruar për zhdoganim.
Vlera totale e detyrimit doganor të shmangur për artikujt e lartë përmendur rezulton në shumën 1.605.542 lekë. Me datë 17 shtator 2011, nga shërbimet e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë është bërë ndalimi i njërit prej pronarëve të mallit. Ky i fundit ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka zbuluar mënyrën e realizimit dhe personat e përfshirë.
Gjatë kontrolleve janë gjetur: vula, formularë të faturave të shitjes nga shoqëri italiane, deklarata eksporti, fatura transporti, dokumente CMR, etj., të falsifikuara, dokumente që u përkasin shoqërive të ndryshme shqiptare dhe të huaja, si dhe janë gjetur të dhëna me interes, të ruajtura në celularet e personave, kompjuterat personalë dhe në adresat e-mail.
Të gjithë këto materiale janë dërguar për ekspertimet përkatëse. Aktualisht janë ndaluar 3 persona. Në total janë 6 persona nën hetim.