Publikuar me : 15.10.2011 Ne :
Kulture - 66 Lexime. Origjina : Gazeta Shekulli

“La Confesión” 1980. Cristina Garcia Rodero, Magnum Photos
Elsa Demo
Pamja e një shtëpie në buzë të detit në Xifré është nga parat në historinë e fotografisë spanjolle. Studiuesi Publio Lopez Mondejar ruan rendin kronologjik për të prezantuar 150 vjet fotografi spanjolle, por ekspozita është ndërtuar në mënyrë më komplekse. Janë grupuar epokat sipas zhanreve, stileve dhe temave të përafërta. Kuratori ka krijuar një medalje: njëra anë që është historia e mediumit dhe tjetra është historia nëpërmjet mediumit.
Ngjarje të parëndësishme e të rëndësishme historike në 119 imazhe, në vitet 1839-1990, në gjininë e portretit, peizazhit, reportazhit, në stilin e piktorizmit, vangardizmit, fotografisë popullore etj., janë trashëgimia kombëtare e Spanjës, që ruhet në muze nacionalë e rajonalë, në arkiva private e institute që i tregohet publikut shqiptar në ekspozitën “150 vjet fotografi në Spanjë” e përuruar dje zyrtarisht dhe e hapur nga sot deri më 20 nëntor, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Madhështia e ndërtesave si në foton e Kongresit të Deputetëve 1853, torret, portet, urat, kishat e katedralet, janë prezantimi i parë. Pastaj ciganë në Andaluzi, një oborr toledan ku luajnë fëmijë nën mbikëqyrjen e grave, një fëmijë puth një objekt të shenjtë. Nga këtej vijnë ngjarjet: të burgosur politikë duke ndërtuar stacionin hekurudhor të Tarragonës, foto e vitit 1876; mbyllja e demave si në foton e Zubizarreta-s, që përfaqëson diçka për studiuesin Lopez Mondejar përderisa e ka sjellë megjithëse në gjendje të dëmtuar.
Mbrojtja e Bilbaos e rrethuar nga trupat karliste, kampet ushtarake gjatë luftës së Marokut janë disa foto nga luftërat e Spanjës që kulmojnë brenda Spanjës me Luftën Civile dhe diktaturën e Frankos. Kjo e fundit prezantohet me imazhe goditëse.
Publio Lopez Mondejar tregon se ato u ekspozuan për herë të parë për publikun spanjoll në vitet dymijë, kur Spanja po i fuste në rrjedhë ligjore hesapet me kujtesën historike.
Një nëne e re, një bebe femër dhe një qen femër. Përse keni zgjedhur për afishe foton “Tri femra”?
Afishen e zgjodhi në fakt Galeria juaj. Ndërsa propozimi im ishte kjo foto e realizuar nga Cristina García Rodero, një fotografe e shquar spanjolle.
“Rrëfimin” e Cristina Rodero-s e kishim zgjedhur për të ilustruar këtë intervistë me ju. Cili është konteksti lokal i kësaj fotoje?
Bëhet fjalë për një festë fetare shumë popullore në Galicia, e që tregon për shkallën e penetrimit të kishës katolike, që feja është diçka më shumë se një program. Është e vështirë të gjesh meshkuj në atë festë. Them se kjo foto paraqet më së miri religjiozitetin e Spanjës. Më pëlqen vështrimi i priftit.
Të jep përshtypjen sikur prifti të jetë model.
Duket që atij nuk po i pëlqen fotografia dhe nuk nga të lëvizë. Ajo grua spanjolle më ngjan me gratë shqiptare që kam parë në fotot tuaja të vjetra.
Ka ndryshuar fotografia e Roderos sot?
Ajo vazhdon të bëjë punën e saj. Ka qenë në Kubë, në Haiti, ka qenë në Kosovë. Rodero bën atë që do vërtet, por tani ka më shumë mjete në dispozicion.
Është i ndjeshëm ndikimi i mjeteve të reja në zhvillimin e artit të fotografisë spanjolle?
Po marr sërish rastin e Kristinës. Ajo ndjek shumë festat rituale në gjithë botën. Ka bërë një reportazh shumë të mirë në Venezuelë gjatë natës, vetëm me dritën e qirinjve. Me aparatet e saj të vjetra ajo ka thënë që nuk mund të bënte ato lloj fotosh, veçse me aparatet me ndjeshmëri të lartë. Teknika është gjithnjë e mirë në qoftë se e përdor ashtu siç duhet. Revolucioni i Leica-s e ka ndryshuar fotografinë për më mirë.
Fotografitë e vdekjes: nuk mund ta shmangësh krahasimin e imazheve të hershme që sillni nga Spanja me fotografitë shqiptare që ju i paskeni parë edhe ato.
Mua gjithmonë më kanë impresionuar fotografitë e njerëzve të vdekur. Në Meksikë kam gjetur shumë fotografi të të vdekurve. Është një kulturë e atij vendi që dialogun shumë mirë me vdekjen. Në Spanjë jo dhe aq. Në Spanjë ne bëjmë çmos që ta fshehim vdekjen.
Kur erdha në Shqipëri u ndjeva po aq i magjepsur kur pashë fotografitë e Idromenos apo Marubit që kanë si tematikë vdekjen: vdekja te myslimanët, katolikët, ortodoksët. Besoj që është një kapitull i rëndësishëm në fotografinë shqiptare. Kështu që duhet ta çojmë Idromenon dhe Marubin në Spanjë.
Fotot tuaja të vdekjes duket të jenë bërë në studio.
Janë bërë në studio. Një nga botimet e mia të para dhjetë viteve, merret me fotografinë popullore në Spanjë. Kam përfshirë shumë fotografi të vdekurish në rrugë apo në oborre. Për fotografët e shek. XIX vdekja ishte një specialitet. Babai apo nëna çonin fëmijën e tyre të vdekur në studio dhe e fotografonin. Kur komshinjtë e fotografit nisën stë protestonin nuk duam të vdekur që hipin dhe zbresin nëpër shkallë, atëherë fotografi doli nga studioja dhe e fotografoi të vdekurin atje ku ishte.
Mund të duken surrealiste nganjëherë si ai imazh i vitit 1956, pikërisht për prezencën e madhe të realitetit në të. Këto foto u dërgoheshin emigrantëve. Spanja ka qenë një vend emigrantësh.
Me të njëjtin motiv shpjegohet fotografimi i të vdekurit edhe te shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar.
Po, por nga ana tjetër, nga ana estetike kemi të bëjmë me një histori shumë të ndryshme nga ajo e pikturës.
Janë disa imazhe të viteve njëzetë ku fotografi inskenon mitologjinë, si për shembull “Salome” Masana 1920, apo “Në ç’cep të qiellit do të takoj” Joan Vilatoba, 1925.
Sepse në fillim të shek. XX ka një moment kur fotografi do të jetë piktor. Ai turpërohet nga të qenit fotograf dhe mendon që realiteti nuk ka dinjitet të mjaftueshëm për aftësinë e tij të madhe artistike. Kështu që e rikrijon realitetin, ose e nxjerr këtë realitet nga librat. Unë doja t’i paraqisja këto fotografi sepse janë pjesë e historisë së fotografisë spanjolle, përfaqësojnë rrymën e pikturimit.
Deri kur është e gjallë në Spanjë?
Në Evropë pikturimi në fotografi mbaron më 1914. Në Spanjë si një vend kulturalisht i varfër, për klasat që qeverisin dhe klerin injorant, kopjojnë gjithçka, por e kopjojnë me vonesë dhe e kopjojnë keq. Pikturimi zgjat deri në vitet tridhjetë edhe për faktin se është një lëvizje me shumë ideologji brenda. José Ortiz Echagüe është një fotograf i njohur që e tregon Spanjën sipas vlerave të tij estetike dhe etike, vlera që përkojnë me ideologjinë katolike dhe nacionaliste të gjeneralit Franko. Ky fotograf piktoralist bëhet me veprën e tij simbol i Spanjës së përjetshme, Spanjës së kështjellave, Spanjës së madhe, Spanjës më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Prandaj pikturimi i stilit të tij fotografik ka jetëgjatësi deri në vitet ‘60.
Të gjitha këto epitete që skicojnë në mënyrë ideologjike Spanjë, i mungojnë ekspozitës suaj dhe kjo duket merita më e madhe. Ti shikon fushën e demave, toreadorët por nuk shikon Spanjën turistike të toreadorëve…
Unë nuk jam nacionalist. Dhe nuk besoj se Spanja është më e mirë se ndonjë vend tjetër në botë. Të gjithë njerëzit në botë janë të barabartë. Nacionalizmi është paradhoma e fashizmit, madje edhe e komunizmit. E them këtë dhe kam parasysh tablotë dhe skulpturat që pashë në galerinë tuaj.
E keni menduar interesin që mund të kenë për publikun shqiptar imazhet e periudhës frankiste?
Jo. Kjo ekspozitë është inauguruar më parë në Madrid dhe fotografitë e periudhës së Frankos, të burgosurit politik, uria në rrugët e Madridit, kanë qenë të ndaluara. Grumbullimi i tyre ka qenë shumë i vështirë. Dhe ka qenë shumë e dhimbshme për mua të shoh ato foto sepse janë Spanja e fëminisë sime. Njerëzit u ndjen të mallëngjyer nga prezantimi i këtyre fotografive në vitet dymijë. Për mua kishte shumë interes t’i sillja këtu në Shqipëri, nga e cila ne spanjollët njohim vetëm Enver Hoxhën dhe Kadarenë.
Përse një foto nga Angola?
Doja të tregoja një imazh të një reporteri spanjoll që udhëton në gjithë botën. Ka një grup fotografësh të mirë spanjollë që janë reporterë të luftës. Tre prej tyre në këto dhjetë vjet kanë vdekur.
Dhe ju i përfaqësoni reporterët në bllokun e fotove nga Lufta Civile me foton simbol të Robert Capa-ës?
Lufta Civile e Spanjës ku patën kontributin e tyre edhe shqiptarë si Petro Marko, ishte shumë ndërkombëtare. Capa ishte njëri prej shumë militantëve antifashistë të ardhur nga bota. Fotografitë e tij apo të David Seymour u kthyen në një akuzë kundër diktaturës.
Ju si keni mbërritur deri këtu?
Jam gazetar dhe nuk më pëlqen gazetaria. Më intereson vetëm gazetaria kulturore. Në Spanjë gazetaria është një zanat për ata që janë me pushtetin. Unë besoj që gazetari duhet ta mbikëqyrë pushtetin, por ai nuk e bën këtë. Ai buzëqesh me shakatë e pushtetit. Në vitet shtatëdhjetë më kanë magjepsur fotografitë e gjyshes sime, të tim gjyshi që kishte shkuar në Luftën e Kubës. Gjeja te fotografia një gjuhë të kujtesës sime por nuk e dija mirë se ç’mund të bëja me fotografinë. Në vitin 1980 i mblodha bashkë të gjithë fotografët e fshatrave të zonës sime, në Kastilia, në zonën e Mançës. Kërkova djalin e njërit prej tyre i cili ruante 1000 negativa prej xhami. Me to hapëm një ekspozitë që pati sukses. Atëherë erdhi dikush dhe më tha se mund të bënim shumë në këtë drejtim. Kështu që e lashë gazetarinë.
Deri në Peru kemi zbuluar fotografë shumë të mirë. Kur pashë fotografitë e Marubëve tuaj, mendova që duhet t’i çojmë në Madrid.
Ekspozita është e ndarë në tri pjesë didaktike kronologjike.
1839-1900: fotografitë e para, fillimet e fotogazetarisë, portretit dhe shumëfishimit të imazheve. Pjesë e kësaj periudhe janë fotografitë e autorëve klasikë si Clifford, Laurent, Martinez Sanchez etj.
1900-1939 prek aspekte si: fotografia popullore, portretizmi i ri, reporterizmi grafik (me një theks të veçantë mbi Luftën Civile spanjolle) dhe piktorizmi. Kjo etapë e fotografisë spanjolle përfshin fotografi nga Alfonso, Centelles, Ortiz Echagüe, Escobar e shumë fotografë të tjerë.
1939-2000: fotografia e frankizmit, revolucioni dokumentarist, fotogazetaria e tranzicionit demokratik, dokumentarizmi antropologjik i viteve 80-të, modernizmi, pas-modernizmi dhe fotografia e viteve 90-të. Autorë përfaqësues të kësaj periudhe janë Cristina G. Rodero, Garcia Alix, Ramón Masats etj..